Go to top
Festivali Folklorik Kombetar

Festivali i Gjirokastrës është prej dekadash një institucion i ruajtjes, popullarizimit dhe dokumentimit të trashëgimisë shpirtërore.

Prej vitit 1968, ka qenë një mundësi unike për të bërë bashkë në një skenë bartësit bashkëkohës të kësaj trashëgimie qindravjeҫare që e ka shoqëruar njeriun “nga djepi në var”, nga Veriu në Jug të Shqipërisë.

Për organizimin e festivalit të Gjirokastrës u mor edhe përvoja e disa parafestivaleve. Ato u organizuan në dekadat e para pas Luftës II Botërore në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Këto tradita festimesh i kanë rrënjët thellë në histori, tek festat pagane, ritet dhe artet e shfaqjes

Festivali i parë i Gjirokastrës u mbajt në vitin 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve.

U zgjodh qyteti-muze i Gjirokastrës si skenë natyrore për festivale, por edhe sepse kështjellat në kujtesën shqiptare janë shenja qendrese dhe mbijetese. Gjirokastra njihet dhe si qyteti i vajtimit, për shkak të traditës së moçme të këngëve të përvajshme shumëzërëshe.

Prej vitit 1968, organizimi i FFK u mbështet në akte ligjore dhe nënligjore, referuar Ligjit nr. 27/2018 Për trashëgiminë kulturore, neni 33, pika 5, ku theksohet:…Shpallja e organizimit të festivalit bëhet me urdhër të Ministrit, një vit përpara organizimit të tij.

Festivali organizohet mbështetur kritereve organizative dhe shkencore të hartuara nga studiuesit e Institutit të Antropologjisë Kulturore. Kriteret zbatohen rreptësisht nga Qendra Kombëtare e Veprimtarie Tradicionale.

Organizimi i festivalit përfshin fazën përgatitore dhe konkurimin në kalanë e festivalit.

Në të gjitha festivalet e organizuar deri më tani, në fazën përgatitore përfshihen mbi 50.000 mijë bartës  dhe në konkurime marrin pjesë mbi 2000 pjesëmarrës.

Festivali që zgjat zakonisht 7 mbasdite me koncerte, bashkëshoqërohet edhe me aktivitete shkencore, artistike e të turizmit kulturor. Festivali është konceptuar në formën e një gare folklorike ku vlerësohen me ҫmime bartësit dhe interpretuesit.

Nuk gjendet lehtë një rast i ngjashëm, që të bashkojë kaq organikisht trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar dhe të ҫ’do trashëgimie tjetër në Shqipëri me kalanë dhe qytetin e Gjirokastrës, pjesë e World Heritage List të UNESCO-s, qyteti që ngjan se është ndërtuar për të rrojtur përjetësisht me artin.

Për të gjitha këto, Akademia e Artit dhe Trashëgimisë ODEA www.odeacademy.org në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës përgatitën dosjen e aplikimit për regjistrimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në “Regjistrin e Paraktikave më të Mira të Ruajtjes së Trashëgimisë Jomateriale” të UNESCO-s. Dosjen e plotë mund ta konsultoni këtu:

https://ich.unesco.org/en/files-2020-under-process-01053?select_country=00003&select_type=all#table_cand

Spread the love
error: