No products in the cart.
FRASHËRI Abdyl (1839–1892). Atdhetar demokrat i shquar, një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit. Lindi në Frashër (Përmet) më 29.08.1839 në familjen e një spahiu të vogël të deklasuar; vëllai i madh i Naim Frashërit dhe i Sami Frashërit. A.F. e kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, që u formua po atë vit, hartoi projektin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare kundërosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin epërsinë e Moskës në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan pasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë, madje ajo kërkoi që viset jugore të Shqipërisë të aneksoheshin prej saj. Në fund të v. 1877, A.F. (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll. Si kryetar i tij, ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Sipas tezës së A.F. në kushtet e krijuara nga politika ekspansioniste e Rusisë, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinje për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të Shqiptarëve.
Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (shkurtimisht Komiteti i Stambollit), të cilën A.F. e parashtroi publikisht edhe me anën e një vargu artikujsh që botoi frëngjisht në disa organe të shtypit Europian gjatë pranverës së v. 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. U ngarkua prej saj si kryetar i komisionit për punët e jashtme, me detyrë mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën diplomatike ndërkombëtare. Pas themelimit të Lidhjes, e cila adoptoi platformën e Komitetit të Stambollit, A.F. u shqua jo vetëm si diplomat, por edhe si udhëheqës, organizator dhe veprimtar i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo mbrojti progra-min autonomist të lëvizjes. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta, me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. A.F. qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e v. 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. A.F. ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës, që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.
A.F. mbrojti programin e autonomisë së Shqipërisë në Kuvendin e Dytë të Dibrës, ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me atdhetarët e shquar kosovarë, vunë në jetë vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren nën kryesinë e Haxhi Ymer Prizrenit, në janar të v. 1881, dhe dha një kontribut të rëndësishëm në masat politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë së Shqipërisë kundër ekspeditës ushtarake osmane. Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike atdhetare. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë atdhetare derisa vdiq në Stamboll, më 23 tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë, më 1978.