Go to top
Database IP zanore
TitulliPërshkrimi
Ademi Qazim(Matogjin, Vlorë, 1876 - † Matogjin 1939). Këngëtar dhe rapsod i shquar i iso-polifonisë labe. Enc. Kënga IP e Qazim Ademit konsiderohet si vazhdim i këngës "demirçe", të rapsodit tjetër të shquar të IPL, Demir Ago Mystehaku-Vlonjati (Matogjin, lindur rreth 1780- † 1845) i përmendur edhe nga Spiro Dine. Qazim Ademi përmendet edhe për vajtimin e burrave "me të çjerrë" dhe "të grisura të faqeve". Interpretimet e tij kanë qënë tepër të veçanta, sa që në popull këngët iso-polifonike me intonacione vajtimore-elegjiake thirren "këngë Qazimademçe". Sipas Bardhosh Gaçes: ende sot në popull jetojnë rreth 60 këngë të krijuara nga Qazim Ademi. Si vazhdues i traditës "qazimademçe" të interpretimit të këngës dhe valles IPL vetëm me shoqërim zanor, mbahen edhe këngëtarë të tjerë të shquar të Lumit të Vlorës si Saliko Dalan Salaj, Avdul Ymeri etj. Lit: Dine, Spiro "Valët e detit", Sofje, 1908; Gaçe, Bardhosh. "Kënga popullore e lumit të Vlorës", Tiranë, 1995 etj.
Ah:Pasth. Përdoret gjerësisht në fillimet e këngëve nga marrësit e iso polifonisë jugore. Enc. Përdorimi i pasthirrmës ah, lidhet ngushtë me mbetjet e fjalësit dhe të thirrmave të tjera me origjinë nga vajtimet antike dhe ritualet që lidhen me to. Përdorim të ah kemi edhe në vajtimet solo dhe në grup. Këndimi i fjalës ah në fillim të këngës, duket se e fut këngëtarin në atmosferën e vargjeve pasuese dhe shërben gjithashtu edhe si një orientim i mundshëm për intonimin e gjithë grupit iso polifonik, duke përcaktuar lartësinë nistore të këngës. Për përdorimet e tjera të fjalës ah shiko: "Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe". Lit: "Fjalor i gjuhës së sotme shqipe", Tiranë, 1980 etj.
Akustika në arkitekturën tradicionale:Metoda dhe teknologji akustike të zbatuara në arkitekturën e veprave ndërtimore në Shqipëri në rrjedhën e viteve. Enc. Sipas studiueses Tamara Gjoka, në ndërtimet e kultit në vendin tonë, është vënë re prania e disa birave akustike, ose rezonatorëve, që janë përdorur në këto ndërtime për qëllime të dëgjimit të mirë, ose edhe të mënjanimit të zhurmave. Ndër këto monumente përmendim kishën e Armenit në Vlorë (shek. XI-XII), xhaminë e Plumbit në Berat (shek XVI), xhaminë e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës (shek. XVII-XVIII), kishën e Shën Mëhillit në Voskopojë (Shek. XVIII), teqenë e Helvetinjëve në Berat (fundi i shek. XVIII), si dhe disa banesa gjirokastrite të shek. XIX. Gjithësesi, ky nivel i përdorimit të teknologjive akustike, është tregues i faktit se mjeshtrit shqiptarë të ndërtimit iu përgjigjën standardeve që kërkonin këto tipologji monumentesh të rëndësishme. Ka pohime të ndryshme se edhe qeramika, qysh në antikitet, është përdorur për qëllime akustike, si në rastin e amfiteatrit të qytetit antik të Apolonisë. Lit: "Monumentet", 1/1981, fq. 45-48.
Alurimë:e.f-Ulërimë. Enc. Me alurimë populli përshkruan ulërimën e ujkut. E gjejmë edhe në trajtën alurinj. Këtoforma i gjejmë në jug të Shqipërisë, të përdorura shpesh edhe nëpër rituale. Lit: Tase, Pano "Visaret e Kombit", Vëll. XII, Tiranë, 1941 etj.
Antoniu, Kristaq:(Bukuresht 25.12.1907 - † Tiranë 17.03.1979) "Artist i Popullit"-1975. Këngëtar i shquar i muzikës lirike dhe asaj popullore shqiptare. Enci: Qysh në moshë të re bie në sy për talentin e tij. Në periudhën 1925-1928 kryen shkollën për actor, në Bukuresht, dhe, pas përfundimit të saj, interpreton si aktor në 14 filma. Paralelisht me këtë shkollë merr edhe mësime për kanto nga tenori me origjinë shqiptare Mihal Toskani. Në moshën 17 vjeçare këndon këngën popullore korçare "Korçë moj e zeza Korçë". Në vitin 1932 vjen në Shqipëri dhe jep disa koncerte me këngë popullore dhe arie të ndryshme i shoqëruar në piano nga Lola Gjoka. Më 1939 kthehet përfundimisht në Shqipëri. Me themelimin e TOB-it, ushtron veprimtari pranë tij si solist lirik. Në fushën e operas ka kënduar dhe interpretuar role në operat: "Traviata"-1956, "Ivan Suzanin"-1957, "Kavaleria Rustikana"-1958, "Don Paskuale"-1959, "Lulja e Kujtimit"-1961, "Mrika" etj. K. Antoniu regjistron, ndër të parët, këngë popullore qytetare shqiptare pranë shoqërisë diskografike "Columbia" në Itali në vitet '40 të shek. XX. Këto janë këngë qytetare mbarëshqiptare si shkodrane, korçare, beratase etj. Në periudhën kur Antoniu regjistron këngët popullore, kishte filluar të gjallërohej disi jeta artistike në qytetet kryesore shqiptare prej disa artistëve lirikë të porsadiplomuar në shtete si Itali, Austri etj. Pikërisht në këto koncerte u futën për herë të parë edhe këngët popullore qytetare me shoqërim në piano. Këngët e Antoniut, me shoqërim në piano, janë realizuar së bashku me Pjetër Dungun dhe ato me orkestër shoqëruar nga një një orkestër italiane e ngritur pranë shoqërisë diskografike "Columbia". Ndër këngët popullore IP të kënduara prej tij përmendim: "Zogë ku më qënke", "Shkonte plaka malit-e", "Çelni ju lule çelni", "Bilbil o mor i mjeri bilbil", "Se ç`këndon bilbili", "As aman o syri i zi", "O moj e vogëla si floriri", "O e bukura More", si dhe "Dashnor t'u bana", "O sabah i parë" etj. Në vitin 1968 lë skenën si këngëtar. Këngët popullore të kënduara prej Antoniut dhe Mihal Cikos-"Artist i Merituar" (1900-1986) dhe të pasuara nga interpretimet e Zihni Beratit-"Artist i Popullit" (Berat, 24 prill 1922- Tiranë, 6 maj 1992), Hysen Pelingut-"Artist i Merituar" (Shkodër, 08.05.1921- Tiranë, 1999), Ibrahim Tukiçit-"Artist i Popullit" (Shkodër, 1926- Tiranë, 2005), Mentor Xhemali-"Artist i Popullit" (Përmet, 1924- Tiranë, 1992) etj. kanë krijuar përvojat e para të shkollës shqiptare të interpretimit të këngës lirike popullore. Lit: Pelingu, Hysen "Një talent i artit tonë vokal", "Zëri i Popullit", 1957, 25 dhjetor; Këlliçi, Zamir "Jeta dhe aktiviteti koncertal i Artistit të Popullit Kristaq Antoniu", "Nëndori", 1978, nr. 4; Mula, Avni, Çako, Gaqo "Nga përvoja e një artisti", "Drita", 1978, 5 shkurt; Avrazi, Gaqo "Zëri i paharruar i Artistit të Popullit Kristaq Antoniu", "Nëndori", 1979, nr. 5; Hajro, Riza "Për të kujtuar një kohë", Tiranë, 1998; Koço, Eno Kënga lirike qytetare shqiptare e viteve 30", Tiranë, 2002 etj.
Amane:e.f-Neologjizëm i krijuar nga Ismail Kadareja mbështetur në “aman-amanetë” e këngëve popullore me ndikim oriental. Enc. Në të gjitha rastet kur ai përdor në veprën e tij letrare fjalën “amane”, nënkupton këngë me zë të zvargur. Shiko Kadareja dhe iso- polifonia.
Allashqiptarçe:ndajf. Fjalë e praktikës muzikore popullore që do të thotë: sipas mënyrës së shqiptarëve. Enc. Fjala allashqiptarçe është përdorur edhe për të shprehur një mënyrë të interpretuari të pjesëve të veçanta të muzikës sonë popullore nga ana e muziktarëve të huaj.
Arbëreshe:Fjalë e praktikës muzikore popullore që do të thotë se krijimi muzikor popullor, ose mënyra e interpretimit të tij, i përket arbëreshëve të Italisë. Enci: Sipas Scaldafferit në Itali ekzistojnë 94 fshatra të formuara prej të mërguarve shqiptarë gjatë shek. XV-XVIII, kryesisht për shkak të pushtimit turk në Ballkan. Ka 5 fshatra arbëreshë në Palermo, 3 në Katania, 1 në Agrixhento, 31 në Kozencë, 1 në Rexhio Kalabria, 1 në Potenca, 8 në Foxhia, 10 në Taranto, 1 në Leçe, 1 në Avelino, 1 në Benevento, 1 në Peskara, 8 në Kampobaso etj. Në traditën muzikore të arbëreshëve të Italisë (krahas ndikimeve aburceze, puljane, venedikase dhe dalmatine), në mënyrë të veçantë në kulturën muzikore të Molizianës, janë konstatuar edhe gjurmët e të kënduarit arkaik muzikor të iso- polifonisë. Prof. Diego Carpitela ka shkruar se në në disa këngë korale (ato që kremtojnë qerren fituese në Ururi), përfshihen në tiparet dhe karakteret e polifonisë shqiptare. I të njëjtit mendim është edhe B. Kruta kur thotë se tiparet polifonike të këtyre këngëve janë të ngjashme me ato të dheut të origjinës, veçanërisht në aspektin e strukturave tipologjike. Po në traditën vajtimore të arbëreshëve të Molizës, hasim një tip të veçantë vajtimi i cili kombinohet me vallëzimin. Vajtoret, në të njëjtën kohë, lëkundin trungun e trupit të vet dhe me dorën e djathtë tundin një shami të bardhë mbi fytyrën e të vdekurit duke ekzekutuar një lloj vallëzimi, ashtu të ulura siç janë. Ky tip vajtimi quhet valleza. Një fjalë e urtë popullore arbëreshe thotë: Nga shpija e kënkëtarit mos qej kënkë. Lit: Markianoi, Mikel "Këngë popullore arbëreshe të kolonive të Italisë", Foxha, 1908; Markianoi, Mikel "Këngë arbëreshe të Kapitanatës dhe Molizës"; Carpitela, Diego "Sulla musica popolare Molisiana", "La capa", Qershor 1955, f. 21-22; Shuteriqi Dhimitër, "Disa të dhëna mbi folklorin abëresh të Italisë në vitin 1830", "Kultura Popullore", 1/1980, f. 113-132; Mateo G. Di Lena, "Këngët popullore të arbëreshëve Molizianë", Kultura Popullore, 2/1980, fq. 145-158; De Gaudio, Innocenzu. "Gli Albanesi di Calabria: Canti bivocali delle comunita arbëreshe (provincia di Cosenza)". Ricerche etnomusicologiche: Archivio sonoro 6 (Albatros, VPA 8501, Bologna: U. Deli Studi. Dipartimento di Musico e Spettacolo, 1990), LP 26 p; Scaldaferri, Nicola. "Musica arbëreshe in Basilicata", Adriatica Editrice Salentine, 1994, 324 p; Bellusci, Antonio "Dizionario fraseologico degli albanesi d`Italia e di Grecia", Italia, 1989; Bellushi, Anton "Dy dorëshkrime anonime paraderadiane me këngë popullore arbëreshe", Kultura Popullore 2/1981, f. 153-156; Kruta, Beniamin "Polifonia-trashëgim i lashtë kulturor i popullit shqiptar", Kultura Popullore, 2/1982, f. 47-48; Marafioti, Xhirolamo "Mbi arbëreshët e Kalabrisë në vitin 1601", Kultura Popullore, 2/1982, f. 185-187; Gambarara, Daniele "Të folurit shqip në Italinë e bashkuar", Kultura Popullore, 2/1983, f. 169-186; Bellusci, Antonio "Magia, miti e credenze popolari", Ricerca etnografica tra gli Albanesi d`Italia, Cosenza, 1983, f. 137; Tirta, Mark "Migrimi i shqiptarëve jashtë atdheut", Kultura Popullore, 2/1987, f. 113-132; Panajoti, Jorgo "Rreth elementit kombëtar dhe origjinal në baladat popullore arbëreshe", Kultura Popullore, 1-2/1993, f. 3-10 etj.
Arvanitase:mb&e.f-Fjalë e praktikës muzikore popullore që do të thotë se krijimi muzikor popullor ose mënyra e interpretimit të tij i përket shqiptarëve të Greqisë-arvanitasve. Enc. Eshtë kuptimplote poezia e Naim Frashërit për arvanitasit dhe rolin e tyre të
madh, në fitoren e revolucionit që shpalli shtetin grek: E kush e bëri Morenë,/Gjithë shqipëtarë qenë,/S`ishin shqiptar Marko Suli?/Xhavela e Mjauli?.
Lit: Jani P. Gjikas, “Oi Arvanites kai to arvanitiko tragudhi stin Helladha", Athina, “Manutios“, 1978, f. 118; Domi, Mahir Shkurtaj, Gjovalin “Botime e njohuri të reja për arbëreshët e Greqisë, për kulturën dhe gjuhën e tyre“, Kultura Popullore, 2/1986, fq. 181-190; Bellusci, Antonio “Dizionario fraseologico degli albanesi d`Italia e di Grecia“, Italia, 1989; Lapis, Vangjelis “Dasma arvanite-kunduriote", Athinë, 1980; Kola, Aristidh “Gjuha e perëndive“, Tiranë, 2003 etj.
A.P.R.: "Albanian Phonograph Records". A.P.R- është shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit të XX-të që ka regjistruar muzikë popullore shqiptare. Enc. A.P.R u ideua dhe themelua në vitin 1923 nga muziktari dhe patrioti Spiridon T.Ilo nga Korça. Ideja për të pasur një shtëpi diskografike, lindi pasi S.T.Ilo regjistroi disa disqe me muzikë pranë shoqërisë diskografike "COLUMBIA", rreth vitit 1920, së bashku me tenorin e famshëm arbëresh Giuseppe Mauro, i cili po në këto vite, interpretoi rolin e Otellos së Xh.Verdit në "Metropolitan Opera" në Nju Jork. Me shumë interes është çasti kur kalohet nga regjistrime të veçanta të S.T.Ilos, drejt themelimit dhe strukturimit të një shtëpie diskografike, e cila do të trajtonte me përparësi si regjistrimin e vlerave muzikore të themeluesit të saj, ashtu dhe të gjitha ato që ishin krijuar dhe që prisnin të "ngurtësoheshin" në copat e disqeve me mbishkrimin "Records And Phonographs-ALBANIAN. Spiridon T.Ilo. Proprietor. THE SPIRIDON RECORD CO". Vlera e saj është shumëplanëshe dhe lidhet me gjithë zhvillimin e kulturës dhe artit muzikor shqiptar të viteve '20-'40, të shek. XX. Megjithëse, që në atë kohë janë dhënë mendime të ndryshme për cilësinë e këtyre pllakave, duhet të themi se A. P. R lindi edhe si nevojë e plotësimit të strukturës së përgjithshme të muzikës shqiptare të atyre viteve. E thënë ndryshe, me të mbyllej cikli i njohur i krijimit të materialit muzikor, interpretimit, përhapjes dhe shitjes së tij. Është një fakt i njohur tashmë që S.T.Ilo krahas tregtimit të pllakave bënte njëkohësisht edhe atë të shpërndarjes së gramafonëve me çmime të leverdisshme për blerësit shqiptarë. Kjo shoqëri diskografike futi për të parën herë në tregun muzikor shqiptar edhe konceptin e Copyright, si një e drejtë përjashtimore e krijuesit dhe interpretuesit të muzikës. Në pikëpamje të repertorit të regjistruar, "The Spiridon Record CO" u dha përparësi vlerave më të spikatura të kulturës muzikore folklorike të krahinës së Korçës dhe të Shqipërisë së Jugut, si dhe muzikës patriotike dhe qytetare të qytetit të Korçës. Ja disa pllaka me muzikë shqiptare IP të prodhuara dhe të shpërndara nga shoqëria "Albanian Phonograph Records" e Spiridon T. Ilos, U.S.A-1923: No 130 (A-Kenge E.Bektashinjve, Kendon Spiridon T.Ilo. fyell P.Opingari. B-Me te Qare, Fyell P.Opingari); No 132 (A-Valle Devolloche. B-Valle e Asanajt, Fyell P.Opingari); No 140 (A. Ne Plepi i Bilishtit, Kenge popullore, Ja merr, Fyria K. Bilishti, Ja pret, Hysen D. Rodenji. Violi dhe Santure,B-Kur Vaditnje bozilogne. Kendon Hysen D. Rodenji) No 150. (A-Vale Kapisseshte.Fyell, P.Opingari, Qithare S.T.Ilo. B-Valle, grapcharche.) No 152. (A-Vale Berache, Fyell, P.Opingari. B-Velle, Bej sadak e vras fiqire.) No 154. (A-Avaz i Marenkes, Fyell P.Opingari. B-Avaz i Malkes, me violi dhe Laute.) No 158. (A-Valle Chamche. B-Valle Devolliche, me violi dhe Laute.) No 340 (A-Me te Qare (Kaba) me gernete. B-Valle Chamche me gernete).
Lit: "Shiten fonografe", Albania, 1919, 16 Janar; "Albanian Record", "Dielli", 1921, 16 Prill, fq. 214; "Pllaka shqipe", "Dielli", 1921, L 922, nr. 2325, 3 Janar; Tole, Vasil S "Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut", Tiranë, 1997; Tole, Vasil S "Folklori muzikor-Polifonia shqiptare-1", Tiranë, 1999 etj.
Avash-avash:ndajf. Dalëngadalë. Enc. Avash-avash është shprehje e praktikës muzikore popullore mbarëkombëtare. Ajo përdoret në të gjitha ato raste kur muziktarët popullorë kërkojnë një mënyrë jo të shpejtë të interpretimit të pjesës muzikore popullore. Zakonisht përdoret edhe për vallet e ngadalta të jugut.
Avdallçe:Ndajf. Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Në FGJSSH për avdallçe kemi shpjegimin: në mënyrë të ngathët, pa shkathtësi. Avdallçe nënkupton interpretimin e një pjese muzikore popullore jo ashtu siç duhet.
Avdalli, Xhevat:(Gjirokastër 6 maj 1908- 18 dhjetor 1992 Gjirokastër). Muziktar dhe këngëtar i shquar popullor i IPL. Enc. Një nga këngëtarët më të shquar të IPL dhe këngëtari kryesor i grupit iso-polifonik të qytetit muze të Gjirokastrës në vitet 1940-1980, zëri i parë-marrësi. Shiko zërin: "Pleqtë e Gjirokastrës". Lit: Tole, Vasil S "Folklori muzikor-polifonia shqiptare", SHBLU, 1999; Kasoruho, Naxhi "Gjirokastra e Festivalit", Albin, 2000; Puto, Fatos, "Xhevat Avdalli dhe bilbilat e këngës gjirokastrite", Gazeta Shqiptare, Tiranë, 2000, nr. 1593, dt. 15 qershor; Dino, Thanas "Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu",Tiranë, 2004 etj.
Bam-bam:Onomatope. Enc. Shprehje e praktikës muzikore popullore për të dhënë me fjalë efektin e goditjes së çomanges së daulles mbi membranën e tendosur të saj. Si fjalë del që tek “Bëleta..” e Mitkos e përdorur për të imituar krismën e pushkës. E gjejmë dhe në formën bam e bum. Në Iran, kemi qytetin mijravjecar të Bam-it. Qyteti i Bamit u shkatërrua plotësisht nga tërmeti i muajit dhjetor 2003.
Babademçe:Mënyrë e të kënduarit të iso polifonisë së Lumit të Vlorës, që lidhet ngushtë me traditën muzikore popullore IPL të kësaj treve, e, në mënyrë të veçantë, me emrin e këngëtarit të shquar të saj Adem Mersini (Kaninë, 1862 -  Kaninë, 1930). Enc. Kënga "babademçe" është me katër zëra, ashtu si tradita popullore e iso-polifonisë labe, dhe ndërtohet mbi vargjet 6-8 rrokëshe, ndjekur nga një varg i përsëritur si refren. Sipas Gaçes: tradita e këngës "babademçe" të Kaninës krijoi fizionominë e saj duke u ushqyer nga këngët e burrave të Kaninës e të Labërisë. Me emrat e këngëtarëve të tjerë të shquar të Labërisë lidhen edhe mënyra të tjera të kënduari të iso polifonisë popullore si p.sh "ia marrim Luto Kapllançe", "ia hedhim Bajram Isaçe", apo "ia mbajmë Dervish Hasançe". Lit: Gaçe, Bardhosh "Kënga popullore e lumit të Vlorës", Tiranë, 1995 etj.
Bejte:"Fjalë odash" ose "muhabet sofre" të cilat të improvizuara në çast, me melodi ose jo, që "qëllonin" ose "thumbonin" në mënyrë artistike bashkëbiseduesit. Enc. Sipas R. Sokolit: vjershë popullore lirike, ma fort gazmore ose hokatare. Sipas FGJSSH: vjershë lirike a satirike, që thuret nga një poet popullor, zakonisht aty për aty. Sipas Eqrem Bej Vlorës: kur tubohen shumë vetë, zakoni e kërkon që ata të ngacmohen mes tyre me batuta të shkurtëra. Në pikëpamje të këngëtimit dhe stilemave melodike, bejtet janë shumë të thjeshta. Janë të përhapura në të gjithë Shqipërinë si dhe tek shqiptarët jashtë kufijve. E. Koliqi vëren se: zotësia e atij që i qet, qëndron në të shprehunin therës, mbrenda katër vargjesh, të ndonji vëzhgimi të prehët. Në Shqipërine e Jugut, bejtet këndohen në iso polifoni. Një dervish që rri në portë/pa dëgjoni ç`bejte thotë:/I zot` i shtëpisë rroftë/dhe djali ju trashëgoftë. (Gjirokastër). Tek arbëreshët e Italisë i gjejmë me emrin parambote.
Lit: Ndocaj, F. "Bejtet e karnavaleve", "Nëntori", 1958, nr. 6, fq. 185-212; Sokoli, Ramadan "Humori dhe satira në lirikën tonë popullore", "Nëndori", 1961, nr. 1, 2; Sokoli, Ramadan "Folklori muzikor shqiptar-morfologjia", Tiranë, 1965; FGJSSH, Tiranë, 1980; Malahoxha, Sitki "Nga krijimtaria e bejtexhinjve ulqinakë", "Shkodra në shekuj-II", Shkodër, 1989; Sugarman, Jane C. "Engendering song", The university of Chicago Press, Ltd., London, 1997; Zaja, Sami C. "Heti njeri i urtë i Shkodrës", Shkodër, 2000; Vlora, Eqrem "Nga Berati në Tomorr", Tiranë, 2003, fq. 82; Koliqi, Ernest "Vepra 4", Prishtinë, 2003, fq. 207 etj.
Bejtexhi:e.m. Ai që bën bejtet ose që merr pjesë në a“ktin e interpretimit të bejteve. Enc. E gjejmë edhe në formën bejtar. Zakonisht bejtexhinjtë ishin edhe këngëtarë shumë të mirë. Bejtexhinj të dëgjuar ka në çdo vend të Shqipërisë. Në Shkodër përmenden si të tillë Molla Hysen Dobraçi (shek. XVIII), Osja i Falltores, Matish Prendushi etj. Në letërsi, në shek. XVIII, u krijua rryma e bejtexhinjve.
Lit: Gurashi, Kolë; Sheldia, Gjush "Ahengu shkodran", alamanaku "Shkodra", 1/1961, fq. 210;
Beratçe:Ndajf. Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Beratçe përdoret për të përshkruar muzikën popullore e cila i referohet origjinës së saj nga Berati. Në këtë rast krijimi muzikor popullor mund të jetë këngë, melodi ose valle nga Berati. Një krijim shumë i njohur popullor me këtë emër është ai i interpretuar nga muziktari i shquar në gërnetë Remzi Lela-Çobani e titulluar "Çamçe-beratçe".
Bëjmë e:Shiko zërin: iso.
Bërtas:f. Qarje me zë shumë të lartë. Enc. Bërtas është në prag të kalimit në të folur.
Bitoni:Shkallë muzikore pentatonike që gjendet në folklorin muzikor të Shqipërisë së jugut. Enci: Dy tinguj nga seria të mbivendosur në një kuintë do të jepnin bitoninë. Intervali karakteristik për bitoninë është kuinta. Llojet e bitonisë:I c-g 1 5; II g-c 5 1. Zakonisht në bitoni do të gjejmë të ndërtuara këngët iso-polifonike të ritualeve si dhe vallet e kënduara. Lit: Kruta, Beniamin. "Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore", Tiranë, 1989; Tole, Vasil S "Folklori muzikor-polifonia shqiptare", SHBLU, 1999; Tole, Vasil S "Folklori muzikor-strukturë dhe analizë", Tiranë, 2000 etj.
Borrohite:Gjini muzikore popullore IPL me karakter vajtues. Enc. Borrohitja është vajtim që haset vetëm tek barinjtë labë, të cilët e zbatojnë atë për "të qarë" kujtimin e dikujt qe prehet ne varrin e tij, kryesisht në mal, pra në një largësi që përfshin segmentin kohor që shtrihet ndërmjet jetës dhe vdekjes. Zakonisht është e kënduar nga një këngëtar. Tek borrohitja zakonisht konstatojmë fenomenin e "iso polifonisë së fshehur". Një borrohite shumë e njohur është "Ç'u këput një këmbë mali" e Lumit të Vlorës.
Borrohitem:Qaj. Enc. Tek FGJSSH e gjejmë me kuptimin: qaj duke thënë fjalë. Në praktikën muzikore popullore IP e gjejmë të shprehur në monodi. Shiko zërin: borrohite.
Bragat:Ngjirem, më ngjiret zëri. Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur tek arbërëshet e Italisë.
Brahimi Ajete:Këngëtare e shquar e këngës popullore IP qytetare fierake, e gjysmës së dytë të shek. XX. Enc. Ajete Brahimi vijoi përvojën e sapo krijuar nga këngëtarët e e qytetit të Fierit të viteve 1945-1950, si Lefteri Sillo, Timo Lule dhe më vonë Sofika Hodo. Ndër këngët më të dëgjuara IP të kënduara prej Ajete Brahimit përmendim: "Atje poshtë te arë e madhe", "Ma kishe shtepinë në mes të Fierit", "Naze në sabah", "Më dërgoi babai me shqera", "Një dërrasë atje në krua" etj. Regjistrimet muzikore të saj gjenden pranë Radio-Tiranës. Traditën e këngëve fierake në gjysmën e dytë të shek. XX, e vazhdoi grupi i këngës qytetare fierake, i krijuar në vitin 1985 nga muziktari Jani Tase. Ndër pjestarët e këtij grupi përmendim këngëtarët si Miti Nushi, Llazar Pova, Alma Gashi dhe djemtë e Zoi Papës.
Britmëqare:Vajtojcë. Shiko zërin: vajtojcë.
Bu-bu:Shprehje pikëlluese e vajtojcave IP në Jug të Shqipërisë. Enc. Bu-bu përdoret si shtojcë nistore në vajet e vajtojcave. Në formën bubutij do të kuptojmë bu-bu me zë të lartë. E gjejmë të ndërfutur edhe në poezinë vajtuese "Një tjetër" të Naim Frashërit: S'do ta shoh më ty fytyrën unë i mjeri?/As dhe shtatin, as dhe leshrat er’amberi?/Mos u ndamë nga ti fare, moj kështu?/Ububu, moj, ububu moj, ububu!.Në ciklin e kreshnikëv ë në veri të Shqipërisë e hasim në formën: Djelmt e mbretit kqyr se shka kanë thanë:/-C`janë këto bumurimë, qi po bumrojnë?/ A mos janë topa n`Krajli?
Lit: "Epika Legjendare I", Tiranë, 1966, fq. 69; Frashëri, Naim "Vepra 1", Prishtinë, 1978 etj.
Burrërishte:Mënyrë e këngëtimit të këngës popullore IPT ose të IPL. Enc. Burrërishte nënkupton këngë IP të kënduar nga burrat. Në shumë raste burrërishte duhet kuptuar edhe si trimërishte.
Cicëron:Akti i këngëtimit të zogjve. Etim. Sipas Çabej: formim onomatopeik. "këndon zogu cër-cër", cicërim m. "të cicëruarit e zogjve", edhe ciciron, cicirim, te Bashkimi, Weigandi e të tjerë, te Labmertzi cicërinj. Mungon te G.Meyeri, i cili ka cëcëris. Aty hyn edhe cicoke "lloj stërqoke" e Skraparit.. Sh. Edhe ciat, cijat, cinxer, ciulle e te G.Meyeri 447 çerpeton "ciciron harabeli". Enc. Si imitim e hasim në muzikën vokale si dhe në muzikën me saze. Cicërimën më dendur e hasim gjatë interpretimit në veglën e violinës, kryesisht në pjesën e parë të Kabave, me karakter baritor dhe kur konstatojmë përshkrime panoramike të natyrës. Një nder këta muziktarë që imiton aktin e cicërimës së zogjve, është Ethem Qerimi në kabatë e tij me violinë. Si fjalë e gjejmë të përdorur në gjithë Shqipërinë.
Cingron:Nxjerr zë vajtimi, qan shtaza, cingrimë f. "të qarët e shtazës". Etim. Çabej:. Si cingron si pingron janë fjalë onomatopeike, mungon te G.Meyeri. E ka Bashkimi për geg. Veriore.Enc. E konstatojmë që tek Budi (SC 33) në formën cingërim, me kuptimin e kumbimit të veshit. Po sipas Çabej: në Dibër (cingëron) përdoret për të qarët e ankimet e foshnjës, për zërin e miut etj.; në ato anë edhe cingëm, ne përse cinget ajo fëmi? H.Stërmilli ER VII (I), 340. Në Mat cingërojnë veshët ( K.Ulqini BUST SSS XV Nr. 3. F.209), e cila piqet në kuptim me cingremë f. "zile e madhe, ma e vogël se kumbona dhe ma e madhe se zilja". Me cingron përbën rimë pingron "kumbon veshi; këndon, sokëllin zana; bën zogu ciu-ciu" etj.
Cilo Qorri:(Korçë 1870 - Korçë 1944) Muziktar i shquar popullor në interpretimet në vegla popullore si fyelli, buzuku, bakllamaja dhe gërneta, në gjysmën e dytë të shek. XIX gjysma e parë e shek. XX. Enc. Cilo Qori apo i njohur edhe me emrin "Ciloja me shokët", është një ndër sazexhinjtë e shquar të sazeve të Korçës. Luante në mënyrë virtuoze në fyell, gërnetë dhe në buzuk. Veprimtaria dhe ndihmesa e tij evidentuan një pjesë të madhe të repertorit muzikor të fshatrave rreth Korçës, fushës së Korçës, Devollit e më tej. Janë tepër të njohura këngët dhe meloditë baritore të tij. Formacioni më i preferuar i veglave që merrnin pjesë në Saze ishte, 1 gërnetë, 1 fyell, 1 violinë, 1 llahutë + bakllama, 1 dajre. Repertori më I zgjedhur i tij është i regjistruar në pllaka gramafoni të "ODEON"-it në vitin 1930. Krahas Cilos, përmenden edhe Sazet e Jonuz Korçës me gërnetë. Katalogu i këngëve popullore shqiptare regjistruar tek "ODEONI" në vitet 1930-1940: Lit: Tole. Vasil S, "Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut", Tiranë, 1998 etj.
Cinxoj:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Enc. Cinxoj përdoret për të karakterizuar këngën e gjinkallës.
Çamërishte:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Në klasifikimin e përgjithshëm të muzikës sonë popullore, muzika IP e çamëve renditet brenda tipareve strukturore të IPT, me dy dhe tre zëra. Studiuesi Stochkman mendon se vetitë pasurore të stilit të këngës iso-polifonike çame, nuk mund të mbulojnë marëdhëniet e ngushta të fqinjësisë me shumëzërëshin tosk. Shumë i njohur në Shqipëri ështe grupi çam i Rrogozhinës dhe kënga e tyre e "Çelo Mezanit", ansambli muzikor popullor "Çamëria" me qëndër në Tiranë etj. Krahas studiuesve tanë, një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar IP çame edhe studiuesit Doris dhe Erich Stochkman. Shiko zërin studiuesit e huaj dhe muzika popullore.
Lit: Dojaka, Abaz "Dasma", "Studime Historike", 1966, nr. 2; Haxhihasani, Qemal "Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Camërisë", Dialektologjia shqiptare, Nr. I, 1971, f. 118-193 dhe Nr. II, 1974, f. 13-132; Çabej, Eqrem "Studime gjuhësore" V, Prishtinë, 1975; Agolli, Nexhat "Vallja e Osman Takës", Kultura Popullore, 1/1982, f. 121-134; Zeqo, Moikom "Një perlë e artit popullor e mbuluar nga pluhuri i harresës", "Adriatiku", 1988, 20 Shkurt; Kruta, Beniamin, "Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë së Jugut", Tiranë, 1991; Sokoli, Ramadan "Rreth vajtimeve çame", Urtia, Tiranë, 1993, Nr. 1, f. 8; Koçollari, Irakli "Arvanitët", Tiranë, 1994; Xhufi, Pëllumb; Isufi, Hajredin "Studime historike", nr. 1-4, Tiranë, 1996; "Dokumente për Çamërinë" 1912-1939, Tiranë, 1999; Anxhaku, Zenel "Nëna dhe djali ne një këngë çame", Kultura Popullore, 1-2/2000, f. 197-199; Tole, Vasil S "Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso polifonike të Epirit", Uegen, 2005 etj.
Çërk:Tingull që nxjerr pushka. Enc: Në këtë formë e hasim edhe në Gjakovë, Kosovë. Bani çërk e nuk dhezi.
Lit: Sula, Avdyl "Visare gjuhësore-kulturore, nga malësia e Gjakovës", Tiranë, 2003.
Çobançe:Shprehje e praktikës muzikore popullore mbarëkombëtare. Etim. Nga persishtja çoban. Enc. Mënyrë e këngëtimit dhe interpretimit të muzikës popullore sipas çobanëve. Sipas opinionit më të përhapur, kur bëhej dasma këndohej çobançe, edhe vallet këndoheshin me zë, pa shoqërim me vegla. E gjejmë dhe në formën çobanisht. Shiko zërin: vllaçe.
Çorrës:Gjuetarë që bërtasin me zë të lartë. Enc. Me fjalën çorrës populli thërret zakonisht gjahtarët të cilët trembin gjahun e egër duke lëshuar me zë të lartë pasthirrma dhe grupe onomatopeike gjatë gjuetisë. Shpesh herë këto thirrma marrin trajta muzikore të ngjashme me stilemat muzikore iso-polifonike, kryesisht të IPT. Zakonisht profesionin e çorrësit e kryenin çobenët.
Çulli, Jorgo:(Përmet 21.04.1942- Përmet 11.02.1990). Këngëtar i shquar popullor i muzikës qytetare përmetare IP me saze. Enc. Jorgua rridhte nga një familje përmetare me tradita në fushën e interpretimit të muzikës popullore IP zanore. Qysh në moshën 15 vjeçare aktivizohet në grupet popullore artistike të qytetit të Përmetit ku ndër të tjetra përdorte edhe veglën e fizarmonikës. Së bashku me këngëtarë të tjerë të qytetit të Përmetit nëpër aktivitete të ndryshme këndon këngë iso polifonike popullore përmetare, kryesisht në rolin e marrësit të këngës. Në shkallë kombëtare ai njihet fillimisht me interpretimin mjeshtëror të këngës "Falma synë e zi" në Festivalin Folklorik Kombëtar, të vitit 1978, me prerës këngëtarin tjetër të njohur Ilia Nasi. Ky çift këngëtarësh, majat e interpretimit të tyre i arritën me sazet e Usta Laver Bariut, ku ndër të tjera përmendim këngët "Porsi dash manare", "Potpuri këngësh përmetare", "Hajde dalim nga Lipa" etj. Në interpretimet e tij kishte parasysh përvojën e traditës popullore të cilën ai e njihte mirë, pasi edhe vetë Jorgua ishte edhe një mbledhës i kujdesshëm i saj. Regjistrimet e tij muzikore gjenden pranë Radio-Tiranës dhe RTV Shqiptar.
Lit: Tole, Vasil S "Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut", Tiranë, 1998 etj.
Denam baj:Bëj festë me këngë e valle, dasëm. Etim: nga turqishtja. Enc. Sipas Lambertz: dasma është koncepti më i përgjithshëm, ndërsa dëfrimet që bëhen gjatë dasmës përfshihen me fjalën danam, denam ose denam e dyzen. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në ciklin e kreshnikëve mbi lumin Drin. Ban denam e ban dyzen/Darsëm ban nandë ditë e net! Në fshatin Radovec, zona e Podgurit në Kosovë, gjejmë toponimin qafa e dasmorëve.
Lit: Maximilian, Lambertz. "Die Volksepik der Albaner". Leipzig, Germany, 1958; Epikë Legjendare, I, Tiranë, 1966, fq. 165 etj.
Devolliçe:Mënyrë e këngëtimit të këngës popullore IP. Enc. Devolliçe nënkupton se vallja, melodia ose kënga iso-polifonike e ka mënyrën e interpretimit dhe origjinën nga zona etnokulturore e Devollit. Sipas F. Nolit: edhe vallet e devollinjve, edhe ato të evgjitkave të Tiranës, edhe ato që kam parë në fshatin tim janë me të vërtetë valle të klasit të parë. Këngëtari i parë i njohur në shkallë kombëtare për interpretimin e këngës devolliçe, i regjistruar ka qënë Bane Vranishti (Vranisht, 1890-  Vranisht, 15. 03. 1966). Sipas D. Agollit: kur i dëgjon disqet e atyre viteve, zëri i Banës të kujton zërin e Beniamino Xhilit (Gigli). Trashëgimia e këngës dhe valles devolliçe është regjistruar në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, në nëntor 1964. Grupi iso-polifonik i këngës devolliçe përbëhej nga shumë të njohurit muziktarë të familjes Kondi: Bane Vranishti, Novruz Kondi, Ali Kondi, Selami Kondi, Muhamet Veli Spaho(1933), vëllezërit Gegolli etj. Ndër valltarët e njohur të valles devolliçe përmendim Safet Zeqir Kutrolli (Kapshticë 15.06.1915- Shepperton Australi 21.05.1974), Novruz Kondi (Vranishti) (1922- 1977), Eth`em Xhafer Muzikanti (1900- 1977), Hajdër E`themi (1928- 1973), Xhevdet Cenollin etj. Ndër gërnetistët përmendim Muhamet Veli Spaho (1933), Gani Mullamake (1945), Refki Taho (1933), Sefedin Çiço (1934- 2003), Hajdër Cangonjin, Veli Bitincka etj. Ndër fyelltarët përmendim Avni Mehmet Hoxhën, Enver Plakën etj. Një këngëtar tjetër shumë i dëgjuar i të kënduarës devolliçe, pas viteve 1980 edhe këngëtari tjetër i iso-polifonisë devolliçe Endri Fifo etj. Lit: Noli, Fan S "Vepra 6", Tiranë, 1996; Kondi, Ali "Interpretues të këngës dhe valles devolliçe", Tiranë, 2004.
Djalërishte:Klasifikim nga ana e bartësve dhe muziktarëve popullorë të IP, për atë pjesë të repertorit muzikor i cili u përket djemve. E gjejmë edhe në formën djemurishte.
Dropullitçe:Mënyrë e interpretimit të muzikës popullore iso polifonike. Enc. Dropullitçe nënkupton faktin se kënga, vallja ose melodia iso polifonike e ka burimin dhe origjinën nga zona etnokulturore e Dropullit, e banuar nga minoriteti grek në Shqipëri. Në pikëpamje gjeografike dhe etnokulturore kemi zonën e Dropollit të Poshtëm me fshatrat: Dervician, Goranxi, Vanistër, Haskovë, Dhuvjan, Sofratikë, Terihat, Goricë, Frashtan, Lugar, Grapsh, Peshkëpi e Sipërme dhe e Poshtme, Vllaho Goranxi dhe Glinë; kemi zonën e Dropullit të Sipërm me fshatrat: Jergucat, Zervat, Bularat, Bodrishtë, Kërë, pepel, Selo, Klishar, Krioner, Vrisera, Vollinë, Llovinë, Sotirë, Llongo, Koshovicë, Ajnikollë, Kakavije dhe Radat; kemi zonën e Pogonit me fshatrat: Poliçan, Skore, Sopik, Opsallë, Catistë Mavrojerë dhe Hllomo. Në zonën e Dropullit konstatojmë muzikën iso polifonike me disa zëra dhe atë me saze. Nga grupet e shquara iso polifonike përmendim grupet e burrave të Poliçanit, Goranxisë, Ajnikollës, Koshovicës, atë të grave të fshatit Sotirë, si dhe këngëtarët Llaqi Haxhi, Pilo Hashoti, Raqi Rexho, Jorgo Shendi, Persefoni Simo, Efterpi Gaco, Ollga Malo, Elpiniqi Goga, Polikseni Iso etj. Në mënyrë të veçantë kujtojmë vallet dropullitçe ( si Pogonishte, Karaguna, Gajtanaqi etj), të cilat janë shumë e njohur edhe si koreografi edhe si melodi në mbarë Shqipërinë, në të dy format e tyre, si valle të kënduara dhe tek ato me saze. Muziktarë shumë të dëgjuar të muzikës popullore iso polifonike dropullite me saze janë mjeshtrat e sazeve të familjes Mastora, gërnetisti Jorgo Gjiza, violinisti Zoi Gjiza etj. Ndër studiuesit etnomuzikologë të minoritetit grek përmendim në mënyrë tëveçantë Kosta Lolin. Shiko zërin Loli Kosta.
Lit: Çuko, Pano "Këngëve popullore", rev. "Ylli", 1964, nr. 11, 12; Loli, Kosta "Veçori muzikore të valleve të minoritetit grek", "Skena dhe ekrani", 4/1985; Kasoruho, Naxhi "Gjirokastra e festivalit", Tiranë, 2000; Kasoruho, Naxhi "Mes këngëve dhe valleve të Dropullit", Toena, 2003; Loli, Kosta "Kaba dhe Avaze", Janinë, Greqi, 2003 etj.
Dy vetçe Dukatçe:Një formë e veçantë e të kënduarit të iso-polifonisë. Enc. Kjo mënyrë shumë e veçantë e të kënduarit të IPL e cila konstatohet në fshatin Dukat, të rrethit të Vlorës së bashku me tre vetçe dukatçen. Pozicioni karakteristik i këndimit është "kukë më kukë", dhe ka lidhje me vajtimin e të vdekurve. Ndër këngëtarët më të njohur të kësaj kënge përmendim S.Bozhanin, I.Vangjelin etj. Shiko zërin tre vetçe dukatçe.
Dhami, Roza:(Pogradec 22.02.1946) Këngëtare e njohur e muzikës popullore qytetare pogradecare. Enc. Rrjedh nga një familje me tradita në muzikën popullore. Aktivizohet që prej vitit 1965, pranë ansamblit artistik të shtëpisë së kulturës "Lasgush Poradeci"-në Pogradec dhe në vitin 1968 punon si këngëtare profesioniste pranë estradës së qytetit të Pogradecit deri në vitin 1990 vit që del në pension. Ka kënduar shumë këngë popullore qytetare pogradecare nën shoqërimin e sazeve të qytetit, të drejtuara nga mjeshtri Jashar Nazifi. Brenda dhe jashtë Shqipërisë ajo ka kënduar bashkë me këngëtarin tjetër pogradecar Ilmi Sulollarin. Ndër këngët e tyre përmendim shumë të njohurën "Po bien tre dajre". Për veçoritë e saj të interpretimit të këngës popullore është vlerësuar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë me medaljet "Naim Frashëri", të klasit II-III.
E:Zanore mbi të cilën mbahet zakonisht isoja në këngët iso-polifonike të Shqipërisë së Jugut. Në këngë të tjera iso-polifonike, konstatojmë se isoja mbahet pjesërisht gjatë këngës edhe në zanoret e tjera si: ë, i, u, a.
Elenica:Këngë dhe rituale fëmijësh. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në rrethin e Kukësit.
E marrin pas:Sinonim i fjalës marrësi. Enc. Zëri i parë i këngës iso-polifonike jugore. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Elbasan.
Epirote:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Enc. Epirote nënkupton faktin se melodia me vegla ose kënga popullore IP e ka origjinën nga Epiri.
Lit: Mid'hat Frashëri "Çështja e Epirit", Tiranë, 1998; Thycydides (460?-40? B.C), "The Peloponesian War", 2 vol. University of Michigan Press 1959; Strabo, (63BC-AD 19), "The nations of Epirus are Pelasgic" tek "The geography of Strabo", 3 vol. London 1889; Pliny, "Natyral history", 10 vol, London 1947; P. Wisowa, "Real- Ecyclopedie der classichen Altertums-wissenschaften", s.v. Epirus, Stuttgard 1894-1948; H. Treidler, "Epirus im Altertum", Leipzig 1917; D. Mustilli, "Gli Iliri nell'Epiro" tek "Le terre albanesi redente II, Ciameria", Roma 1941; Emanuele Polito "I Musachi di Berat", "Storia e genealogia della famiglia Musachi, scritta da Giovanni Musachi Despota d'Epiro", Italy 1996; Sami Frashëri, "Shqipëria, Ç'ka qënë, Ç'është, e ç'do të bëhet", Tiranë 1924; "Ilirët dhe Iliria te autorët antikë", burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vol I, Tiranë 1965; Edvin E. Jacques, "The Albanians, An Ethnic history from prehistoric times to the present"; Hasan Ceka, "Në kërkim të histories ilire", kap. "Përputhje onomastike ilire-epiriote", "Epiri në kohë të lashtë", "Historia politike e Epirit" dhe"Trojet e shqiptarëve në shek. XV", tek "Shqiptarët dhe trojet e tyre", Tiranë 1982, Tole Vasil S, "Mbi origjinën iliro-epirote të polifonisë", tek "Folklori muzikor-polifonia shqiptare", Tiranë 1999; Ceka Neritan, "ILIRËT" etj. nën kap. "Kultura"; "Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë", Tiranë 1962; "Dokumente të shek. XVI-XVII për historinë e Shqipërisë", Vol. I, Tiranë 1989; Vol. II, Tiranë 1989; Vol. III, Tiranë 1989; Vol. IV, Tiranë 1990; Arben Puto, "Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha", 1912-1914; Pëllumb Xhufi "The ethnic situation in Epirus during the middle ages" tek "Studia Albanica", nr. 1-2, Tiranë 1994; Dhimitër S. Shuteriqi "Naim Frashëri", Tiranë 1982; Dhimosten Budina, "Përkatësia etnike ilire e fiseve epirote", tek "Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve", Tiranë 1969; Edith Stickney, "Shqipëria Jugore ose Epiri i Veriut në Çështjet Europiane Ndërkombëtare, 1912-1923"; Hasan Ceka, "Në kërkim të historisë ilire", Tiranë 1998; Aleksandër Sipçeviq, "Interpretime albanologjike", Shkup 1994; Kristo Frashëri,
E qara me bote, me grikë:Mënyrë arkaike e këndimit iso-polifonik në qytetin e Gjirokastrës. Etim. Sipas Prof. Cabejt, fjala bote ka kuptimin shtamë, pra enë që mbush ujë. Të dhënat materiale dëftojnë se kjo fjalë është një me botë, dhe, baltë, deltinë si dhe me baltë shtamash. Ai e nxjer si fjalë të toskërishtes në pjesën jugore edhe në formën bot-i. Enc. "E qara me bote" shfaqet si një mbetje e praktikave shumë të vjetra rituale të ceremonialit të vdekjes, kjo e lidhur edhe me boti-n, pra me njeriun si mikropjesëz e botës, që lind nga toka dhe vdes po në tokë. Ne i referohemi analizës së kësaj dukurie në muzikën iso-polifonike të Shqipërisë së Jugut, si një bërthamë ende arkaike në të cilën mund të identifikojmë lindjen dhe perceptimin e dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë vokale, sepse: vajtimet janë djepi ku përkunden këngët e lashta dhe ato të reja. Sido që ta shtjellosh, apo në të gjitha rastet që ta interpretosh, “e qara me bote” është përsëri e lidhur, si me të qarën me shtama (pra me rrëke lotësh), ashtu dhe me të qarën për dheun, për tokën, pra si një vajtim masiv për tokën. Duke bërë fjalë për sosjen e stinës njerëzore të një personi të caktuar, (pra të një boti), me përcjelljen e tij në botën e përtejme, na bën përshtypje fakti se "e qara me bote" ruan në strukturimin e saj, si bërthamën, modusin iso-polifonik të ndërtimit (pra strukturën e shumëzërëshit të lidhur ngushtësisht me ison, këtë ngashërimin masiv të pjestarëve në të "qarën me bote"), por dhe se evidenton mjaft qartë veten si një dukuri që është përbërëse e një rituali të mirë strukturuar. Këtu, së bashku qëndrojnë si të barabarta: e folura-e ligjëruara me zë, e kënduara dhe lëvizja.
Lit: Th. S. Hjuz, "Udhëtim në Sicili, në Greqi dhe në Shqipëri"; Cico, Stravre "Vajet në Shqipëri", gaz. "Demokratia", 1925, nr. 29-4, 29 Dhjetor, fq. 2; Munishi, Rexhep "Këndimi I femrave të Podgurit", Prishtinë, 1979; "Mbi vajtimet shqiptare", Prishtinë 1985; Veliu, Veli "Bue, Ekari dhe Dozoni për këngët popullore shqiptare", "Gjurmime Albanologjike", Folklor dh Etnologji, XXI-1991; Skiroi, Zef "Mili e Haidhia", Tiranë, 1994; Çaushi, Tefik "Fjalor i estetikës", Tiranë, 1998; Sokoli, Ramadan "Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare", Tiranë, 2000; Çobani, Tonin "Princi I përfolur Lekë Dukagjini", Tiranë, 2003, fq. 93 etj; Ernest Koliqi, "Vepra 6", Prishtinë, 2003, fq. 301; PLUT., De defectu oraculorum, XVII Cituar sipas Ugolini. Luigi M, "Butrinti", Romë 2000, fq. 80-81; "Këngë popullore të Labërisë", tek "Mbledhës të foklorit-8", Tiranë, 1991, fq.604; "Epika Legjendare", Tiranë, 1966, fq. 58; Cabej Eqrem, "Studime gjuhësore 1", Prishtinë, 1976, fq. 75; "Këngë popullore të Labërisë", Vol. 8, Tiranë, 1991, fq. 558 dhe 574; Shiko dhe Dino Thanas, "Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu", Tiranë, 2004, fq. 71; Shiko "Eskili-tragjeditë", parathënia nga Ismail Kadare, Tiranë, 1986, fq. 5; Vasil S. TOLE, "Odiseja dhe Sirenat: grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit", Uegen, 2005, fq. 24-30; Homeri, "Iliada", Tiranë, 1979, fq. 447; Homeri, "Odisea", Prishtinë, 2000. fq. 398-399; Alfred Uçi, "Mitologjia, Foklori, Letërsia", Tiranë 1982, fq. 180; Fatos Arapi, "Këngë të moçme shqiptare", Tiranë 1986, fq. 72-93; Mark Tirta, "Himara në shekuj", Tiranë, 2005, fq. 360; Lukiani, “Vepra e zgjedhur”, Tiranë, 1979, fq. 227, “Visaret e Kombit”, V. III, Tiranë, 1937, fq. 180-184; Mihaçeviq, Lovro “Nëpër Shqipëri”, 1883-1907, Tiranë, 2006, fq. 96; Ismail Kadare, “Dantja I pashmangshëm”, Tiranë, 2005, fq. 31; Koliqi Ernest, “Vepra 6”, Prishtinë, 2003, fq. 587; Evlija Çelebi Sejjahatnamesi, “Shqipnija para dy shekujsh”, përkthyer nga Sali Vuçiterni, Tiranë, 1930. Kruta Beniamin,”Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë, 1989, fq. 134-135, Bardhosh Gaçe, “Tradita dhe risi në poezinë popullore të Bregdetit të Himarës”, tek “Gjurmime albanologjike”, 33-34/2003-2004, Prishtinë, 2005, fq. 206-208; Balli Kristaq, “Thoma Nassi”, Korçë, 2006 etj.
E thyen:Sinonim i fjalës prerësi. Enc. Zëri i dytë i këngës iso-polifonike jugore. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Ballsh.
Evgjiçe:Fjalë e praktikës muzikore popullore iso-polifonike.Enc. Me evgjiçe kuptohet se mënyra e interpretimit të këngës, melodisë apo valles popullore iso-polifonike bëhet sipas mënyrës së evgjitëve. Roli dhe kontributi i muziktarëve popullore evgjitë, ka qënë shumë i rëndësishëm në konsolidimin e traditës muzikore IP me saze të qyteteve të Shqipërisë Jugore si Leskoviku, Përmeti, Vlora, Korça dhe Berati. Evgjitët njihen si mjeshtra të interpretimit në veglat muzikore popullore dhe ato të temperuara të sazeve, si gërneta apo violina.
Fëshfërin:Formim onomatopeik. Etim. Sipas Çabejt: “jep një zhurmë të lehtë gjethi (i thatë) kur fryn erë, fërshëllen era nëpër gjethet (e thata)”; edhe fëshfërit, fëshfërimë. F. “zhurma vetë”. Enc. E gjejmë të përdorur edhe nga Dritëro Agolli në formën: fëshfërima e pemëve.
Fërshëllej: Fërshëllej "vishëlloj; fërshëllimë f.,, vishkëllimë". Etim: Sipas Çabej: Të gjitha këto nuk janë veçse formime onomatopeike. G.Meyeri fjalën fërshëllej bashkë me format fëshëllij, vëshëllij, vërshëllej, vëshëlloj, vishlloj, fishlloj, vërshëllej, fërshëllej e me vërshëllim m. i spiegon me një metatezë të vjetër të lat. Sibilare, po duke pasur ndikuar dhe *friscjare. Enc. Sipas Prof. R. Sokolit: nga të fërshëllyerit , nga kjo muzikë trupore, zënë fill shumë vegla të gjinisë aerofone. Fërshëllimet e zakonshme janë nëpërmjet buzëve, por kemi edhe ato me anë të gishtërinjve. Meloditë e nxjerra nga fërshëllimat, i gjejmë të ndërrfutura edhe në melodi dhe pjesë të tjera me vegla muzikore popullore. Fërshëllimat janë përdorur për argëtim por dhe për nevoja të dobishme. Tek arbëreshët e Italisë e gjejmë në formën frushullenj.
Figan:f. Qaj, bërtas. Enc. Shiko zërin Gjëma.
Fishkëlloj: Vishkëlloj. fërshëllej; fishkëllimë f. Vishkëllim m. fërshëllimë. Etim: sipas Çabej është fjalë onomatopeike me kompleksin fsh ashtu si fërshëllej, frushkull, frushull, fshikull etj. Fshilloj vishlloj e fërshëllej nuk rrjedhin nga latinishtja, si mendon G.Meyeri 112.Enc. Në praktikën muzikore popullore gjejmë krijime muzikore të interpretuara tërësisht me anë të fishkëllimës. Një ndër këta muziktarë popullorë është edhe Shaban Pesoçani nga fshati Ladorisht, i cili dallohet për këtë mënyrë të veçantë interpretimi. Lit: Murtishi Kaim, "Ladorishti, histori dhe tradita", Strugë, 2001 etj.
“Gër-gëre”:Shiko fjalën gërreza. Enc. Në këtë trajtë e gjejmë të përdorur në Devoll.
Gojëbilbil:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Me këtë fjalë populli përshkruan këngëtarët e shquar të muzikës popullore të cilët dallohen nga të tjerët. Tek FGJSSH kemi: që e ka zërin të bukur e të ëmbël elod bilbilit, që kendon bukur. Ndër këngëtarët gojëbilbil populli ka evidentuar edhe Hafize Leskovikun si dhe Luçie Milotin.
Gorarçe:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Me gorarçe kuptohet se kënga, vallja apo melodija me vegla është nga krahina e Gorës. Shumë e njohur nga folklori muzikor I Gorës është vallja gorarçe.
Grarishte:Mënyrë e të kënduarit të këngëve popullore shqiptare. Enc. Kjo mënyrë "grarishte" nuk nënkupton vetëm se këto janë këngë që këndohen nga gra, por dhe se në pikëpamje të tipologjisë këto këngë strukturalisht janë të organizuara disi më ndryshe.
Grifshëroj:Grifsha që bën gri-gri. Enc. Fjalë që tregon këngën e grifshës.
Grinden zërat:Shprehje e praktikës muzikore popullore. Enc. Grinden zërat nënkupton që nuk ka unitet të zërave gjatë interpretimit të këngës popullore iso-polifonike. E gjejmë të përdorur në Labëri.
Grupi i Bënçës:

Grup i shquar iso-polifonik i fshatit Bënçë-Tepelenë i viteve 1970-1990. Lit: Gjokoli Sejmen, “Grupi i Bënçës,Tepelenë”, tek “Zëri i Popullit”, 1990, 21 Shtator; Shituni Spiro, “Polifonia labe”, Tiranë 1991 etj.

Grupi i Pilurit:

Grup i shquar iso-polifonik i fshatit Pilur i viteve 1960-1 990. Enc. Ndër këngët më të njohura të tyre janë “Tundu, bejkë e bardhë tundu”, “Shqipëri, flakë dyfeku”, “Zoga kaçake në mal”, “28 mijë yje” etj.
Lit: Gjiçoli Minella, “Vëzhgime rreth zhvillimit të këngës pilurjote”, tek “Vatra e Kulturës”, 3/1974; Shituni Spiro, “Polifonia labe”, Tiranë 1991 etj.

Gjë a gjëzë me objekt muzikën popullore:Enc. Sipas Çabej: gjëzegjëzat janë karakteristike për mendësinë e popujve të Ballkanit. Trajta themelore artistike e gjë e gjëzave është alegoria, e cila shtrohet në formë pyetjeje, me anë të së cilës kërkohet objekti i fshehur. Pikërisht, përfshirja në "gjë e gjëza" e veglave muzikore popullore dhe në përgjithësi e muzikës popullore gjithë shqiptare, shpreh jo vetëm njohjen e madhe të tyre por njëkohësisht është edhe tregues i qartë i një marrëdhënie tepër familjare me to. Vetë natyra e gjë e gjëzës që, nëpërmjet shumë të njohurës, të gjesh të panjohurën, si dhe anasjelltas, është treguesi më i mirë i kësaj ngjizjeje. Kemi dy lloje gjë a gjëzash: 1. ku elementët e muzikës popullore përdoren për të gjetur objektin e gjëzës dhe 2. kur në vetë gjë a gjëzën është fshehur një element nga muzika popullore.
Lit: “Folklor shqiptar-Gjëegjëza”, Tiranë, 1968; Çabej Eqrem, “Studime gjuhësore V”, Prishtinë, 1975; Tole. Vasil S, “Muzika dhe letërsia”, Tiranë, 1997 etj.
Gjëmë: Fatkeqësi, mënxyrë; lajm i vdekjes, thirrja e vajit e burrave,mandatë; bubullimë, gjëmim; geg. Gjamë f. gjëmim, ushtim; vaj, vajtim; gjëmë, mynxyrë; gjëmon ushton, bubullin; gjëmim m. ushtimë, jehonë, bubullimë; kal. Gjëmor që ushton (popullore?). Etim: Çabej: fjalë e gjuhës mbarë. Po sipas Çabejt: në burimet e vjetra ruhet një domethënie më e afër me atë të lat. Gemere. Khs M y fshanjemë, tue gjimuom e tue klanë mbë këtë shekullë plot me lot e gjamënë e atyne qi për kambësh hiqishnjinë n. Lidhunë, te Buzuku ( XIV5, XVII/2, Psalm 107, 21); Budi (DC 36, 215) fort gjëmoj ndë zëmërë të vet e Idhunë tue gjëmuam.Enc. Në përgjithësi gjëma interpretohet nga burrat në perëndim të diellit. Sipas F. Mehmetit: në epos kemi të pasqyruar edhe gjëmën kolektive, tek kënga “Arnaut Osmani dhe Petro Kapedani” dhe gjëmën individuale, tek kënga “Halili i qet bejleg Mujit”. Në këngën e parë gjëmën e bëjnë 12 veta njëkohësisht, në të dytën 40 veta dhe në të tretën një njeri. Ka raste kur marrin pjesë deri në 80-100 veta. Britma karakteristike është hoj-hoj-hoj. Sipas Zojzit: një të vdekuri i bëhen deri në 7-8 gjëmë dhe më së paku 2. Në letërsinë e kultivuar e hasim tek Barleti për vdekjen e Skënderbeut. Sipas Nolit: Lekë Dukagjini dhe kapedanët rreth e rrotull vajtonin pas mënyrës tradicionale me këngë dhe me kujë. Shqipëria e qau, dhe e vajtoi pa pushuar. E gjejmë dhe tek vepra “Ceta e Profetëve” e Pjetër Bogdanit.
Lit: Sokoli Ramadan, “Gjamët, vajtimet e përmotshme dhe elegjitë”, Rilindja, Tiranë, 1994, 10 Shkurt, fq. 14; 11 Shkurt, fq. 14; 12 Shkurt, fq. 14; 13 Shkurt, fq. 14; 15 Shkurt, fq. 14; 16 Shkurt, fq. 14; 17 Shkurt, fq. 14; 18 Shkurt, fq. 14.
Gjëmoj:Qaj me zë një të vdekur, i bëj gjëmën. Enc. Gjëmoj e gjejmë të përdorur në Labëri.
Gjika, Xhebro(Tërbaç 23 Shtator 1900 - Tërbaç 1978). Këngëtar dhe rapsod i shquar i rrethit të Vlorës. Enc. Në moshën 20 vjeçare ngre këngët e para për luftën e Vlorës për të vazhduar me këngët për luftën antifashiste etj. Autor i rreth 100 këngëve dhe poezive popullore. Ndër këngët më të njohura të tij përmendim: “Kush e njeh Selam Musanë”, “Unë i ziu Xhebro Gjika”, “Këngët e staneve”, etj. Një pjesë e këngëve të tij janë mbledhur në vëllimet e botuara nga Instituti i Kulturës Popullore “Këngë popullore historike”, “Këngë popullore lirike”, “Këngë popullore të luftës antifashiste”, etj. Sipas Gaçes: tek ai ndikoi, gjithashtu, kënga popullore e Lumit të Vlorës, Kurveleshit, e Breg-Brataj, të Sinan Mullahut e Hyso Salatit në Tërbaç, të Tartar Zekës në Kuç, të Ali Dines në Gusmar etj.
Lit: Gaçe Bardhosh, “Kënga e rapsodit Xhebro Gjika”, 1/1988, fq. 165-173; Gaçe Bardhosh, “Kënga popullore e lumit të Vlorës”, Tiranë 1995; Gaçe Bardhosh, “Xhebro Gjika”, Tiranë, 1997 etj.
Hallakamë-a:ef. Piskamë, britmë.
Halldupçe:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Enc. Halldupçe nënkupton faktin se kënga, vallja apo melodija luhet dhe i përket halldupëve-turqve.
Hapja e Këngës:Terminologji e prakikës muzikore folklorike IP. Enc. Kur thuhet: Hapja e këngës, nënkuptohet fillimi i dasmës një javë përpara datës së caktuar. Kjo formë përdoret në zonën e Tepelenës dhe ka të bëjë me fillimin e gjithë ritualit tradicional që ndiqej në këto raste, ritual i cili përfshinte gjithashtu edhe një masë të madhe njerëzish, të cilët këndonin, vallëzonin dhe luanin në mënyrë iso polifonike.
Hasani Selim(Brataj 1894 - Brataj 1965)-Artist i Merituar. Enc. Një ndër rapsodët më të shquar shqiptarë të IPL. Në popull njihet edhe me emrin "Xha Selimi i Bratajt". Mëson që fëmijë të këndojë e të kërcejë nga babai i tij Hasan Minga dhe nëna-Haxhika, të dy muziktarë të shquar popullorë të iso-polifonisë labe. Sipas Gaçes: më pas një ndikim të madh te Selim Hasani ka luajtur i vëllai, Matua. Sipas opinionit më të përhapur në popull, kënga e tij IP është dëshmi e ngjarjeve të mëdha historike të popullit tonë. Ndër këngë më të njohura përmendim "Ç'u zu dyfeku në Kotë", "Ç'bën moj Shqipëri sërmaja" etj. Së bashku me rapsodin tjetër të shquar të Bratajt- Mato Hasanin (Brataj 1868 - Brataj 1966) këngët si dhe vallja bratçe e të cilit thirreshin "matohasançe", edhe xha Selimi fitoi privilegjin që për këngët e tij dhe në mënyrë të veçantë për këngëtimin e tyre ato të thirren si "selimçe". Një pjese të madhe të këngëve të tij sot u ka humbur autorësia duke u konsideruar me të drejtë si këngë popullore. Për Xha Selimin ka shumë këngë të kushtuara atij nga populli si dhe nga poetët tanë.
Hedhësi:Term i përdorur në iso-polifoninë labe. Enc. Fjalën hedhësi e gjejmë për të përcaktuar zërin e tretë në iso-polifoninë labe, në të gjitha rastet kur ajo strukturohet me katër zëra. Shpesh herë zëri i hëdhësit konturohet edhe si aktor-recitues i vargjeve si në rastin e valleve të kënduara të IPL.
Heqësi:Term i përdorur në vallet popullore iso-polifonike. Enc. Heqësi është valltari i parë, pra ai që heq vallen. Në këtë kuptim, e gjejmë të përdorur pothuajse në të gjithë zonën iso-polifonike, toske dhe labe. Heqësi, në rastet e valleve iso-polifonike të kënduara, kryen edhe rolin e marrësit të këngës dhe për këtë arsye shpesh quhet edhe marrësi i valles. Një shprehje popullore e Shqipërisëm së Juhut thotë: Vallen nuk e lot mirë ay që e heq, por ay që ia mban. Lit: Agolli, Nexhat “Vallja shqiptare e burrave”, Tiranë, 1997, fq. 164.
Hidh e prit:Term i praktikës muzikore popullore iso polifonike. Këngë popullore e kënduar në dasmat gjirokastrite. Enc. Në dasmën gjirokastrite, këto këngë karakteristike iso polifonike quhen ndryshem edhe këngë me romuze ose bam-bame. Ky tip kënge, sipas T. Gjokutajt, është në funksion të shtimit të gëzimit gjatë ceremonialit të dasmës. Për të kënduar këtë tip kënge, janë gjithmonë të domosdoshme dy grupe këngëtarësh të IPL, dy palë, të cilat i përgjigjen muzikalisht romuzeve të njeri tjetrit që janë zakonisht, pala e dhëndërit dhe ajo e nuses, mes dasmorëve dhe të zotëve të dasmës etj. Lit: Gjokutaj, Tasim "Elemente të humorit në këngët e damës gjirokastrite", "Kultura Popullore", 1-2/1993, fq. 45-54.
Hollë-hollë:Term i praktikës muzikore popullore. Enc.Hollë-hollë nënkupton faktin se këngëtari këndon mjeshtërisht, pra që këndon hollë-hollë.
Iso:Zëri i fundit i këngëve iso- polifonike të Shqipërisë Jugore. Enc. Iso këndohet nga kori i këngëtarëve. Zakonisht është zëri i tretë në këngën polifonike toske dhe zëri i tretë ose i katërt në këngën polifonike labe. Fakt është që në popullsinë e trevave iso-polifonike, krahas fjalës Iso përdoren edhe nje varg emërtimesh të tjera, si: grupi që “mban zë”, që “i mbushin” (mbushësit), që “zien”, “mbajnë e”, mbajnë Kaba” etj. Tek “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë 1980 kemi: ISO,~Ja f. 1. Zë i njëtrajtshëm, që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbeshtet zërat kryesore në një këngë me shumë zëra a një melodi. Iso e fortë (e gjatë, e ngadalshme). Isoja labe (myzeqare). Isoja e burrave (e grave, e të rnjve). Kënge me iso. Iso, more djema, iso! Këndojme (ia marrim) me iso. Mbaj (bëj) iso me zë (me fyell); tek “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 1985 kemi: tingull i zgjatur që mbahet nga një ose më shumë veta gjatë shoqërimit të këngëve polifonike me 3 dhe 4 zëra. Për të arritur në një përcaktim sa më real rreth isos është deri diku e vështirë pasi rreth saj ekzistojnë me të drejtë interpretime të ndryshme. Nuk dihet se kur fjala iso u përdor për herë të parë për të karakterizuar korrin e këngëtarëve që “mbajnë zënë”, por ka shumë mundësi që ajo si terminologji e përdorur nga vetë populli në muzikën polifonike jugore, të mos jetë më e vjetër se 200-300 vjet. Me sa kemi vënë re, ende sot në disa zona të konservuara të muzikës polifonike jugore, fjala “iso” ose nuk gjendet dendur ose përdoret krahas të tjerave fjalë që shërbejnë për të karakterizuar fenomenin e zërave të mbajtur gjatë nga korri i këngëtarëve. Në këto vende ideale për të konstatuar fenomenin e polifonisë kanë qënë përdorur dhe ende përdoren fjalë formimet tipike shqiptare për të karakterizuar këtë dukuri shumë të rëndësishme të polifonisë sonë popullore. Ndër këto forma përmendim: “ja mbush”, “mbajnë zënë”, “bëjmë e”, “mbajmë kaba”, “mbajmë avaz”, “ziejmë”. Theksojmë ekzistencën e këtyre varianteve në përcaktimin e kësaj dukurie, për faktin se fillimisht fjala “iso” në praktikën popullore nuk kishte fituar këtë kuptim, që me kalimin e kohës më pas e gjejmë të shkrirë në një të vetme tek kjo fjalë simbol. Ka shumë mundësi që fjala “iso”, të jetë ndihmuar në përhapjen e saj nga formacionet e sazeve popullore në gjysmën e dytë të shek. XIX, fillimi i shek. XX. Nga vështrimet e hollësishme mbi të, Isoja si koncept në muzikën popullore, në vetvete fsheh një strukturë të tërë e cila lidhet sa me prejardhjen e polifonisë por dhe kodin gjenetik të shqiptarëve. Iso-koncepti është një “extra musical sound”, i cili si i tillë ngelet fenomeni më i pa kontestueshëm i strukturës sonë gjenetiko-muzikore. Ajo nuk është kursesi një tingull i temperuar, sepse asnjëherë nuk ka qënë parakuptuar për të funksionuar si i tillë. Isoja mban shumë ndërthurje zërash rreth një qëndre e cila në tërësi përcaktohet si një notë e caktuar. Mënyra sesi kjo cluster-tonikë “popullore” identifikohet në intonacionin e saj është një problem tjetër, por Isoja brenda një cluster zërash mbi një notë fsheh “para projektimin grafik” të polifonisë. Njeri prej kapitujve të romanit “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë mban titullin “Iso për të gjitha pjesët”. Isoja është përdorur edhe si pseudonim. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, pseudonimin iso e ka mbajtur militanti komunist Kozma Nushi (1909-1945), nga Vunoi i Vlorës. E hasim edhe si mbiemër në rastin e këngëtarëve të grupit iso polifonik të Poliçanit, Jorgo dhe Kosta Iso. Dukuria muzikore e iso-polifonisë popullore shqiptare, u shpall nga Unesko më 25 nëntor, 2005 “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”.

Lit: Kadare, Ismail “Dimri i madh”, Tiranë 1977; Kruta, Beniamin “Kultura Popullore 1/1991”; Tole, Vasil S “Folklori Muzikor-polifonia shqiptare”, SHBLU 1999, Tole, Vasil S “Albanian Intangible Heritage in CD”, Tiranë, 2004; Memisha, Enver “Pseudonime të përdorura gjatë lëvizjes antifashiste 1939-1944”, Tiranë, 2005, fq. 106 etj.

Iso polifonia:IP është dukuria bazë muzikore në Shqipërinë e Jugut, e cila ndërtohet mbi parimin e këndimit të një apo disa zërave të ndryshëm solistikë, mbi një shtrat isoje të kënduar nga grup këngëtarësh. Sipas F. Konicës: vetë këngët janë të trishtueshme dhe monotone, por janë shembull i vetëm i muzikës së vjetër folklorike me pjesë të ndryshme këndimi, derisa në vende të tjera këngët popullore këndohen me harmoni. "Këngët rëndom ndahen në tri pjesë: derisa dy burra këndojnë me zëre krejtësisht të ndryshëm, ndonëse gjithsesi të ndërthurur, grupi ia mban një sostenuto-je të ngjashme me point d'orgue". Shiko dhe iso, iso polifonia dy, tre dhe katër zërëshe, toske iso polifonia, labe iso polifonia etj.
Lit: Konica, Faik “Vepra 2”, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, kap.IV, “Populli shqiptar: tipare të jetës dhe të karakterit të tij”, f. 207, Prishtinë, 1997. Për më tepër shih Polifonia me iso, documentary. - YouTube, Vasil S. Tole.
Iso polifonia dy zërëshe:Formë e iso-polifonisë shqiptare. Enc. E konsideruar si forma më e thjeshtë e polifonisë shqiptare, iso-polifonia 2 zërëshe është e përhapur në të gjithë jugun e Shqipërisë. Iso-polifoninë dy zërëshe (marrje dhe prerje) e hasim si tek gratë ashtu edhe tek burrat. Përhapja gjeografike prek pa dallim pothuajse të gjithë hapësirën gjeografike të përfshirë në Toskëri dhe në Labëri si rrethet e Korçës, Librazhdit, Pogradecit, Kolonjës, Fierit, Shpatin e sipërm të Elbasanit, Myzeqenë bregdetare, Myzeqenë e Vlorës, qytetin e Vlorës, lumi i Vlorës, fshatrat e Beratit, Mallakastër, Gjirokastër-qytet, Lunxhëri, etj. Është vëmë në dukje se polifoni me dy zëra e dy këngëtarëve këndohet, kryesisht nga gra të qytetit të Gjirokastrës, burra të fshatit Dukat të rrethit të Vlorës. Lidhur me këndimin e veçantë të dyzërëshit nga Dukati, mendohet se ndeshet më rrallë dhe ka një shtrirje hapësinore dhe gjinore më të kufizuar. E ndeshim këtë mënyrë ekzekutimi vetëm nga dy individë, te gratë shqiptare të Maqedonisë të zonave të Dollit, Zajazit, Kërçovës, Tetovës, etj., në Labëri vetëm në fshatin Dukat të rrethit të Vlorës dhe të ekzekutuar vetëm nga burrat, ndërsa në Toskëri në disa fshatra të Myzeqesë bregdetare dhe kryesisht në brezin e grave të reja. E ndeshim këtë lloj dyzërëshi edhe në Arbëreshët e Kalabrisë ku ka një përhapje dhe një përdorim të gjerë edhe sot e kësaj dite. Sipas opinionit të Lorenc Antonit këngët dy zërëshe të Kërçovës do të jenë krijuar ndoshta të frymëzuara prej të kënduarit shumëzërësh të toskëve fqinjë. Megjithëse janë bërë lloj-lloj klasifikimesh duke u ndarë në variante të shumta, iso-polifonia dy zërëshe mbart në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet marrësit dhe prerësit, tipar thelbësor ky i iso-polifonisë jugore, si në Toskëri dhe në Labëri, pavarësisht sasisë së njerëzve në interpretimin e saj. E rëndësishme të theksohet është se si tip qëndror është dy zërëshi me ison e fshehur përgjatë zhvillimit melodik të zërave. Për mendimin tim, dy zërëshi në përgjithësi nuk duhet konsideruar si një stad i parë i shumëzërëshit polifonik. Theksoj faktin se sipas meje iso-polifonia nuk ka patur ndonjë zhvillim historik në formimin e tipareve të saj me dy, tre apo katër zëra por gjithmonë ka funksionuar si një lëndë e përbashkët e cila ka qënë thërmuar në këto trajta të klasifikuara si të tilla. Prandaj dy zërëshi iso-polifonik në dukje është një dyzërësh, por nga funksionet që kryen është një "tre zërësh i fshehur", i "reduktuar" në dy zëra. Ajo ç'ka tjetër duhet thënë është e lidhur me faktin se nuk mund të ketë klasifikime të dyzërëshit nisur vetëm nga konstatime melodike, apo qoftë edhe nga preferencat ritmike të këngëve. Nuk mund të ketë dy zërësh jashtë konceptit të iso-pedalit, veçori e cila përfshin gati të gjitha format e ekzistencës së dy zërëshit në muzikën iso-polifonike jugore.
Iso polifonia tre zërëshe:Formë e iso-polifonisë shqiptare. Enc. Iso-polifonia tre zërëshe është mbizotëruese në repertorin iso-polifonik popullor të fshatrave të Shqipërisë së Jugut, apo e njohur si iso-polifonia vokale, dhe ajo qytetare e shoqëruar me saze. Kjo është forma bazë e shfaqjes së polifonisë sonë, ku zërat janë të individualizuar jo vetëm në pikëpamje melodike, por ata kanë edhe përcaktimet e tyre kuptimplota për rolet që kryejnë. "Marrësi", "prerësi" së bashku me ison, formojnë trion e përveçme të personazheve të polifonisë sonë vokale. Duhet theksuar se iso-polifonia tre zërëshe në pjesën më të madhe të rasteve është e kënduar nga burrat. Tendencat e sotme e sjellin atë edhe në forma mikste, por tre zërëshi polifonik tradicional është tre zërësh burrash. Kjo formulë origjinale e polifonisë sonë u trashëgua edhe në muzikën popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut, apo siç njihet ndryshe në muzikën iso-polifonike me saze. Tejbartja dhe respektimi i kësaj formule në një terren tjetër (në terrenin e një formacioni qytetar me vegla), ishte ai që përcaktoi qartë sa vijueshmërinë e konceptimit popullor mbi kompozimin e parametrave teknike, aq dhe sigurimin dhe zhvillimin e formulës gjenetike të shprehjes sonë muzikore tradicionale, me mjete të tjera. Që këtej e tutje (fundi i shek. XIX fillimi i shek. XX), gërneta-gërnetisti = marrësi, do të ishte zëri i I (ose ai që “ja thotë”, “ja nis”, “e merr”), violina-dhjolixhiu = prerësi, zëri i II (ose ai që “ja pret”, “ja kthen”, “e thyen”, “ja mban”, “që e merr pas”), dhe llauta me shumë tela-llautari do të zëvendësonte ison masive (në rolin e atyre qe “ja mbushin” “që mbajnë zënë”), kjo e shfaqur si skema e përgjithshme e organizimit të tyre. Në këngën qytetare me saze do të konstatojmë një barazpeshë të sekseve në të kënduarin e repertorit polifonik qytetar. Sot vërejmë krahas polifonisë vokale edhe simotrën e saj, iso-polifoninë me saze, e cila është dukuria më bashkëkohore dhe më e zhvilluar e polifonisë popullore shqiptare. Nga muzika tre zërëshe qytetare me saze do të përmendnim shumë të njohurat muzikë qytetare përmetare, korçare, leskoviqare, vlonjate, delvinjote etj. Gjithashtu tre zërëshi vokal iso polifonik vazhdon praktikimin dendur të tij në pjesën më të madhe të Toskërisë dhe të Labërisë. Ndër zonat më karakteristike të tre zërëshit polifonik vokal të fshatit do të veçonim polifoninë e Skraparit, Gramshit, Devollit, Gjirokastrës, Kolonjës, Sarandës, Vlorës etj. Sipas Sokolit: gjatë studimit të veçorive të tre-zërëshit polifonik është vënë re kumbimi i brendshëm i zërit të disa këngëtarëve të Shqipërisë juglindore kur ja kthejnë me grykë në këngët polifonike me iso; në këtë rast kemi të bëjmë me një farë “jodelli” shumë karakteristik. Do të theksonim gjithashtu se iso-polifonia 3 zërëshe është pjesë përbërëse e rëndësishme edhe e folklorit koreografik. Bashkekzistenca e polifonisë me folklorin koreografik është një nga format origjinale të bashkëjetesës së muzikës popullore polifonike me koreografinë popullore, si shprehje e lashtësisë së saj. Ashtu siç gjejmë në ndërtimin tipik të polifonisë marrësin, prerësin dhe ison, ashtu do të konstatojmë edhe në këtë tip të krijimtarisë koreografike këtë strukturë të ngjashme. Në këtë rast, është polifonia e cila ka sugjeruar me strukturën e saj të ndërtimit edhe strukturën përkatëse të valles popullore. Në një fjalë të urtë e cila për të transmetuar mesazhin e saj ka përdorur të dhënat strukturore të valles IP thuhet: “Vallen nuk e lot mirë ay që e heq, po ay që ia mban”.
Iso polifonia katër zërëshe:Formë e iso-polifonisë shqiptare. Enc. Iso-polifonia 4-zërëshe konstatohet vetëm në folklorin muzikor lab. Themi kështu, pasi ajo formë e të kënduarit katër zërësh që hasim në iso-polifoninë toske të Skraparit, nuk ka arritur deri më sot të strukturojë një zë të katërt të plotë ashtu si në iso-polifoninë labe. Sipas Shitunit: nëse tradicionalisht, më e përhapur ka qënë polifonia trizërëshe, në ditët tona popullaritet më të madh është duke fituar polifonia katërzërëshe. Në strukturë, 4-zërëshi lab reflekton të njëjtat tipare si tre zërëshi, por me një zë +. Ky është "hedhësi" i cili është karakteristik për këngët polifonike të Gjirokastrës, të bregut të detit dhe Himarës, aq të njohura nëpërmjet interpretimeve të grupit polifonik të Xhevat Avdallit dhe Neço Mukos. Deri më sot është pranuar se Neço Mukos i njihet edhe konsolidimi i zërit të hedhësit në këngët polifonike të Bregut. Sipas Krutës: ky lloj hedhësi nuk ndjehet në zona të tjera të Labërisë, kemi të bëjmë këtu me një dukuri të rëndësishme e cila duhet të jetë produkt i një njeriu të mësuar dhe ka të ngjarë të jetë këtu Neço Muko (Marioti) që kreu qoftë dhe me intuitë këtë eksperiment sa të thjeshtë në dukje aq edhe interesant në çështje të tingëllimit të polifonisë dhe jo vetëm të asaj të Bregut të Detit por edhe të polifonisë labe në përgjithësi. Në fakt, roli i hedhësit në këngën labe nuk është një dukuri e re. Është e vërtetë se Neço Muko evidentoi nëpërmjet regjistrimeve në vitet '30 të shek. XX disa tipe këngësh katër zërëshe me rol shumë të zhvilluar të hedhësit, por kjo nuk është arsye e mjaftë për të thënë se, si strukturë, hedhësi nuk ndjehet në zona të tjera në Labëri. Shembujt muzikorë që provojnë ekzistencën e këtij tipi mund të jenë disi më të mëvonshëm, por e rëndësishme është të theksohet se stilema e tij muzikore gjendet rëndom në folklorin muzikor. Një vend shumë të rëndësishëm në këngën katër zërëshe polifonike zë edhe polifonia e qytetit të Gjirokastrës me marrës, prerës, hedhës dhe iso. E konsideruar si "këngë pleqërishte", në të do të konstatojmë një mënyrë shumë të vjetër të kënduari. Ajo që e bën shumë interesante polifoninë katërzërëshe të qytetit të Gjirokastrës është e lidhur me faktin se kënga polifonike vokale ka qënë dhe mbetet alternativa kryesore e muzikës popullore qytetare gjirokastrite. Në ndryshim nga masivi i këngës labe i cili shfaqet më shumë vertikal se sa horizontal, kënga polifonike e qytetit të Gjirokastrës zhvillon dhe shfaq iso-polifoninë më horizontale në gjithë Labërinë. Me sa duket, përsosja e këngës fshatare përreth Gjirokastrës prej të cilës buron kënga qytetare Gjirokastrite, ka ardhur së bashku me rritjen dhe zhvillimin e vetë banorit të Gjirokastrës. Ndryshe dhe si asnjë qytet tjetër, muzika popullore qytetare gjirokastrite nuk pranoi futjen e veglave muzikore muzikore-sazet, siç ndodhi në 99% të qyteteve shqiptaro jugore, por përsosi këngën polifonike të traditës gjë që e vazhdon edhe sot.
Iso polifonia dhe pentatonika:Enc. IPL, IPT dhe pentatonika janë një binom i pandashëm i muzikës popullore jugore. Sigurisht që llojet e pentatoneve që qëndrojnë në bazë të kësaj melodike janë të ndryshme, pasi vetë praktika tregon se brenda polifonisë do të konstatojmë të gjithë tipologjinë pentatonike të llojit duke përfshirë edhe shfaqjet prepentatonike. Edhe sipas studimeve të deritashme jonet e polifonisë sonë popullore shtjellohen ma fort në shkallë të gjymta prej 2-3-4 ose 5 tingujsh (dy-tri-tetra-ose pentatonike) dhe se pjesa dërrmuese e këngëve si të trevës toske, ashtu të trevës labe shtjellohet në mode prepentatonike dhe pentatonike anhemitonike. Për mendimin tonë nuk janë të sakta pohime të tilla se strukturat tonale të përdorura nga çamët shfaqin një varietet ngjyrash të cilat nuk gjenden tek toskët, të cilët mbështeten tek strukturat pentatonike. Tashmë bindshëm është provuar se, iso-polifonia çame është pjesë e iso-polifonisë toske dhe strukturalisht ndërtohet mbi stilemat melodike të pentatonikës. Ajo ç’ka duhet theksuar lidhur me zërat e këngës iso polifonike dhe melodikës pentatonike të tyre është pasuria e madhe e kombinimeve melodike mes notave të shkallës pentatonike, e po aq tendenca e zgjerimit të të shprehurit melodik të shumëzërëshit me tejkalim të tipareve të melodikës karakteristike të shkallës pentatonike. Në realitetin e sotëm muziko-folklorik shqiptar, pentatonika bindshëm mbetet si veçoria më e dukshme e ndërtimit melodik të polifonisë sonë, megjithëse praktika dhe zhvillimi normal i iso-polifonisë jugore ka sjellë edhe ndonjë tendencë të kalimit drejt modeve anhemitonikë. Kur e konstatojmë këtë, zgjerimi i pentatonikës është i dyanshëm, së pari si pasurim i të shprehurit melodik dhe së dyti si prirje për të ndryshuar tiparet e tij. Ne do t'i referohemi shkallës pentatonike dhe nënsistemeve të saj që buron prej konceptit të rradhës gjeneruese të kuintave, kjo sipas Brailout. Lit: Fan Noli, "Vepra 6", Tiranë, 1996, fq. 593.
Iso polifonia e fshehur:Formë e ekzistencës së Iso-polifonisë brenda një zëri të vetëm. Enc. Hedhja e kësaj teze, lidhet me po me një trajtim ndryshe të origjinës së iso-polifonisë sonë popullore. Deri më sot, që të gjitha punimet teorike me bazë origjinën dhe format e shfaqjes së IP janë mbështetur mbi konceptin sasior të trajtimit të këtij fenomeni. Kjo me pak fjalë përmblidhet në argumentin e tipit darvinist se polifonia është formuar gjatë proçesit të shtimit gradual të zërave duke filluar prej një zërëshit, dy zërëshit polifonik, tre zërëshit polifonik dhe për të mbëritur tek trajta më e zhvilluar, katër zërëshi polifonik. Kjo do të thotë që ky shtim gradual i zërave është shprehës edhe i një periudhe të caktuar historike që i ka qënë dashur IP të formohet. Në fakt, sot ne na rezulton se IP është një dukuri e parakuptuar e gjithë folklorit muzikor jugor, ç’ka do të thotë që ajo ka qënë element-formulë qysh në fillesën muzikogonike të saj. ǒpërfaqëson ky tip i IP në hartën e madhe të gjeografisë së saj? Konstatimi i “iso polifonisë së fshehur” mendojmë se është një hap përsa i përket parjes ndryshe të origjinës së iso-polifonisë sonë, pra që iso-polifonia ka qënë një realitet sundues i folklorit muzikor qysh në origjinë. Kjo do të thotë që shpjegimi i realitetit iso polifonik shqiptar është i lidhur ngushtë me genotipin muzikor të shqiptarit jugor e po aq me funksionin biologjik të mjedisit si dhe me vazhdimësinë komunikative të traditës, duke e konsideruar atë edhe si një fenomen muzikor gjithpërfshirës. Ekzistenca e “iso-polifonisë së fshehur” është tregues i faktit që IP nuk duhet shpjeguar vetëm si rezultat i bashkimit sasior të zërave që marrin pjesë në shumëzërëshin polifonik. Në teorinë e studimit të letërsisë flitet për makrotekstin, i cili nënkupton atë që kur elementë të një lënde artistike janë shpërndarë nëpër krijime të ndryshme, në kohë e hapësirë, vetëm mbledhja dhe leximi analitik e i plotë i tyre bën të mundur që t'i shkohet deri në fund deshifrimit të lëndës bazë të dikurshme siç është p.sh "E qara me bote-me ulërimë", etj. Ashtu si tek "mbetja" e nje tingulli, që shpeshherë është më i rëndësishm se vetë tingulli, edhe tek këto lloje te konsideruara deri më tani si jopolifonike duhet të hulumtojmë pikërisht "mbetjen". Sipas nesh, sot iso-polifonia popullore do të gjendet dhe konstatohet jo vetëm atje ku ajo saktësisht përcaktohet si e tillë, p.sh. në këngët iso polifonike, në iso polifoninë me saze etj., por ajo çka është më e rëndësishmja edhe si element-qelizë brenda asaj krijimtarie muzikore popullore e klasifikuar deri më sot si monodike. Deri më sot, mendoj se janë keq interpretuar klasifikimet lidhur me një, dy, tre dhe katër zërëshin. Këto ndarje de jure të iso-polifonisë, janë tilla nisur vetëm nga dukja e jashtme e zërave përbërës së tyre (pra nga kriteri sasior i përbërjes së shumëzërëshit), pa vëzhguar lidhjet e brendshme thelbësore të tipareve. Së pari nisur nga praktika muzikore popullore, e shikojmë të pamundur që p.sh fyelltari vetmitar në mal që krijonte avazin e tij, apo nëna që i këndonte fëmijës ninullën e saj, të shkëputeshin qoftë edhe për një moment nga uniteti i njësisë së IP që i rrethonte ngado. Për ta ishte shumë e vështirë që të nisin të krijojnë një "melodi të pastër", pra të pavarur, kur edhe ata vetë të parët janë objekte, elemente të një mase të caktuar iso polifonike të shprehuri. Më tej akoma, duket e pamundur që ashtu "të shkujdesur" e fare thjesht të "harrojë" gjatë aktit të krijimit dhe interpretimit të të quajturës "monodi", ato qindra dhe mijëra formulat melodike të zërave përbërës të iso polifonisë, mes të cilave ata u rritën e që i kanë po ashtu të trupëzuara në veten e tyre. Në një vështrim më të gjerë, duket se ka qënë e natyrshme që në këndimet muzikore e klasifikuara si "një zërëshe" toske e në mënyrë të veçantë ato labe, të mos orientoheshin përkah kësaj tradite, e cila për forcën e saj sugjestionuese dhe emotive, për strukturat e ndërtimit, reflektonte tek këta "banorë të rrënjës" idenë e vazhdimësisë komunikative. Pra duke e patur modelin autentik të krijimit muzikor, si dhe kodin për ta kuptuar atë, s'ngelej gjë tjetër që formula iso polifonike të riprodhohej natyralisht jo më si rezultat i leximit të saj në vertikalitet, por në brendinë horizontale të një zëri të vetëm. Kjo gjë u kushtëzua edhe nga nevoja që “banori i rrënjës” kishte për të t’u ndjerë në një krijim të vetëm muzikor edhe si “marrës” i këngës, edhe si “kthyes” dhe “prerës” e padyshim edhe si pjestar i korrit të “isos”, në kushtet kur ansambli polifonik “mungonte” fizikisht por jo si traditë. Vetëkuptohet që kjo mënyrë e të ndërtuarit të njëzërëshit, sillte brenda tij së pari unitet stilistik së bashku me variacionin aq të domosdoshëm për të kënduarin në një zë. Kështu ne do të gjejmë në trupin melodik të njëzërëshit jugor (lab ose tosk) renditjen horizontale të zërave të iso-polifonisë, stilema melodike të marësit, prerësit apo kthyesit, të lidhura dhe të vendosura njera pranë tjetrës, si prova të “polifonisë së fshehur. “Kjo gjë bëhet aq e prekshme, saqë në strukturat monodike të pjesëve instrumentale (me fyej apo jongar), ndërtimi monodik përpara se të shfaqë strukturën e një monodie të pastër, shfaq përbrenda vetes tretjen brenda një linje, të strulturës së shumëzërëshit IP. Duke u nisur nga elementet dhe duke qëmtuar formulat mund të ristrukturojmë një lëndë që ka qënë iso polifonike qysh në fillim”. Në fakt, ekzistenca e iso-polifonisë në tërësi vlerësohet si veprimtari inteligjente kurse kjo formë e shfaqjes së “iso polifonisë së fshehur”, mendoj se është padyshim një tipar më shumë i origjinalitetit. Theksimi i këtij aspekti lidhet thjesht me faktin se qëmtimi i proçesit gjatë të cilit ndodh rezultati polifonik është me mjaft rëndësi për studimet etnomuzikologjike, pasi siç na rezulton ne, këtë formë ekzistence nuk e hasim në ndonjë vend dhe traditë tjetër polifonike, në Ballkan e më gjerë.
Ixgla:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Fjala ixgla përdoret në të gjitha ato raste kur këngëtari këndon me shumë zbukurime këngën popullore IP. E gjejmë të përhapur në Labëri.
Ja mbush:Shiko fjalën iso.
Ja nis:Sinonim i fjalës marrësi. Enc. Zëri i parë i këngës iso-polifonike jugore. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Librazhd.
Ja thotë:Sinonim i fjalës marrësi. Enc. Zëri i parë i këngës iso-polifonike jugore. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Librazhd.
Jehonë:

