Go to top
Studiues & Arkeomuzika
TitulliPërshkrimi
Agonotet:e.m.sh. Fjalë e praktikës muzikore të ilirëve, në antikitet. Lit. Ceka, Neritan "Ilirët", SH.B.L.U, 2000 etj. Enc. Sipas Neritan Cekës agonotet ishin nëpunës të ngarkuar me organizimin e garave sportive ose artistike. Një profesion i tillë ishte tregues i vetë rëndësisë që i kushtonin në Iliri argëtimeve muzikore. Shiko arkeologjia etnomuzikore.
Amfioni & Zeti:Vëllezër mitologjikë që kanë ndërtuar muret e qytetit të Durrësit. Enc. Sipas Moikom Zeqos: Amfioni ka qënë mbret i Tebës, bir i Zeusit dhe muziktar i shquar. Zeti, vëllai i tij, ka qënë pjesëmarrës i ekspeditës së famshme të argonautëve, të cilët u ndeshën të parët me Sirenat dhe ishte Orfeu, që me lirën dhe muzikën e tij, i zmbrapsi ato. Zeti kishte krahë, pra qe një njeri fluturues. Shiko sirenat vajtore.
Lit: Zeqo, Moikom "Aspekte të mitologjisë ilire", Tiranë, 1996.
Avrazi Arian:Studiues, organizues i veprimtarive të trashëgimisë kulturore dhe përpunues i muzikës popullore iso polifonike. Enc: Ka lindur në Tiranë më 14.11.1957, në familjen e Gaqo Avrazit, dirigjent dhe muziktar i shquar shqiptar i shekullit të XX. I edukuar që fëmijë me muzikë, në vitet 1965-1977 kryen studimet në Liceun artistik "Jordan Misja", në Tiranë, në degën e pianos, në vitet 1976-1978 ndjek mësimet e kompozicionit nën drejtimin e Prof. Çesk Zadejës dhe në periudhën 1977-1981 kryen studimet e plota të kompozicionit pranë Institutit të Lartë të Arteve në klasën e Prof. Tonin Harapit. Prej vitit 1981, e deri më sot, ka punuar në institucione të rëndësishme kulturore të vendit si Shtëpia Qëndrore e Krijimtarisë Popullore (sot Qëndra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike), në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe si Drejtor Artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. Në vitin 1989 nderohet me medaljen "Naim Frashëri" për ndihmesën e tij në organizimin e FFKGJ të vitit 1988. Prej vitit 1985 e deri më sot, ka një veprimtari të gjerë publicistike në shtypin periodik shqiptar për popullarizimin e vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Me ndihmesën e tij, ai renditet ndër personalitetet më të spikatur edhe në fushën e organizimit dhe përsosjes së legjislacionit në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Ka dhënë një ndihmesë të veçantë si bashkëpunëtor në plotësimin e dokumentacionit të dosjes së iso-polifonisë popullore shqiptare e cila u shpall më 25 Nëntor 2005 si "Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit", mbrojtur nga UNESCO por dhe si kompozitor në fushën e përpunimit të muzikës popullore iso-polifonike. Aktualisht punon si specialist i trashëgimisë kulturore shpirtërore në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Arkeologjia etnomuzikore:Pjesë e kujtesës historike, dhe e vazhdimësisë komunikuese të folklorit muzikor shqiptar, kjo krahas disqeve, filmave me objekt muzikën popullore, CD-ve, arkivave, muzeve etj. Enc. AE është një degë relativisht e re, fillimet e së cilës i përkasin krysisht shekujve XVIII-XIX. Arkeomuzika ka ndihmuar në zbulimin dhe vënien në pah të traditave tona etnomuzikore në Iliri, në kohët e lashta, duke dhënë provën e qartë të vazhdimësisë biokulturore të tyre. Sipas Neritan Cekës muzika dhe vallet plotësonin këto kënaqësi të jetës dhe ne dimë nga autorët e lashtë se dardanët përdornin fyellin dhe se molosët kishin një kërcim të thjeshtë dhe të ngadalshëm, që quhej kërcim jambik molos. Ndër gjetjet më të rëndësishme të AE shqiptare përmendim: truporen e aktorit të gjetur në teatrin antik të Bylisit; qeramikën e gruas me gisht në fyt e gjetur në Durrës; figurën e djaloshit muziktar duke i rënë lirës (shek. III p.Kr., gjetur në kalanë e Bixëllenjës-Elbasan); Pani i dehur (gjetur pranë Butrintit, shek. III p.Kr..); atletin në vallëzim (gjetur në Irmaj-Gramsh, shek. III p.Kr..); nimfat vallëzuese të Apolonisë; valle mortore e skalitur në një arkëz hiri, valle rreth zjarrit të Nimfeut (në monedhat apoloniane të shek III-IV p.e.r); Pani me nimfat vallëzuese (basoreliev i gjetur në Durrës); Nauleshë në vallzim (varret ilire të Treberishtës); muziktari me vegël (qeramikë e shek. XII-të Durrës) etj.
Lit: Sokoli, Ramadan “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, Tiranë, 1971; Ceka, Neritan “Vështrim mbi raportin etnos-kulturë në popullsinë e lashtë të vendit tonë”, Kultura Popullore 1/1982, f. 3-18; Gjergji, Taulant “Tradita të kryehershme në muzikë”, Bashkimi, 1982, 19 dhjetor; Sokoli, Ramadan “Nga historia e shenjëzimit të valleve”, “Kultura Popullore”, 1991, nr. 1; Sokoli, Ramadan; Miso, Piro “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991; Dedej, Sulë; Balliçi, Alfons “Isuf Myzyri”, Onufri, 1996; Ceka, Neritan “Ilirët”, Sh.B.L.U, 2000, etj.
Çështje të Folklorit:Revistë shkencore e folklorit shqiptar. Enc. "Çështje të folklorit" ndër të tjera trajton edhe probleme të etnomuzikologjisë sonë. Revista është botim i Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave. "Ç. F" del ç'do gjashtë muaj.
Daiu Mexhit:Mbledhës dhe transkriptues i folklorit muzikor shqiptar i gjysmës së dytë të shek. XX. Enc. Mexhit Daiu së bashku me Eftim Dherin, regjistrohen ndër të parët mbledhës dhe transkriptues të folklorit muzikor shqiptar, pas vitit 1944. Atyre ju njihet merita e hedhjes së bazave të arkivit muzikor të Institutit të Kulturës Popullore. Meritë e tyre është gjithashtu edhe botimi i disa transkriiptimeve me muzikë popullore shqiptare, ndër to edhe të muzikës popullore, IP. ku veçojmë botimin me transkriptime: "Këngë popullore dashurie", Tiranë, 1965 dhe "250 këngë popullore dasme", Tiranë,1966. Shiko zërin: transkriptimet e muzikës popullore.
Dalipi Haxhi:(Gjirokastër, 20 Shkurt 1941- Tiranë, 14 Shtator 2006) Organizator i veprimtarive folklorike dhe studiues i IPL. Enc. Në vitet 1957-1061 kryen studimet në Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë, në degën e flautit nën drejtimin e Prof. Ramadan Sokolit. Qysh në këto vite, i zgjohet interesi i veçantë për foklorin muzikor shqiptar, falë edhe kujdesit dhe vëmëndjes së veçantë që Prof. Ramadan Sokoli i kushtoi në ato vite, ndër të tjera edhe krijimit të kabinetit të folklorit muzikor shqiptar, në Liceun Artistik, i përbërë kryesisht prej veglash muzikore popullore origjinale. Në vitet 1973-1977 kryen studimet e larta për dirizhim në Institutin e Lartë të Arteve nën drejtimin e Konstandin Trakos. Me përfundimin e studimeve, në periudhën 1977-1991 emërohet në Shtëpinë e Kulturës në Vlorë dhe nga viti 1991-2000 kryen detyrën e Drejtorit të shkollës së mesme artistike të Vlorës. Në periudhën 2004-2006 kryen detyrën e Drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore si dhe u aktivizua në mësimdhënien e lëndës së Folklori Muzikor Shqiptar pranë Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ndër arritjet e spikatura të tij përmendim krijimin e ansamblit “Labëria” të qytetit të Vlorës i cili u bë institucion i interpretimit të iso polifonisë labe, brenda dhe jashtë vendit, si dhe i nxjerrjes së shumë këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar të muzikës IPL; krijimin e orkestrës simfonike të qytetit të Vlorës, në vitin 1978 e në mënyrë të veçantë rolin e tij shumë të rëndësishëm për rikonceptimin e veprimtarisë artistike të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, pas viteve 2000. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij artistike, Haxhi Dalipi vlerësoi në mënyrë të barabartë si organizimin e jetës muzikore folklorike, hulumtimin dhe studimin e folklorit të zonës së Vlorës dhe Himarës, dirizhimin e ansambleve profesioniste të qytetit të Vlorës dhe më gjerë, por dhe kompozimin e veprave muzikore dhe mësimdhënien e muzikës. Ka shkruar një seri artikujsh për muzikën dhe në veçanti për folklorin, në shtypin lokal, atë qendror si dhe kumtesa të ndryshme në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Një pjesë e interesimeve të tij për folklorin janë në dorëshkrim, në pritje për të parë dritën e botimit. Për punën dhe kontributin e tij të spikatur, Haxhi Dalipi është vlerësuar me Urdhëra dhe medalje të ndryshme si dhe me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
Lit: Dalipi, Haxhi “Mendime për këngën himariote”, “Zëri i Vlorës, muaji Tetor, 1968; Dhimitri, P. “Bisedë me Haxhi Dalipin-këngët polifonike vlonjate në festivalin e Ganeas, Francë”, “Bashkimi”, dt. 20 Gusht, 1989; “Meditime për këngën qytetare vlonjate”, tek Gaçe, Bardhosh “Reshat Osmani dhe kënga qytetare e Vlorës”, Tiranë, 1996; “Polifonia labe është befasi”, intervistë, “Intervista”, dt. 27 Gusht, 2000 etj.
Dungu Pjetër:Mbledhës, transkiptues dhe botues i folklorit muzikor shqiptar i gjysmës së parë të shek. XX. Enc. Pjetër Dungut i përket merita kryesore e botimit të parë me nota të muzikës popullore shqiptare. Botimi i tij në vitin 1940 "Lyra shqiptare" përmblidhte 50 këngë popullore shqiptare ndër to: 19 këngë popullore shkodrane, 15 korçare, 7 kosovare, 5 beratase, 2 elbasanase, 1 vlonjate, dhe 1 durrsake. Pjetër Dungu është gjithashtu edhe themeluesi i sektorit të muzikës në Radio-Tirana më 1937.
Dhedëgjuesi:Qënie mitologjike shqiptare. Enc. Dhedëgjuesi ose dhevështruesi është një qënie mitologjike e cila kishte aftësinë, që duke vënë veshin në tokë, dëgjonte në se vinte njeri prej së largu ose a gjëmonin ujrat në pranverë. Sipas Çabej: Dhevështruesi paraqitet pjesërisht në trajtë njeriu, pjesërisht në trajtë shtaze. Ai gjithmonë shkon shaluar mbi pelën e pagojë me emrin Dhamsuta. Me këtë emër e gjejmë në Mirditë. Lit: Çabej, Eqrem "Studime gjuhësore-V", Prishtinë, 1975 etj.
Dheri Eftim:Mbledhës dhe transkiptues i folklorit muzikor shqiptar i gjysmës së dytë të shek. XX. Enc. Eftim Dheri së bashku me Mexhit Daiun, regjistrohen si ndër të parët mbledhës dhe transkriptues të folklorit muzikor shqiptar. Atyre ju njihet merita e hedhjes së bazave të arkivit muzikor të Institutit të Kulturës Popullore. Meritë e tyre është gjithashtu edhe botimi për herë të parë i disa transkriptimeve me muzikë popullore shqiptare. Ndër to veçojmë botimin me transkriptime: “Këngë popullore dashurie”, Tiranë, 1965 dhe “250 këngë popullore dasme”, Tiranë, 1966. Shiko zërin: transkriptimet e muzikës popullore. Lit: Dheri, Eftim “Mbi grumbullimin, përpunimin dhe përhapjen e muzikës popullore”, “Vatra e kulturës”, 5/1965.
Filja Hysen:Studiues i muzikës popullore shqiptare i gjysmës së dytë të shek. XX. Enc. Lindi në Tiranë më 05/11/1935. Arsimin e ulët dhe atë të mesem I kryen në qytetin e lindjes. Për shkak të pasionit për muzikën ndjek konservatorin e Pragës, studime të cilat për arsye të prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë I përfundon në Konservatorin e Tiranës më 1966 në degën e teorisë së muzikës. Për disa kohë punoi si redaktor në Radio-Tirana, si pedagog në Liceun Artistik "Jordan Misja", dhe si pedagog i jashtëm pranë Konservatorit të Tiranës. Në vitin 1972 deri më 1993, kohë kur doli në pension punoi si punonjës shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore (IKP) pranë Akademisë së Shkencave. Në këto vite shtrihet aktiviteti i tij studimor mbi kulturën muzikore popullore. Shkruan artikuj studimore, monografi, mbledh dhe transkripton me dhjetra e qindra njësi folklorike në terren si këngë, melodi popullore, etj si dhe merr pjesë me kumtesa në takime kombëtare dhe ndërkombëtare mbi folklorin. Hysen Filja për punën e tij studimore është vlerësuar me çmime të ndryshme. Studimet kryesore: “Këngët polifonike kundër Tanzimatit”, Nëntori, 1967, nr. 9; “Evolucioni i këngës polifonike labe”, Nëntori, 1977, nr. 11; “Tipare të reja të këngës polifonike labe”, “Studime filologjike”, 1977, nr. 2; “Gjurmë të lashta në këngën e burrave të Labërisë”, “Studime historike”, 1981, nr. 1; “Vëzhgime rreth folklorit muzikor të Shqipërisë së mesme”, Kultura Popullore 1/1986; “Të dhëna rreth një balade”, Kultura Popullore 1987, nr. 2; “Në kërkim të fillesës intonative të këngës sonë”, Kultura popullore 2/1989; “Për një zhanër të lashtë të muzikës sonë popullore”, Kultura popullore 1990, nr. 2; “Kënga e epikës historike të Shqipërisë së mesme”, Kultura Popullore 1991, nr. 1 etj. Monografi: “Tefta Tashko Koço”, Tiranë, 1972; “Kënga popullore e Shqipërisë së mesme”, Tiranë, 1991. Ka përgatitur për botim monografitë: “Artisti i Popullit Isuf Myzyri”, “Folklori muzikor i Shqipërisë së Mesme” dhe përmbledhjen “Studime për folklorin muzikor shqiptar”.
Frashëri Stavro Thoma:Mbledhës i shquar i trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar (1900- 1965). Enc. Stavro Thoma Frashëri ka lindur në vitin 1900 në qytetin e Korçës. Shkollën fillore e mbaron në qytetin e Selanikun, pasi familja e tij emigroi në këtë qytet. Më pas regjistrohet në gjimnazin "Zosimea" të Janinës, dhe pas përfundimit të gjimnazit vazhdon studimet në Kolegjin Amerikan të Stambollit "Robert College", nga viti 1924-1927, ku diplomohet si inxhinier mekanik me rezultate shumë të larta. Në këtë periudhë, familja e tij u rivendos në qytetin e Korçës, në vitin 1920. Pas kësaj, në vitin 1923 punon si nëpunës në bashkinë e qytetit të Korçës dhe më pas në Ndërmarrjen Elektrike, po në Korçë. Për punë shumë të mirë e dërgojnë për specializim të mëtejshëm në Angli, pranë kompanisë elektrike "Ruston". Në vitin 1930 punon si instruktor dhe mësues në Shkollën Bujqësore Amerikane të Kavajës. Në fushën e arsimit ai shquhet për metodikën, pasionin e mësimdhënësit, duke hartuar tekste mësimore, siç është ai për Mësimin e Gjuhës Angleze. Në fillim të viteve 1930 punon në trupën pedagogjike të Institutit shqiptaro-amerikan, në detyrën e zv.drejtorit. Në vitin 1936 botoi librin "Folklori Shqiptar", i cili pati jehonë në shtypin e kohës. Thoma Stavro Frashëri bën pjesë në plejadën e gjurmuesve që merreshin me përmbledhjen e folklorit tonë dhe i kanë bërë një shërbim tepër të vyer atij. Ky botim ka parametrat e duhura që i kërkohen një vepre shkencore. Shtrirja gjeografike, etnokulturore e materialit burimor është e gjerë. Ai ishte gjurmues, hulumtues, studiues, propagandues, botues i vlerave krijuese të popullit shqiptar. Ai rregjistronte dhe fotografonte çdo gjë që nga peisazhet mahnitëse, artin e mjeshtërive artizanale, e deri tek kostumet popullore. Thoma Stavro Frashëri ishte i bindur se grumbullimi, vjelja, studimi, botimi i thesarit folklorik shqiptar, që aq bukur kishte nisur prej dekadash nga personalitete (vendas e të huaj), tashmë të njohura në këtë fushë, duhej të vazhdonte më tej me njerëz të apasoniuar, që ta bënin punën në terren mision të tyre. Për këtë arësye, ai u bënte thirje arsimtarëve, intelektualëve, priftërinjve, që edhe në kohën e lirë të tyre të mos përtonin, por të ndërmerrnin ekspedita përnjohëse e të vjelnin këtë thesar të fshehur në popull. Gjatë vitit 1942 botoi në tre numra të gazetës “Tomori’, 18,19,21 korrik , studimin “Udhëheqës i Vogël për Mbledhjen e Thesarit Folkloristik”. Ai gërshetoi në këtë Udhëzues eksperiencën e punës së tij disavjeçare në një punim me vlerë të studiuesit të kësaj fushe të shkencës folklorike. Në çdo numur të gazetës, redaksia bënte shënimin : “Këshillohen të gjithë ata që interesohen për mbledhjen e Folklorit Shqiptar, veçanërisht arsimtarëve të katundeve, që tëruajnë këta numerate “Tomorit” me qënë se nuk dihet a do të botohen dikur në një librezë xhepi këta artikuj”. Duke botuar këtë Udhëzues, adresur në radhë të parë, arsimtarëve, ai shpaloste dëshirën dhe kërkesën e tij për formimin e Shkollës Folkloristike Shqiptare, e Institutit të Folklorit Shqiptar, për të qenë zëdhënësja autoritare e mbledhjes, botimit të të gjithë trashëgimisë shpirtërore, materiale, kulturore, aq të nevojshme për identitetin etnokulturor të shqiptarëve e të Shqipërisë. Stavro Th. Frashëri ka shkruar gjithashtu edhe mjaft shkrime në shtypin periodik me tema të ndryshme si ato artistike, kulturore, për sportin, etj. Në vitin 1952 organizon në qytetin e Durrësit kursin e gjuhës angleze, si dhe boton “Metodë e lehtë për të mësuar anglishten”. Ka përkthyer nga greqishtja edhe botimin “Dhjata e hekurt”, Pas botimit të librit “Këtej kaluan hordhitë gjermane”, në vitin 1945, u dënua me 20 vjet burg. Eshtë arrestuar në 20.07.1947 dhe u lirua më 16.06.1952. Nga viti 1952 punoi në Ndërmarrjen Shtetërore Riparim Makineri Ndërtimi në Shkozet. Të gjitha mendimet e vyera për folklorin të autorit ja marrë shumë parasysh dhe kanë qënë mbështetje për shkencën folkloristike shqiptare pas çlirimit, dhe puna e tij e jashtëzakonshme u vlerësua vetëm pas vdekjes. Për veprimtarinë e tij studimore dhe në fushën e mbledhjes së trashëgimisë kulturore shqiptare, Z. Stavro Th. Frashëri është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”-2006 dhe me Urdhërin Naim Frashëri i Argjendtë-2006 nga ana e Presidentit të Republikës, Z. Alfred Moisiu me motivacion: “Për merita të jashtëzakonshmedhe për një punë të palodhur në drejtim të hulumtimit, studimit, propagandimit dhe botimit të vlerave të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar” Shiko dhe Udhëheqës i Vogël për Mbledhjen e Thesarit Folkloristik. Libra të botuar nga Stavro Th. Frashëri:1. “Përmes Mirditës në dimër”, 1930, 2. “Në momente të qeta”, 1933, 3. “Folklor Shqiptar”, 1936, 4. “Metodë e lehtë për të mësuar anglisht”, 1944. 5. “Lule dhe Gjemba”, 1944. 6. “Këtej kaluan hordhitë gjermane”, 1945
I. A. P:Instituti Albanologjik i Prishtinës. Enc. Instituti më i rëndësishëm shkencor në Kosovë. I.A.P themelohet në muajin shtator të vitit 1967. I.A.P lindi si nevojë e zhvillimit të mëtejshëm të shkencës shqiptare në Kosovë. Në strukturën e tij të ndërtimit I.A.P ka gjashtë degë: gjuhësi, letërsi, folklor, histori, etnografi dhe degë e përgjithshme. Brenda degës së folklorit kryen veprimtarinë e tij edhe sektori i etnomuzikologjisë pranë të cilit është edhe arkivi i sistemuar me rreth 100.000 njësi folklorike. I.A.P ka organin e tij periodik "Gjurmime Albanologjike", me tre seri: shkenca filologjike, historike, folklor dhe etnologji. Viti i parë i botimit të revistës përkon me vitin e themelimit të I.A.P-1968. Në gjuhë të huaj, I.A.P boton revistën "Recherches albanologiques".
Lit: "Njëzet vjet të Institutit Albanologjik të Prishtinës", Prishtinë, 1987 etj.
I.K.P:Instituti i Kulturës Popullore. Enc. Instituti i Kulturës Popullore është institucioni qëndror në varësi të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, i cili ka për objekt studimin, ruajtjen dhe publikimin e vlerave të folklorit dhe traditës popullore shqiptare në përgjithësi. I.K.P u krijua në vitin 1979 mbi bazën e Institutit të Folklorit, ky i ngritur në vitin 1960. Pjesë e rëndësishme e I.K.P është Dept. i Etnomuzikës dhe Koreologjisë si dhe Arkivi i I.K.P, më i pasuri me regjistrime muzikore popullore nga gjithë trevat ku jetojnë dhe banojnë shqiptarët. Fillimet e këtij arkivi shënojnë kontributet e muziktarëve Eftim Dheri dhe Mexhit Daiu. Pranë sektorit të etnomuzikologjisë kanë dhënë kontributin e tyre studiues të shquar të folklorit muzikor shqiptar si Eftim Dheri, Mexhit Daiu, Beniamin Kruta, Spiro Shituni, Piro Miso, Ferial Daja, Hysen Filja, Kujtim Shkreli, Mustafa Basha etj. Pranë këtij sektori funksionon edhe rrjeti i bashkëpunëtorëve të jashtëm, të cilët krahas të parëve kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre në mbledhjen dhe studimin e folklorit muzikor mbarëshqiptar. I.K.P boton disa organe shkencore ndër të tjera revistat “Kultura Popullore” dhe “Çështje të folklorit shqiptar”. Pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij janë edhe botimi i kolanave “Mbledhës të folklorit”, etj. Prej vitit 2008, IKP është pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, QSA.

Lit: Sako, Zihni “Në institutin e folklorit”, “Nëndori”, 1965, nr. 5 etj.

Jane Cicely Sugarman:

Etnomuzikologe. Enc. Jane Cicely Sugarman është etnomuzikologe nga Amerika, e specializuar në muzikën e Evropës Juglindore dhe atë të Lindjes së Mesme. Në Stony Brook prof. Sugerman ka doktoruar në programet e “Studimeve Femërore”-1993, si dhe ato të studimeve kulturore Ajo jep mësim dhe seminare për teorinë etnomuzikore etj. Ka bërë hulumtime në fushën e etnomuzikologjisë, në Shqipëri, ish Jugosllavi, si dhe tek emigrantet në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore, kryesisht duke u fokusuar në proceset muzikore të formimit të identitetit. Libri i saj i botuar më 1997, ëEngendering Song : Singing and Subjectivity at Prespa Albanian Weddings”- “Zanafilla e këngës: këndimi dhe subjektiviteti në dasmat shqiptare në Prespë”, analizon marrëdhënien mes këndimit dhe relacionit gjinor në komunitetin shqiptar në diasporë. Ajo është duke bërë hulumtime në muzikën popullore shqiptare në nivel mbarëkombëtar. Ka 8 vjet që punon në një projekt për muzikën komerciale të Kosovës dhe të Maqedonisë, pas vitit ‘90-të. Librat dhe artikujt e botuar: ëDiasporic Dialogues: Mediated Musics and the Albanian Transnation.” Forthcoming in Identity and the Arts in Diaspora Communities, ed. Thomas Turino; “Those Other Women’: Dance and Femininity among Prespa Albanians.” Forthcoming in Music and Gender in Mediterranean Cultures, ed. Tullia Magrini; “Albania II: Traditional Music” and “Yugoslavia: Albanian Music.” Forthcoming in New Grove Dictionary of Music and Musicians, revised edition; “Mediated Albanian Musics and the Imagining of Modernity.” In New Countries, Old Sounds? Cultural Identity and Social Changes in Southeastern Europe, ed;-”Imagining the Homeland: Poetry, Songs, and the Discourses of Albanian Nationalism.” Ethnomusicology, 43/3 (1999):419-58; “Albanian Music.” Garland Encyclopedia of World Music, v. 8, 986-1006. Engendering Song: Singing and Subjectivity at Prespa Albanian Weddings. Chicago, University of Chicago Press, 1997. (with accompanying CD); -”The Nightingale and the Partridge: Singing and Gender among Prespa Albanians.” Ethnomusicology 33/2 (Spring-Summer 1989):191-215; -”Making Muabet”: The Social Basis of Singing among Prespa Albanian Men.” Selected Reports in Ethnomusicology”, 7, (1988):1-42; Prespa Albanian Men.” Selected Reports in Ethnomusicology”, 7, (1988):1-42;

Kadareja dhe iso- polifonia:Përshkrim i lëndës muzikore IP në veprën letrare të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, si një krijimtari letrare e mbështetur mbi strukturat e trashëgimisë kulturore. Enc. Ismail Kadareja, në gjithë veprën e tij letrare, ia arrin të ndërtojë e më pas të riprojektojë përmasën e muzikës në përgjithësi dhe të iso polifonisë në veçanti, si strukturë por edhe si teksturë. Në të dy rastet, qëllimi i përdorimit, ka lidhje me vlerën e lëndës që përdoret, si dhe me vetëdijësimin krijues rreth origjinalitetit të përdorimit në veprën letrare. Prirja për të “notizuar” dukurinë e IP popullore, nuk mbetet me kaq. Trajtimi i lëndës IP ka sjellë në veprat e Kadaresë edhe risitë përsa i përket IP si formë. Këtu do të vinim në pah strukturën e romanit “Dimri i madh” i cilësuar si “roman me iso”, “roman polifonik”, ku ç'do gjë në të ndërtohet ashtu si në praktikën e gjallë të të kënduarit popullor ku: “njëri ia merr këngës, të tjerët rrijnë rreth e rrotull dhe ashtu si njerëzit që i fryjnë zjarrit për ta mbajtur gjallë, ata i mbajnë ison këngës”. Në romanin “Kush e solli Doruntinën” gjejmë të pasqyruar jo vetëm riprodhimin e një prej dukurive më domethënëse të etnomuzikës shqiptare, të iso-polifonisë në vajin e grave, por dhe shpjegimin e gjendjes muzikore me një tjetër “partiturë”.
Lit: Tole Vasil S. “Muzika dhe letërsia”, Tiranë, 1997. Për më tepër shih Kadare dhe Muzika, kronike televizive - YouTube
Kalendari primitiv:Mënyrë shumë e vjetër dhe origjinale e të ndarit të kohës. Enc. Paraqitja dhe bërja e ditur e këtij kalendari primitiv të popullit shqiptar është shumë e rëndësishme, pasi në bazë të tij jo vetëm organizohej jeta dhe koha ndër shqiptarët, por njëkohësisht pas tij grupohej edhe një pjesë e rëndësishme e folklorit muzikor popullor i cili interpretohej në to. Duhet theksuar fakti se ilirët e adhuronin Diellin. Sipas Sokolit: rreth Diellit kemi edhe përbetimet si: “për Atë Diell”, “për Atë Dritë Dielli” etj. Ndër këto festime të rëndësishme muziko-folklorike përmendim festimet e “Mjedisit të Dimrit” dhe “Mjedisit të Verës”, “Ditën e Shëngjergjit” etj. Sipas Zojzit: dy stinët e mëdha të vjetit numrojnë nga 180 ditë sejcila”: 180 dit verë dhe 180 dit dimën. Ndër këto dit nuk numrojmë tri ditët e festimit të Shëngjergjit dhe dy ditët e festimit të Sh. Mitrit ose Shmartit. “Mjedisi i Verës dhe ai i Dimrit” bien përkatësisht në të 90 ditë pas Shën Gjergjit dhe të Shmitrit”. Për konceptin popullor të të ndarit të kohës ka vetëm dy stinë: vera fillon në Shën Gjergj dhe mbaron në Shën Mitër; dhe dimri fillon në Shënmitër dhe mbaron në Shën Gjergj. Kalendari primitiv nuk njeh stinë të ndërmjetme. Në Jug të Shqipërisë, banorët pajtonin barinjtë për të kullotur bagëtitë duke u nisur nga këta dy orientues bazë. Lit: Zojzi Rrok, “Gjurmët e një Kalendari Primitiv të popullit tonë”, “Bultini i Institutit të Shkencave”, Tiranë 1949; Sokoli Ramadan, “Meteorologjia popullore”, gaz. “Zëri i Rinisë”, 1962, 14 Korrik; “Epike Legjendare”, vëllimi i dytë, “Vdekja e Halilit”, Tiranë 1983; Dedej S, Balliçi A, “Isyf Myzyri”, ONUFRI 1996; Sokoli Ramadan, “Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë 2000 etj..
Koço Eno:Eno Koço- senior Teaching Fellow në Universitetin e Leeds-it, School of Music,në Angli, ku jep mësim në klasat e interpretimit dhe është dirigjent i përhershëm i Filarmonisë së këtij Universiteti. Enc: Lindi në Shqipëri. Në vitin 1966, përfundon studimet e larta për violinë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në vitin 1984 fiton titullin e

“Artistit të Merituar”. Në periudhën 1966-72 punon si violinist në Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë dhe njëkohësisht kryen studimet për dirizhim, të cilat i përfundon në vitin 1977. Në vitet 1976–91 punon si dirigjent i Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit, me të cilën zhvillon një aktivitet shumë të dendur koncertal dhe njëkohësisht regjistron muzikën më të zgjedhur shqiptare të të gjitha kohërave. Pas viteve 1990, emigron në Angli, kun në vitin 1998, fiton titullin Doktor në Filozofi pranë universitetit të Yorkut me punimin “Kënga lirike qytetare e vitive 1930”. Përveç veprimtarisë dirigjoriale me një sërë koresh dhe orkestrash angleze ai mban lidhje të rregullta me disa vëndet ballkanike ku drejton koncerte simfonike e opera. Ai ndërton programe me muzikë shqiptare për transmetim në BBC Radio 3 dhe BBC World Service dhe ka mbajtur seminare me të njejtën temë në universitete të ndryshme (Limerick, Leeds, Londër e Tiranë). Në Tiranë ka bërë një numër të konsiderueshëm regjistrimesh me muzikë shqiptare, instrumentale dhe vokale, dhe në Angli me muzikë nga Tippet, Wilby, Rachmaninov, Bossi, Widor dhe Rheinberger. Koço paraqitet në edicionin e 21-të të Who’s Who in the World, atë të 31-të të IBC, Cambridge (Qëndra Biografike Ndërkombëtare) dhe ABI (Instituti Biografik Amerikan).

 

Kongoli Baki:(Elbasan 24. 10. 1913 - Tiranë 04. 08. 1980) Kompozitor, mbledhës, transkiptues dhe studiues i folklorit muzikor shqiptar i gjysmës së parë të shek. XX. Enc. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike. I jati i tij Ali Kongoli ka qënë pjesëmarrës i kryengritjeve të pavarësisë në vitet 1911-1912. Vëllai i Baki Kongolit, deputet në qeverinë e Fan Nolit. Qysh në moshë të vogël, në mjediset e qytetit të Elbasanit, Baki Kongoli ka qënë në kontakt me muziktarët popullorë të këtij qyteti. Në këtë moshë i lind edhe pasioni për muzikën. Në vitin 1930 mbaron normalen e Elbasanit. Studimet e larta i kryen në Itali në konservatorin e Pavias afër Bolonjës, në degën e violinës në vitet 1931-1937. Me përfundimin e studimeve, në vitet 1937-1943 kryen detyrën e pedagogut në shkollën normale të Elbasanit. Më Nëndor të vitit 1943 del partizan deri në çlirimin e vendit. Në këtë luftë vëllai i tij Xhafer Kongoli është pushkatuar nga gjermanët dhe vëllai tjetër Musa Kongoli vdiq në kampin e përqëndrimit në Dahau. Mbas çlirimit deri në Korrik 1947 përsëri pedagog në normalen e Elbasanit. Më 1947-1951, përgjegjës-shef i muzikës në Komitetin e Artit dhe të Kulturës dhe më vonë Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Në vitet 1951-1953 shef muzike në Radio-Tirana. Më 1953-1956 shef i seksionit të muzikës në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës. Më 1956-1967 zgjidhet sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për muzikën. Më 1967 caktohet zv/drejtor i Institutit të Kulturës Popullore detyrë që e kryen deri ne vitin 1974 që del në pension. Gjatë gjithë periudhës së aktivitetit të tij, e në veçanti gjatë kohës së I.K.P. zgjeroi interesimet e tija mbi folklorin muzikor të cilat i pasqyroi në punimet e tij mbi folklorin muzikor, kryesisht artikuj. Ai kishte lidhje me të gjithë muziktarët më në zë siç qe rasti i Tefta Tashkos, me të cilën kishte korespodencë të cilën e ka ndihmuar me këngë burimore popullore. Në fushën e kompozimit muzikor, Baki Kongoli është autor i rreth 200 këngëve dhe i dy operetave, njera prej tyre

“Lulishtja e portokalleve”. Baki Kongoli ka dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen e institucioneve të para muzikore shqiptare si filarmonia, T.O.B, konservatori shtetëror etj. Artikujt:”Disa mendime rreth koncertit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore”, gaz. “Drita”, 1961, 26 nëndor; “Për një zhvillim të mëtejshëm të folklorit e të krijimtarisë popullore”, tek “Nëndori”, 5/1961; “Me tingujt e lahutës e të çiftelisë”, gaz. “Drita”, 1961, 26 mars; “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, gaz. “Drita”, 1970, 1 nëndor; “Folklori muzikor në shërbim të krijimtarisë profesioniste”, gaz. “Drita”, 1970, 15 shkurt; “Folklori ynë muzikor burim i pashtershëm”, rev. “Ylli”, 1/1970; “Ajo rron midis nesh me zërin e saj të bukur”, gaz. “Drita”, 1972, 17 dhjetor; “Jeta aktive e një artisti veteran”, gaz. “Drita”, 1972, 3 shtator; “Të ngjallim shijen muzikore mbi bazën e folklorit tek të rinjtë dhe pionierët tanë”, gaz. “Mësuesi”, 1974, 20 mars etj. Lit: Krantja, Mustafa “Jubile që na gëzon” (50 vjetori i ditëlindjes së kompozitorit Baki Kongoli), “Nëndori”, 11/1963; Avrazi, Gaqo “Baki Kongoli-punëtor i apasionuar i muzikës dhe kulturës sonë kombëtare”, “Nëndori”, 9/1973 etj.

Kruta Beniamin:(Vlorë 1940- Tiranë 1994) etnomuzikolog. Enc. Në vitet 1959-1961 kryen studimet pranë konservatorit “Ciprian Porumbescu” në Bukuresht, studime të cilat i përfundon në Tiranë më 1965 në degën e muzikologjisë, me punimin me temë “Polifonia e Myzeqesë”. Prej këtej fillon punë si punonjës shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. Më 1970 caktohet si përgjegjës i sektorit të muzikës dhe koreografisë dhe më 1993 emërohet drejtor i këtij instituti. Më 1983 fiton gradën e “kandidatit të shkencave” dhe më 1985 fiton titullin e “Bashkëpunëtorit të vjetër shkencor”. Pas vdekjes i jepet titulli i “Drejtuesit të kërkimeve”. Në vitet 1971-1982 drejton si pedagog titullar lëndën e folklorit muzikor në Institutin e Lartë të Arteve. Ishte antar i Këshillit shkencor të IKP dhe antar i Këshillit Ndërkombëtar për studimin dhe katalogizimin e muzikës popullore me qëndër në Bratislavë. Ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha ekspeditat e kryera në të gjithë Shqipërinë si dhe në arbëreshët e Italisë dhe në Kosovë. Ka regjistruar rreth 5000 njësi folklorike për arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Monografi: “Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1989. Artikujt shkencorë: “Polifonia e burrave të Myzeqesë”, “Studime filologjike”, 3/1968; “Polifonia e Skraparit dhe tipologjia e saj”, “Studime filologjike”, 4/1973; “Culadyjare, fyelli i dyfishtë shqiptar dhe disa paralele ballkanike”, “Studime filologjike”, 1/1975; “Vështrim i përgjithshëm i polifonisë shqiptare dhe disa çështje të gjenezës së saj”, “Kultura Popullore”, 1/1980; “Polifonia dy zërëshe e Toskërisë”, “Kultura Popullore”, 1/1983; “Vështrim tipologjik i polifonisë labe”, “Kultura Popullore”, 1/1988; “Vendi i polifonisë shqiptare në polifoninë ballkanike”, “Kultura Popullore”, 1/1990; “Burdoni-isua në polifoninë shqiptare dhe disa çështje të gjenezës”, “Kultura Popullore”, 1/1991 etj. Transkiptimet dhe botimet e ndryshme me shembuj muzikorë (me bashkautorë) si: “Këngë popullore historike”-Tiranë 1968; “Melodi e valle popullore instrumentale”-Tiranë 1969; “Këngë nga folklori i ri”-Tiranë 1974; “Këngë popullore polifonike”-Tiranë 1984, përveç dhjetra artikujve popullarizues mbi folklorin në shtypin periodik shqiptar etj.
Lit: “Një humbje për folkloristikën tonë”, Rilindja Demokratike, Tiranë, 1994, 6 maj, fq. 9; Sheholli Bahtir, “Studiuesi i pasionuar i polifonisë shqiptare”, Rilindja, Tiranë, 1994, nr. 14, fq.5; Panajoti Jorgo, “Beniamin Kruta, ky studiues etnomuzikolog shqiptar”, Shekulli, Tiranë, 2000, nr. 324, 25 nëntor, fq. 21.
Kultura popullore:Revistë shkencore periodike e etnokulturës shqiptare. Enc. Revista “Kultura Popullore” është botim i Institutit të Kulturës Popullore Tiranë. Numuri i parë i saj doli në vitin 1980. Prej vitit 1982 botohet edhe një version frëngjisht i saj me titull “Culture populaire Albanaise”. Në këtë revistë zënë një vend të rëndësishëm edhe artikujt shkencore mbi etnomuzikën shqiptare. Me emrin “Kultura popullore”, në Kosovë botohet një revistë që përmban kryesisht material burimor folklorik.
Loli Kosta:Etnomuzikolog ( Sopik, Pogon 1948). Enc: Mbaroi shkollën pedagogjike në qytetin muze të Gjirokastrës në vitin 1966. Në vitin 1975, dipllomohet pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë në degën e Teorisë Muzikore. Në periudhën 1975-1990 punon si pedagog muzike në shkollën e mesme të muzikës dhe atë pedagogjike në Gjirokastër. Gjatë kësaj kohe jep një kontribut të cmuar në organizimin e veprimtarive etnofolklorike, si dhe në studimin e trashëgimisë shpirtërore të Shqipërisë Juglindore. Ndër të tjera boton disa artikujve shkencore dhe popullarizues në shtypin shkencor dhe atë të përditshëm, kombëtar dhe në atë ndërkombëtar kushtuar iso-polifonisë shqiptare, greke dhe asaj vllahe. Prej vitit 1991 kryen veprimtarinë e tij shkencore dhe pedagogjike në qytetin e Janinës në Greqi. Ndër punimet e tij më të rëndësishme përmendim monografinë “Kaba dhe Avaze”, Janinë, Greqi 2003.
Lit: Loli, Kosta “Kabaja, “Pararoja”, 7 Shkurt 1976; Loli, Kosta “Vështrim mbi Kabanë si formë e polifonisë popullore instrumentale”, “Nëntori”, nr. 6, viti 1977; Loli, Kosta, “Polifonia në formacionet popullore instrumentale të Shqipërisë së Jugut”, tek “Kultura Popullore”, nr. 1/1991; Loli, Kosta “Kaba dhe avaze”, Janinë, 2003.
Markianoi Mikel:Studiues dhe mbledhës i shquar i folklorit arbëresh. Enc. Mikel Markianoi (1860-1921), konsiderohet si një nga studiuesit dhe mbledhësit më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shpirtërore të arbëreshëve të Italisë, ndër to edhe të krijimtarisë muzikore e poetike me bazë iso polifonike. Vepra e tij përfshin rreth 44 vëllime të botuara, ndër to, katër vëllime i janë kushtuar trashëgimisë gojore popullore të arbëreshëve. Kontributi i tij si mbledhës i folklorit arbëresh renditet krahas atij të Jeronim De Radës, Anton Santorit dhe Viçens Dorsës. Ndër këto botime përmendim: “Dallëndyshja, këngë dasme arbëreshe”, Foxha, 1906, “Këngë popullore arbëreshe të kolonive të Italisë”, Foxha, 1908, “Vjersha fetare arbëreshe”, Napoli, 1908, “Këngë arbëreshe të Kapitanatës dhe Molizës”. Sipas K. Kodrës: një meritë e madhe e Markianoit është e lidhur edhe me botimin në bazë të kritereve të përpikta shkencore i materialit që njihet në shkencën tone folkloristike me emrin “Dorëshkrimi i Kieutit”, dhe që konsiderohet si dokumenti i parë i shqipes së shkruar në kolonitë shqiptare të Italisë.

Lit: Kodra, Klara “Një figurë e shquar e shkencës folkoristike Mikel Markianoi”, Kultura Popullore, 2/1981, fq. 157-160.

Minga Josif:Kompozitor dhe përpunues i muzikës popullore shqiptare iso polifonike. Enc: Lindi në Korçë më 14.06.1953. Për gati tridhjet vjet, ka kompozuar vepra dhe lloje të ndryshme muzikore, për ansamble, kore, solistë, instrumentiste,etj. Ka drejtuar grupe dhe formacione të gjinive më kryesore të muzikës, si amatore ashtu edhe profesioniste, brenda dhe jashtë vendit. Duke përmendur krijimtarinë më të spikatur muzikore në vite, po paraqesim veprat me kryesore të krijimtarisë së tij, të cilat prekin kryesisht edhe përpunimin e muzikës popullore IPT të zonës së Korçës dhe Toskërisë në përgjithësi: 1975: Temë me variacione për oboe dhe orkestër, interpetuar në sallën e TOB-së, nga orkestra simfonike e RTV, dirigjent F.Deda, ekzekutuar gjithashtu në Prishtinë në vitin 1979, si dhe më 1987, në Itali; 1976: Poemë vokale, e interpratuar nga kori i shkollës Th. Germenji-Korçë, “O kjo anë e lumit ka bilbila shumë” e interpretuar nga kori i shkolles T.T.Koço dhe Kori i Ansamblit të Ushtrisë. Muzika e filmit televiziv “Korrierët”, në bashkëautorësi me kompozitorin Kastriot Gjini, interpretuar nga orkestra e RTV dirigjent E. Koço. Kënga “Ne zemra kemi heroizmin”, paraqitur në Festivalin e RTV-së, në vitin 1977. Kënga “Kico Greco e Midhi Kostani”, fituese në Festivalin e Korçës, interpretuar nga Lindita Theodhori . Muzika e filmit të Kinostudios “Shqipëria e Re”, “Streha e re”, interpretuar nga orkestra e TOB-së, dirigjent R. Teqja; 1978: Suitë orkestrale me tema popullore, ne tre kohë, interpretuar nga orkestra sinfonike e Korçës, dirigjent I. Erzeni, në qytetin e Durrësit. Kantatë për kufitarin “Bendo Buzi”; 1979- Opereta për femijë “Ditë gëzimi”, libreti Sh. Vreto, interpretuar nga fëmijët e shtëpisë së pionierit “M. Grameno“ Korçë . Trio vokale “Bije po s’dua të fle”, me vargje të J. De Radës, interpretuar në javën e kultures arbëreshe në Itali; 1980- Muzika e dramës dhe filmit televiziv “Dy krisma në Paris”, vënë në skenë nga trupa e Fierit, interpretuar nga orkestra sinfonike e R.T.SH., kori i Ansamblit të Këngeve dhe Valleve Popullore, dirigjent E. Krantja . Tre korale accapella “Fryn veriu”, “Vasha me draper”, “Fjalë dashurie”, me poezi te Lasgush Poradecit, interpretuar nga kori i shkollës T.T.Koço dirigjent J. Nano; 1982: Balladë vokale per solist edhe kor, “Themistokli Germenji” me fjalë të Koçi Petritit, kënduar nga Gaqo Cako; 1982-1986: Opera me katër akte “Liceistet”, me libret të Fatmir Gjatës, ekzekutuar nga artistet e T.O.B. dhe amatoret e filarmonise se Korçës, dirigjent Ilir Erzeni; 1987: Dy pjesë instrumentale, dy romanca për zë e piano, interpetuar në takimin e shkollave artistike, në Durrës. Kënga “Me të kuq të mollës faqja jote shkruar”, me tekst të Xhevahir Spahiut, kënduar nga Afërdita Zonja, në festivalin e R.T.V; 1988: Koncert recital “Këngët e Qytetit tim”, i këngëtares Afërdita Zonja; 1989: Kënga fituese “E mora shoqezën për krah”, me fjalë të Lasgush Poradecit, kënduar nga Afërdita Zonja në festivalin e R.T.V; 1994: Elegji per Lulushin ( gërnetistin e shquar popullor Nevruz Nure ), interpretuar në takimin kombëtar të Sazeve Popullore; 1994-1996: Albumet me këngë korçare të këngetarëve Afërdita Zonja, Eli Fara, Lazarela, Ermira Babaliu, Mimoza Paraveli, paraqitur në spektaklin “12 në Hollywood”. Albumi në CD dhe kasetë “Po të pres“, i këngëtares Eli Fara; 1998: Albumi në CD dhe kasetë i sopranos bullgare Violeta Kacori, me poezi të Thoma Kacorit, me titull “Unë dhe Ti”. Himni i shkollës “Raqi Qirinxhi” në Korçë, me fjalë të Niko Dakos; 1999: Albumi me kasete dhe CD i At Spiro Katundit “Me ne vllazerohuni”. Albumi me kasetë dhe CD “Nostalgji” i kengetares Eli Fara. “Elegji për Adem Jasharin”, interpretuar në koncertin e R.T.V. Baladë për bas “Nëna ime”, me fjalë të Dhora Lekës; 2002: Albumi i Sopranos bullgare Violeta Kacori “E paske një mall” ne kasete dhe CD Muzika e drames “Pazari” te shkrimtarit grek Dhimitër Keqaidhis. Albumi muzikor i At Spiro Katundit “Fjala Zot je ti vete”, në kasetë dhe CD.
Miso Piro:Etnomuzikolog shqiptar. Enc. Pirro Miso ka punuar si punonjës shkencor pranë Akademisë së shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Departamenti i Etnomuzikologjisë, si antar i kolegjiumit të botimeve akademike, sekretar i redaksisë së “Fjalorit Enciklopeik Shqiptar”, antar i forumit ballkanik të etnomuzikologjisë (BES). Interesat e tij kërkimore shkencore përfshijnë: arkeomuzikologjinë e shekujve para erës së re, shek. V pas er. Së re.; ikonografinë e shek. XII-XIII; rilindjen e veglave popullore dhe formacioneve tradicionale; praktikat e ekzekutimit; muzikën instrumentale; studimet krahasuese mes kulturave ballkanike; teknologjinë e punimit të instrumenteve; riprodhimin e veglave tradicionale me funksione të humbura etj. Në fushën e muzikës popullore ka kryer shumë ekspedita kërkimore shkencore folklorike, ka mbledhur e regjistruar mbi 2000 njësi muzikore instrumentale duke qënë një nga krijuesit e fonotekës instrumentale të I.K.P, ka mbledhur vegla muzikore duke krijuar koleksionin më të kompletuar kombëtar të veglave muzikore popullore të sistemuar në fondin muzikor të I.K.P. Ai është gjithashtu edhe krijuesi i skicotekës, dhe fototekës respektive të veglave muzikore popullore; ka drejtuar qendrën e restaurimit dhe prodhimit të veglave popullore; ka organizuar festivale krahinore e kombëtare. Piro Miso është edhe projektues e realizues i disa muzeumeve lokale me vegla tradicionale; autor e realizues i dy objekteve madhore të restaurimit dhe rinovimit të arkivit të zërit në IKP; ka drejtuar mjaft ansamble folklorike ne festivale kombetare dhe nderkombëtare dhe ka prodhuar CD. Piro Miso është autor i mjaft referateve dhe kumtesave, si dhe drejtues leksionesh në simpoziume kombëtare dhe ndërkombetare dhe në disa universitete europiane. Më 1987 fiton titullin “Kandidat i Shkencave”, më 1994 fiton gradën “Doktor i Shkencave” dhe me 1995 i jepet titulli i “Mjeshtrit të kërkimeve”. Vëllime studimore: “Veglat muzikore të popullit shqiptar” (me bashkautor R. Sokolin) . Botim i Akademisë së Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, sektori i etnomuzikologjisë, Tiranë, 1991, fq. 324. Përmbledhje në anglisht; “Muzike Popullore instrumentale”, botim i Akademisë së shkencave, Instituti i Kulturës popullore, sektori i etnomuzikologjisë ,Tiranë, 1990, fq. 292. Përmbledhje anglisht; “Truall me Kengë”. Botim i “Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore”,Tiranë, 1983, fq. 263. Përmban 196 tekste poetike, fq. 60. Me transkriptime muzikore: kënge vokale monofonike, këngë vokale polifonike, vokale instrumentale, te zgjedhura nga Festivali Folklorik Kombëtar, Gjirokastër, 1983; “Truall me këngë”. Botim i “Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore”. Tiranë, 1988, fq. 200. Përmban 282 tekste poetike, 100 fq. Me transkriptime muzikore: vokale homofonike, vokale polifonike, vokale instrumentale, instrumentale orkestrale, të zgjedhura nga Festivali Folklorik Kombetar, Gjirokastër 1988; “Metodë për llautë”. Botim i “Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore”. Tiranë, 1965, fq. 200. Përmban 100 ilustrime për studimin didaktik të llautës si dhe spjegimet teorike përkatëse. Artikuj studimorë: “Ruajtja, përdorimi dhe riaktivizimi i instrumentave popullorë tradicionalë”. Botuar në “Probleme të zhvillimit bashkëkohor “. Tiranë, 1980; “Sharkia dhe funksionet muzikore të saj”. Revista “Kultura popullore” Nr. 2, Tiranë, 1980; “Llauta, funksioni dhe repertori tradicional dhe bashkëkohor i saj”. Revista “Kultura popullore” Nr. 2, Tiranë, 1980; “Bakllamaja në muzikën tonë popullore”. Revista “Kultura popullore” Nr.1, Tiranë, 1983; “Roli dhe funksionet etnoartistike të lahutës”. Revista “Kultura popullore” Nr. 1, Tiranë, 1984; “Ritmi dhe metri në veglat kordofone”. Revista “Kultura popullore” Nr. 2, Tiranë 1988; “Vecori të formës dhe përmbajtjes artistike në muzikën popullore instrumentale të trevave veriore të vendit”. Revista “Kultura popullore” Nr. 1. Tiranë, 1989; “Format e polifonisë instrumentale në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me polifoninë vokale”, në Simpoziumin Ndërkombëtar të mbajtur në Tiranë mbi “Polifoninë e popujve të Ballkanit”, botuar në revistën “Kultura popullore” Nr. 1, Tiranë, 1990; Hartues dhe pjesëmarrës në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar me termat: bakllamaja, f. 62; cyladyjare, f. 145; çiftelia, f. 169; fyelli, f. 300; lahuta, f. 592; llauta, f. 655; sharkia, f. 1001; zumareja, fq. 1205, Tiranë, 1985; “Reformime te formacioneve instrumentale dhe te muzikes popullore qytetare te shqiperise ne dy shekujt e fundit”. Revista “Kultura popullore” Nr.1-2, f.169-178. Tiranë, 1994 etj. Vepra e tij shkencore ka njohje ndërkombtare.
Mjedisi i dimnit:Festë karakteristike popullore mbarëshqiptare e cila festohej në muajin Dhjetor me këngë, valle dhe rituale. Enc. “Mjedisin e dimnit” e gjejmë edhe me emrat “Natë këndellja”, dhe “Natë Buzmi”. Buzmi është një trung druri i madh i cili zgjidhej për t’u djegur “Natën e Buzmit”. Sipas Çabej: buzmit i bëhen nderime të posaçme. Referuar besimit popullor, buzmi shton gjënë e gjallë dhe prodhimet bujqësore. Sipas Haxhihasanit: gjuhtarët tanë kanë shpjeguar se fjala buzëm është një fjalë autoktone e shqipes, e trashëguar nga fondi i lashtë inndoevropian. Sipas Zojzit: traditën e vjetër të kësaj feste e gjejmë në Shqipninë e Veriut dhe veçanërisht në Dukagjin, Mirditë e Lumë por mbeturina të riteve të buzmit janë konstatuar edhe në Himarë, Gjirokatër, Përmet etj, si dhe te arbëreshët e Greqisë. Megjithëse kjo festë ka qënë kremtuar kryesisht nga të krishterët, në Shkodër kjo kremtohej edhe nga familjet myslimane me emrin “festa e kullanave”. Këngët e kënduara me këtë rast ishin këngë masive në kor dhe njiheshin me emrin “kënget e kullanave”. Ja si e gjejmë të pasqyruar në poezinë popullore: Po vjen Buzmi bujar/me gjeth e me bar,/me edha,/me shtjerra,/mbas tyne vjen vera. Në natën e buzmit këndohej dhe kërcehej nga të gjithë. Në mesnatë zakonisht shkohej në kishë. Karakteristike është vajtja e festuesve pranë bagëtisë ku të gjithë imitojnë zërin e kafshës, kryesisht zërin e dhive. Sipas mendimit të studiuesve në festimet e buzmit ka praktika rite që të çojnë në mënyrë të qartë në trashëgimin kulturor ilir. Shiko “kalendari primitiv”, “mjedisi i verës”.

Lit: Zojzi Rrok, “Gjurmë të një kalendari primitiv”, Bultini i Institutit të Shkencave, Tiranë, 1949; Çabej, E. “Studime gjuhësore-II” “Studime gjuhësore  V”, Prishtinë, 1975; “Lirika-I”, Tiranë, 1986; Zogu Sokol, “La tradition du buzm e la contree de Puka”, “Culture populaire albanaise”, 10/1990 etj.

