Go to top
Ҫerҫiz Mehmeti

Lindi më 12 prill 1933 në qytetin e Përmetit. Ishte i dyti i pesë fëmijëve të dy prindërve Nesim dhe Nazire Mehmeti. Mësimet e para në muzikë i mori nga babai që i mësoi Çeços 7-8 vjeçar violinën, mandolinën dhe më vonë benxhin. Krahas lojës së bukur në këto instrumente, Çeçoja i vogël dallonte dhe për zërin e bukur. Këtu hapim një parantezë për talentin e tij. Babai i tij Nesimi rridhte nga një familje me tradita të shquara në muzikën popullore përmetare. Nesimi ishte i biri i Jonuz Mekos i cili kishte vëlla Riza Mekon, ose siҫ e njohim Riza Beratin, gërnetarin e shquar të viteve 1930, muziktar që ndërlidhi kulturat muzikore të Përmetit,  Beratit dhe të Vlorës përmes bashkëpunimit që krijoi me Bilbil Vlorën në ato vite. Vetë Nesimi na del si violinist në sazet e Vangjel Leskovikut në vitet 1930-1940 dhe ato të Jonuzit të Lamҫes.

Gjatë luftës së dytë botërore shtëpia e familjes Mehmeti në Përmet u dogj dhe familja shpërngulet në Korçë në vitin 1944. Në Korçë, si qytet me një traditë të pasur muzikore jetonin dhe zhvillonin veprimtarinë muziktarë popullorë shumë të mirë si Hajro Ibrahimi, krijues i këngës “Leskovik po fryn një erë” me djemtë Shefkiun dhe Demkën, Xhemal Tarja djali i Selim Asllan Leskovikut dhe Hafize Leskovikut etj. Çerçizi që i vogël rreth 12 vjeç ka kënduar bukur dhe shkonte nëpër dasma me këta muzikantë të mirë. Në vitin 1947 vjen në Korçë nga Amerika për të bërë regjistrime Ajdin Asllan Leskoviku, muziktari i shquar, vëllai i Selimit dhe Hafizesë, i cili kishte studio të njohur muzikore në Boston. Ai mblodhi muzikantët e Korçës, ndër ta edhe Çeçon 12 vjeçar dhe incizoi e bëri pllaka gramafoni për në Amerikë. Kështu zëri i Çeços bëhet i njohur dhe shumë i pëlqyer nga shqiptarët e Amerikës. Në regjistrimet e publikuara në disqe, Ҫeҫoja ka kënduar këngët “Kur më shkon sokakut”, “Kënga e trëndelinës”, “Ballët me sedefe”, “E vogla sa një mexhite” etj. Në ato regjistrime ai prezantohet si Ҫerҫiz Nesimi, pra Ҫerҫizi i Nesimit, djali i Nesimit.

Në vitin 1950 familja Mehmeti shpërngulet nga Korça dhe vendoset në Tiranë. Çerçizi bashkë me vëllamë e madh Bastriun i konsideruar fizarmoniҫisti më i mirë i kohës së tij, bëjnë emër në Tiranë. Çerçizi fillimisht punon violinist në filarmoninë e shtetit dhe në Ansamblin e Kënëve dhe Valleve Popullore. Më vonë punon në Ansamblin Artistik të Ushtrisë ku ka qenë spalë. Violinistë të tjerë kanë qenë Et’hem Qerimi dhe Nustrit Tane nga Delvina. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Çerçizin e merr në Ansambël, udhëheqësi artistik Çesk Zadeja. Me turnetë që ka bërë Ansambli, Çerçizi ka interpretuar me sukses në vende të ndryshme si Finlandë, Suedi, Norvegji, B. Sovjetik, Algjeri, Marok, Egjipt, Kinë, Kore, Vietnam, Rumani, bullgari, Greqi, Çekosllovaki, Turi etj.

Një vend të rëndësishëm në aktivitetin e tij artistik zenë turnetë e suksesshme ndërkombëtare me sazet e familjes “Lela”. Çerçizi ka qenë gjithashtu edhe violinisti kryesor i Ansamblit Popullor kur mori Gjerdanin e Artë në Dizhon të Francës.  Çerçizi mbetet një violinist unikal dhe deri në vitet e fundit të jetës së tij nuk iu nda violinës dhe muzikës. Ndërroi jetë më 8 gusht 2007 në Tiranë në moshën 74 vjeçare.

Kaba e llojit me dy pjesë: “e qarë” dhe valle e gëzuar. Pjesa e parë përshfaqet si kaba labiko ose me motive labe. Mbështetet mbi motive vajtimore aq të ngjashme por dhe të veҫanta në raport me kabatë e tjera për violinë. Duhet theksuar fakti se motivet labe në kabatë me gërnetë ose violinë, në thellësi të Toskërisë u futën përmes lojës dhe interpretimeve të sazeve të Përmetit të cilat i ҫuan ato në Leskovik, Korҫë e gjetkë. Duke qartë se Ҫerҫizi zotëron edhe atë që konsiderohet si përvoja e shkollës korҫare të violinës popullore, kjo e themeluar nga familja e violinistëve popullore Hajro, pranë shoqërisë “Demka & Hajro”, të cilët ia dolën që të krijojnë të parët kabatë për violinë në fillim të shek. XX-të. Në pjesën e parë, violina si marrëse shoqërohet vetëm nga isoja e instrumenteve kordofone si llahuta dhe bakllamaja, pa patur prerje. Pjesa e dytë shfaqet si valle e gëzuar, mbi një motiv të njohur edhe si “Vallja e Delvinës”.

 

 

Spread the love
error: