No products in the cart.
No products in the cart.
Emri | Përshkrimi |
---|---|
Çengi: | f. Kërcimtare evgjite. Etim. Sipas Çabej: prej turq. Çengi. Enc. Ka një përhapje në mbarë vendin. Rolin e çingieve, nuk mund ta kishte kushdo. Ky rol ishte dhunti e disa nuseve dhe zonjave që ishin të veçanta si nga bukuria dhe nga ahengu që bënin. Sipas Stavri Bobos (në një studim për çingijet e qytetit të Beratit): bukuria, talenti i tyre si këngëtare, kërcimtare, në rënien e defit, veshja e tyre mjaft tërheqëse u jepnin hijeshi. Krijonin një gjendje mjaft tërheqëse dhe të gëzueshme. Çingiet ishin gra shumë të lirshme në aheng. Ishin shumë të shkathëta, të gëzueshme, magjepse për muzikën që krijonin. Ishte civilizimi, emancipimi i tyre që e bënin ahengun shumë të këndshëm dhe tërheqës. Veshja e tyre binte shumë në sy. Të tërhiqte në mënyrë të veçantë bluza e tyre krem e bardhë e derdhur në trup, te mëngët, në kyçin e duarve ishte qepur me rrudha. Një pjesë e çingieve mbanin jelek kadife gurkali, të qëndisur bukur me fije ari. Çitjanet ishin të derdhura, të qëndisura me lule shumëngjyrëshe. Në fund te kyçi i këmbëve përfundonin me një copë kadife të stolisur me lule prej ari. Në kokë mbanin një shami të bukur, punuar me temina anës. Në ballë mbanin gjerdanë, gjë që u jepte bukuri dhe tërhiqnin dasmorët. Tek vepra letrare e Kadaresë gjejmë edhe neologjizmën kryeçengije të formuar prej tij. |
Denam baj: | Bëj festë me këngë e valle, dasëm. Etim: nga turqishtja. Enc. Sipas Lambertz: dasma është koncepti më i përgjithshëm, ndërsa dëfrimet që bëhen gjatë dasmës përfshihen me fjalën danam, denam ose denam e dyzen. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në ciklin e kreshnikëve mbi lumin Drin. Ban denam e ban dyzen/Darsëm ban nandë ditë e net! Në fshatin Radovec, zona e Podgurit në Kosovë, gjejmë toponimin qafa e dasmorëve. Lit: Maximilian, Lambertz. "Die Volksepik der Albaner". Leipzig, Germany, 1958; Epikë Legjendare, I, Tiranë, 1966, fq. 165 etj. |
Gulum: | Shfaqje muzikore arkaike e evgjitëve të Beratit. Enc: Sipas Eqrem Bej Vlorës, evgjitët e Beratit, pasardhësit e skllevërve që Omer Pashë Vrioni solli nga Egjipti, çdo të premte mblidhen në një lokal për të luajtur gulum. Shfaqja fillon kur gratë, të ulura në formë rrethi, ulërijnë, sokëllijnë dhe bërtasin ritmikisht, të shoqëruara nga një daulle e madhe vezake dhe një tjetër më e vogël po vezake, që quhet dymbelek. Ditën e Hidrelesë (23 Prill), gulumi shfaqet publikisht në një vend argëtimi ku lejohen edhe shikuesa. Sipas opinionit më të përhapur, festa e gulumit është një festë që nuk praktikohet më, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe tendencat për ta trajtuar atë edhe si nje ceremoni ku hipnotizimi prej muzikës dhe ritmit ishte një tipar bazë i tij. Lit: Vlora Eqrem, "Nga Berati në Tomorr", Tiranë 2003, fq. 52-53 etj. |
Këmbëza molose: | Këmbëz ritmike e përdorur në muzikën tonë popullore që lidhet me fisin epirotas të mollosëve. Enc. Sipas Prof. Sokolit: midis të dhënave të çmuara që gjejmë në veprën e Ateneut, mësojmë gjithashtu se një nga kërcimet quhej "mollosik". Këmbëza molose shifrohet me tre gjatësi të gjata: - - -. Lit: "Ilirët dhe Iliria te autorët antikë", Tiranë 1965; Sokoli Ramadan, "Gjurmime folklorike", Tiranë 1981 etj. |
Kthesë: | Term i përdorur në muzikën iso-polifonike me vegla dhe atë koreografike. Enc. Me fjalën kthesë përcaktohet pjesa e dytë e kabasë me saze. Me të njëjtin kuptim, e gjejmë edhe për të përcaktuar pjesën e dytë të valles iso-polifonike, pra kalimin nga një mënyrë vallëzimi në një tjetër: E ktheu vallen. |
Kryeçengije: | Neologjizëm i krijuar nga shkrimtari Ismail Kadare. Enc. Në veprën e tij letrare me fjalen kryeçengije nënkuptohet kryevalltarja. Shiko gjithashtu fjalën çengi. |
Lojëra muzikore popullore: | Një klasifikim i lojërave popullore. Enc. Sipas Prof. Sokolit: çështja e gjenezës së kësaj dege të krijimtarisë popullore është shumë e koklavitur. Gjithsesi duhet pranuar se djepi i shumicës së shfaqjeve popullore është vetë jeta tradicionale e vendit. Në këtë klasifikim të lojërave popullore do të fusim të gjitha ato lojëra popullore të cilat kanë në strukturën e ekzistencës dhe të zhvillimit të tyre objektet, veglat ose të kënduarin muzikor popullor. Sipas Zef Jubanit: kishte me qenë nevoja me themelue festa kombëtare, ku me konkurue e të gjithë pa dallim për me ushtrue në të gjujturit e shenjit e ndër lojna gjimnastikore, ku kërcimet, vallet kombëtare duhet të jenë të frymëzueme prej muzikës dhe kjo kombëtare. Ndër këto lojëra do të evidentonim lojërat me këngë: “Caf-caf”, “Litari i gjatë”, “Suta”, “Bleta”, “Loja e gunave” që i gjejmë në Elbasan, Gramsh, Berat, Durrës, Tiranë, Vlorë, Tepelenë, dhe Shkodër; lojën popullore me kungullishtet e thata të mbushura me guralecë: “Qorthi në litar”-Myzeqe, Pogradec, Shkodër, “Gjetja e shoqes sipas zhurmës”-Mirditë, “Qorapetkat”-Korçë, “Në rreth të shokës”-Mitrovicë, “Shokaz”-Opojë etj; lojën popullore me zile e këmborë: “Baresha”-Lezhë, “Këmborët në kërrabat e çobanit”-Gjirokastër; lojën popullore me tepsi “Bluaj mulli”-Lezhë dhe “Loja e tepsisë”-Shkodër etj. Lit: Sokoli Ramadan, “Gjurmime folklorike”, Tiranë 1981; Bushati Enver, “Lojëra popullore”, Tiranë 1990 etj. |
Pogonishte: | Mënyrë interpretimi që nënkupton se pjesa muzikore është nga zona e Pogonit, në Dropull. Enc. Në më të shumtën e rasteve bëhet fjalë për vallen shumë të njohur me emrin "pogonishte" në 2/4 dhe 4/4 mbi të cilën ndërtohet zakonisht edhe pjesa e dytë e kabave me gërnetë. Shiko fjalën dropullitçe. |
Valle: | Gjini muzikore popullore me vegla. Enc. Zakonisht me këtë emër thirret pjesa e dytë e kabasë me vegla. Vallja vendoset si pjesë dinamike, dhe ndërtohet kryesisht në ritme binare. Vallja quhet ndryshe edhe “kthesa” e kabasë. Pikërisht “kthesa” nënkupton daljen nga ritimi “rubato” drejt ritmeve fikse, dy dhe tri pjestuese të karakterit “allegro”, si psh. “pogonishte”, “postenançe”, “beraçe” etj. |
Vallet popullore sipas veglave dhe shoqërimit muzikor: | Fushë e veçantë e ndërthurrjes së muzikës popullore me koreografinë popullore. Enc. Format e ndërthurrjes janë nga më të ndryshmet. Ndër vallet tipike që mbartin këtë bashkëveprim strukturor ndërmjet muzikës popullore dhe koreografisë popullore përmendim: “Vallja e pipëzave”,”Kcim me kavall”, “Vallja e lodrës”, “Ojna e tupanit”, “Vallja e thuprës”, “Vallja e curlës”, “Qemania e vogël”, “Kcim fyelli”, “Vallja e tomrrës”, “Vallja e gajdes”, “Valle me def”, “Kcim me çifteli”, “Valle me saze”. Sipas Prof. Bogdanit kemi edhe “Kcim me gojë” (nëpërmjet fishkëllimës), “Valle e thatë- e heshtur”(d.m.th pa këngë e muzikë me vegla). Po sipas Bogdanit, më tej edhe shoqërimi muzikor i vallëzimit popullor shqiptar kryhet në këto forma: 1-me instrumenta paramuzikore, 2-me shoqërim vokal (homofonik ose polifonik), 3-me instrumenta membranofone, 4-me instrumenta aerofone, 5-me instrumenta kordofone, 6-me curle e lodër, 7-me orkestrine popullore, 8-me shoqërim vokal dhe instrumentor. Në pikëpamje të shtrirjes gjeografike vërejmë se ky bashkëveprim është i konstatuar rëndom në gjithë hapësirën etnomuzikore shqiptare. Lit: Sokoli Ramadan, “Për emërtimet e valleve tona”, “Nëndori”, nr. 1; Bogdani H. Ramazan, “Tipologjia e vallëzimit popullor shqiptar sipas shoqërimit muzikor”, tek “Kultura Popullore”, 1/1991; Bogdani H. Ramazan, “Vallëzimi popullor shqiptar”, Lirika, Tiranë, 1997 etj. |
Valleza: | Fjalë e praktikës muzikore të arbëreshëve të Italisë. Shiko fjalën vaj dhe arbëreshe. |