Go to top
Aurel Qirjo

Lindi në qytetin e Korçës më 22 nëntor 1963. Pasi kreu studimet në liceun artistik “Tefta Tashko Koço” në degën e violinës, vijoi studimet e larta në Akademinë e Arteve në degën e dirigjimit. Duke qenë gjithmonë në kontakt me muzikën popullore dhe me mjeshtrit virtuozë popullorë, të cilët luanin atë lloj muzike, ai fillon dalëngadalë dhe hap pas hapi të ushtrohet në këtë lloj muzike. Që në vitet ’80 të shek. XX-të bëhet pjesë e rretheve artistike të muzikës popullore të Korҫës. Aty njihet me Pavllo Shollën dhe Josif Mingën si dhe me klarinetistin virtuoz Nevruz Nure (Lulushi), me llahutarin dhe këngëtarin Sherif Çobani, violinistin Abedin Hajro, dajrexhiun Agim Nasi e të tjerë. Violina e tij bëhet pjesë e pandarë e formacionit muzikor popullor ansamblit artistik “Skënderbeu” dhe grupit folklorik të qytetit të Korçës.

Me kalimin e kohës përsoset në këtë muzikë dhe fillon të marrë pjesë në festivale të ndryshme, duke filluar për herë të parë që në vitin 1983 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe më pas në atë të viteve 1988, në atë të vitit 1995, në atë të vitit 2009 ku merr dhe çmimin e parë si violinisti më i mirë në atë festival. Gjithashtu ai merr pjesë rregullisht në Festivalin Tipologjik të Sazeve që zhvillohet në qytetin e Korçës disa herë radhazi dhe shquhet për interpretimin e kabasë me violinë, duke u nderuar edhe me çmime. Në lojën e tij me violinë shquhet qartë ruajtja e traditës së kabasë me violinë dhe mbajtja gjallë e karakterit popullor të zonës së Korçës. Ai ka marrë pjesë edhe në shumë festivale të zhvilluara jashtë kufijve të Shqipërisë, si në Greqi, Turqi, Itali, Spanjë, Portugali, Holandë, Rumani, Angli dhe Suedi. Ai zhvendoset me banim në Greqi në vitin 1993 dhe punon si violinist popullor në formacione të ndryshme deri në vitin 2012. Më pas zhvendoset në Angli ku vazhdon të jetojë edhe sot dhe të kryejë aktivitete të ndryshme muzikore, po si violinist popullor me grupe shqiptare, greke dhe turke. Ai ka marrë pjesë në festivale muzikore të njohura në Angli, si: Woamad, Latitude, Tandem etj.

Qirjo ka luajtur violinë dhe ka regjistruar muzikë për këngëtarë të mirënjohur të muzikës popullore shqiptare, si: Eli Fara, Afërdita Zonja, Ermira Babaliu etj. Ka regjistruar një CD me muzikë popullore “Valle dhe kaba”. Së fundi ai bashkëpunon me producentin e njohur amerikan Joe Boyd, me të cilin realizoi një turne në Britaninë e Madhe, kryesisht me muzikë popullore të trevave të Jugut, si ajo e Përmetit, e Kolonjës dhe e Korçës. Qirjo përfaqësohet me muzikën popullore tradicionale të Jugut edhe në disa emisione të Radio BBC 3 me producenten Lucy Duran, Lopa Kothari etj. Ai ka regjistruar muzikë tradicionale shqiptare edhe në Radio BBC 6, në Radio BBC world music service dhe me grupin “Saz’Iso” ai merr pjesë në emisionin muzikor britanik “Show Later” me Jools Holland, duke interpretuar kaba me violinë. Qirjo vazhdon të jetë aktiv në jetën muzikore tradicionale të folklorit shqiptar të përfaqësuar denjësisht në Europë dhe më tej, si në Amerikë e Kanada. Dashuria dhe pasioni për muzikën folklorike të trevave jugore është tipari kryesor që e dallon Qirjon si një violinist të talentuar dhe si një krijues në këtë muzikë tradicionale shqiptare. Ai e ndan jetën e tij paralel me muzikën dhe me familjen, gruan dhe dy fëmijët.

Kaba me dy pjesë: kaba dhe valle. Pjesa e parë, kaba mbështetet mbi një motiv të shkurtër vajtimor që kadencon vazhdimisht në septimë minore në regjistrin e poshtëm të violinës. Violina marrëse dialogon me gërnetën prerëse në një bashkëbisedim që e rrit tensionin emocional të vajtimit përmes krijimit të hapësirave të gjera tingullore nën ison e llahutës. Natyrshëm vjen vallja në pjesën e dytë, tipike për zonën e Korҫës e cila e shtrin përdorimin e regjistrit të violinës duke krijuar një atmosferë të gëzuar. Nuk kemi të dhëna për përdorimin e fjalës “Naumҫe”, por besohet se edhe kjo ka të bëjë me ndonjë veҫori interpretimi që lidhet me këtë emër, që mund të ketë qenë muziktari që i krijoi i pari këtë model.

 

 

Spread the love
error: