Aleks Thoma Xhelili lindi më 28 dhjetor 1964 në fshatin Barmash të Kolonjës. Që në moshë të re mësoi fizarmonikën në klasat e muzikës në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Në vitet 1978–1982 kreu shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koҫo” në Korҫë në veglën e klarinetës dhe në vitet 1984–1988 përfundoi Institutin e Lartë të Arteve po për klarinetë. Pas përfundimit të studimeve në vitet 1988–2003 punon si instrumentist pranë qendrës kulturore “Fan S. Noli” në Ersekë dhe prej vitit 2003 si mësues i klasës së klarinetës pranë shkollës së mesme artistike “Tefta Tashko Koҫo” në Korҫë. Ka marrë pjesë si drejtues dhe instrumentist i Sazeve të Kolonjës në festivalet folklorike kombëtare duke filluar nga ai i Beratit 1995, Gjirokastër 2000, 2004, 2009, 2015 ku është vlerësuar me çmime dhe vlerësime të tjera. Pjesëmarrës në Festivalin Folklorik Tipologjik të Sazeve është vlerësuar me 9 çmime të ndryshme, ndër to me çmimin “Hafize Leskoviku”, “Remzi Lela – Ҫobani” etj. Ka përfaqësuar muzikën popullore qytetare me ansamblin “Skënderbeu” dhe me “Sazet e Kolonjës” në Turqi, Greqi, Maqedoni, Bullgari, Itali, Spanjë, Portugali, Gjermani, Angli etj.
Kabaja e Leksit (2004)
Kjo kaba çmohet si “Kaba e rëndë dhe valle e zileve”.
Pjesa e parë e kabasë vijon traditën e kabave të zonës së Leskovikut, e posaçërisht të Vangjel Podës, me të cilin Aleksi kishte punuar si fizarmonicist. Kabaja mbështetet mbi motivet baritore e ato të bukurive të mjedisit të cilat zhvillohen në një dialog të përmbajtur “marrje – prerje” mes gërnetës dhe violinës kryesisht në regjistrin e poshtëm dhe të mesëm të gërnetës.
Kthesa e kabasë mbështetet mbi motivin e “Valles së zileve”.
Në gërnetë Aleks Xhelili, në violinë Aurel Qirjo, në llautë Agron Murati, në dajre Agim Nasi dhe në fizarmonikë Nevil Zyberi.