Go to top
Bilbil Vlora

Bilbil Vlora dhe Riza Berati

Referuar regjistrit të gjendjes civile, Bilbil Cenko ka lindur më 10 tetor 1889 në Gjirokastër, nga babai Abdyl dhe nëna Sine. Bilbili e mësoi gërnetën nga i  ati. Rreth moshës 15-vjeçare ai e zotëronte atë në një mënyrë virtuoze, gjë për të cilën ra dhe në sy të disa tregtarëve nga Janina, të cilët bënin tregti lëkurësh dhe sendesh të tjera me qytetin e Përmetit dhe Gjirokastrën. Ata e morën së bashku me shokët e tij (si Fadilin me llautë etj.) për të bërë muzikë në Janinë, me pagesë. Më 1897, sazeve iu bashkëngjiten edhe dy sazexhinj nga Delvina (një violinist dhe tjetri llautar), me të cilët Abdyli punoi për rreth gjashtë muaj në Stamboll. Më 1905 lëviz me familjen në Gjirokastër, ku qëndron për rreth dhjetë vjet. Rreth 1914-1916 familja shpërngulet përfundimisht në qytetin e Vlorës. Në vitin 1922, Bilbili fillon aktivizimin e dendur si saze kryesisht të përbëra nga elementë të familjes: Bilbili në gërnetë, Asimi në violinë dhe Rakipi në llautë. Pas një dasme në Kaninë, sazet e tij filluan të pëlqeheshin, duke u futur natyrshëm në jetën e qytetit. Më 1925, dalin jashtë Vlorës për të bërë muzikë në Berat. Të kësaj periudhe janë edhe disa bashkëpunime të tij me Sazet e Riza Meko-përmetarit ose Riza Beratit siç e quanin në popull i cili ka interpretuar edhe “Vallen e Napolonit” që kemi përzgjedhur. Problematika që të ofrojnë Sazet e Bilbil Vlorës, është e lidhur me të gjithë atë trashëgimi që Vlora dhe qytete të tjera të Labërisë u përballën për të formuar kulturën muzikore qytetare si dhe për të interpretuar muzikën mbarë shqiptare. Ashtu si dhe në rastin e muzikës me saze të qyteteve toske, edhe Sazet e Bilbil Vlorës u orientuan për nga folklori tradicional i fshatit. Për këtë arsye, Bilbil Vlora do të mbetet një nga reformuesit kryesorë të këngëve qytetare vlonjate me saze, të mbështetura mbi ato polifonike popullore me iso, si dhe autori i strukturimit të “Kabasë labçe-labërishte” me gërnetë. Regjistrimet diskografike të Bilbilit janë bërë kryesisht pranë “Columbia”-s dhe në to përfshihet edhe interpretimi i folklorit muzikor të Tiranës, Korçës, Përmetit, Beratit, Myzeqesë etj. Ndër këngëtarët dhe interpretët e shquar të këngës qytetare labe të kësaj kohe, përmendet edhe Zoj Havaja dhe Bajamja të cilat ishin kërcimtaret e sazeve të Bilbil Vlorës, por që me raste edhe këndonin, siç provohet nga regjistrimet diskografike etj.

“VALLJA E NAPOLONIT”, interpretojnë sazet e Bilbil Vlorës dhe Riza Beratit – YouTube

Spread the love
error: