Go to top
E qara me grikë

Mënyrë arkaike e këndimit iso-polifonik në qytetin e Gjirokastrës..

Etim. Sipas Prof. Cabejt, fjala bote ka kuptimin shtamë, pra enë që mbush ujë. Të dhënat materiale dëftojnë se kjo fjalë është një me botë, dhe, baltë, deltinë si dhe me baltë shtamash. Ai e nxjer si fjalë të toskërishtes në pjesën jugore edhe në formën bot-i.

Enc. “E qara me bote” shfaqet si një mbetje e praktikave shumë të vjetra rituale të ceremonialit të vdekjes, kjo e lidhur edhe me boti-n, pra me njeriun si mikropjesëz e botës, që lind nga toka dhe vdes po në tokë. Ne i referohemi analizës së kësaj dukurie në muzikën iso-polifonike të Shqipërisë së Jugut, si një bërthamë ende arkaike në të cilën mund të identifikojmë lindjen dhe perceptimin e dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë vokale, sepse: vajtimet janë djepi ku përkunden këngët e lashta dhe ato të reja. Sido që ta shtjellosh, apo në të gjitha rastet që ta interpretosh, “e qara me bote” është përsëri e lidhur, si me të qarën me shtama (pra me rrëke lotësh), ashtu dhe me të qarën për dheun, për tokën, pra si një vajtim masiv për tokën. Duke bërë fjalë për sosjen e stinës njerëzore të një personi të caktuar, (pra të një boti), me përcjelljen e tij në botën e përtejme, na bën përshtypje fakti se “e qara me bote” ruan në strukturimin e saj, si bërthamën, modusin iso-polifonik të ndërtimit (pra strukturën e shumëzërëshit të lidhur ngushtësisht me ison, këtë ngashërimin masiv të pjestarëve në të “qarën me bote”), por dhe se evidenton mjaft qartë veten si një dukuri që është përbërëse e një rituali të mirë strukturuar. Këtu, së bashku qëndrojnë si të barabarta: e folura-e ligjëruara me zë, e kënduara dhe lëvizja.

E shoqja:  Pilo zëmëra, ç`më le,

                  u nis guri në Varre

                  hume me gjithë kope.

Shoqet:     Ti shoqe si shumë the,

                  kështu s`qajënë nër ne,

                  po vure në derexhe.

 

Në këtë pikëpamje na duket se “e qara me bote” është pjesë e një mini-tragjedie popullore, e cila nuk luhet më në teatrot antike, por bash mu në mes të “teatrit-shtëpi”, në të njëjtën skenë qindravjeçare të njeriut. Sipas popullit: kërcet dhoma atje kur e mer një të qarë me botë, ja bëjnë të gjitha: i-i-i. I Kadare ka vënë re dhe ka evidentuar ngjashmëritë që ekzistojnë mes teatrit primitiv dhe “të qarit me ligje” në Jug, por dhe sidomos kur flet për rolin e përbashkët që kanë si vajtojcat ashtu edhe korri antik si përgjigje e fjalëve të tyre në komentimin e tipareve të të vdekurit. Tek e qara në grup, dhe në formacionet e saj të përveçme si “e qara me bote” apo “e qara me ligje”, gjejmë të sendërtuara edhe format  e organizimit strukturor, të cilat më pas u implementuan dhe u bënë të përveçme në strukturën e tragjedive antike të Eskilit (në mënyrë të veçantë tek tragjeditë Lutëset, Agamemnoni, Koeforet dhe Eumenidet), me korife, kor, dhe recitues, si formacione për dhënien dhe fillimin e ceremonialit kompleks të mandatës së vdekjes. Dëshmi të prekshme të atij realiteti kemi edhe ndër gjetjet e arkeomuzikës shqiptare, në mënyrë të veçantë tek “Sirenat vajtore” pa vegla muzikore të Apolonisë, Sirenat e Durrësit, Antigonesë dhe Vlorës, të cilat janë dëshmi unikale të këtyre personazheve tragjikë të këndimit, por dhe të veprimit teatral iso-polifonik. “Vajtimi me bote” është një vajtim masiv, një vajtim i përmotshëm. Si i tillë është evident fakti që ky tip vajtimi prodhon një tingull masiv në formë të clusterit iso-polifonik, i cili ende sot, shfaqet në formën e një ngashërimi muzikor shumëzërësh (gjysëm i folur dhe gjysëm i kënduar), i cili është padyshim, në formën e tij më elementare ajo që sot e quajmë thjesht iso. Ky cluster-ton, në formën e tij më arkaike nuk është gjë tjetër veçse magma iso-polifonike, ku “fshihen”, si zërat e përveçëm por dhe isoja, ky shtrat i domosdoshëm për lindjen, zhvillimin dhe më pas kthimin e tyre në këtë shtrat muzikor vajtues. Eshtë pikërisht ky shtrat vajtues, në të cilin mbivendosen natyrshëm, pa sforcim, të gjitha ato tingëllime të mrekullueshme të polipentatonive të cilat provojnë, se i menduari muzikor iso-polifonik, nuk mund të kufizohet brenda sistemit pesë notësh të pentatonisë, por mund të zgjerohet ndjeshëm si rezultat i harmonisë iso-polifonike që prodhohet nga “thurrja dhe shthurrja” e shkallëve pentatonike me bazë të ndryshme. Këto elementë të rëndësishëm identifikues të iso-polifonisë, janë të lidhur sigurisht edhe me një seri gjetjesh teknike të shprehjes së tyre, si p.sh rënkimi muzikor me glissando (kjo rrëshqitje muzikore nga lart poshtë me tendencë zbritjen në iso por dhe poshtë saj), e ngjashme me aktin e zbritjes të të vdekurit në dhe, por dhe në artikulimin e dendur të septimës minore nga Zëri i I-marrësi, që në konteksin tonë, edhe kjo të ngjason jo më me zbritjen në var, por me të kundërtën, ngritjen e shpirtit në qiell! Sipas Krutës, përdorimi i vazhdueshëm i zanoreve i ,o, u apo i grupit dyzanorësh ou pothuaj në çdo fjalë të vargut në intervalin melodik të septimës së vogël, thekson, sipas tij, akoma më shumë karakterin e tyre vajtues, kjo e ndërthurrur edhe me “të kënduarin trash”, të korrit iso-polifonik të vajtoreve. Një pjesë e vajtoreve, me kalimin e viteve e shndëruan vajtimin në institucion, që do të thotë se arritën të krijojnë gati profesionion e vajtores, kjo për shkak të zotësisë në hartimin e vargjeve dhe melodisë pikëlluese të këngës që ato këndonin, nën sfondin e isos ngashëruese të njerëzve të tjerë, të afërm të të vdekurit, që ishte nisur për në Gropat e Zisë siç thotë populli.

Mendojmë gjithashtu se ka një lidhje esenciale mes këndimit iso-polifonik, qëndrimit të këngëtarëve gjatë aktit të këndimit, me traditën e vjetër vajtimore të IP. Këtu tërheim vëmendjen ndaj pozicioneve “klasike” IP të këndimit vajtimor arkaik nga ana e këngëtarëve, siç është ai “kokë më kokë”, aq i dukshëm në rastin e këndimit iso-polifonik  të vajtoreve labe dhe në shumë të njohurën “Dy dhe tre vetçe dukaçe”. Ende sot, në tërësi, qëndrimi dhe rrjeshtimi i këngëtarëve të iso-polifonisë rruan në pamje qëndrimin grumbull, rreth e rrotull, të grupit për nga i vdekuri i pavarosur. Ky pozicion unikal përsa i përket këndimit, rezulton shumë i vlefshëm edhe në këndvështrimin e raporteve tingullore që krijohen, pasi vendosja e këngëtarëve kryesorë (marrësi në qendër, prerësi dhe hedhësi në anë të tij), dhe isoja e grupit mbrapa ndikojnë pozitivisht në rritjen e koordinimit mes këngëtarëve por dhe në volumin tingullor të tyre. Gjykojmë se në këtë rast, ruajtja e grupimit të këngëtarëve gjatë qëndrimit në grup, ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në gjithë unitetin e vetë këndimit IP, si një këndim pa dirigjent, gjë për të cilën nuk po zgjatemi kësaj herë. Në pikëpamje formale vërejmë si këndimin solo me shoqërimin masiv të korit; si vajtimin solo me kostatimin e “iso-polifonisë së fshehtë” apo qoftë edhe format tashmë klasike, të mirënjohura të këndimit iso-polifonik siç janë ato dy, tre dhe katër zërëshe me iso. Besojmë se “e qara me bote” (si forma më e vjetër e të kënduarit iso-polifonik), reflekton në strukturën e saj të ndërtimit edhe raportet që studiuesit e letërsisë antike  kanë vënë qysh herët në portretizimin e Korrit, si element kryesor strukturor në tragjeditë antike, kryesisht ato Eskiliane. Pra Kori, kjo strukturë IP në ndërtim (pra me recitues, korife dhe koristë), çmohet ta ketë prejardhjen e vet nga rituale tragjike arkaike, si ky që ne po flasim për vajtimin. Të qarën me bote, e hasim edhe si “ e qarë me vome”, në Malëshovë, Përmet. Kompozitori Thoma Nasi ka kompozuar dhe botuar në vitet 1920 pjesën muzikore “E qarë”.

Lit: Th. S. Hjuz, “Udhëtim në Sicili, në Greqi dhe në Shqipëri”; Cico, Stravre “Vajet në Shqipëri”, gaz. “Demokratia”, 1925, nr. 29-4, 29 Dhjetor, fq. 2; Munishi, Rexhep “Këndimi I femrave të Podgurit”, Prishtinë, 1979; “Mbi vajtimet shqiptare”, Prishtinë 1985; Veliu, Veli “Bue, Ekari dhe Dozoni për këngët popullore shqiptare”, “Gjurmime Albanologjike”, Folklor dh Etnologji, XXI-1991; Skiroi, Zef “Mili e Haidhia”, Tiranë, 1994; Çaushi, Tefik “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998; Sokoli, Ramadan “Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë, 2000; Çobani, Tonin “Princi I përfolur Lekë Dukagjini”, Tiranë, 2003, fq. 93 etj; Ernest Koliqi, “Vepra 6”, Prishtinë, 2003, fq. 301; PLUT., De defectu oraculorum, XVII Cituar sipas Ugolini. Luigi M, “Butrinti”, Romë 2000, fq. 80-81; Këngë popullore të Labërisë”, tek “Mbledhës të foklorit-8”, Tiranë, 1991, fq.604; “Epika Legjendare”, Tiranë, 1966, fq. 58; Cabej Eqrem, “Studime gjuhësore 1”, Prishtinë, 1976, fq. 75; “Këngë popullore të Labërisë”, Vol. 8, Tiranë, 1991, fq. 558 dhe 574; Shiko dhe Dino Thanas, “Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu”, Tiranë, 2004, fq. 71; Shiko “Eskili-tragjeditë”, parathënia nga Ismail Kadare, Tiranë, 1986, fq. 5; Vasil S. TOLE, “Odiseja dhe Sirenat: grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, Uegen, 2005, fq. 24-30;  Homeri, “Iliada”, Tiranë, 1979, fq. 447; Homeri, “Odisea”, Prishtinë, 2000. fq. 398-399; Alfred Uçi, “Mitologjia, Foklori, Letërsia”, Tiranë 1982, fq. 180; Fatos Arapi, “Këngë të moçme shqiptare”, Tiranë 1986, fq. 72-93; Mark Tirta, “Himara në shekuj”, Tiranë, 2005, fq. 360; Lukiani, “Vepra e zgjedhur”, Tiranë, 1979, fq. 227, “Visaret e Kombit”, V. III, Tiranë, 1937, fq. 180-184; Mihaçeviq, Lovro “Nëpër Shqipëri”, 1883-1907, Tiranë, 2006, fq. 96; Ismail Kadare, “Dantja I pashmangshëm”, Tiranë, 2005, fq. 31; Koliqi Ernest, “Vepra 6”, Prishtinë, 2003, fq. 587; Evlija Çelebi Sejjahatnamesi, “Shqipnija para dy shekujsh”, përkthyer nga Sali Vuçiterni, Tiranë, 1930. Kruta Beniamin,“Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë, 1989, fq. 134-135, Bardhosh Gaçe, “Tradita dhe risi në poezinë popullore të Bregdetit të Himarës”, tek “Gjurmime albanologjike”, 33-34/2003-2004, Prishtinë, 2005, fq. 206-208;  Balli Kristaq, “Thoma Nassi”, Korçë, 2006 etj

Spread the love
error: