Go to top
Sadik Ҫaҫi

Fillimisht ideja për të realizuar një disk me muzikë popullore mblodhi në Tiranë, më 1939, formacionin e parë të Sazeve të drejtuara nga Usta Jonuzi i Lamçes, nga fisi i muziktarëve popullorë Keko nga Përmeti, me gërnetë. Formacioni i këtyre sazeve përbëhej edhe nga Hysen Ibrahimi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbiu (alias Çaçi) me violinë dhe këngëtar, Ali Myslymi (alias Mane Lela) me llahutë. Qysh në programet e para, menjëherë pas formimit të Radio-Tiranës, duke filluar nga viti 1939 e në vazhdim, do të paraqiteshin me këtë emër në rubrikën -“Sazet e Radio-Tiranës: Valle e Këngë Popullore”. Në vitet 40-të, në zërin “Muzikë Popullore nga Sazet e Radios”, “ç’do të Mart, të Enjte dhe të Shtun, ora 18.30”[1], ato do të luanin gjithmonë direkt për spektatorin e tyre të shumtë, një repertor të larmishëm nga gjithë hapësira etnomuzikore shqiptare[2]. Në këto pesë vjet, pothuajse në çdo dy ditë rreth orës 18.30,  “Sazet e Radios” ishin në “open air” për dëgjuesin shqiptar anë e mbanë vendit. Një pjesë e repertorit të Sazeve të kësaj periudhe u pasqyrua edhe në transkiptimet muzikore të Pjetër Dungut, të publikuara tek “Lyra Shqiptare” (këngë popullore qytetare) në vitin 1940, të vjela  kryesisht nga regjistrimet e Radio-Tiranës dhe të mbledhura nën kujdesin e saj[3]. Në korrik të vitit 1943, sazet e Radios që emërtoheshin edhe si “Orkestrina popullore toske”[4] përbëheshin nga: Hysen Ibrahimi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbi dhe Ali Myslimi.

Për periudhën e dytë (1944-1955) Sazet u bënë një element i përhershëm i strukturës së emisioneve kulturore. Ata dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Radios si grupi shkodran, orkestra e muzikës së kultivuar etj, konsideroheshin si faktorë tepër të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së emisoneve. Në vitet ’50 të shek. XX-të, formacioni  përbëhej nga Jonuz Kona (Lamçe) ose “Usta Jonuzi i Lamçes”, Sabri Feimi, Hysen Ibrahimi, Sadik Azbiu-Caçi, Çoban Arifi dhe Ali Myslymi (alias Mane Lela, babai i Remzi Lelës-Ҫobanit), shumica pjestarë të formacionit të parë. Krahas tyre u afruan edhe elementë të tjerë si këngëtari i shquar i shoqërisë “Demka & Hajro”, Korçë, Çoban Arifi, llautari dhe këngëtari i shumë të njohurës këngë popullore “Do marr çiftenë do dal për gjah”-Selim Asllani. Kryesisht me origjinë nga Jugu i Shqipërisë, ata regjistruan në periudhën 1945-1955 një repertor shumë të pasur si të muzikës me vegla dhe vokale të Shqipërisë së Jugut e të mbarë folklorit muzikor shqiptar.

[1] “Radio Tirana”, nr 8.9. viti 1943. Programi i Radios për periudhën 1-15 Prill, fq. 2.

[2]  Së bashku me ta, në të njëjtën kohë u formua edhe orkestrina e këngës popullore shkodrane pranë Radio-Tiranës, e cila përfshinte instrumentistë dhe këngëtarë virtuozë si Zef Gruda, Ahmet Abdyli, Kel Sata, Pjetër Nikolla, Paulin Pali, të cilët e vazhduan veprimtarinë deri në fund të viteve ’50. Grupi shkodran i viteve ’50, përbëhej nga Kel Sata, Adil Ujkashi, Ludovik Noi, Zef Gruda, Luigj Filaj, Bardhyl Nase, Ibrahim Mishkashi.

[3] Ndër to përmendim këngën “25 gërsheta”.

[4] Shih AQSH, F 198 i Radio Tiranës, dosja 12, Ministria e Kulturës Popullore: Drejtoria për Radio e Teatër.

Kaba e llojit dy pjesëshe: kaba dhe valle. Kabaja në pjesën e parë përshfaqet në llojin e kabasë tipike vajtuese mbi motive të Labërisë. Këto lloj kabash të iniciuara nga mjeshtri Bilbil Vlora konsiderohen kaba shumë emocionale për shkak të bukurisë së motiveve vajtimore dhe kadencimeve të veҫanta, sidomos kur i hasim si kaba me  violinë. Pjesa e dytë, vallja e përforcon kontrastin midis pjesëve për shkak të ritmikës insistuese dhe asaj që populli  e konsideron pedal fiks, ose vango-vango. Në këtë rast përdoren shkallët muzikore pentatonike hemitonike, përkundër shkallëve pentatonike anhemitonike tek kabaja në pjesën e parë. Mendojmë se autori dhe interpretuesi i saj është violinisti i shquar Sadik Ҫaçi.

Spread the love
error: