Go to top
Gjinitë/fraktaliteti

Në nisje të përngjasimit tonë mbi “formën e kabasë dhe fraktalitetin”[1], u nisëm nga fakti që gjatë shtjellimeve tona të mësipërme për të arritur një njohje qoftë edhe të pjesshme të saj, vërejtëm se “kabaja” gjithmonë rridhte nga të tjera realitete muzikore të mëpërparshme. Nisur nga kjo, konstatuam se ajo bashkon në veten e saj një shumësi lëndësh të cilat zbulojnë gjithsesi prirje të veçanta organizimi. Sido që ta marrësh, kabaja me saze është nga gjetjet gjeniale, por dhe misterioze në thelbin e tyre. E thjeshtë në dukje, d.m.th. kur atë e sheh dhe e dëgjon drejtpërsëdrejti, kabaja rreket të ndërtojë një baraspeshim të ri të parametrave muzikorë, të ngjashëm me rivendosjen e një rendi dhe uniteti të ri të lëndës muzikore të gjithhershme. Nuk besoj se ka, në të gjithë folklorin tonë muzikor, një dendësi kuptimore të lëndës muzikore në përgjithësi sa tek kabaja. Është ndër të vetmet gjetje artistike që pleks në një të vetme materialet muzikore tradicionale me shijet kolektive bashkëkohore, që “shpërfytyron” dhe përdor instrumentet moderne në një rrugë tradicionale, e që njëkohësisht mbart formulën se edhe larmia është një lloj uniteti.

Ideja jonë që ta shohim përngjasimin e kabasë nën këtë vështrim strukturor, nuk është diçka e rastit. Në të gjithë parametrat e kabasë vërejmë prirjen për të strukturuar “çrregullsinë”. Kaq i vërtetë është ky konstatim, saqë forma e saj e zakonshme dypjesëshe, mbart pikërisht modusin për ndryshim, duke synuar gjithmonë një “prishje” të njësisë së parë për të “ndërtuar” një tjetër të tillë. Kjo është lëvizja më e dukshme, e cila shënon edhe “fraktusin”, çrregullsinë e parë të kabasë. Fraktusi është i shtrirë edhe në këndvështrimin vertikal të interpretimit të kabasë me instrumentet që përbëjnë sazet. Për të ngritur dhe ngjallur kabanë, formohet një unitet i vetëm nga bashkimi i veglave të cilat kanë sa tipare të pangjashme, aq edhe klasifikim organologjik të ndryshëm. Konkretisht gjithsecila prej tyre (gërneta – “marrje”, qemania – “prerje”, llauta – “iso”, defi – “ritëm”), jep e merr me një lëndë muzikore e cila formohet pikërisht në momentin kur respektohet formula se “pjesët përbëjnë të tërën”. Lind pyetja se ç’janë pjesët?

Këtu mund të verifikosh edhe një variacion tjetër të shfaqjes së “fraktusit”. Duke mos u nisur nga zëri i parë i gërnetës, por vetëm nga i dyti, mund të shohim se në organizimin më të përgjithshëm të tij ai shfaqet si një formulë e cila “ndërpret” (kupto kontrapunkton) zërin e parë me një sërë variacionesh të çrregullta të formulës kryesore përgjatë gjithë trupit të kabasë (pjesës së saj të parë). Vetë fakti i “ngrirjes” së këtij zëri te këto të dhëna, duket se është ende një shfaqje, po aq e vjetër sa “isoja”, e cila shërben si bazë e nisjes së kësaj formule, por dhe si shtrati i fundit i saj, pasi mbi një notë mund të ndërtosh skema ritmike të pafundme, por jo melodi. Kështu mund të provohet se, në një lloj kuptimi, forma e kabasë gjenerohet gjithmonë duke u nisur poshtë, nga niveli prej ku “lindin” dhe “vdesin” formulat e gjenerimit. Gjithashtu, pleksja stilistike e lëndës muzikore duket se është një tjetër syresh. Më tej, vërejtja e hollësishme mbi teksturat do të na japë një mori “organizmash” që synojnë të provojnë unitetin e bashkëjetesës së tyre. Stilema të dikurshme, materiale muzikore të “reja” e të “vjetra”, synopse pjesësh vokale apo instrumentale, pa dyshim iso-ja etj. gjenden në trupin strukturor të kabasë si pjesë të lëndës muzikore të dikurshme e parë si e tërë.

Siç thuhet zakonisht nga ustallarët, apo bërësit e saj, “kabaja lind nga derti”. Kjo nënkupton atë që më së pakti ajo rrjedh prej substrateve që askush deri më sot (por edhe nesër), nuk do të mund t’i vëzhgojë deri në fund, për arsyen e thjeshtë se identifikimi dhe sqarimi i tyre është i pamundur. Heteroorigjina e kabasë, e cila fsheh dhe ngërthen marrëdhënie nga më të çuditshmet në këtë arketip të muzikës sonë, mund të ishte edhe si një aspekt tjetër i fraktalitetit.

[1] “Fraktal” është një term i zbuluar nga matematikani i lindur në Poloni, Benait Mendelbrait. Termi vjen nga latinishtja “Fractus” që kupton diçka të thyeshme, ose më mirë, të çrregullt. Fraktalet mund të konstatohen edhe në dukuritë natyrore, si p.sh. te pemët, retë etj.

Spread the love
error: