No products in the cart.
No products in the cart.
Muzika popullore e Tiranёs ёshtё njё fenomen konsolidohet nё gjysmёn e parё tё shek. XX-tё. Krijimi i saj u kushtëzua nga tre elemente thelbësore: nga hyrja e instrumenteve tё temperuara evropiane, së dyti nga fqinjësia artistike me tre kultura të mëdha muzikore qytetare si ato të Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit dhe së treti nga njohja dhe shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.
Kjo muzikë shfaq të njëjtat tipare strukturore dhe organizimi ashtu si pjesa më e madhe e muzikёs dhe e këngëve qytetare të qyteteve të Shqipërisë qëndrore dhe veriore. Etnomuzikologjia jonë e ka klasifikuar gjithë zonën muzikore mbi lumin Shkumbin, kryesisht si zonë të 1 zërëshit muzikor, e të formave të tij qё shprehen si monodi, monodi me shoqërim apo edhe nё homofoni. Muzika e re që pritej të krijohej në Tiranë nuk do tё bёnte ndryshim nё kёtё çёshtje, pra qё do tё ishte dhe strukturohej në tërësi si muzikё njё zёrёshe, ashtu siç ёshtё edhe sot. Pёrtej kёsaj ajo i respektoi tiparet muzikore të zonës pёrreth edhe pse tash e tutje do tё pёrcilleshin pёrmes veglave evropiane tё temperuara.
Doreshkrim i Muharrem Gurres per origjinen e muzikes popullore qytetare te Tiranes
Nё fund tё fundit, njё qytet i ri si Tirana qё po shndёrrohej nё një metropol, kishte nevojёn për muzikën e re qytetare, për të provuar traditën shumëvjeçare dhe identitetin e saj të veçantëm brenda identitetit kombëtar të muzikës popullore mbarëshqiptare. Ashtu siç natyrshëm ajo kishte nevojё në përditshmërinë e vet pёr institucione shtetёrore e kulturore, projekte moderne e tregёti tё zhvilluar, rrugё, parqe e sheshe publike, modё e shkollim me standarde etj. Si thoshte Lasgushi: … ç’domethënë zakon, traditë, tradicion? Zakon, traditë, tradicion domethënë Komb, domethënë Nacion, domethënë njeri i vetëdijshëm, njeri që e di veten e vet, që e njeh vetëveten. Kur ke tradicion, je Nacion, je Komb, jo popull, jo popullsi, jo popullatë. Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë), një grup njerëzor (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi – po nuk është komb, nuk është Nacion. Më tej theksonte nevojën që tradita, ky potencial kolosal i brumosjes së Nacionit, ka një kusht: të jetë e Shkrojtur. Se fjala e shkrojtur e shumëfishon, e qindfishon vepërimin e saj, e mijëfishon e milionfishon. Ajo, e Shkrojtur, bëhet verb, bëhet e pushtetëshme, bëhet e shenjtë, divine, divinisohet.
Pikërisht këto ishin vitet e “shkrimit” të traditës tiranase në muzikën qytetare. Sepse përmes “shkrimit” në nota e fjalë dhe dokumentimit të saj do të provohej se kur je grup me traditë je njëherazi edhe Nacion me traditë. Se grupi tend ka fuqi shpirtërore dhe spirituale dhe materiale dhe nuk është amorf. Se ai ka ekspresion, ka zhvillim, përparim, perfeksionim gjatë jetës së tij. Se ai e mbush, e përmbush, e realizon veten e tij, vetëveten, për të shkuar drejt perfeksionit, drejt përsosjes. Domethënë ai e jeton Fatin e tij, Misionin e tij për të cilin është lindur në këtë botë. Se ai ka zhvillim, nuk mbetet në vënd, në vënd nëmëro! Se ai është njeri. Ai është, ai ekziston!
Tradita është prova e pakontestueshme e Tij!
Zonj Hatixhja dhe Sofija, Këngëtare të shquara të viteve 1920-1930, trashëgimia muzikore e të cilave është përjetuar në disqet e kohës. Ky regjistrim i përket fillimit të viteve 1930.
Pavarёsisht faktit se veglat e temperuara erdhёn nё Shqipёri nё gjysmёn e dytё tё shek. XIX-tё, tradita e muzikёs qytetare dhe e formacioneve muzikore tё tyre ishte shumё e hershme, kjo jo vetёm e krahasuar me Tiranёn, por edhe me qytete tё tjera mё tё vjetra jashtё Shqipёrisё. Qytete si Shkodra, Elbasani apo Berati kishin qindra vite qё ekzistonin si tё tillё. Në këtë kontekst është e pamundur që të mendosh jetën urbane qytetare pa vende të dedikuara argëtimi, të cilat lidhen ngushtësisht me artin dhe interpretimin e muzikës popullore. Qytetet që përmendëm më sipër, kishin me dhjetra vende argëtimi ku muzika zinte vendin kryesor, e ndër to edhe Tirana nuk mund të bënte përjashtim.
Jules Alexandre Theodore Degrand (1844-1911), ish konsull i Francës në Shkodër, në veprën “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” e botuar në vitin 1901, shkruan se:…një luadh i gjerë pranë shtëpisë së mikpritësit tim, rrethuar me qiparisa të admirueshëm, është lënë testament nga i ati, pasardhës i bejlerëve të shquar të Tiranës, për kremtimin e ahengjeve që shoqëronin këto festa, (ndër to edhe Bajrami dhe Kurban Bajrami-shënimi ynë), ku një pjesë e madhe e popullsisë mblidhej aty. Ishte standardi i familjeve të mëdha të Tiranës, të cilët të lidhur fort me qytetin e tyre mbështetën dhe inkurajuan zhvillimin e muzikës popullore qytetare si pjesë të angazhimit të tyre për një qytet të kulturuar.
Tiranasit e kishin dhe e kanë të fortë kultin e shtëpisë sepse ai përmbante në thelb kultin e familjes. Shtëpia tiranase ndërtohej me qerpiç dhe me breza druri. Dy qenë pjesët e shtëpisë që adhuroheshin në mënyrë të përditshme nga pjestarët e saj: carani i vatrës dhe pragu i hyrjes. Zjarrim që ndizej në caranin e vatrës, simbolizonte përfaqësuesin e perëndisë diell brenda në shtëpi…..Veç kësaj ai mblidhte rreth vatrës tre, nganjëherë katër brezat e familjes patriarkale. Rreth vatrës brezat e rinj mësonin doket, këngët përrallat, historinë, por edhe mitet, ritet, kultet dhe të gjithë elementet e tjerë të identitetit qytetar.
Hyrja e veglave muzikore evropiane si violina, klarineta, fizarmonika etj, në muzikën popullore, krijoi atë fenomen që etnomuzikologjia e konsideron si “hibridizim muzikor“, pra kur vegla të tilla kombinojnë veçoritë e tyre muzikore me tiparet muzikore të një kulture vendase me qëllim krijimin e një lloji të ri. Kështu ndodhi në muzikën me saze të qyteteve të Shqipërisë së Jugut në fund të shek. XIX, kështu po ndodhte edhe me muzikën e re qytetare të Tiranës. Njё shenjё tjetёr e “hibridizimit” ishte implementimi tek veglat e reja i mёnyrave tradicionale tё interpretimit nё to. Prof. R. Sokoli ka konstatuar se ahengxhinjtë e qyteteve të Shqipërisë Veriore shartuan në teknikën e përdorimit të violinës disa veçori të teknikës së kemanxhes duke e mbajtur veglën vertikalisht të mbështetur në gju, ashtu siç mbahet lahuta e lahuria etj. Ndryshe nga sa më sipër, ai konstaton se violinistët popullore të Shqipërisë së Mesme e mbanin veglën horizontalisht mbështetur në sup. Kjo gjë provohet të ketë ndodhur në dhjetvjeçarin e parë të shek. XX. Tjetër aspekt i “hibridizimit” ishte mënyra e akordimit të violinës, sidomos kur interpretonin “Vallen e Pipzave”. Teli i parë dhe i dytë akordohej në unison, ndërsa dy telat e tjerë akordoheshin në kuintë. (la-la-re-sol)
Nga ana tjetёr, ajo qё mund tё dukej si disfavor pёr Tiranёn, pra qё fillimi i shek. XX-tё e gjeti nё fazat fillestare tё urbanizimit e tё jetёs qytetare, e kёsisoj pa formacione e muzikё tё konsoliduar qytetare, u pa se ishte vёrtet njё përparësi, kjo nё pikёpamje tё procesit tё krijimit tё muzikёs popullore qytetare tё pas vitit 1920. Kjo përparësi lidhej me faktin se muzika e qytetit tё ri tё Tiranёs do tё krijohej edhe nё kushtet e lirisё, nё kuadёr tё njё shteti shqiptar qё po konsolidohej, me rrёnjё dhe e mirё fokusuar nё muzikёn qindravjeçare tё njё terreni tё virgjёr si ishte muzika e fshatrave tё Malёsisё sё Tiranёs. E theksoj kёtё fakt pasi muzika tradicionale e fshatrave tё Tiranёs (nё kёngё, melodi instrumentale e valle), ruan elemente melodike primitive tё origjinёs sё lashtё arbёrore, kjo e e mbёshtetur mbi mode modale diatonike, pa ndikime tё thekshme kromatike, tё cilat si dihen, lidhen mё sё pari me shtresimet e mbishtresimet e gati 500 vjetёve pushtimi otoman nё muzikёn tonё qytetare.
Ernest Koliqi në qëndrimin e tij specifikon disa nga qytetet ku ku ndikim ka qenë me i madh. Sipas tij: … ndikimi turk në qytete u ba gjithnjë e ma i madh, veçanërisht në Elbasan, Berat e Shkodër. Kangët që këndoheshin me nji orkestër të vogël me pesë vegla muzikore (nji saze, nji mandolinë të vogël, nji violinë, klarinetë, nji tambureto dhe nji këngëtar), buçisnin festive martesore. Këto janë kopjue vullnetarisht mbi bazën e modeleve të lindjes (qaside, gazel) dhe të mbushuna me shprehi e vallzime turke, persiane dhe arabe.
Etnomuzikologjia jonë e ka trajtuar këtë fenomen që ka ndodhur në muzikën qytetare, kryesisht të Shqipërisë Qendrore dhe asaj Veriore. P.sh, në analizën që i kemi bërë repertorit të “Ahengut Shkodran”, kemi konstatuar ne të katër shtresa muzikore: shtresa e vjetër origjinale e parapushtimit turk e muzikës modalo-diatonike të Shkodrës dhe rrethinave; shtresën e muzikës modalo-kromatike të cilën e përhapi dyndja e osmanëve edhe ndër ne, ashtu si në folklorin e viseve të tjera të Ballkanit; shtresën e muzikës mbarëballkanike; dhe shtresën që përfshin periudhën e quajtur “shkodranizimi i ahengut”, ose çlirimin e ahengut nga orientalizmat.
Tirana nuk pёrfshihej nё listёn e ndikimeve të drejtëprdrejta, pёr shkakun e thjeshtё se pushtimi turk nё thelb ishte pushtim qytetesh e kёshtjellash tё tyre, e së këndejmi u zgjerua pak nga pak duke u shtrirë edhe mbi katunde. Kjo sepse influenca turke ka qenë influence qytetare. Aty ata vendosnin administratёn dhe fuqinё ushtarake, sё bashku me formacionet muzikore.
Shkrimtari Ismail Kadare i kushton një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij analizimit të këngëve popullore në kuadër të identitetit europian të shqiptarëve, e posaçërisht të atyre gjasme popullore, duke ju referuar këngëve të zvargëta e molisëse të ashikëve dhe dylberëve si dhe këngët vulgare dhe amanetë. Sipas tij e ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. …Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh se ç’thonë. Ai e konsideron ato si nënkulturë të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor, si mbetje e rreckave të robërisë otomane. Pёr fat, Tirana nuk ishte ende qyteti qё mund tё pushtohej e ndikohej muzikalisht. Ajo ç’ka do tё krijohej mё pas si muzikё qytetare e Tiranёs u pa se ishte njё proces autentik dhe i vёrtetё, i përlqyer nga vetë tiranasit por dhe nga të tjerët.
Për më shumë mbi muzikën popullore qytetare të Tiranës shikoni Vasil S. Tole, “Muzika popullore qytetare e Tiranes”, interviste 2020 – YouTube