Mjedisi i verësFestë karakteristike popullore mbarëshqiptare, që festohej më 23 Prill me këngë, valle dhe rituale të ndryshme. Enc. “Mjedisi i verës” njihet ndryshe edhe me emrin festa e “Shën Gjergjit” ose “kreu i motmotit”. Sipas Çabej: dita e Shën Gjergjit kremtohet prej të gjithve pa përjashtim deri prej jevgjvet. “Mjedisi i Verës” festohet për tre ditë rresht me këngë valle dhe me rituale. Thelbi i festimeve është ripërtëritja e jetës. Ja si shprehet kjo në një poezi popullore për “kreun e motmotit” nga Manastiri: Seç mbolla një mollë,/molla lëshoi rrënjë,/rrënja lëshoi degë,/dega lëshoi fletë,/fleta lëshoi lule,/lulja bëri mollë. Në ditën e parë dilet nëpër fusha dhe mblidhen lule me të cilat stolisen dyert dhe dritaret e shtëpive si dhe me ujin e ri spërkatnin të gjitha skutat e shtëpisë etj. Sipas Zojzit: të nesërmen herët në mengjes presin me bukë e gjellë e të shtrueme, lindjen e diellit. Atje kalojnë ditën me kërcime dhe valle, këngë dhe lojna…. Në kët ditë dalin në shesh kampjonët e katundit në gara të ndryshme, në kërcime dhe kangë. Sipas Haxhihasanit: Shën Gjergji ishte festa që dallohej për pasurinë dhe origjinalitetin e lodrave popullore. Këto festime në muzikën popullore qytetare shkodrane njihen me emrin shtregullat-shilarthat. Tipike për festimet e shtregullave në Shkodër është një repertor i tërë këngësh dhe vallesh të lidhura ngushtë vetëm më këtë festë. Edhe në Jug të Shqipërisë festimet e Shën Gjergjit priten me ceremoni dhe rituale të veçanta për këtë ditë. Shiko zërat: “kalendari primitiv”, “mjedisi i dimrit”.
Lit: Zojzi Rrok, “Gjurmë të një kalendari primitiv”, Bultini i Institutit të Shkencave, Tiranë, 1949; Sokoli R, “Kangët rituale në të kremtet vjetoretë popullit tonë”, tek “Studime filologjike”, 4/1964; Çabej Eqrem, “Studime gjuhësore V”, Prishtinë, 1975; Tirta Mark, “ Kulte të bujqësisë dhe blegtorisë në popullin tonë”, tek Etnografia shqiptare”, IX/1980; Sokoli Ramadan, “Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1981; “Lirika-I”, Tiranë, 1986
Muko Neço:(Himarë 21 tetor 1899 - 12 Dhjetor 1934). Këngëtar i shquar popullor dhe konsolidues i zërit të “hedhësit” në këngët iso polifonike të Bregut. Enc. Shkollën fillore e përfundon në Himarë. Vazhdon studimet në Greqi ku përfundon me 1919 “Teknikumin” për mekanikë. Mëson në mënyrë autodidakte violinën, mandolinën dhe ndjek shfaqje të ndryshme teatrore. Më 1924 emigron në Francë. Kthehet në atdhe më 1926 ku organizon në qytetin e Sarandës grupin koral “Pif-Paf”, për të cilin bën dhe krijimet e para muzikore të tij. Më 1929 me një pjesë të grupit koral shkon në Paris për të regjistruar këngë të ndryshme popullore dhe pjesë të tij muzikore e letrare në disqe gramafoni. Në grupin e tij iso polifonik të përbërë nga Koço Çakalli-marrës i këngës polifonike; Pano Kokëveshi-kthyes i këngës polifonike dhe neço Muko-hedhës i këngë, bën pjesë edhe këngëtarja e njohur lirike Tefta Tashko Koço. Më 1930 realizon disqe të reja po në Paris. Më 1932 sëmuret dhe vdes dy vjet më vonë, në vitin 1934, nga një faringit tuberkular. Sipas Shitunit: Neço Muko rradhitet ndër këngëtarët popullorëmë me emër të ditëve tona, ndërkohë që sipas Dr. Eno Koços: kontributi muzikor i Neço Mukos shquhet në dy drejtime: për krijimin apo përshtatjen e këngëve të lehta të mbështetura në traditat ndërkombëtare (së shumti greke dhe franceze) dhe për lëvrimin e stilizimin e këngës popullore iso polifonike himarjote brenda kuadrit tradicional, duke i dhënë kësaj kënge një pamje të dallueshme e të veçantë.
Lit: Varfi Dhimitër, Goro Odise, “Vlerat e këngëve të kënduara nga grupi i Neço Mukos”, gaz. “Zëri i Vlorës”, 1981, 19 shkurt; “Këngë polifonike labe”, Tiranë, 1986; Varfi A, “Neço Muko (H) marjoti”, Tiranë, 1998; Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998; Koço Eno, “Kënga karakteristike korçare”, Tiranë, 2003, fq. 9-15 etj.
Munishi Rexhep:(Kosovë 1945) Etnomuzikolog i shquar kosovar i gjysmës së dytë të shek. XX. Enc. Shkollën e mesme muzikore e kryen në qytetin e Prizrenit. Më 1971 përfundon studimet e larta muzikore në Beograd. Po më 1971 bëhet antar i sektorit të etnomuzikologjisë pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më 1981 mbron gradën e Doktorit të Shkencave Etnomuzikore në Universitetin Paris VIII me punimin me temë "Këngët malësorçe shqiptare". Aktualisht është punonjës shkencor pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës si dhe pedagog i lëndës së Folklori Muzikor pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës. Veprat kryesore: "Këndimi i femrave të Podgurit", Prishtinë 1979; “Këngët malësorçe shqiptare”, Prishtinë 1987; “Këndimi koral”, Prishtinë 1988; “Probleme etnomuzikologjike”, Prishtinë 1997; “Identiteti muzikor”, Prishtinë 2001. Artikuj shkencorë:”Të kënduarit dy zërësh në disa fshatra të rrethit të Kacanikut”, “Gjurmime Albanologjike”, VII/1975, Prishtinë; “Për këndimin polifonik shqiptar në Jugosllavi”, “Gjurmime Albanologjike”, Prishtinë 1990; “Njoftime organologjike mbi okarinën”, “Gjurmime Albanologjike”, Prishtinë 26/1996; “Mitet dhe kultet mbi muzikën përmes frazeologjive popullore”, “Gjurmime Albanologjike”, Prishtinë 27/1997 etj.
Museion:Fjalë e praktikës muzikore të Ilirëve. Enc. Sipas Prof. Cekës, fjala museion përcaktonte një ndërtim kulti i cili i kushtohej muzave. Ekzistenca e museionit në Iliri, krahas odeonit që isht një ndërtesë publike për shfaqje muzikore, janë tregues të rëndësisë që kishin artet dhe muzika në Iliri.
Lit: Ceka Neritan, "Ilirët", Sh.B.L.U, 2000, etj.
Odeon:Fjalë e praktikës muzikore të ilirëve në antikitet. Enc. Sipas Prof. Cekës, odeoni ishte një ndërtesë publike për shfaqje muzikore e letrare. Shiko fjalën museion.
Lit: Ceka, Neritan, "Ilirët", Sh.B.L.U, 2000, etj.
Pani i madh dhe e qara iso polifonike:Legjenda e njoftimit të vdekjes se Panit të madh në brigjet e liqenit të Pelodit, Butrintit të sotëm. Enc. Sipas PLUT., De defectu oraculorum, XVII: Epitersi, i ati i oratorit Emilian, thoshte se një herë, duke lundruar drejt Italisë, qëlloi ne një barkë të mbushur me njerëz e të ngarkuar me mallra. Një mbrëmje, gjatë lundrimit, era pushoi dhe barka, që kishte mbërritur pranë Ekinadeve, filloi të rrëzonte dhe iu afrua një ishulli të Paksosit (kështu quhen edhe tani ishujt që ndodhen në jug të Korfuzit). Kur shumë udhëtarë po pinin ose sapo kishin mbaruar së ngrëni, nga një ishull i Paksosit u dëgjua papritur një zë që thërriste Thamos. Zëri ishte aq i fortë saqë u habitën të gjithë. Ky Thamosiqe një pilto egjyptian që pakkush nga ata që ishin në anije ia dinte emrin. Ai nuk iu përgjigj as thirrjes së parë, as së dytës, po vetëm së tretës. Atëhere zëri u bë edhe më i fortë e tha: Sa të mbërrish te liqeni Pelod, lajmëro se Pani i madh ka vdekur. Epitersi thotë se të gjithë ata që dëgjuan atë zë mbetën të tmerruar dhe, pastaj, zunë të diskutonin a duhej Thamosi të bënte sa i qe urdhëruar apo më mirë të mos e përfillte atë porosi. Thamosi vendosi që, po ta kishte erën të mbarë, të mos e përfillte fare. Mirëpo, kur arriti barka te liqeni Pelodit, pushoi era dhe deti ra në fashë, dhe atëhere Thamosi, duke u drejtuar nga toka, thirri me zë të lartë se Pani i madh kishte vdekur. Sakaq u dëgjua jo një, po shumë rënkime të thella, sikur shumë qënie të vajtonin së bashku. E meqë shumë njerëz qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje, lajmi mori dhenë e arriti deri në Romë. Tiberi, perandori i asaj kohe, thirri Thamosin, e aq përshtypje i bëri tregimi i tij saqë urdhëroi ta gjenin se kush ishte ai Pani. Letrarët, që nuk ishin pak rreth tij, thanë se do të ishte ai që kishte lindur nga Penelopja e Hermesi. Ne mendojmë se e qara polifonike ishte requiemi më i plotë për vdekjen e shumë te shquarit Pan, e kumtuar enkas në zonën iso polifonike të Epirit të lashtë. Shiko fjalën epirote.
Lit: Ugolini. Luigi M, "Butrinti", Romë, 2000, fq. 80-81.
Sirenat vajtore:Qënie mitologjike që qanin me zë, që niihen si paraportë e Hadit. Enc. Në mitologjinë e lashtë greke ato paraqiteshin si qenie gjysmë zogj e gjysmë gra. Të gjitha gjetjet e arkeomuzikës shqiptare, që kanë të bëjnë me Sirenat, i tregojnë ato pa vegla shoqëruese dhe me sjella karakteristike vajtuese. Tipike për këtë janë “Sirenat vajtore” pa vegla muzikore të Apolonisë, për të cilat flet edhe Praschnikeri, Sirenat e Durrësit, Antigonesë, Vlorës etj. Vepra. “Odiseja”, e Homerit, qe e para e cila ndihmoi që Sirenat të përkapeshin si qenie konkrete. Në këtë vepër, Sirenat me këngën e tyre magjepse tërhiqnin detarët në shkëmbinjtë e bregut dhe u shkatërronin anijet. Sipas Homerit, në fillim ishin dy (Odiseja, Kënga XII, 52), më vonë besohej se ishin tri ose katër, ndërsa Platoni numëron tetë syresh. Besohet gjithashtu se ati i tyre, Forqisi, ishte me prejardhje nga deti, ndërsa nëna ishte Gaia-Gea, pra toka. Ndërkohë ka hipoteza të tjera se nëna mund të ishte edhe një nga muzat, çka u jep atyre edhe talentin e veçantë të të kënduarit. Në këtë pandehmë të fundit, ato Sirena, që besohej të ishin bija të muzës së valles, Terpsihorit, quheshin Parthenope, Ligea dhe Leukosia, ndërsa ato të muzës së tragjedisë, Melpomenit, thirreshin Thelxipea, Aglaope dhe Peisinoe. Me këngën e tyre krijesat tërhiqnin në breg kalimtarët-detarë dhe i vrisnin ose i hanin. Këtë e dëshmon fakti që brigjet e ishullit të Anthemoezës (i gjendur midis Sicilisë dhe Italisë), vend ku mendohet se qëndronin Sirenat, zakonisht gëlonin nga kokalla viktimash. Anthemoezë do të thotë “i mbushur me lule”. Në fillim grekët i përfytyronin si vajza të bukura të ngjashme me muzat, por varianti më i përdorur i paraqitjes së tyre në artin e vjetër figurativ, ishte ai i qenieve me kokë dhe gjoks gruaje dhe trup zogu; qenie të cilat fanepsen me vegël muzikore në dorë edhe mbi varre dhe qajnë të vdekurit. Zëri i Sirenave është përfytyruar shumë joshës dhe, për këtë arsye, në shek. VII para Krishtit, ato lidhen me Muzat, po aq sa me Hadin, pikërisht për shkak të zërit të tyre melodik etj. Ne gjejmë tek portretizimi i Sirenave, vajtojcat antike dhe fillesat e dukurisë së iso-polifonisë si fenomen i lidhur ma praktikat dhe ritualet e vdekjes në kohërat antike. karakteristike vajtuese. Tipike për këtë janë “Sirenat vajtore” pa vegla muzikore të Apolonisë, për të cilat flet edhe Praschnikeri, Sirenat e Durrësit, Antigonesë, Vlorës etj.
Lit: Tole Vasil S. “Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, Uegen, 2005.
Sokoli, Ramadan:(Shkodër 14.10.1920-Tiranë 11.03.2008) “Profesor”, Themeluesi i etnomuzikologjisë shqiptare. Enc. Arsimin fillor dhe të mesëm i kryen në qytetin e Shkodrës. Në vitet 1940-1944 kryen studimet e larta muzikore në Firence, Itali. Pas çlirimit të vendit kryen detyrën e pedagogut të Folklorit Muzikor Shqiptar në Liceun Arstik dhe Institutin e Lartë të Arteve, degë të cilën e krijoi ai vetë. Deri në botimet e para të Prof. Sokolit, rreth viteve ‘50 të shekullit të XX, etnomuzikologjia shqiptare nuk ekzistonte. Ndër gjithë opusin e tij krijues punimet në foklorin muzikor e përkatësisht në etnomuzikologji zënë kryet e vendit, vepra të cilat janë ndër të tjera edhe punimet themeluese të etnomuzikologjisë shqiptare në përgjithësi. Në një lloj kuptimi gjithë kontributi etnomuzikologjik i prof. Sokolit eshtë si një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të fenomenit të folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Këtë e konstatojnë studiuesit, muziktarët, srtudentët dhe nxënësit e muzikës, për të cilët ai orientoi dhe futi në strukturën e shkollës qysh në vitet ‘50 të shek. XX, si një diçka të natyrshme lëndën e Folklorit Muzikor Shqiptar. Ishte një hap mendimtari ky, ai që përcaktoi edhe orientimin prej vlerave tona shekullore, që shkolla e re shqiptare duhej detyrimisht t’i ndiqte. Vlerat e veprës së prof. Sokolit janë konturuar së bashku me rritjen profesionale, shkencore dhe artistike të autorit të saj. Ajo ç’ka i ka ngjizur ato në një unitet të vetëm rrezatues, është shpirti, puna dhe përkushtimi i tij prej rilindasi. Po kaq të rëndësishme e konsiderojmë edhe krijimtarinë e tij muzikore, e cila ka në thelb orientimin për nga vlerat e etnomuzikës; punimet e tij muzikologjike në të cilat influenca e etnomuzikës është e drejtpërdrejtë, e po aq konstatimi se edhe në studimet e tij albanologjike, vështrimi etnomuzikologjik i problemit albanologjik është më se origjinal. Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës. Krijimtaria e tij studimore vazhdon ende. Ne viti 1995 i jepet titulli i Profesorit, ndersa me 2002 i akordohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, titulli “Mjeshtër i Madh” Botimet kryesore të autorit: -”Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais”, Tiranë, 1958; “Albanskie narodnie pesni”, Tiranë 1965; “Figura të ndritura”, Tiranë, 1965; “Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965; “Chansons populaires albanais”, Tiranë, 1966; “Metodë për fyell”, Tiranë, 1970; “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, Tiranë, 1971; “Folklori muzikor shqiptar-organografia”, Tiranë, 1975, 1984, 1987, 1991; “Figura e Skënderbeut në muzikë”, Tiranë, 1978; “Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1982; “Këngë patriotike”, Tiranë, 1985; “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, me bashkautor, Tiranë, 1991; “16 shekuj”, Tiranë, 1995; “Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaja”, Tiranë, 2000; “Gojëdhana dhe përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë, 2000, si dhe dhjetra artikuj në shtypin periodik shqiptar e të huaj.
Lit: Siliqi, Llazar “Kompozitori, folkloristi dhe muzikologu ynë i respektuar”, “Nëndori”, 1990, nr. 8, fq. 125-130,; Gjata, Trim “Portreti i një intelektuali”, “Bota shqiptare”, 1993, nr. 4, 1993; Bytyçi, Enver “Ramadan Sokoli, legjenda e gjallë e e kulturës shqiptare”, Koha, Tiranë, 2001, nr. 60, 1 Gusht, fq. 27-31; Braho, Esat “Ramadan Sokoli, muzikologu dhe folkloristi i shquar”, Liria, Tiranë, 2001, nr. 475, 12 tetor, fq. 10-11; Munishi, Rexhep “Identiteti muzikor”, Prishtinë, 2001, fq.106-109; Xhatufa, Osman “Ramadan Sokoli, jeta dhe vepra”, Tiranë, 2004 etj. Për më tepër shih Vasil S Tole, Prof Ramadan Sokoli, themeluesi i etnomuzikologjise shqiptare, 18 shkurt 2021 - YouTube
Studiuesit e huaj dhe muzika popullore:Enc. Interesimet e studiuesve të huaj për muzikën shqiptare i përkasin vetëm gjysmës së dytë të shek. XX, ndërkohë që vetë muzika popullore, e në mënyrë të veçantë iso polifonia ka qënë objekt interesimi nga të tjerë profesionistë qysh në lashtësi. Në artikujt dhe studimet e tjera të studiuesve të huaj mbi muzikën popullore shqiptare në përgjithësi dhe të iso polifonisë në veçanti, do të theksonim faktin e tërheqjes së vëmendjes nga ana e tyre mbi pasurinë e jashtëzakonshme të muzikës sonë popullore. Ndër autorët kryesorë përmendim etnomuzikologët: Cvjeto Rihtman, Arbatsky Yury, D. Peristeris, çiftin Stockmann, Samuel Baud-Bovy, Albert. L. Lloyd, Diego Karpitela, Rudolf M. Brandl, Birthe Traerup, Kim Burton, Adelheide Feilcke-Tiemann, Jane C. Sugarman, Roberta Tucci etj. Shiko zërat: arkeologjia muzikore, ekspedita shqiptaro-gjermane.
Lit: “Muzika popullore shqiptare paraqitur nga këngëtarja amerikane Stela Cushing”, “Vatra”, 1934, nr. 214, 29 Korrik, fq. 4; Sako Zihni, “Folklori ynë dhe interesat e folkloristikës ndërkombëtare”, gaz. “Zëri i Popullit”, 1964, 21 Maj; Cvjeto Rihtman, “O iliriskom porjeklu polifonia oblika narodne muzike, Bosne i Hercegovine, Rad Kongresa Folklorista Jugoslavije”, Na Bjelasnici, 1955, I u Puli 1952, Zagreb, 1958; Arbatsky Yury, “The Roga and Balkan bagpipe and its medico-magical. Conjurations read at the annual meeting of the musicological society in Chapitol Hill, Dec. 30, 1953; D. Peristeris, “Demotika tragoydia dropoleou Boreioy Epeteris toy laographikoy archaioy, 1958, nr. 9-10; Stockmann, “Zur Sammlung und Untersuchung albanicher Volkmusik”, Acta Musicologica, Vol. XXXII, 1960; “Folk Music of Albania”, by A. L. Lloyd Review author[s]: Barbara Krader Ethnomusicology, Vol. 12, No. 2 (May, 1968), pp. 298-300; Stockmann, D.Flieder, W.Stockmann “Albanische volkmusic” , Vol.I (Gesange der Çamen), Berlin, 1965; Llojd Albert, “Mbi muzikën popullore shqiptare”, “Shqipëria e Re”, 4/1979, fq. 28; D.E.Stockmann “Die vokale bordun mehrstimmigkeit in Sudalbanien”, “Ethnomusicologie”, Paris, 1964, III; and E. Stockmann, “Albania”, at the “The New Grove Dictionary of Music and Musicians”, London, 1980; Samuel Baud-Bovy, “Chansons d’Epir du Nord et du Pont”, Yearbook of the International folk council, Vol; 3, 1971; A. L. Lloyd, “Albanian folk song”, at “Folk Music Journal”, Vol. I, England, 1968; Uçi Alfred, “Diskutim për folklorin në selinë e Uneskos”, Kultura Popullore, 1/1982, fq. 35-47; Llojd Albert, “Kënga e re popullore në Shqipëri”, Kultura Popullore, 1/1982, fq. 165-171; Sokoli Ramadan, “Albert Lankaster Llojd (1908-1982), personalitet i shquar i etnomuzikologjisë”, Drita, Tiranë, 1982, 21 nëntor, fq. 14; “Dr. Diego Karpitela, etnomuzikolog i shquar, mik i Shqipërisë”, Kultura Popullore, 1/1991, fq. 235-236; Birthe Traerup “Pa sporet af den albanske folke-musik: historien om en ekspedition til Kosovo og Makedonien 1959”, Kobenhavn: Kobenhavns U., 1995; Rudolf M. Brandl “The yiftoi and the music of Greece: Role and function”, The world of music: Journal of the International Institute for Traditional Music XXXVIII/1, 1996; Jane C. Sugarman, “Engendering Song, singing and subjectivity at Prespa Albanian weddings”, Chicago and London, The University of Chicago Press, 1997; Tucci Roberta, “FFK i Beratit dhe trashëgimia etniko-muzikore”, Kultura Popullore, 1-2/1999, fq. 135-143 etj.
Sheholli, Bahtir:(Hërticë, Kosovë 16. 03. 1943) Etnomuzikolog i shquar kosovar i gjysmës së dytë të shek. XX. Enc: Lindi në Hërticë të komunës së Besianës (ish Podujeva). Shkollën fillore e kreu në Kërpimeh, të mesmën muzikore në Prizren, kurse fakultetin muzikor në Universitetin e Arteve në Beograd “ dega e Teorisë Muzikore, si dhe studimet në sektorin e Etnomuzikologjisë në katedrën e Historisë Muzikore dhe të Folklorit Muzikor në Beograd, ku edhe ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare. Gjatë vitit 1978-1979 u specializua në konservatorin e muzikës në Shën Petërsburg  BRSS, ku po ashtu ka bërë hulumtime shkencore në një pjesë të bjeshkëve të Kaukazit, rrethi i Nalçikut, në Republikën Kabardina në Ballkaria. Si mësimëdhënës i muzikës ka punuar në Gjimnazin e Podujevës në vitet 1963 -1970, ndërsa prej vitit 1976 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues në Sektorin e Etnomuzikologjisë. Nga viti 1977 disa vite ka punuar si mësimëdhënës i lëndës së formës muzikore, historisë muzikore botërore, njohurisë së veglave dhe folklorit muzikor në shkollën e mesme muzikore të Prishtinës. Ka qenë gjithashtu anëtar i redaksisë së revistës shkencore të IA “ Gjurmime Albanologjike “ seria Folklor dhe Etnologji. Nga viti 1974 deri më 1987 ka qenë anëtarë i Organeve të Revistës së Folklorit Burimor Kosovar të Gllogovcit, si seleksionues dhe udhëheqës artistik i saj. Si organizator dhe drejtor artistik me grupe të ndryshme folklorike ka përfaqësuar Kosovën në shumë manifestime në ish Jugosllavi, Shqipëri, Gjermani, Francë etj., në të cilat është shpërblyer me çmime të larta dhe mirënjohje publike. Bahtir Sheholli ka drejtuar si kryetar shoqatën e kompozitorëve të Kosovës. Monografi: “Zurla dhe tradita e saj muzikore“ studim monografik (dorëshkrim); Artikuj dhe studime: “Rreth metodës së mbledhjes së melodive popullore shqiptare në përmbledhjet e Lorenc Antonit” “ “Fjala”, 01. 11. 1975; “Figura e njësi të pasura ritmike” “ rreth RFBK “Gllogvci ’79 “, Rilindja, 05. 01. 1980; “Mbi disa karakteristika poetiko-muzikore të këngëve tona të dashurisë”, Gjurmime albanologjike “ seria folklor dhe etnologji. Nr XI, Prishtinë, 1981; “Pasuri formash e zhanresh”, “Rilindja”, 16. 06. 1984; “Albanian Vokal and instrumental tradition in Kosovë”, Buletini për studimin e folklorit, Zagreb, 1985; “Mbi traditën tonë vokalo instrumentale, në “Fjala”; Rexhep Munishi, Këndimi i femërave të Podgurit, botim i IA, Gjurmime Albanologjike “ Folklor dhe etnologji, nr. X, Prishtinë, 1980; “Mbi krijimtarinë e re vokalo-instrumentale të folklorit tonë muzikor”, Çështije të studimeve albanologjike II, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1987; Rexhep Munishi, “Këngët Malësorçe Shqiptare”, botimi IA, gjurmime Albanologjike “ folklor dhe etnologji, nr. 17, 1987”; “Sali Bajrami “ Krasniqi” ( 1919-1987), Gjurmime Albanologjike “ Folklor dhe etnologji, nr. 18, Prishtinë, 1988; “Ndryshimet në traditën muzikore shqiptare si pasojë e transformimit të radhës tonale”, materiale nga Sesioni shkencor i I.A “Studimi etnografik i ndryshimeve bashkëkohore në kulturën popullore shqiptare”, Prishtinë, 1990; Zeqirja Ballata, “Veglat Muzikore”, Gjurmime Albanologjike “ Folklor dhe etnologji, nr. 22, Prishtinë, 1992; “Benjamin Kruta “ studiues i pasionuar i polifonisë shqiptare”, Gjurmime Albanologjike, nr. 24. Prishtinë, 1994; “Festivali Folklorik Kombëtar i Beratit”, Gjurmime Albanologjike “ Folklor dhe etnologji, nr. 25, Prishtinë, 1995; “Këngët popullore “ fuqizim i përhershëm i veprimtarisë patriotike të Isa Boletinit”, Gjurmime Albanologjike “ Folklor dhe etnologji, nr. 26, Prishtinë, 1996; “Mbi paraqitjen e folklorit shqiptar në skenë dhe disa dukuri aktuale folklorike”, Gjurmime Albanologjike “ Folklor dhe etnologji, nr. 27, Prishtinë, 1997; “Sali Bajrami “ Krasniqi” rapsod i pashlyeshëm në kujtesën e popullit, Gjurmime Albanologjike. Nr. 27. 1997; “Tradita e folklorit tonë muzikor si lidhje shpirtërore me krijimtarinë e Qamilit të vogël”, Gjurmime Albanologjike, nr. 27. 1997; “Mbi traditën muzikore folklorike të Llapit”, Materiale nga Sesioni Shkencor, “Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit”, Prishtinë, 1995; “Tradicionalja dhe bashkëkohorja në krijimtarinë tonë muzikore popullore”, Gjurmime Albanologjike “ Folklor dhe etnologji, nr. 28-29, 1999; “Funksionimi i këngës popullore në luftën e Koshares”, “Bota Sot”, 21. 04.2000.
Shituni, Spiro:(Fshati Andon Poçi/Gjirokastër -1951). Etnomuzikolog i shquar shqiptar i gjysmës së dytë të shek XX, “Doktor i shkencave”, specialist i studimeve në fushën e IP. Enc. Shkollën e mesme e kryen në liceun “Jordan Misja” në vitet 1967-1970 në degën e teoritikut. Në vitet 1971-1975 kryen studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e muzikologjisë. Qysh në vitet e shkollës tregoi një prirje të tij drejt studimit të folklorit muzikor shqiptar, prirje të cilën e finalizoi me punimin e diplomës me temë “Folklori muzikor i aromunëve të fshatit Andon Poçi”. Pas përfundimit të shkollës, punon për disa vjet në rrethin e Tepelenës, ku filloi edhe interesimet e para konkrete në terren për mbledhjen dhe studimin e iso-polifonisë labe, fushë të cilën më pas e ktheu në vemendjen kryesore të punës së tij si etnomuzikolog. Në vitet 1980-1992 punon si etnomuzikolog pranë Institutit të Kulturës Popullore. Në këto vite Shituni formon edhe portretin e tij të plotë si etnomuzikolog, punë e cila finalizohet në fund të viteve ’80 të shek. të XX, me mbrojtjen e Doktoranturës me punimin me teme “Polifonia labe”. Gjatë këtyre viteve drejton edhe sektorin e etnomuzikologjisë si dhe merr pjesë si referues në konferenca, kongrese dhe takime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare mbi muzikën popullore. Ka shkruar me dhjetra artikuj në shtypin e specializuar si dhe atë periodik. Ka përgatitur për botim (me bashkautor) përmbledhjen me transkiptime muzikore “Këngë e melodi nga festivalet folklorike kombëtare” (1968-1973-1978), Tiranë 1986 si dhe “Këngë polifonike labe”, Tiranë 1986, etj. Në vitin 1993 largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Monografi: “Polifonia labe”, Tiranë 1989; Artikuj shkencorë: -”Elementë novatorizmi në polifoninë labe”, tek “Probleme të zhvillimit të folklorit bashkëkohor”, Tiranë 1980; “Tipare dalluese të polifonisë labe”, Nëntori, 9/1980; “Mbi pentatonin në polifoninë labe”, “Kultura Popullore”, 1/1981; “Vëzhgime etnomuzikore rreth vajtimit lab”, “Kultura Popullore”, 2/1982; “Tipare origjinale të polifonisë labe”, “Kultura Popullore”, 2/1983; “Muzikë në lulëzim të plotë”, “Kultura Popullore”, 1/1984; “Stile muzikore të polifonisë labe”, “Kultura Popullore”, 2/1985; “Vendi i muzikës popullore në jetën e shoqërisë shqiptare”, “Kultura Popullore”, 1/1991 etj.
Sholla, Pavllo:(Korçë 1923-05.04.2003) “Artist i Merituar”, mjeshtër i kultivimit të këngës popullore IP. Enc. Mbaroi shkollën rumune “P. Ballamaci” e më pas shkollën qytetase në Korçë. Dashurinë dhe pasionin për këngën, ia mëkoi nëna e tij Zaha, e cila këndonte shumë mirë. Në formimin muzikor të Pavllos ndikuan dhe mësuesit e shkollës fillore Deman Lena dhe D. Simaku. Aktivizohet në vitin 1935 në shoqërinë kulturore “Agron”. Në një moshë të njomë këndon “Kozazhin” në vitin 1936, e më pas këndon së bashku me Tole Adhamin. Në vitet 1945 – 1947 Pavlloja aktivizohet si këngëtar e më pas edhe si solist në korin e ushtrisë. Pas kësaj periudhe fillon dhe mbledh folklorin muzikor të zonës së Korçës si dhe drejton disa festivale folklorike. Në vitin 1978, Pavlloja së bashku me J.Mingen dhe Jorgo Panajotin do të organizonin ekspedita folklorike në të cilat krahas mbledhjes së folklorit evidentonin edhe bartës së shquar të tij. Pavlloja një vend të rëndësishëm do t’i kushtonte interpretimit, pasi është interpretimi ai që sipas tij i jep jetë këngës. Një interpretues qe ka evidentuar për herë të parë këngën e kurbetit ka qenë Sherif Cobani i sazeve “Demka & Hajro”, në vitet 1940 e më pas, rreth viteve 1980, ishte këngëtarja Eli Fara me këngën “Qeraxhi që nget karvanë”. Po kështu interes do të tregonte edhe për këngët historike të kënduara nga Lefter Pulici-marrës dhe Spiro Gramozi-prerës nga Drenova. Më pas punoi për të përagatitur ansamblin “Voskopolea”, një ëndërr qe e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës për të ngritur në skëne këngën dhe folklorin arumun. Ka mbledhur dhe regjistruar me dhjetra këngë, melodi dhe valle popullore, së bashku me transkiptimet muzikore të realizuara nga ai vetë. Për punën e palodhur dhe mjeshtërinë e tij artistike, në vitin 1975, ju dha titulli “Artist i Merituar”.
Tase, Pano:(Lëshicë, Përmet 16 Korrik 1903- Tiranë, 5 Mars, 1978). Mbledhës dhe gjurmues i shquar i trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Enc. Pano Tase konsiderohet si një ndër mbledhësit më të shquar të trashëgimisë kulturore gjuhësore iso polifonike. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, Pano Tase mblodhi fjalë të rralla, toponime e frazeologji, këngë popullore e gjëagjëza, përralla, anekdota etj. Në vitin 1941, botoi librin “Fjalor i Ri-fjalë të rralla të përdorura në Jug të Shqipërisë”. Një pjesë të konsiderueshme të këtyre materialeve ai i boti në organet e shtypit të përditshëm dhe në revistën “Kultura Popullore”, organ i Institutit të Kulturës Popullore, bashkëpunëtor i së cilës ai ishte prej shumë vitesh. Për arkivin e folklorit ai ka mbledhur në terren dhe ka paraqitur materiale folklorike që përfshijnë vitet 1959-1964. Në arkivin e folklorit pranë IKP janë të depozituara 13 defterë që përmbajnë: 247 këngë popullore, 1018 proverba, 21 gjeagjëza, 76 përralla, 54 anekdota dhe 2 legjenda. Sipas Tirtës: Pano Tase, mbetet një mbledhës i shquar i visarit popullor ku përfshihen edhe dorëshkrime si: “Material etnografik mbi Përmetin”-1959, fq. 39; “Zakone nga djepi në varr”-1964, fq. 84; “Kanune dhe zakone nga krahina e Përmetit”-1972, fq. 10; “Material leksiko frazeologjik nga nga rrethi i Përmetit”-1973, fq. 177; “Material ndihmës për etnografinë”,1976, fq. 65; etj. Pano Tase ka një meritë shumë të madhe edhe në grumbullimin dhe evidentimin e fjalëve të klasifikuara si të përngjitura, të cilat çmohen sit ë tilla edhe për shkak të origjinës dhe krijimit të tyre gjatë këndimit iso polifonik tosk.

Lit: “Visaret e Kombit”, Vëllimi XII, Tiranë; Tirta, Mark “Pano Tase, gjurmues i zellshëm i etnokulturës shqiptare”, Kultura Popullore, 1-2/1993, fq. 161-162.

Zadeja Cesk:(Shkodër 1927-Romë 1997). Kompozitori më i shquar shqiptar i shek. XX, krijues i idiomës kombëtare në muzikë mbështetur mbi trashëgiminë muzikore popullore mbarëshqiptare, studiues i muzikës popullore. Enc: Në vitet '50, të shek. XX, në jetën muzikore të atëhershme emri i Zadejës u lidh ngushtë me dy nga evenimentet më të rëndësishme të historisë të muzikës sonë: e para lidhet me pikën ku starton jeta artistike e krijuesit të kompletuar të muzikës shqiptare tashmë me një process kompozicional të vërtetë, dhe e dyta, në reflektimin e këtij proçesi krijues menjëherë në fushën e krijimtarisë muzikore serioze, i cili u shugurua me veprat e para e ndër to edhe simfonia e parë e madhe e muzikës sonë. Ky proces krijues dhe kjo vepër-manifest i vërtetë i artit muzikor shqiptar, ishte prova më e mirë se muzika shqiptare po shkëputej nga folklorizmi, serenatat dhe “muzika e bardhë e qyteteve”, duke u ridimensionuar dhe reformuar përkrah një kuadri evropian, kjo shoqëruar me një fuqi gjeneruese dhe emancipuese të po këtyre përmasave. Vepra e Zadejës si një domosdoshmëri dhe pasqyrë e epokës, përveç primatit historik, identitetit të spikatur etj., inicioi për muzikën shqiptare të pas viteve 1950 (por dhe më tej), “erën e re” të saj, ndërkohë që qysh atëherë, në momentet e para, (si një ritual) në secilin prej ditëve që kalonte dhe përpara të gjithë njerëzve, kjo muzikë e cila përshkruhej si “e re”, “moderne” etj., shndërohej gradualisht dhe vazhdimisht në një pjesë të peisazhit të histories. Në vitet që pasuan, u pa se pothuajse i gjithë Curriculumi i veprave zuri vend në fondin e artë të krijimtarisë sonë dhe pikërisht duke zënë atë vend ku normalisht duhej të “qëndronin” qindra vjet muzikë. Në këtë rrugë të nisur qysh herët, ishin eprat e Zadejës, ato të cilat veç të tjerash synuan në vitet 1970-1980 (këtu përmendim ndër të tjera Sonatën për violinë dhe piano dhe në vitet 1980 me baletin “Para Stuhisë”), të bëjnë një reformim të vërtetë në muzkën tone, duke provuar më së miri thënien sse “Muzika është arti i tingujve” por gjithmonë “në ndryshim me kohën”. Përsëri në vitet 1990, kohë kur muzika jonë reflektonte hapjen me botën, kontributi krijues muzikor i Prof. Zadejës shquhet për polisemantikën e trajtimit të dukurisë, duke e orjentuar proçesin e zhvillimit të muzikës shqiptare për nga “extra musical sound”-i që mund të vinte nga shfrytëzimi i folk-etnosit tonë. E thënë me pak fjalë veprat dhe kontributi i Prof. Zadejës, akademikut të parë shqiptar të muzikës pranë një Akademie shkencash (asaj të Shkencave dhe Arteve të Kosovës), është një me vetë rrugën që përshkoi historia e muzikës e shek. tonë, aty është tradita jonë, risia dhe prognoza, dhe thellë brenda saj edhe fara e së nesërmes. Veprat muzikore janë vetëm njëra pjesë e Opusit të tij, të tjerat lidhen me kontributet pedagogjike artistike dhe shkencore të pafundme, të cilat janë aq të dukshme saqë të huajt nuk nxitojnë ta quajnë “babain e muzikës dhe të kompozitorëve shqiptarë”. Ka një kontribut të shquar në publicistikën mbi folklorin muzikor shqiptar. Marrëdhëniet e veprës së tij kompozicionale me folklorin i ka trajtuar gjerësisht në studimin “Vetëparja e procesit”, i pabotuar.

Lit: Tole Vasil S., “Vepra e Zadejës si një domosdoshmëri dhe pasqyrë e epokës”, Drita, 1997, 29 Qershor; Kole, Klement M, “Simfonizmi në muzikën e Cesk Zadesë”, Tiranë, 2004 etj. Për më tepër shih Vasil S . Tole, Interviste per librin CESK ZADEJA NE MUZIKEN SHQIPTARE, qershor 2022 - YouTube

Zogjtë fatidikë:Enc. Si zogj fatidikë në muzikën tonë popullore njihen bilbili dhe qyqja. Me anë të këngës së tyre ata parathonë fatin për të tjerët. Një ndër krijimet më të hershme ku konstatohet roli i qyqes si zog fatidik është balada “Konstandini dhe Doruntina”. Zogj të cilët me anë të këngës dhe këngëtimit të tyre të parathonë fatin. Ndër të tjera, bilbilin si zog fatidik e gjejmë edhe në gojëdhanën për lindjen e Skënderbeut: “Nana e Skënderbegit ish kanë metë me yzër. Nji natë pa le Skënderbegi, e sheh ni andërr se si kanë shkue me ni bjeshkë t’Shqypnisë. Ish kanë ditë vere. Krejt jeshillik vendi. Prej asaj bjeshke shumë t’naltë p’e sheh krejt Shqypninë e rrezueme prej dielli. Vjen ni bylbyl i hijeshëm e i bjen n’krah t’djathë nanës ‘Skënderbegit e po i knon shumë bukur. Nana e Skënderbegit, tu’ e ngue bylbylin, s’vanon e kërset ni pushkë, e kjo tremet e i del gjumi. T’nesrit i lenë Skënderbegi”. Ferizaj, Kosovë. Jeronim de Rada mblodhi këngët popullore të arbëreshëve të Italisë, të cilat i botoi tek “Rapsodi të një poeme shqiptar”. Në njërën prej këngëve të mbledhura gjejmë edhe zogjtë fatidikë. Më tej, populli, duke besuar në fatthënien e zogjve, në ditën e Verës, ka qënë zakon që të lidhnin gojën e kafshëve apo shpendëve që të mos dëmtonin prodhimet: Ça po bën aty?/Po lidh gojën e zogjëve. (Duhanas, Berat). Sipas Tirtës: zogjtë fatidikë janë si lajmëtarë, si ndihmës në veprimet e heronjve kur ata ndodhen në rrezik. Në mitologjinë greke përmendet falltari grek Melampodi, i cili ishte në gjendje të kuptonte këngëtimin dhe gjuhën e zogjve dhe të kafshëve. Mënyrën e këngëtimit të zogjve fatidikë, e gjejmë të imituar edhe në krijime muzikore iso-polifonike. Shiko zogjtë këngëtarë.

Lit: “Gjurmime albanologjike”, 1/1971, Prishtinë; Çabej Eqrem, “Studime gjuhësore-V”, Prishtinë, 1975; Arapi Fatos, “Këngë të moçme shqiptare”, Tiranë, 1986; “Lirika Popullore-I”, Tiranë, 1988 etj.

Spread the love
error: