Sazet e Gaqo Lenës (1926–2004) janë formacioni që jo vetëm lidh kulturat muzikore të qyteteve të Leskovikut me të Përmetit, por dhe paralajmëroi formimin e sazeve më të reja në qytetin e Përmetit. I lindur më 1926 në Leskovik, Gaqo Lena në vitet ’40 punon në Përmet dhe po aty mëson gërnetën pranë usta Vangjel Leskovikut. Megjithëse i ri, futet në Sazet e Usta Vangjelit si këngëtar me një repertor këngësh nga më të shquarat si “Hapi syt e zez të na sjellsh beharë”, “Moj kunadhja leshverdhë”, “Këngën e Mahmudisë”, Vajza e valëve”, “Çupë e Veli Beut me nishan në ballë” etj. Pas kësaj, në vazhdën e traditës së krijuar nga Vangjel Leskoviku, ngre sazet e tij të përbëra nga Nesimi, Asllan Tarja, Haliti. Ende kujtohet në popull gërneta e bardhë e Gaqo Lenës të cilën ia kishte sjellë nga Amerika daja i tij violinist i shquar popullor, Mitro Jorgoja. Në Korçë ai punon edhe me usta Cilon, si dhe me Demkën e “Demka dhe Hajro”. Në maj të 1945 vjen në Tiranë dhe punon së bashku me Qemal Baton me violinë dhe të shquarin Naxhi Berati. Më 1946 rikthehet përsëri në Përmet e Leskovik. Në Leskovik, krahas tij, përmenden edhe Sazet e Vasil Podës me gërnetë, Llazo Podës me qemane dhe Vangjel Podës me llautë. Sazet e Gaqo Lenës në këtë kohë përbëheshin nga Mitro Apostoli, Kolo Nakja, Fishka dhe Vangjel Janushi. Ata bënë muzikë në Buhal, Kosinë, Këlcyrë, Dangëlli, Lupckë, Frashër, Tremisht, Këlcyrë, Kosovë, Badëlonjë, Bënjë, Lëshicë e deri në Rëzë e Çarshovë. Punon gjithashtu si sazexhi në Leskovik, Kolonjë, Korçë e më tej. Në fund të viteve 1960 angazhohet në institucionet e kulturës së Ushtrisë Popullore pranë Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë ku dha një kontribut të çmuar për evidentimin e talenteve të reja dhe në jetën kulturore të Forcave të Armatosura. Ndër ta edhe Remzi Lela – Ҫobani dhe Novruz Nure – Lulushi i Korҫës, i cili mësoi prej usta Gaqos stilemat e para të lojës në gërnetën popullore. Në mesin e viteve 1970 e pëson për shkak të spastrimeve në radhët e ushtrisë dhe goditjes së gjeneral Petrit Dumes, gjë e cila i solli edhe kufizim të aktivitetit artistik në kulmin e vlerave dhe të pjekurisë që zotëronte. Deri në formimin e Sazeve të Usta Laver Bariut në vitet 1950, Sazet e Usta Gaqo Lenës ishin sazet qendrore të qytetit. Pas viteve ’50 ushtron veprimtarinë në Leskovik e Kolonjë së bashku me usta Vangjel Leskovikun duke marrë pjesë gjithashtu në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme kombëtare.