f., jeh m. “jehonë”; jehon “kthehet zëri, kumbon, përsëritet zëri. Etim. Sipas Prof. Çabej: është një neologjizëm, marrë nga it.eco,me shqiptim të aspiruar të greqishtes. Te Bashkimi del së pari verbi jehon “echeggiare”. Prej andej u sajua me një anë, me rrugë analogjie, emri jeh m. Më anë tjetër fem. Jehone. Enc. Në një këngë prej Ishmi jehon ka depërtuar dhe në gjuhën popullore. Lit: “Visaret e Kombit-V”, Tiranë etj.

Kajë-a:Klithma që lëshon laraska.
Kakarashkë:Laraska që bën ka-ka. Enc. Fjalë për të treguar këngëtimin e laraskës. E gjejmë të përdorur edhe në folklorin gojor: Moj laraskë kakarashkë/na këtë dhemb te drunjtë,/më jep një të shtrunjtë.
Kangjelë:f.Këngë. Etim. Sipas Çabej: një fjalë dialektore, së cilës prej Shqipërie duket t’I përgjigjet tosk. Jugore me kangjelë “me naze me katikule”. Në shqipen emri kangjelë mund të ketë lidhje me kangj kagj “gjel” që shënon sik (Cirka III 233) për Pukë e Cordignano po për Dardhë të Pukës, fjalë që sigurisht ka të bëjë me kangë këngë, duke qënë gjeli “këngëtori”, khs. Këndes kënduos. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë.
Kasnec:Tellall. Enc. Kasnecët ishin transmetues të njoftimeve të rëndësishme në popull, nëpërmjet të thirrurit me zë të lartë. Ajo ç’ka e bën interesante punën e tyre është fakti se gjatë njofimeve, shpesh herë, teksti që njoftohej për popullin këndohej nga ana e tyre, nën shoqërimin ritimik të daulles, të cilën e mbanin të varur në qafë. Në një lloj vështrimi, kasnecët janë gjysëm muziktarë. Me sa dimë deri më tani, profesionin e kasnecit e gjejme në qytetet e rëndësishme të Shqipërisë, qysh në shek. XV. Në qytetin e Beratit, kasnecët kishin edhe organizimin e tyre esnafor, të barabartë me profesionet e tjera. Në shek. XVI, po në Berat përmenden si shumë të njohur kasnecët Abdylazizi, Ramazan Tellali, Hysen Tellali, Meçja, Jusuf dhe Hysen Dedja. Në botimin e Zef Jubanit “Canti popolari e rapsodie, Trieste 1871, përfshihet edhe kënga popullore për Ibrahim Pashën (shek.XVI) e cila hapet me vargjet: Zani i kasnecavet përpiqet me gjamë/Të fushavet e t’malevet e thërret:/Burrat e dheut gati me u bamë nder arm! Lit: Jubani Z, “Raccolta di canti populari e rapsodie albanesi”, Trieste, 1871, fq. 56-61; Haxhihasani Qemal, “Edhe një herë rreth datimit dh autorësisë së “Zanit të Kasnecëve”, Sturime filologjike,, 1976, nr. 4, fq. 159-165; Duka Ferit, “Berati në kohën osmane, shek. XVI-XVIII”, Tiranë 2001 etj
Këndoj:Term i praktikës muzikore. Enc. Ja pres me tinguj dhe me fjalë (ose jo), një melodie të caktuar.
Këngë:Gjinia më demokratike e folklorit muzikor shqiptar. Enc. Sipas Çabej: në Shqipëri ka këngë për të gjitha moshat, shtresat shoqërore e mjeshtëritë, dhe për të gjitha situatat e jetës, prej lindjes e gjer në var. Në jug të lumit Shkumbin kemi këngët iso- polifonike, në veri të Shkumbinit këngët-kangët homofonike. Në Ciklin e Kreshnikëve të shoqëruar me lahutë kemi: Kangë e gjeta e kangë e kndova,/Vetë u shkjeva e ju u shurdhova,/Si m`kanë thane, se atje nuk jam kanë! Këngët i gjejmë me ose pa shoqërim me vegla muzikore popullore dhe i kemi të ndërfutura që në këngët e djepit e deri tek gjëma. Kënga shquhet për strukturën e thjeshtë të ndërtimit të saj (zakonisht strofë-refren), por dhe për forcën e madhe komunikuese të melodisë së saj. Zakonisht këngët në jug të Shqipërisë zgjatin deri në kufirin e 3 minutave. Në ahengun shkodran gjejmë këngë deri në 5 minuta. Në veri e gjejmë në formën kajkë. Tek arbëreshët e Italisë në formën kangjelë dhe këndimëz. E gjejmë të ndërfutur edhe në letërsinë shqipe. Kemi një sërë veprash, që i referohen Këngës që në titullim si...Kangët e Milosaos, Jeronim de Rada 1836.
Lit: “Kangë popullore shqiptare”, Moskë, 1953; Epika Legjendare, I, Tiranë, 1966, fq. 186, 407; Harapi Tonin, “Kur interpretojmë këngët e popullit”, gaz. “Zëri i popullit”, 1974, 17 janar; Çabej Eqrem, “Studime gjuhësore V”, Prishtinë, 1975; Tole Vasil S, “Muzika dhe Letërsia”, Tiranë, 1997; Çaushi Tefik, “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998 etj.
Këngët e ashikisë:Këngë me origjinë fetare të shiitëve. Enc: Sipas Shehollit: për të përmbushur nevojat shpirtërore e fetare (në kushtet e ndalimit të aplikimit të feve-shënimi ynë), mistikët fetarë filluan ti modifikojnë tekstet e ilahive, duke ju dhënë një karakter të këngëve lirike të dashurisë, të cilat u quajtën më vonë “këngë të ashikisë”. Një grup mjaft i njohur popullor në interpretimin e këtyre këngëve është grupi “Ashikët e Xërxës”, Kosovë. Në thelb, “këngët e ashikisë” konsiderohen si një tjetër formësim artistik i artit mistik fetar. Lit: Sheholli Bahtir, “ILAHI, Ashikët e Xërxës”, Kosovë etj.
Këngët e rusicave:Këngë rituale në grup të cilat këndoheshin në fund të muajit Maj. Enc. Sipas Mitkos: dita në gjysmën e dyzet ditëve pas pashkës së madhe, gjatë së cilës bëheshin ceremonira. I gjejmë të përhapura kryesisht në jug të Shqipërisë. Në veri i konstatojmë me emrin “rrëshajat”. Pavarësisht ndonjë ngjyrimi të krishterë, thelbi i këtyre ritualeve është shumë i lashtë dhe lidhet me varimin e nënës së Diellit. Sipas S. Haxhihasanit: duhet të kemi të bëjmë me rite të lashta , me kultin e të vdekurve, sidomos me flijimin e një hyjnie të bujqësisë e blegtorisë, me ringjalljen si forcë të pjellorisë së tokës dhe gjëse së gjallë. Ja një këngë popullore e rusicave: Rusica, Rusica,/na dërgoi Rusica/për një doçkë miell,/ta bëjmë pogaçe/ta bëjmë kulaçe,/të ftojmë Ristozë,/Ristozi na ndihtë!/Qirie elejson! Të kësaj natyre dhe me një përhapje mbarëkombëtare janë edhe këngët e Llazoreve të cilat festoheshin në mes të Prillit. Lit: Sokoli R, “Kangët rituale në të kremtet vjetoretë popullit tonë”, tek “Studime filologjike”, 4/1964; Tirta Mark, “ Kulte të bujqësisë dhe blegtorisë në popullin tonë”, tek Etnografia shqiptare”, IX/1980; Mitko Thimi, “Vepra”, Tiranë 1981; “Lirika-I”, Tiranë, 1986 etj.
Këngë me grikë:Këngë IP e grave të qytetit të Gjirokatrës. Njihen me këtë emërtim për shkak të mënyrës së këndimit "me grikë". Enc. Sipas B. Krutës: struktura e këngës përmban shumë gorgezhe grykore të ngjashme me stilin e këngëve të "jodel-it". Ky tip ekzistence i të kënduarit IP konsiderohet si ndër më të vjetrit syresh, dhe mbetje e praktikave mijëravjecare të ritualit vajtimor. Lidhur me përhapjen e tyre, kryesisht i hasim në këngët e grave gjirokastrite të lagjeve Dunavat dhe Manalat. Shiko dhe "e qara me bote". Lit: Kruta, Beniamin "Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore", Tiranë, 1991; Tole Vasil S. "Odiseja dhe Sierenat, grishje drejt viseve iso polifonike të Epirit", Tiranë, 2005 etj.
Kënga e Tanës:Baladë popullore që bën fjalë për komunikimin mes njerëzve duke përdorur si mjet komunikimi mesazhin që buron prej tingujve të veglës popullore të fyellit. Enc. Në jug të Shqipërisë e njohim me emrin “kënga e Tanës”, kurse në veri dhe Kosovë me emrin “kajka e çobaneshës”. Përgjithësisht njihet si “këngë barinjsh”. Sipas Haxhihasanit: në qendër të saj qëndron motivi universal i mitit të muzikës, i kultit të saj si art,  por dhe si mesazh i veçantë informacioni. Në këtë kontekst, kjo këngë e cila bën fjalë për përdorimin e muzikës si gjuhë, heq paralele me forcën e harpës së Orfeut, muziktarit të mitologjisë greke. Sipas Prof. Sokolit: edhe më përpara fyelltarët e vjetër të malësive tona mendonin se jonet e fyellit ushtronin ndikim të dobishëm mbi bagëtitë. Sipas Toles: familjarizimi me gjuhën e tingujve të veglave muzikore popullore, si zëdhënës i shpirtit njerëzor në “Balada e Tanës”, është një tejbartje e mesazhit të melodisë me fyell në folklorin gojor, si shembulli më i mirë i ndërthurjes së dy alfabeteve (atij letrar e muzikor), e të komunikimit mes tyre. Lidhur me përhapjen e saj do të thoshim se ka një shtrirje shumë të gjerë gjeografike, dhe se këndimi i saj konstatohet si në iso-polifoni, monodi, por dhe në monodi me shoqërim me vegla popullore. Këtë këngë e hasim në Eube-Greqi, Çamëri, Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Vlorë, Fier, Lushnjë, Berat, Skrapar, Gramsh, Kolonjë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Dibër, Kukës, Kosovë, etj. Në fondet e IKP-së në Tiranë gjenden rreth 70 variantë të kësaj kënge nga e gjithë Shqipëria.

Lit: Sokoli. R, “Vallet dhe muzika e të parëve”, Tiranë, 1971; “Fjalor i mitologjisë”, Tiranë 1987; Haxhihasani Q, “Balada e Tanës dhe disa përkime të saj ballkanike”, tek “Çështje të folklorit”, nr. 4, Tiranë, 1989; “Epika legjendare”. Vëllimi i dytë, Tiranë, 1983; Tole, Vasil S, “Muzika dhe letërsia”, Tiranë, 1997 etj.

Këngë djepi:Këngë popullore me një zë që u këndohen fëmijëve deri në moshën 1-vjeçare. Enc. Këngë e djepit i gjejmë të kënduara vetëm nga gratë, kryesisht nga nënat dhe gjyshet. Ndërtohen me një ambitus brenda oktavës, në ritme dy ose tre pjestuese dhe përgjithësisht në monodi. Në shqiptarët e Maqedonisë njihen edhe me emrin "luli lulat". Në përgjithësi njihen me emrin ninulla. Lit: Sokoli Ramadan, "Kangët e djepit", gaz. "Shqiptarja e re", 1962, nr. 7,8 etj.
Këngëtar:Muziktari popullor që interpreton këngët popullore me zërin e tij. Enc. Kemi disa lloje këngëtarësh. Në veri të lumir Shkumbin do të hasim këngëtarë që këndojnë këngën vetëm, pra pa shoqërim me vegla. Këtë e hasim edhe në jug të Shkumbinit, kryesisht në ninullat, etj. Këtu do të përfshinim edhe këngëtarët e grupeve iso-polifonike të cilët interpetojnë së bashku këngën polifonike si dhe ata të cilët këndojnë së bashku në monodi një linjë të vetme. Më pas, kemi simbiozën muziktar në vegël dhe këngëtar njëkohësisht, siç është rasti i muziktarëve popullore që interpretojnë në lahutë, bakllama, apo çifteli, të cilët luajnë në vegël dhe njëkohësisht këndojnë; kemi këngëtarë të cilët fillimisht luajnë në vegël dhe paskëtaj këndojnë duke shoqëruar veten me vegël (këtu përmendim sazexhinjtë e sazeve të jugut); siç kemi edhe këngëtarë të cilët këndojnë të shoqëruar nga muziktarë të tjerë në vegla. Në popull, këngëtarin e gjejmë zakonisht të krahasuar me "bilbilin", i cili konsoderohet si simboli i të kënduarit bukur. Krahas shumë këngëtarëve të shquar popullorë, si simbol i një muziktari dhe këngëtari të shquar përmendet Muçoja, i oborrit të Ali Pashë Tepelenës. Për herë të parë publikisht rreth Muços, ka folur Kristo Floqi në vitin 1923, i cili gjatë një konferencë mbi muzikën tonë popullore vlerësoi edhe muzikën dhe zërin shumë të bukur të këngëtarit popullor Muços, nga Korça.
Lit: Floqi Kristo, “Këngët e Muços”, tek “Shtypi”, 1923, nr. 14, 21 Shkurt; Gaçe Bardhosh, “Mbi këngët e poetit popullor Selim Hasani nga Brataj i Vlorës”, “Zëri i rinisë”, 18 Korrik, 1979; Panajoti Jorgo, “Raporti midis kolektives dhe individuales në krijimtarinë e një rapsodi popullor-Selim Hasani”, Kultura Popullore 2/1980, fq. 47-61 etj.
Këngë trapeze:Këngë karakteristike qytetare dy zërëshe e qyteteve të Beratit dhe Vlorës. Enc: Sipas Krutës: këto këngë janë praktikuar vazhdimisht nga burrat në gosti të ndryshme familjare. Sami Frashëri thotë se grada e qytetarisë dhe e moralit të një kombi kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.
Lit: Mërkuri Timo, "Kënga kjo mbretëreshë e shpirtit shqiptar", gazeta "Vlora", 11 Shtator, 2006, fq. 13.
Klithmë:Mënyrë e këngëtimit të zogjve dhe shpendëve. Enc. Kryesisht me këtë fjalë populli përcakton "këngëtimin" e qyqeve, kukuvajkave etj.
Korçarçe:Mënyrë e interpretimit të këngës apo melodisë popullore IP me origjinë nga zona apo qyteti i Korçës.
Korça: Qytet më Shqipërinë Juglinore, qendër shumë e rëndësishme e muzikës me saze. Enc. Sipas FESH: Korça shtrihet në pjesën JP të vendit, në rrëzë të malit të Moravës, në lartësinë 869 m. Në gjysmën e dytë të shek XIX u bë një nga qëndrat më të mëdha ekonomike, tregëtare e kulturore të vendit. Në fillim të shek.XX, Korça ishte sipas B.Pelligrinit: një qëndër simpatike, e pasur me vila zotërinjsh të ndërtuara prej guri që zbardhnin nga gelqerja. Qyteti i Korçës është një tjetër qendër e shquar e zhvillimit të sazeve. Muzika popullore IP me saze ishte pjesa më e rëndësishme e kulturës muzikore që kultivohej në qytetin e Korçës. Duke qënë pjesë organike e qytetarit të saj, ajo ndikoi në një mënyrë vendimtare edhe në përballjen e kulturës qytetare të Korçës në përgjithësi me ndikimet e tjera nga jashtë, ndikime të cilat u asimiluan prej kësaj ndërgjegjeje artistike. Formimi në këto vite edhe i "muzikës së bardhë të qytetit" (ajo që sot njihet si serenata korçare), nuk ishte shprehje e dobësimit të kulturës muzikore autoktone. Muzika IP m saze e qytetit të Korçës ishte sa faktor i urbanizimit dhe europianizimit te qytetit, por dhe tendencë për krijimin e një muzike alternative. Vetë fakti që në këtë "muzikë të re" do të gjenden edhe elementët e muzikës se sazeve, është tregues domethënës i zhvillimit pozitiv të kësaj kulture qytetare. Në qytetin e Korçës zhvillohet rregullisht pas viteve 1994, "Festivali Foklklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve".
Kor iso polifonik:Grup iso-polifonik. Enc. Me kor polifonik duhet të kuptojmë grupin e këngëtarëve të cilët së bashku interpretojnë IP shqiptare. Korin polifonik e gjejmë me dy funksione. Me funksion vetëm muzikor në këngët iso-polifonike, por dhe në funksion të valles kur bëhet fjalë për vallet e kënduara labe. Ndër grupet e shquara të iso-polifonisë sonë përmendim grupin e Neço Mukos në vitet '30 të shek. XX; grupin e Demir Zykos-Skrapar, grupin e “Pleqve të Gjirokastrës”, grupin e Pilurit, Bënçës, Vranishtit, Tërbaçit, Vëzhdanishtit, Kosinës, Hormovës, Lapardhasë, Starjes, Ergjëria, Dukatit, “Bilbili”, “Jehonën Labe”, “Çipinit” etj.
Krakuroj:Shiko fjalën krokramë.
Kraja Marie-Paluca

(Zarë e Dalmacisë 24.09.1911 + Tiranë 24.11.1999) - “Artiste e Popullit”-1962. Enc. Në moshën 6 vjeçare familja e saj vendoset në Shkodër. Në vitet 1926-1928 shkon në Vjenë për shkollim dhe në vitet 1928-1934 kreu studimet e larta në konservatorin e Gracit në degën e kantos. Më 1938 kthehet në Shqipëri ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore “O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”. Në vijim japin koncerte në të gjitha qytetet e mëdha shqiptare si Korça, Vlora, Shkodra etj. Në këto koncerte brenda vendit, si dhe në ato jashtë Shqiperisë si në Austri, Itali, Gjermani, Hungari e deri në Kinë, Kore e Vietnam, Marie Kraja këndoi si pjesë të pandarë të repertorit të saj këngën popullore qytetare shqiptare. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”. Për kontributin e saj në fushën e interpretimit muzikor operistik, e në veçanti atë të këngës popullore qytetare shqiptare i është dhënë titulli “Artiste e Popullit” dhe më 1996 ai i “Mjeshtrit të madh të punës”. Krahas Tefta Tashko Koços, Jorgjia Trujës- “Artiste e Popullit” (1909-1994) dhe Gjyzepina Kosturit-”Artiste e Popullit” (1912-1985), Maria Kraja ndihmoi në formimin e shkollës së interpretimit të këngës popullore qytetare nga ana e këngëtarëve lirikë.
Lit: Kraja Marie, “Prej një çerek shekulli këndoj këngët e popullit”, “Kultura popullore”, 1958, nr. 6, fq. 31-39; Gjoka Lola, “Maria Kraja”, gaz. “Drita”, 1962, 18 Mars; Harapi Tonin, “Maria Kraja dhe këngët e saj”, gaz. “Drita”, 1973, 6 maj; Kraja Marie, “Njohja e këngës popullore dhe e interpretimit të saj”, tek “Vatra e Kulturës”, 1/1974; Kalemi Spiro, “Interpretimi i këngës popullore nga Marie Kraja”, “Kultura Popullore”, 2/1986; Gurakuqi Luigj, “Me këngën e popullit”, gaz. “Bashkimi”, 1988, 21 Gusht; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë, 2000 etj.

Krokramë:

Me këtë fjalë nga populli përcaktohet “këngëtimi” i sorrave. Enc. Në Labëri e gjejmë edhe në trajtat “krakërimë” dhe “krakëllimë”. Tek vepra e I. Kadaresë e gjejmë edhe në trajtën “kra-kra” dhe “krokëllitje”. Lit: Kadare Ismail, “Vepra letrare 9”, Tiranë, 1989 etj.

Kthesë:Term i përdorur në muzikën iso-polifonike me vegla dhe atë koreografike. Enc. Me fjalën kthesë përcaktohet pjesa e dytë e kabasë me saze. Me të njëjtin kuptim, e gjejmë edhe për të përcaktuar pjesën e dytë të valles iso-polifonike, pra kalimin nga një mënyrë vallëzimi në një tjetër: E ktheu vallen.
Kujë:E qarë me ulërima. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Jug të Shqipërisë, kryesisht në Labëri. Tek vepra letrare e I. Kadaresë e gjejmë edhe si "kujë pa zë" apo "kujë brenda kujës".
Kukuliç/e-ja:f. Qyqja që kukat, që bën bën ku-ku. Enc. Sipas Sokolit: thonë se qyqja, ky shpend shtegtar i pyjeve, dikur paskësh qënë vashë e urtë shtëpiake. Kjo vajzë u shndërrua në shpend pas fatkeqësisë së vdekjes së dy vëllezërve të saj: O zot më bëj si ç'dëshiroj,/Shpend me krahë të fluturoj,/Male e male të kaptoj,/Qurkun e Kukun të kërkoj. Kjo gojëdhanë është e përhapur në Jug e Veri. Me kukuliçe e gjejmë të përdorur në rrethin e Kukësit. Arbëreshët e Italisë Jugore e quajnë qyqen kukëz. E hasim dhe në formën hukas, për qyqen që bën ku-ku.
Lit: Sokoli Ramadan, "Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare", Tiranë, 2000; Basha Petrit, "Legjenda për qyqen dhe variante të saj", Kultura Popullore, 1-2/2000, fq. 176-195 etj.
Labçe:Shprehje e praktikës muzikore popullore IP. Enc. Labçe do të thotë që krijimi muzikor popullor dhe mënyra e interpretimit të tij i përkasin muzikës popullore IP Labe. Shiko labe iso-polifonia.
Labërisht:Shiko fjalën labçe.
Labe iso-polifonia:Njëra ndarje e IP shqiptare. Enc. Përsa i përket shtrirjes gjeografike të Labërisë, sipas Çabej: me këtë emër quhet ajo pjesë tokë jugperëndimore, kufiri i së cilës fillon te katundi Lazarat në jugë të Gjirokastrës. Kufiri lindor shkon prej Lazaratit për së gjati Malit të Gjerë dhe pjesës jugore të Malit të Picarit gjer në Tepelenë. Kështu vazhdon në perëndim të Vjosës kurse në të djathtë të lumit shtrihet vendi toskë në kuptimin e vërtetë të ngushtë të fjalës. Kufiri zë në veri katundin Mesaplik afër Vlorës dhe vazhdon gjatë një vije ideale që shkon prej Mesaplikut në Kudhësin e afërm; kufirin perëndimor e përbën deti. Në fshatin Armen, fshat në krah të majtë të rrjedhjes së lumit Vjosë, kemi kufirin mes IP myzeqare dhe asaj labe. Zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë janë Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi, Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti, Dukati. Labçe këndohet gjithashtu në Zagorie, Lunxhëri, Malëshovë, Rrëzë e Tepelenës, Dragot, Kras, Izvor, Buz, Mallakastër, zona të cilat mund t'i konsiderojmë si rrethinat të Labërisë. Popullsia labe, nëndahet në "labë kristianë" (Rrëza e Tepelenës, Zagoria, Bregu i detit) dhe në "labë muhamedanë" (blloku qëndror i popullsisë). Në këndvështrimin e sotëm të ndarjes së mirëfilltë administrative, në Labëri bëjnë pjesë rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës. Lidhur me IP labe ekzistojnë mënyra të ndryshme të portretizimit dhe të shpjegimit muzikor të saj. Vetë të kënduarit polifonik nga populli konsiderohet misterioz dhe instiktiv, e në përgjithësi si një dukuri që mbart brenda reflekset e natyrës, zërat e natës e ato të tokës së Labërisë. Sipas Çabej: përshtypja që del prej saj është mall i ashpër dhe shpirt heroik. Ky qëndrim popullor është përmendur edhe më përpara në punime të ndryshme kur thuhet se në këngët e malësorëvet, sidomos në jugë janë ruajtur akoma elemente të jetës baritore, imitim i këmborëve dhe i oshëtimave të natyrës. Po sipas traditës popullore, dikur thuhej se ka ekzistuar edhe një mënyrë e të kënduarit të iso-polifonisë, i kënduari natën, në kohën kur mbushej ujë në pus, apo për punëra të tjera. Për këtë në Labëri mendojnë se nata e kullon këngën, pasi të kënduarit natën dhe kënga e natës nuk ka mision. Rëndom në Labëri thuhet se ka “iso polifoni të thatë”, e cila nënkupton iso polifoninë që këndohet në mal, si dhe “iso polifoninë e detit”. Kjo është vënë re edhe nga Çabej kur thotë se katundet e Vlorës bashkohen me Himarën në këtë që këndojnë më shumë si me të shtyra, me hove, në mënyrë dallgash. Dugati me melodit’ e tija thellëkumbuese, Kurveleshi, Delvina, Gjinokastra, Lunxhëria e të tjera janë po aq qëndra ngjyrash lokale të këngëve labe. Iso-polifoninë e konstatojmë kryesisht tek burrat por edhe tek gratë, si dhe gati në të gjitha llojet e gjinive, duke filluar nga krijimet muzikore-poetiko me ngarkesë mitologjike e rituale, vallet, baladat e këngët historike, lirike, të dashurisë, të kurbetit, vajet, bejtet, etj,. Polifoninë e gjejmë edhe tek veglat muzikore, veçanërisht tek ato që janë polifonike qysh në ndërtim, si p.sh tek culadyjare. Në polifoni është kënduar në dasma, vaje, festa të ndryshme, përpara dhe pas betejave, në natyrë, etj. Së fundi, të gjithë e dinë se kur bëhen bashkë dy lebër nisin dhe këndojnë. Me emërtimet: gjirokastriçe, himariotçe, vlonjatçe etj do të kuptojmë variantet lokale të të kënduarit të IP labe.
Lit: Çabej, Eqrem “Studime gjuhësore-V”, Prishtinë, 1975; Shituni, Spiro “Polifonia labe”, Tiranë, 1989; Kruta, B. “Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë, 1989; Tole, Vasil S. “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, Tiranë, 1999; Tole, Vasil S. “Folklori muzikor –strukturë dhe analizë”, Tiranë, 2000; Dalipi, Haxhi “Monofonia labe, gjurmë e një kulture të lashtë të muzikës popullore vokale”, tek “Vlora në rrjedhat e kohës”, Tiranë, 2001, fq. 357-361; Elezi, Ismet “Kanuni i Labërisë”, Tiranë, 2006, fq. 110, 115, 116 n etj.

Për më tepër shih Koncerti "MONUMENTE TE EPIKES SHQIPTARE", Pjesa 2 - YouTube

Leskoviku:Qytet në Shqipërinë Juglindore. Enc. Sipas FESH: Leskoviku është qytet në VL të Krahinës malore Jugore, rrëzë malit Melesin, në lartësinë 1200 m. Përmendet si qendër banimi që në shek.XV. Sipas zonjës E. Durham, Leskoviku në fillim të shek. XX ishte ...një qendër fare e vogël, e ndërtuar prej guri dhe e vendosur mirë, e ngjashme shumë me një fshat të Uellsit të Veriut, por e pastër dhe e rregullt. Megjithëse gjendet në një zonë të përbashkët etnomuzikore IP me qytete si Korça e Përmeti, muzika popullore IP e Leskovikut formoi dhe nxori pionierët e parë të shquar të muzikës me Saze. Tin` o Leskovik i shkretë,/delni e hapni penxheretë,/se vjen Hajrua vet` i tretë,siell bozuk` e gjemenxhetë. Leskoviku ka qenë qendra kryesore e zhvillimit të sazeve dhe të muzikës me saze për këtë periudhë në gjithë Shqipërinë e Jugut. Përpara sazeve, Leskoviku ka patur njërën prej tajfave më të shquara të Perandorisë si dhe ka nxjerrë shumë emra të shquar në interpretimet e këngës dhe melodisë popullore, ku ndër ta bën pjesë edhe Muçua, kryemuziktari i Ali Pashë Tepelenës, autori i shumë këngëve që sot njihen si popullore. Me fjalën leskoviqarçe do të kuptojmë se kënga, vallja ose melodia është nga Leskoviku dhe interpretohet në mënyrën leskoviqarçe. Shiko zërat Selimi & Hafizeja, Leskoviku Vangjel.
Lit: "Fjalori Enciklopedik Shqiptar", fq. 602, Tiranë, 1985; Durham, Edith "The Burden of the Balkans", Londër, 1905, fq. 217 etj.
Logatje:Gjini muzikore popullore vajtuese. Enc. Logatja zë fill kur interpretuesi popullor merr shkak prej kujtimit të të ndjerit, të cilit i kushtohet logatja (për këtë shërben ndonjë send apo veshje e mbajtur prej tij), e në këtë rast largësia reale prej tij është e tipit "as afër por as larg".
Lotore:Enë për të mbledhur lotët e të vdekurve. Enc. Sipas Konicës: ishte Shtjefën Gjeçovi (vrarë më 14 tetor 1929 nga serbët) i cili e kishte zbuluar lotoren "laxumatorium", gjatë kërkimeve të tij arkeologjike në veri të Shqipërisë. Të vjetrit besonin se të vdekurit qanin të shkuarit e jetës së tyre. Për këtë arsye lotorja vendosej në var së bashku me të vdekurin që ky të kishte ku të mblidhte lotët. Krahas lotores Gjeçovi ka bërë shumë përpjekje për evidentimin e të gjitha monumenteve të kulturës së popullit shqiptar ndër shekuj. Ideja e tij që në ato vite ishte ngritja e një arkivi dhe muzeu me gjetjet arkeologjike. Një ndër gjetjet e tjera të tij në fushën e muzikës ishte edhe këmbana e Krujës e vitit 1462.
Lit:

Adhami, Stilian “Shtjefën Gjeçovi, një ndër pionierët e mbrojtjes dhe gjurmimit të monumenteve”, tek “Monumentet”, 1981, nr. 2; Adhami, Stilian “Shtjefën Gjeçovi, hulumtues i shquar”, tek “Nëndori”, 1981, nr. 1; Konica, Faik “Vepra”, Tiranë, 1993 etj.

Ligje:Fjalë që nënkupton të qarën. Enc. E qara me ligje” është një e qarë IP ndërmjet vajtojcës kryesore dhe korit të të pranishmëve. Sipas Çabej: ligjet përbëjnë një nga pjesët më kryesore dhe më të bukura të poezisë popullore të Shqiptarëvet. Te këta është i gjallë kulti i të vdekurve e i trimave. Me këtë emër gjendet kryesisht në Labëri. Lit: Çabej Eqrem, “Studime gjuhësore-V”, Prishtinë, 1975 etj.
Liqeni Pelode:Liqeni i Butrintit, vendi ku u njoftua vdekja e Panit të madh. Enc. Sipas Plutarkut: në liqenin Pelode, nga një anije u njoftua në drejtim të bregut se Pani i madh kishte vdekur. Sipas Prof. Sokolit: në kultet blegtorale të ilirëve, kjo qënie mitologjike mbahej si mbrojtëse e barinjve, kopeve dhe kullotave. Pani, në kujtim të së dashurës së tij, ndërtoi fyellin me shtatë vrima të quajtur-syrinx.
Lit: PLUT, De defectu oraculorum, XVII; Sokoli, Ramadan “Veglat muzikore të popullit shqiptar” Tiranë, 1991; Zeqo , Moikom “Aspekte të mitologjisë ilire” Tiranë, 1996; Ugolini, Luigi M. “Butrinti” Tiranë, 2000, fq. 80-81 etj.
Marrës:Zëri i parë i këngës IP shqiptare, toske e labe. E gjejmë edhe në folklorin gojor: Do t'ia marr, more, një herë,/Dhe ju të ma mbani,/More shokë, amani! Me këtë përcaktim e hasim edhe si marrës i valles, pra valltari që kryeson vallen. Shih fjalën: shqiptare iso- polifonia.
Lit: Sokoli, Ramadan “Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965; Kruta, Beniamin “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë, 1989; Shituni, Spiro “Polifonia labe”, Tiranë, 1989, Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë 1998; Taso, Pano “ǒu këput një yll”, Tiranë, 2001 etj.
Mbajmë avaz:Shiko fjalën iso.
Mbajmë kaba:Shiko fjalën iso.
Mbajmë zënë:Shiko fjalën iso.
Me të qarë:Term i praktikës muzikore popullore të mbarë Shqipërisë. Enc. Zakonisht shprehja "merrja me të qarë" nënkupton evidentimin e elementit muzikor vajtues në krijimin muzikor i cili do të interpretohet. Dendur me të qarë përdoret gjatë interpretimit të kabave me saze.
Muzika qytetare beratase:Enc. Qyteti i Beratit është i vendosur në luginën e quajtur Topallti, në grykën malore të përshkruar nga lumi i Osumit. Në mes të shek. XIX kishte 1800 shtëpi të banuara nga popullsi muhamedane dhe kristiane si dhe një zhvillim të admirueshëm tregëtar dhe kulturor. Në këngët popullore gjejmë këtë përshkrim të qytetit 2400 vjecar dhe të natyrës rreth tij: Berati plak me nam,/Cupë të vetme ka Kalanë./Tomorri me Shpiragë,/Dy male vëllezër janë,/Me Kalanë hodhën sevdanë./Tomorri kokën tek qielli,/Shpiragu nga fshihet dielli./Kalaja dit e natë qaj,/Osumi lotët e saj. Për shkak të rëndësisë historike që paraqiste qyteti i Beratit në kohën e Perandorisë Otomane, por dhe i veçorive gjeografike të tij, formimi i muzikës qytetare, ndoqi deri diku tjetër rrjedhë nga ajo e qyteteve të tjera të Toskërisë apo dhe të Labërisë. Është nga të vetmet raste që kultura kompakte muzikore iso-polifonike e qyteteve të jugut, u fqinjësua diku në qëndër të saj, me të dhënat e kulturës muzikore monodike perso-arabo-turke. Ndryshimi i muzikës së fshatrave rreth Beratit (që përfaqëson traditën e lashtë muzikore të zonës), me muzikën e qytetit në përgjithësi, është një tregues i ndryshimit të njësisë muzikore të dikurshme që ka patur qyteti i Beratit. Kështu, prej pushtimit turk e deri në fillim të shek. XIX, kultura muzikore e qytetit të Beratit shfaqet si një kulturë monodike, e kultivuar nga tajfat muzikore, ndërkohë që konstatojmë se kultura e re muzikore qytetare iso polifonike, fillon e zhvillohet aty në fillim të shek. XX nga formacioni i sazeve, paralelsiht me muzikën popullore qytetare të Toskërisë. Në regjistrat osmane qysh në shek. XVI, gjejmë të shënuar profesionin e muziktarit orkestrant të Beratit të quajtur me emrin mehter. Nga defteri i hollësishëm i livasë-sanxhakut të Vlorës i vitit 1520, tek ndarja e zejeve shohim se: Hasan Hysejni, Xhafer Hasani, Ferid Hasani, Jusuf Memi, Jusuf Ahmedi Sinan Jusufi, Jusuf Hysejni etj, figurojnë të regjistruar me profesionin e orkestrantit. Më pas, një tjetër të dhënë mbi ekzistencën e formacioneve muzikore interpretuese në Berat e jep Evlia Çelepia (1670), i cili flet me respekt për grupin e muziktarëve që ishte ndër më të mirët krahas tajfës së Korçës, Leskovikut etj. Gjithashtu Çelepia pohon se në Berat kishte me dhjetra vende argëtimi, ku ndër të tjera interpretohej edhe muzika popullore. Në përgjithësi, deri në vitet e para të shek. XX, kultura muzikore e qytetit të Beratit ishte një kulturë muzikore e interpretuar nga tajfat e muziktarëve, muzikë e cila në një pjesë të madhe të saj ishte e sjellë prej komunikimit të përhershëm tregëtar dhe kulturor të qytetit të Beratit me vendet e tjera dhe kryesisht me Turqinë. Si e tillë, ajo ishte një kulturë monodike ( me një zë), gjë që e afronte në tipologji këngën beratase me atë shkodrane, elbasanase, gjakovare etj. Në fillim të shek. XX, ashtu si në të gjitha qytetet kryesore të Toskërisë, filloi në Berat edhe formimi i formacionit origjinal të sazeve popullore shqiptare, apo siç njihet ndryshe formacioni polifonik i sazeve. Sazet e para në Berat i gjejmë qysh në fillim të shek. XX. Lindja e sazeve ishte si një rikthim në traditën iso polifonike të të kënduarit të qytetit të Beratit përpara pushtimit turk. Një formacion i dëgjuar Sazesh ka ekzistuar në Berat në vitin 1915 i drejtuar nga violinisti i shquar Riza Nebati (të cilin populli në një këngë e ka vlerësuar si Paganinin e qytetit të tyre), një tjetër nga Isuf Meko Përmetari e më vonë vëllezërit Qamili të ardhur po nga Përmeti. Po ashtu përmendim edhe Sazet e Usta Halit Beratit me gërnetë (rreth 1910-1920), ato të drejtuara nga Riza Jevi me qemane, e veçanërisht ndihmesën e sazeve të Sybi Sadushit me gërnetë. Është fakt i pamohueshëm që një pjesë e rëndësishme e muziktarëve të shquar popullorë beratas u shpërngulën në qytetet e tjera të Shqipërisë për të interpretuar muzikën popullore. Kjo gjë solli një transferim dhe komunikim të vlerave të krijuara nga njeri qytet në tjetrin. Edhe më parë kishte ndodhur kështu. Fama e ambjenteve muzikore të Beratit bëri që edhe muziktarë të shquar si shkodrani Ismail Dobrunji të vendosej në Berat diku aty në fund të shek. XVIII. Po kështu, në vitin 1825, muziktari popullor nga Berati Marko Krali fut për të parën herë violinën në ahengun e qytetit të Shkodrës. Më 1920, sazet e Naxhi Beratit, Hajri Malokut dhe Qemal Matës vendosen në Tiranë, ndërkohë që Skramët, familja e njohur e muziktarëve beratas, u shpërngul për në Vlorë. Sipas Mehqemesë: në vitet '30 të shek. XX në Berat përmenden 16 muziktarë të shquar popullorë si Selim dhe Luta Pasha, Mehmet Kovaçi, Shefit Hoxha, Shaban Dilo, Rabiona e Rufani Diku, Hysnie e Anife Kovaçi etj. Me shembjen e Perandorisë turke, në Berat gradualisht u rrudh roli i tajfave të muziktarëve, ndërkohë që u popullarizua repertori i këngëve origjinale të sazeve popullore beratase. Duhet theksuar se sot në muzikën popullore qytetare të Beratit do të konstatojmë si gjuhën muzikore-monodike, por dhe atë iso-polifonike, tipar i kahershëm i Beratit të vjetër, rrethinave të tij dhe i muzikës së qyteteve jugore në përgjithësi. Për shkak të pozicionit gjeografik, por dhe të lidhjeve historike, tek sazet e reja të Beratit, u shkri natyrshëm repertori monodik i këngëve (që deri para lindjes së sazeve luhej nga tajfat e muziktarëve) me atë iso-polifonik Beratit të vjetër. Kështu, përveç repertorit tradicional të qytetit, sazet zotëronin edhe numrat më të njohur të muzikës qytetare shqiptare, si të qytetit të Vlorës, Përmetit, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës etj. Sazet e Beratit përbëheshin nga 1 gërnetë, 1 violinë, një ose dy llauta dhe 1 def. Përmes këngëve ne sot njohim emrat e veglave më të përdorura nga sazet dhe formacionet e tjera muzikore popullore të qytetit të Beratit, e bashkë me to edhe emrat e muziktarëve të shquar beratas Ja se si i këndon populli në njerën prej këtyre këngëve: Kush i bie kanunit-e­/Ky Qerimi , nipi i Sulçes-e/Kush i bie qemanes-e /Josifi , i biri i Skrames-e /Kush i bie buzukut-e/Ky Tetemi i Sukut-e. Një punë të madhe në kultivimin e këngëve beratase kanë bërë shumë muziktarë të shquar popullorë të këtij qyteti, instrumentistë e këngëtarë. Ndër ta përmendim Riza Nebatin (violinistin virtuoz pjestar edhe i orkestrës së Isuf Myzyrit), Naxhi Beratin, Hajri Malokun, familjen e muziktarëve popullorë Mata, Kadri Fuga (Berat 1887- Berat  1953), Jorgji Bendi (Berat 1861- Berat 1914), Sulejman Naibin, Hamit Vokopolën etj. Me emrin e muziktarit popullor Shyqyri Fuga (Berat 1883- Berat  1962), njihen këngët “Mora mandolinën”, “Në fushë të Uznovës”, etj; me emrin e Sulejman Naibit në popull njihen këngët: “Jelekun kadife veshur” , “Kështu e kështu më thanë”, “Aman , o im atë”; me emrin e Qerim Fugës njihen këngët: “Mblodhëm një tufë lule”, “Shaja me shami të kuqe”, “Ma gëzofsh shaminë jeshile”, “Ditën e xhuma po bëhesh xhuluzi” etj. Ndër këngëtarët e shquara të muzikës popullore qytetare beratase pas vitive 1950 përmendim: Virgjini Milen, Dhimitër Dushin, Floresha Debinjën etj. Ndër sazet me aktivitet pas viteve 1990, përmendim edhe ato të vëllezërve Hoxha nga Lapardhaja e Beratit. Aktualisht kënga popullore qytetare beratase është e përhapur dhe e pëlqyer në Shqipërinë e Jugut, në atë të Veriut e ca më tepër në Shqipërinë e Mesme dhe në Kosovë. Shiko dhe familja e muziktarëve popullore-Mata, Berat: Lit: Xhihani Meliha, “Tradita, krijimtaria dhe zhvillimi i muzikës në qytetin e Beratit”, Disertacion, 1976, Biblioteka e Akademisë së Arteve; Mehqemeja Agim, “Hapësirat e këngës popullore beratase”, gaz. “Kushtrimi”, 1988, 20 Prill; Mehqemeja Agim, “Këngë e Beratit”, Berat, 2000; Duka Ferit, “Berati në kohën osmane, shek. XVI-XVIII”, Tiranë, 2001 etj.
Nina-nana:"Nina-nanat" janë këngët popullore që u këndohen fëmijëve në djep. Enc. Këto këngë këndohen kryesisht nga nënat ose gjyshet. Ndërtohen zakonisht në ritme dy dhe tre pjestuese për shkak të melodikës së thjeshtë që mbartin kjo e kushtëzuar nga lëvizja ritimike e djepit. Në jug ndërtohen mbi shkallët pentatonike ndërsa në veri të Shqipërisë mbi modet diatonike. Në pikëpamje të formës ndërtohen mbi një fjali që përsëritet më pas me variacione. Shiko fjalën këngë djepi.
Ninulla:Këngë djepi. Enc. Me këtë emër e gjejmë pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Në ninullat konstatohet edhe iso polifonia e fshehur. Shih fjalët këngë djepi dhe nina-nana.
Oi-oi:Pasthirrmë. Enc. E gjejmë të përdorur rëndom në të gjithë këngëtimin e vajit shqiptar. Në trajtën "oirat" e gjejmë si titull të përdorur nga kompozitori Aleksandër Peçi në operën e tij, me të njëjtën emër.
Ojna:Zbukurime gjatë vijës melodike të këngës apo melodisë popullore me vegël.
Parambote:Shiko fjalën bejte.
Përmeti:Qytet në Shqipërinë Juglindore. Enc. Përmëndet me këtë emër qysh në shek.XV. Deri në gjysmën e shek.XIX qyteti u zhvillua gradualisht. Përmeti, ashtu si dhe qyteti i Leskovikut, klasifikohet ndër qytetet më të rëndësishme përsa i përket formimit të muzikës popullore qytetare jugore me anë të veprimtarisë dhe ndihmesës së sazeve. Tek FESH kemi: Qytet në bregun e majtë të luginës së Vjosës, rrëzë malit të Dhëmbelit… gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bë një qendër e rëndësishme kulturore e patriotike. Të lidhur ngushtë në pikpamje gjeografike me Leskovikun, mes tyre u ngjiz edhe një nga bashkëpunimet më frytdhënëse përsa i përket kristalizimit dhe formimit të portretit të sazeve. Arsyet dhe shkaqet që deri dje i shikonin këto dy qytete dhe sazet e tyre të ndarë nga njeri tjetri, duket se sot ja kanë lënë vendin gjykimeve më të ftohta dhe fakteve kokëfortë mbi unitetin e njësisë etnokulturore dhe kompaktësisë që muzika popullore e tyre ka provuar prej dhjetra vjeçarëve. Ndër sazexhinjtë më të shquar janë ata të përqëndruar fillimisht pranë sazeve të Usta Medi Përmetit (rreth 1910-1930), ato të Vangjel Leskovikut (rreth 1930-1940) dhe të Usta Laver Bariut (1944-1995). Prej rrethit të Përmetit janë me origjinë ose kanë lindur disa nga figurat më në zë të kulturës dhe artit shqiptar në përgjithësi. Ndër ta përmendim vëllezërit Frashëri, Elena Gjikën (Dora D’istria), Odhise Paskalin, Mentor Xhemalin, Bardhyl London etj.
Lit: Adhami, Stilian, "Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe kujtimet e popullit", Tiranë, 2001.
Piskamë:Këngëtim në formë thirrje. Enc. Piskama karakterizohet nga një zë shumë i lartë.
Piskë:Shiko fjalën piskamë.
Pleqërishte këngë:Term i praktikës muzikore popullore. Këngë popullore e kënduar nga pleqtë. Enc. Në përgjithësi ky tip kënge shfaqet me një ritëm shumë të ngadaltë në interpretim. Si këngë pleqërishte njihen ato të kënduara nga grupi iso polifonik i Gjirokastrës. Ne poezinë e Lasgush Poradecit "Kënga pleqërishte" ndër të tjera thuhet: Ja nis me zë të shtruar' ja merr me dal-nga-dal',/Ja thua me të dhemmshur'. ja thua me të qarë',/Ja dredh e përvëluar' ja zjen' e ja heq zvarrë';
"Pleqtë e Gjirokastrës":Grup popullor iso polifonik më i shquar i qytetit muze të Gjirokastrës i viteve 1940-1980. Enc. Ky grup njihet ndryshe me emrin “Grupi i pleqve të Gjirokastrës”. Grupi përbëhej nga Xhevat Avdalli (1910-1992)-marrës, Nustret Çarcani, Javer Erindi (1915) dhe Tolo Njocko (1914-) –kthyesa, Skënder Tushe (1`917-)-hedhës, si dhe iso e përbërë nga Jonuz Shehu, Demo Çenko, Haseni Kore, Beadin Dobi, Kamber Dudumi, Seit Rondo, Reuf Jaupi (1923) Vehip Çarcani dhe Braho Çoçoli. U shqua për një repertor shumë të gjerë të këngëve polifonike nga të gjitha trevat e Labërisë. Në mënyrë të veçantë skalitën këngën iso polifonike qytetare të dasmës dhe atë që njihet si “pleqërishte”. Ndër këngët e njohura të tyre janë “Ç’u mbush mali”, “Birbilenjtë trembëdhjetë”, “Kurvelesh e Gegëri” etj. Si grup kanë marrë pjesë në shumë aktivitete të rëndësishmë kombëtare duke përfshirë edhe F.F.K. Kanë kënduar drejtpërsëdrejti në valët e Radio-Gjirokastrës nga vitet ’50 deri në fund të viteve ‘70 të shek. XX.. Në ndonjë rast kanë kënduar të shoqëruar edhe nga formacioni i sazeve. Fama e tyre është përjetuar edhe në thënien e mëposhtme: T`ja merrte Xhevat Avdalli, t`ja kthente Nustret Çarçani e t`ja hidhte Xhipe Mezini, s`kishte më këngë në Gjirokastër. Xhevat Avdalli mbahet mënd se këndonte edhe këngë popullore të cilave ja merrte dhe ja kthente po vetë. Regjistrimet muzikore të tyre gjenden pranë Radio-Tiranës dhe Radio-Gjirokastrës. Në rubrikën EJ (Erotike Jugu) të fonotekës së Radio-Tiranës gjenden edhe këto këngë IPL të regjistruara prej grupit të Pleqve të Gjirokastrës:viti 1956, nr. 14-”Një ditë nga mali dola”; viti 1956, nr. 16-”Ç’u mbush mali plot me rrush”; viti 1957, nr. 17-”Ç’u ngreç që me natë”.viti 1957, nr. 18-”Mun te sheshi mun te molla”; viti 1959, nr. 30/2-”Thëllënzë bigë më bigë”; viti 1962, nr. 33-”Dola një ditë nga mali”.viti 1966, nr. 87-”Kur dola në lëmë”; viti 1966, nr. 87/1-”Në moshën 27 vjeç”; viti 1966, nr. 91-”Hiqe vallen shtruar-o”. Një tjetër grup i dëgjuar iso polifonik nga Gjirokastra, përmendet edhe ai i familjes Daci nga lagja Manalat, grupi iso-polifonik i lagjes Cfakë nga familja Bixhakaj etj. Në një foto të vitit 1938, është grupi iso polifonik i lagjes Cfakë i veshur me rroba popullore, i përbërë nga Mujo Bebeci, Kamber Kasi, Kamber Shehu, Mufit Lanko, Avduall Erindi, Fejzo Kasi, Mufit Sinani, Selfo Bajo, Jonuz Kasi, Muharrem Lekloti dhe Fail Demo.

Lit: Dino Thanas, “Përcjellje për Xhevat Avdallin”, Zëri i Popullit, 1992, nr. 306, dt. 19 Dhjetor; Vasil S. Tole, “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, Vol. I, Tiranë, 1999; Naxhi Kasoruho, “Gjirokastra e festivaleve”, Tiranë 2000; Gazeta “Gjirokastra”, nr 10, Shtator, 2000; Dino Thanas, “Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu”,Tiranë, 2004 etj.

Pingron:fint. Këndoj me sokëllimë.
Piskas:fint. Bërtas, thërras, sokëllij.
Piskëlloj:Piskas, bërtas. Enc. Formë që e hasim në lidhje me të kënduarin e ashpër dhe të fortë. Në këtë formë përdoret edhe në Kosovë.
Polifonike këngë:Gjinia dhe forma kryesore muzikore e muzikës iso polifonike vokale në Toskëri dhe Labëri. Enc. Në rast se në Toskëri kemi vetëm këngë iso polifonike dy zërëshe dhe tre zërëshe, iso-polifonia labe ekziston në tre lloje kryesore: me dy zëra ose dyzërëshe, me tre zëra ose trezërëshe, me katër zëra ose katërzërëshe. Në këtë vështrim, iso-polifonia jonë duket se e ka zgjidhur drejt sa unitetin e zërave e po aq diversitetin, pa të cilin është shumë e vështirë të krijohen zëra të individualizuar. Tek Lasgush Poradeci gjejmë përshkrimin letrar të një kënge iso-polifonike në rapsodinë poetike "Bjenë telat": Dh'athere....nene mal.... Nisi kenga me - nga-dal...; Nisi keng' e shenjteruar, E ja mori me te shtruar....; E ja drodhi me te qare... E ja zjeu...ja hoqi zvare...; E pastaj si me s'u ndje, Zu te ngrihet qe perdhe Gjith me nge...e gjith me nge...; E pastaj filloi te rritet... E te ngjitet...e te ngjitet.. Me me sulm.. e me me jete.. Me perpjete...e me perpjete... Dhe' aq deshire - e aq gas, Aq mall leshovi pas, Aq me ze te parpalitur Pat kenduar dyke ngjitur, Sa....qe lart kur fluturoj, Heshti pak edhe renkoj Dh'u keput posi perroj.. Pa prej kulmit qielluar Ra perposh me t'uleruar, Posi bresher i thermuar... Posi lot i perveluar...
Lit: Shituni S, “Polifonia labe”, Tiranë, 1991; Kruta B “Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë, 1991; Çaushi Tefik, “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998; Tole Vasil S. “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, SHBLU, 1999 etj.
Polipentatoni:Fjalë që nënkupton ekzistencën e disa shkallëve muzikore pentatonike brenda një krijimi muzikor popullor iso-polifonik. Enc. Rëndom polipentatonitë i hasim në këngët iso-polifonike tre dhe katër zërëshe, si në IPT, e në mënyrë të veçantë në IPL. Mjaft tipike janë polipentatonitë vertikale të zileve të bagëtive në jug të Shqipërisë. Gjithashtu e hasim edhe në horizontalitet, brenda një linje melodike.
Polipentatonitë e ngrira:Mbivendosje e disa shkallëve të ndryshme pentatonike tek zilet dhe këmborët e bagëtive në zonën iso-polifonike. Enc. Kemi të bëjmë me dukurinë e "polipentatonive të ngrira" në të gjitha ato raste kur mbivendosen vertikalisht (në formë të ngurtësuar në pikëpamje melodike), shkallë të ndryshme pentatonike. Në këtë formë e gjejmë të përdorur tek zilet dhe këmborët. Duke qenë se polipentatonitë tek to, nuk vijnë si rezultat i zhvillimit dhe mbivendosjes së zërave iso polifonikë të pavaruar, (por vetëm i ngurtësimit në trupat e zileve dhe të këmborëve i tingujve të shkallëve pentatonike), i quajmë thjesht "polipentatoni të ngrira". Nën ison e vazhdueshme të "polipentatonive të ngrira", bariu shqiptar interpreton me fyellin apo dyjaren e tij, repertorin tradicional iso polifonik të këtyre veglave baritore.
Lit: Tole Vasil S, "Strukturë dhe analizë", SHBLU, 2000.
Postenançe:Mënyrë interpretimi që nënkupton se pjesa muzikore IP është nga fshati i Postenanit-Leksovik. Enc. Në këtë rast bëhet fjalë për vallen shumë të njohur me emrin "postenançe" të interpretuar mjeshtërisht nga sazet e Jugut.
Prejetësi:Shih fjalën prerësi. Enc. Më këtë emër e gjejmë të përdorur në Shpat të Elbasanit.
Prerës:Zëri i dytë në këngën iso-polifonike shqiptare. Shih fjalën: shqiptare iso polifonia.
Qan me lot Grabofçi:Shprehje që nënkupton “qarjen me lot krokodili”. Enc. Grabofçi është qënie e mitologjisë shqiptare. Sipas “Fjalorit të mitologjisë”: përfytyrohej si një gjarpër i madh me dy kokë, ku zbulonte vetëm njërën dhe me tjetrën qante sikur ishte i dëshpëruar për të afruar njërëzit dhe për ti ngrënë. Njihet si një qënie mitologjike që vazhdimisht qan me zë. Lit: “Fjalor i mitologjisë”, Tiranë, 1987 etj.
E qarë:

Gjini muzikore dhe mënyrë e veçantë e interpretimit muzikor popullor IP. Enc. “E qara” vjen prej këngëtimit të vajtojcave shqiptare. Prej strukturimit të së qarës, ka lindur edhe vetë iso polifonia. Sipas Eqrem Bej Vlorës: “Mos të qafshin” është një mallkim i rëndë, ndërkohë që “Më qafsh!” përdoret shpesh si lutje. E qara, është përgjithësuar në përdorim në folklorin tonë muzikor, për shkak të materialeve muzikore që citojnë elementë tematike të së “Qarës”, si p.sh tek kabatë iso polifonike me saze. Të “Qarën” e hasim edhe si gjini muzikore popullore”. “E qara” luhet me: tambura, llahutë, fyell, gërnetë, bakllama dhe buzuk. E gjejmë të përdorur edhe në formën “e qarë me bot”-Gjirokastër apo “ e qarë me vome”-Malëshovë, Përmet. Shiko e qara me bote. Lit: Vlora Eqrem, “Nga Berati në Tomorr”, Tiranë, 2003, fq. 83 etj.

“Qyteti i vajtimit”:Epitet për qytetin e Gjirokastrës nga udhëtari i njohur turk Evlija Çelebia. Enc. Në udhëpërshkrimet e tij të viteve 1660-1664 shkruante se gjirokastritët kanë edhe një zakon tjetër të çuditshëm: vajtojnë njerëzit qi kanë vdekë deri shtatë a tetëdhjetë vjet përpara. Çdo të Diellë gjith far' e fisi i të vdekunit mblidhen në një shtëpi dhe bajnë përshpirtje për të ndjerin tue mbledhë vajtuese me pagesë të cilat qajnë e vajtojnë me dhimje të madhe, me za të naltë e të mallëngjyeshëm tue derdhë lot si rrëke. Në këtë ditë në qytet nuk mund të qëndrojë njeriu nga poterja e zhurma e vajtueseve. Unë e pagëzova Gjirokastrën "qyteti i vajtimit".
Lit: Evlija Çelebi "Shqipnija para dy shekujsh", përkthyer nga Sali Vuçiterni, Tiranë, 1930; Dino, Thanas "Xhevat Avdalli dhe Laver Baritu", Tiranë, 2004 etj.
“Rinjve grupi”:Grup më i shquar iso-polifonik i qytetit muze të Gjirokastrës, "Pasuri kulturore e njerëzimit mbrojtur nga Unesko", i krijuar në vitet 1980. Enc. Grupi përbëhet nga Arjan Shehu-marrës, Perlat Meli-kthyes, Mehmet Vishe-hedhës dhe iso nga Adriatik Cenko, Kastriot Vishe, Jani Hasko, Bajo Koli, Latif Koli, Fitim Cenko. Është vazhdues i traditës së të kënduarit IP të "Grupit të Pleqve" dhe veçanërisht i këngëve IP qytetare tradicionale. Kanë një aktivitet të dendur koncertal si brenda ashtu edhe jashtë vendit si në Francë, Greqi etj. Fitues i çmimit për "Këngën popullore qytetare" në FFK-Gjirokastër 2000 dhe 2004. Kanë realizuar disa kaseta, CD dhe filma dokumentarë muzikorë me këngët iso-polifonike të qytetit të Gjirokastrës dhe më gjerë. Sot mban emrin "Ergjëria".
Sokëllij:Bërtas me zë të lartë. Enc. Akti i sokëllimës është në prag të kalimit të kënduarit me zë të shumë të lartë. Ç`jan` ata që shkojnë zallit?/Trimat e Rrapo Hekalit!/Sokëllin Rrapo Hekali,/Sokëllin sa tundet mali!.
Lit: "Epika Historike-2", Tiranë, 1981, fq. 100.
Sulollari, Ilmi(Pogradec 12.06.1935). Këngëtar i njohur i muzikës popullore IP të qytetit të Pogradecit. Enc. Fillon aktivizimin si këngëtar në vitin 1947, dhe më 1949 spikat interpretimi i këngës popullore prej tij në shfaqjen artistike të “Dasmës pogradecare” ku ai interpretoi një shumicë këngësh lirike dasme. Përveç këngëve si solist, ai së bashku me këngëtaren Roza Dhami krijuan një çift këngëtarësh që shumë shpejt u bënë të njohur në Pogradec por edhe më gjerë. Ndër interpretimet e tyre përmendim “Këngën e çobanit”, “Vajza e Bishnicës”, “Vallja mokrare”, “Malli ç'na ka marrë” etj. Ka marrë pjesë në aktivitet vendore dhe ato kombëtare si në F.F.K por edhe jashtë vendit si në festivalin ballkanik të Ohrit, në Maqedoni Regjistrimet e tij muzikore janë bërë kryesisht pranë Radio-Tiranës nën shoqërimin e sazeve te mjeshtrit te gërnetes IP pogradecare, Usta Jashar Nazifi.
Shqiptare iso-polifonia:Klasifikim dhe përcaktim etnomuzikologjik për muzikën IP nga lumi Shkumbin e në jug. Enc. Iso-polifonia shqiptare është realisht një ndër vlerat më të spikatura të folklorit muzikor shqiptar por dhe të trashëgimisë kulturore folklorike botërore në përgjithësi. Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit. Në Toskëri shumëzërëshin e gjejmë me këtë organizim strukturor: Zëri I -”ia hedh”-hedhësi ose marrësi, Zëri II –”ia pret”-pritësi, Zëri III-”mbajnë zënë” -iso, në grup. Në Labëri: (tre zërëshi) Zëri I-”ia merr”-marrësi, Zëri II-”ia kthen”-kthyesi, Zëri III-”ia mbush”-mbushësat-iso, në grup. (katër zërëshi) Zëri I-”ia merr”-marrësi , Zëri II-”ia kthen”-kthyesi , Zëri III-”ia hedh”-hedhësi , Zëri IV-”ia mbush”-mbushësat-iso, në grup. Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat e mësipërme të cilar shprehin në thelb strukturën e iso-polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit.
Lit: Sokoli Ramadan, “Folklori Muzikor-Morfologjia”, Tiranë, 1965; Shituni Spiro, “Polifonia labe”, Tiranë, 1989; Kruta Beniamin, “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë jugore”, Tiranë, 1989; Tole Vasil S; “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, Tiranë, 1999 etj. Për më tepër shih Vasil S. Tole, "Polifonia me iso dhe një zërëshi" - YouTube
Shprehje, proverba dhe fjalë të urta me përdorim të muzikës popullore:Shprehjet, fjalët e urta dhe proverbat kanë një funksion shumë të theksuar komunikativ. Sipas Panajoti & Xhangolli: proverbat janë në thelb gjykime e vlerësime të mirëfillta situatash e shfaqjesh nga më të ndryshmet të jetës materiale e shpirtërore. Në këtë kontekst, vendi që zënë në to elementët e muzikës popullore shqiptare, janë tregues i qartë i popullaritetit të muzikës popullore si dhe i qartësisë së kuptimit që fiton proverbi duke përdorur pikërisht elementë nga muzika popullore. Nisur nga kjo, shprehjet, fjalët e urta dhe proverbat popullore me përdorim të muzikës popullore i gjejmë të përhapura dhe të përdorura në gjithë hapësirën etnokulturore të shqiptarëve.
Lit: “Gjurmime albanologjike”, 1/1971, Prishtinë, 1971; “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, Tiranë, 1983; Bellusci, Antonio “Dizionario fraseologico degli albanesi d`Italia e di Grecia”, Italy, 1989; Panajoti, Jorgo “Funksioni komunikativ i fjalëve të urta”, tek “Kultura Popullore”, 1/1991; Tole. Vasil S, “Muzika dhe letërsia”, Tiranë, 1997 etj.
Tashko, Tefta:(Fajum-Egjipt 02.11.1910 - Tiranë 30.12.1947). Këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare dhe asaj me origjinë iso polifonike. Enc. Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjypt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 Qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në Shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Monpelje-Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë labe-Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 Nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris-Francë dhe Milano-Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali të cilët përfaqësonin qarqet e Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore IP të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lagush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe (Truja) dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37 vjeçare. Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942:”Un' o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur' i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er' e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”. Lit: Zëri i Korçës, 07. 06. 1927; Zëri i Korcës, 11.06.1927; Floqi, Kristo, Diana, 24.12.1935; Zavalani, Tajar Shtypi, 27.02.1938; S.S, Drita, 17.02. 1938; Krantja, Mustafa “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, “Drita”, 1961, 31 Dhjetor; Naçe, P “Tefta Tashko Koço”, “Ylli”, 1963, nr. 12; Kono, Kristo “Me dashurinë për atdheun dhe këngët e popullit”, “Drita”, 1976, 25 korrik; Mio, Sokrat “Bilbili i këngës shqiptare”, Përpara, 1977, 21 dhjetor; Filja, Hysen “Tefta Tashko Koço”, Tiranë, 1980; Frashëri, Thoma “Interpretuese e shquar e këngës popullore”, Drita, 1982, 26 dhjetor; Koço, Eno “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë, 2000; Zaja, Sami C “Heti njeri i urtë i Shkodrës” Shkodër, 2000, Stringa, Hamide “Një jetë mbi tastierë”, Tiranë, 2002 etj.
Tetratoni:Shkallë muzikore me katër tinguj me anë të së cilës organizohen meloditë në folklorin muzikor të Shqipërisë së Jugut. Etim: nga greqishtja tetra=katër tone. Enc: Katër tinguj nga seria të mbivendosur në tre kuinta do të jepnin tetratoninë. Intervali karakteristik për tetratoninë është seksta. Në rastet kur në shkallën tetratonike mungon ndonjë notë e saj, tetratoni quhet tetraton i gjymtë. Kur flasim për mungesë note, nuk nënkuptojmë kurrësesi notat që përbëjnë sekstën (6) e cila përcakton edhe shkallën tetratonike.
Lit: Kruta, Beniamin “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë,, 1989; Tole, Vasil.S “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, SHBLU, 1999; Tole, Vasil. S “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë”, SHBLU, 2000.
Toske:Shprehje e praktikës muzikore popullore IP. Enc. Toske do të thotë që krijimi muzikor popullor dhe mënyra e interpretimit të tij janë nga zona iso polifonike toske. Shiko më poshtë zërin: toske iso polifonia.
Toske iso-polifonia:Njëra ndarje e iso-polifonisë shqiptare. Enc. Për IPT do të theksonim se ajo këndohet nga krahu i djathtë i lumit Vjosa e deri në Shkumbin. Muzika iso-polifonike e Përmetit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Devollit, Mokrës, Oparit, Skraparit, Shpatit, Myzeqesë, Librazhdit, Gramshit, Beratit na paraqiten pak a shumë si një temë me variacione, ku tema është tipi tosk i polifonisë. IPT e gjejmë edhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në të quajturën “Maqedoni toske”, ku futen shqiptarët që banojnë në pjesën lindore të liqenit të Prespës, në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit dhe në anën e majtë të Drinit të Zi në rrethinën e Strugës të cilët këndojnë me një, dy dhe tre zëra. Konkretisht në fshatrat Frëngovë, Ladorisht (Radonisht), Kolisht, Zagrajani, fshatra të cilët janë në drejtim të Mokrës së sipërme; në fshatrat e Prespës-Kranjë, Arvat, Gërncan, Belloceika e Poshtme, Belloceika e Sipërme, Nakolec, Lubojna, Asamati që shtrihen në zonën gjeografike në kufi me Shqipërinë dhe Greqinë dhe që njihen në popull për këtë fakt edhe me emrin “treshi”; si dhe në rrethinat e Manastirit (Bitolës) si në fshatin Kishof etj. Ashtu si dhe në IPL, iso-polifoninë toske e konstatojmë si tek burrat ashtu edhe tek gratë dhe gati në të gjitha llojet e gjinive, duke filluar nga krijimet poetike me ngarkesë mitologjike e rituale, vallet, baladat e këngët historike, lirike, të dashurisë, të kurbetit, vajet, bejtet, etj,. Iso-polifonia është kënduar në ç’do vend dhe rast, gëzim apo fatkeqësi. Sipas Çabej: melodinë toske të vërtetë më vjen t’a përshkruaj më mirë me dy atributet elegjiake dhe ekspansive. Përsa i përket iso polifonisë me vegla në iso-polifoninë toske, do të theksonim se ekzistojnë një sërë formacionesh popullore me vegla tradicionale që luajnë në polifoni. Me emërtimet: përmetarçe, kolonjarçe, devolliçe, myzeqarçe, etj do të kuptojmë variantet lokale të të kënduarit të IPT. Tipi tosk i iso-polifonisë konstatohet edhe për Çamërinë. Shiko dhe çame iso-polifonia.
Lit: Kruta. Beniamin, "Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë Jugore", Tiranë, 1991; Tole. Vasil S, "Folklori muzikor-Polifonia shqiptare", Tiranë, 1999 etj.
Tre vetçe Dukatçe:Një formë e veçantë e të kënduarit të iso-polifonisë labe. Enc. Kjo konstatohet vetëm në fshatin Dukat të rrethit të Vlorës dhe ka lidhje rënjësore me ritualin mijëravjecar të vajtimit të të vdekurve. Quhet ndryshe edhe i kënduar "kukë më kukë".
Tritonia:Shkallë muzikore me tre tinguj me anë të së cilës organizohen dhe ndërtohen meloditë në folklorin muzikor të Shqipërisë Jugore. Etim: nga greqishtja tri=tre tone. Enci: Tre tinguj nga seria të mbivendosura në dy kuinta do të jepnin tritoninë. Intervali karakteristik për tritoninë është sekonda +. Në rastet kur në shkallën tritonike mungon ndonjë notë e saj, tritoni quhet triton i gjymtë. Kur flasim për mungesë note, nuk nënkuptojmë kurrësesi notat që përbëjnë nonën (9) e cila përcakton edhe shkallën tritonike.Llojet e tritoneve: I c-d-g 1 2 5; II d-g-c 2 5 1; III g-c-d 5 1 2.
Lit: Kruta, Beniamin, "Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore", Tiranë, 1989; Tole, Vasil. S "Folklori muzikor-polifonia shqiptare", SHBLU, 1999 etj.
Thirrci:Ai që të thërret, që të fton në dasëm.
Ulërij:as, ime: f. Etim: Sipas Çabej fjalë e mbarë gjuhës, me variante të ndryshme nëpër dialekte. G.Meyeri 457 e jep me trajtat ulëras, ulërinj, uluri, ulëris, në Greqi alurinj, në Siqeli lurinj. geg. Enc. Prof. Çabej thotë se po një fjalë e këtij lloji, e me një pasuri variantesh të ndryshme për nga fundori, mund të jetë dhe një formim onomatopeik i fjalorit vendës të gjuhës, mbase ndikuar dhe nga lat. Ululare ose nga it.urlare, pra një fjalë me etimologji dyfishe. Zakonisht ulërimën si karakteristikë zanore e hasim tek gjama e burrave në veri. Pikërisht, momenti i çjerrjes së faqeve dhe i goditjeve të gjoksit, shoqërohet me ulërima.
Lit: Puscariu EW 1833 e te Weigrndi 95, sh. dhe Meyer- Lubken Zr XXII 8., Densusianun I 125 etj.
Ushton:Fjalë që përshkruan efektin akustik të një dukurie natyrore. Etim: Fjala me të gjitha format gjan të jetë një formim onomatopeik. Sipas G.Meyerit: ushtonj, oshëtimë për oshëtimën e ujit. Sipas Joklit: ushton përfshihet bashkë me uturij e me ushqej, në ato folje të shqipes që paraqesin një u(v) me karakter bilabial, pra një u-të dalë prej një u-je, po pa u shprehur më tej për etimologjinë e fjalës. Enc. Sipas Çabej: nga dy variantet kryesore të kësaj, ajo me u- është kryesisht e gegërishtes, ajo me o- e toskërishtes. Kësaj së dytës i përket edhe oshëtit "oshëtin" që ka S. Frashëri në Abetaren e tij I 13 me përdorim për gjëmimin e maleve dhe N. Frasheri në Bag. e Bujq. 8. Kemi gjithashtu ushtinj në veprën e Skiroit për gjëmimin e stuhisë.
Usta:Term i praktikës muzikore popullore. Etim. Nga persishtja ostad. Enc. Fjala usta në muzikën popullore, ashtu si dhe në fusha të tjera përdoret për të thirrur mjeshtrin e interpretimit në veglën muzikore popullore. Me këtë fjalë janë thirrur Usta Isuf Myzyri i Elbasanit, Usta Laveri i sazeve të Përmetit, Usta Selim Leksoviku, Usta Medi Përmeti etj. Në Malësinë e Madhe në vend të fjalës usta, gjejmë të përdorur fjalën prekatar.
Vaj:Të qarët e një të vdekuri me ligje, të qarët përgjithësisht vajtoj, vajtim. Etim. G.Meyeri: fjalë me burim onomatopeik, duke dalë emri prej pasthirrmës. Sipas Çabej: formim i vaj-it me sufiksin e agjentit -tor fem. -tore është vajtore “grua që i bën vajnë një të vdekuri”; në Veri edhe vajtojcë një postverbal i vajtoj me -ce-në e atij dialekti. Enc. Një nga vajtimet më të vjetra shqiptare përmendet ai i rapsodisë kreshnike me lahutë “Ajkuna qan Omerin”. Lidhur me vajtimin shqiptar, si dëshmia e parë e shkruar vlerësohet vajtimi i Lekë Dukagjinit për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Këtë e jep Marlin Barleti në veprën e tij “Histori e Skënderbeut” (1508-1510). Sipas Çabej: Fjalë e mbarë gjuhës, Buzuku (p.sh. XXXVIII/2, Mateu 8, 12) e aty klenë vaj e sokëllimë n dhambësh “ibi erit fletus et stridor dentium”. BUDI (SC 384) me të nadh e t idhunë vaj. Më pas për vajtimin shqiptar sjell të dhëna Demetrio Franko më 1584, “Rituali Roman” i Budit më 1621, Frang Bardhi në një relacion të vitit 1641, Evla Çelebia më 1660-1664, Viçenso Dorsa më 1847, Johan Georg von Hahn në veprën “Studime shqiptare”-1853-1854, Elena Gjika, Zef Jubani, De Rada, Luigj Gurakuqi, Viçens Prenushi, Maksimilan Lambertz, etj. Në “Kanunin e Labërisë”, Kreu 20, Vdekja, janë përcaktuar në nenin 331, edhe rregullat për vajtimin e të vdekurit. Kështu gjinia e “Vajtimit” lind dhe formohet brenda një largësie shumë të vogël të interpretuesit popullor me objektin (në këtë rast i vdekuri i pavarrosur). Përgjithësisht janë vajtuar trimat e rënë në luftë. Në të dy rastet që rol të rëndësishëm luajnë vajtojcat. Sipas Skiroit: në vajtime sundon fuqishëm toni elegjiak. Sipas Munishit: në Podgur të Kosovës, vajtimi bëhet vetëm tek femrat, me kokë të ulur dhe “me vaj në fyt”. Vajtimi si gjini popullore e gjejmë që të luhet edhe me fyell dhe longar. Gjithashtu vaj-in e konstatojmë të përdorur si titull edhe në letërsinë shqipe. F. Konica ka shkruar poezinë “Vajtim për robëri të shqiptarëve”, Çajupi poezinë “Vaje”, Zef Zorba poezinë “Vajtim i plakut në shtëpinë e shkretuar”, dhe një ndër poezitë e Fatos Arapit titullohet “Vajet e Ballkanit”. Tek vepra e Lasgush Poradecit: kemi “se na’shtë vaj një këngë”-antonimi kontekstuale si dhe fjalën vajtimthi, neologjizëm i krijuar po prej tij. Në Krujë është një shkëmb i lartë i cili quhet “Shkëmbi i Vajës” pasi në të, sipas legjendës kanë qëndruar për herë të fundit dhe janë hedhur në greminë 90 vajza krutane. Në veri kemi vajtimin që quhet “gjëmë”, i cili është një e qarë kolektive, kurse në Jug dallojmë kemi vajtimin iso polifonik. Vajtimin tek arbëreshët e Italisë i hasmim edhe me emrin Vaja ose Valleza, ndoshta për shkak të lëvizjeve të veçanta që shoqërojnë muzikën vajtuese gjatë interpretimit të saj. Sipas popullit: Vaji i burrit është kënga. Lit: Th. S. Hjuz, “Udhëtim në Sicili, në Greqi dhe në Shqipëri”; Cico, Stravre “Vajet në Shqipëri”, gaz. “Demokratia”, 1925, nr. 29-4, 29 Dhjetor, fq. 2; Munishi, Rexhep “Këndimi i femrave të Podgurit”, Prishtinë, 1979; Shituni, Spiro “Vëzhgime etnomuzikore rreth vajtimit lab”, Kultura Popullore, 2/1982, fq. 139-151; “Mbi vajtimet shqiptare”, Prishtinë 1985; Veliu, Veli “Bue, Ekari dhe Dozoni për këngët popullore shqiptare”, “Gjurmime Albanologjike”, Folklor dhe Etnologji, XXI-1991; Skiroi, Zef “Mili e Haidhia”, Tiranë, 1994; Tirta, Mark “Vdekja në rite e besime ndër shqiptarë”, Kultura Popullore, 1-2/1996, fq. 15-31; Çaushi, Tefik “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998; Sokoli, Ramadan “Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë, 2000; Çobani, Tonin “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”,Tiranë, 2003, fq. 93; Elezi Ismet, “Kanuni i Labërisë”, Tiranë, 2006, fq. 130-134 etj.
Vaja:Fjalë e praktikës muzikore të arbëreshëve të Italisë. Shiko fjalën vaj dhe arbëreshe.
Valleza:Fjalë e praktikës muzikore të arbëreshëve të Italisë.  Shiko fjalën vaj dhe arbëreshe.
Vajse:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Enc. Karakterizim për njeriun që qan shpesh.
Vajtojcë:Këngëtare që luan rolin e korifeut gjatë vajtimit. Enc. Sipas Files dy janë vajtojcat kryesore që marrin pjesë në vajtim: profesionistet dhe improvizueset. Të parat kanë skema shabllone vajtimi, kurse ndër vajtojcat jo-profesioniste mund të takosh improvizuese të shkëlqyera. Sipas Prof. Sokolit: shumë origjinale janë dridhjet e zërit që shkaktojnë me anë të lëvizjeve të nofullës tek disa vajtojca bregdetare nëpër Shqipërinë Jugperëndimore. Kadareja mendon se: përdorimi tek ne i vajtojcave s'është aspak larg korit antik, që duke qarë, komenton njëkohësisht edhe aktet edhe tiparet e të vdekurit. Ndër vajtojcat më të njohura në jug të Shqipërisë përmenden Pashako Jaçe, Zonjë Jonuzi, Esma Doromema etj. Në Kosovë përmenden Share Danja dhe Zyke Jakupja. Vajtojcat i gjejmë edhe me emrin britmëqare. Në Lumë i thërrasin migjatore. Shkrimtari Martin Camaj ka shkruar poezinë “Vajtorja”. Sipas popullit: “Vajtorja e mire e ban me kajtë edhe rrotën e kerrit”. Lit: “Vajtojcat”, tek “Kalendari”, 1918, fq. 83-84; “Vajtimet e Fatime Zehrasë”, tek “Zani i Naltë”, 1923, nr. 2, nëntor, fq. 60; Gaçe Bardhosh, “Kënga popullore e lumit të Vlorës”, Tiranë, 1995; Neziri Zymer, “Të dhëna gjeohistorike, etnokulturore dhe epikografike për katundet e Rugovës së Poshtme”, Prishtinë 25/ 1995; Neziri Zymer, “Të dhëna gjeohistorike, etnokulturore dhe epikografike për katundet e Rugovës së sipërme”, “Gjurmime Albanologjike”, Prishtinë 26/1996 etj.
Varfi Dhimitër:Dhimitër Varfi-(Himarë 19302022). Këngëtar i shquar popullor i këngëve iso polifonike në rolin e "Marrësit" të saj. Enc. Dhimitër Varfi renditet dhe vlerësohet si ndër këngëtarët më të shquar të iso-polifonisë së Bregut të gjysmës së dytë të shek. XX. Një ndër këngët e arta të repertorit të tij është kënga "Vajzë e valëve". Grupi i tij iso polifonik përbëhej dhe nga Spiro Dhimaleksi (1935)-kthyes, Llambro Kiço (1935)-hedhës si dhe iso nga Leko Leka (1927) etj.
Vënçe:Fjalë që tregon një mënyrë të krijuari dhe të interpretuari vendase-autoktone. Enc. Kur përdoret kjo fjalë, domethënia është e qartë: të interpretosh në vegël apo të këndosh vetëm sipas mënyrës që pranohet nga të gjithë si vendase.
Vllaçe:Shprehje e praktikës muzikore popullore. Enc. Vllaçe do të thotë që mënyra e interpretimit të këngës apo valles popullore i përket traditës muzikore IP të popullsisë aromune të Shqipërisë. Sipas Th. Kapidan kemi këtë klasifikim të vllehëve:”dakoromunët”,”maqedonoromunët”, meglenoromunët” dhe “istroromunët”. Arumunët ndahen në voskopojarë dhe në frashërllinj. Frashërllinjtë verojnë nëpër malet e Tomorrit dhe Gramozit. Ja se si përjetohet edhe në këngën popullore të mëposhtme: Ku verove verënë,/ndë mal të Gramozitë,/çobankat me djepetë,/djematë me shqerratë,/çupat me bucelatë. Ata dimërojnë në fushat e Myzeqesë e të Delvinës, nëpër kodrinat e Mallakastrës e të Konispolit ose, nga ndonjë herë, kapërcejnë kufirin për të vajtur nëpër luginat e Thesalisë e të Epirit. Sipas Kristo Frashërit: vllehët e Frashërit, kryeqëndrës së krahinës së Dangëllisë në Përmet, rreth fillimit të shek. XIX kanë qënë grupuar në dy lagje prej të cilave njera banohej nga blegtorë sedentarë, tjetra nga zejtarë Voskopojarë, të emigruar pas rrenimit të qytetit të tyre. Si kryeqendër, Frashëri takohej me fshatrat e tjera të Dallgëllisë e konkretisht me Gostomickën, Koblarën Goroshianin, Piskalin Vidishtin (fshatra në kufij me Kolonjën), me Stërmecin, Qeshibeshin, Kakozin, Miçanin, Dervishijen (fshatra në kufij me Skraparin), si dhe me Ogrenin, Kostrecin, Gostivishtin, Kreshovën, Lupskën, Surropullin, Hotovën, Kosovën, Pagrinë etj., fshatra të qëndrës së Toskërisë ku i kënduari dhe tradita e madhe iso polifonike lulëzonte. Kjo fqinjësi ndërmjet shqiptarëve dhe vllehëve solli transferimin e repertorit vokal polifonik të Toskërisë tek ta. Prof. Çabej ka konstatuar se grekët veriorë të Epirit këndojnë pas mënyrës labe, dhe aromunët frashëriotë këndojnë me meloditë e këngës toskërishte. Kjo ndodhi qysh në kohët kur sipas Shitunit: folklori muzikor aromun lindi shekuj më parë në truallin shqiptar, aty ku kishte lulëzuar një folklor i mirëfilltë. Fillimisht këngët u kënduan në gjuhën shqipe, e pas kësaj një pjesë e veçantë e tij, ku përfshihen këngët polifonike 2-3 zërëshe me struktura të thjeshta dhe të kollajshme për tu riprodhuar, me ambitus të vogël dhe stilema të ngushta, kryesisht me tematikë lirike u kënduan edhe në gjuhën e tyre. Kjo është më se e vërtetë, pasi edhe në ditët tona, në rastet e këngëve të kënduara nga aromunët, përveçse këndohet në stilemat muzikore “shumëvalëshe” toske (të mbështetura afërsisht në të njëjtën strukturë të ndërtimit të shumëzërëshit, me marrje, prerje dhe iso), vazhdon të këndohet kënga edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën prej të cilës ata dëgjuan këngën iso-polifonike gjatë shtegëtimeve apo edhe ngulimeve të tyre. Lidhur sa më sipër “folklori muzikor i aromunëve të Shqipërisë, doemos, pa i mohuar atij disa tipare origjinale që ai ka mundur të kristalizojë në shekuj, është pjesë e trungut të gjerë të folklorit muzikor shqiptar”, dhe “çka përgjithësisht tipare dallonjëse të folklorit muzikor shqiptar dhe, në veçanti, tiparet e këngëve polifonike toske”. Një rast tipik në Shqipëri është ai i këngëve iso polifonike toske të aromunëve të fshatit “Andon Poçi” në Gjirokastër, si dhe i atyre të fshatit Pllataria dhe Kastir i Shën Vllasit në Greqi (apo edhe në të tjera raste), të cilët vazhdojnë ende të këndojnë në shqip. Theksojmë përsëri faktin se këngët iso-polifonike me struktura komplekse dhe që kërkojnë një maksimum interpretimi i hasim rrallë në repertorin e këngëve iso-polifonike të kënduara nga aromunët, për faktin e thjeshtë se ato nuk mund të mësohen, por barten natyralisht nga njëri brez në tjetrin.
Lit: Gustav, Weigand “Die Aromunen”, Leipzig, 1895; Antonio, Baldacci “I romeni dell' Albania”, Roma, 1914; Capidan, Th. “Paraqitje e gjendjes etnologjike në Ballkan, sidomos mbi Maqedorumunët”, “Hylli i dritës”, nr. 6-8 dhe 9-12, Tiranë, 1943; Çabej, Eqerem “Një vështrim mbi folklorin shqiptar”, “Studime gjuhësore”, Prishtinë, 1975; Shituni, Spiro “Folklori muzikor i aromunëve të fshatit “Andon Poçi”, 1. “Vështrim etnografiko-historik”, punim diplome, Tiranë, 1975; Milaj, Jakov “Raca shqiptare”, Tiranë, 1995; Frashëri, Kristo “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984; Adhami, Stilian “Voskopoja”, Tiranë, 1989; Shkodra, Zija “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”, Tiranë, 1994; Dino, Thanas; Puruqi, Thoma “Historia vllahe në tregime njerëzore”, Gjirokastër, 2003 etj.
Xheli Sino:(Kuç 1868- Kuç 1937). Këngëtar dhe krijues i këngës mjaft të njohur “Te rrapi në Mashkullorë”, mbi të cilën është mbështetur muzikalisht edhe kënga iso polifonike me saze e Përmetit.
Lit: Shuteriqi Dhimitër, “Nga kënga e popullit”, Tiranë, 1990; Gaçe Bardhosh, “Kënga popullore e lumit të Vlorës”, Tiranë, 1995 etj.
Zefkli:Ai që pëlqen ahengun-zefkën. Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur tek shqiptarët e Maqedonisë. Lit: Murtishi Kaim, "Ladorishti, histori dhe tradita", Strugë, 2001 etj.
Zë:Vegla muzikore më e vjetër e njerëzimit. Enc. Në veri=za, në Jug=zë. Në praktikën muzikore popullore populli i klasifikon zërat në zëra të hollë dhe zëra të trashë, apo zëra femërore dhe mashkullorë. Si të tillë, zërat përcaktoheshin edhe në biculat e antikitetit, sidomos ato të Apolonisë, ku njëra tytë nxirrte zërin e trashë-mashkullorin, dhe tjetra atë të hollë, apo femërorin. Kjo provohet edhe në mjaft gjetje arkeologjike. Zakonisht me zëra të hollë quhen këngët e kënduara nga gratë dhe fëmijët. Megjithatë kemi raste si p.sh në “këngët piskë” të veriut ku malësorët këndojnë “që t’u shkojë zëri në kupë të qiellës”. Edhe Konica mendon se: zërat janë zakonisht të lartë por kemi edhe zë të trashë nga ata që populli i quan zëgomari. Sipas Prof. Sokolit: duke zbritur nga malësitë e veriut, ashpërsia e zërave sa vjen e zbutet. Sipas Munishit: në Shqipëri ekziston kulti i zërit të fortë. Lit: Sokoli, Ramadan, “Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1981; Ceka, Neritan “Apolonia e Ilirisë”, Tiranë, 1982; Konica. Faik, “Vepra”, Tiranë 1993; Munishi. Rexhep, “Mitet dhe kultet mbi muzikën përmes frazeologjive popullore”, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1997, nr 27; Çaushi, Tefik, “Fjalor i estetikës”, Tiranë 1998, Kadare. I, “Vjedhja e gjumit mbretëror”, Tiranë 1999; Tase, Pano, “Ç’u këput një yll”, Tiranë, 2001 etj.
Zëbukur:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Që e ka zërin të bukur dhe të tingëllueshëm.
Zëçjerrë:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Që e ka zërin të papastër dhe jo të tingëllueshëm.
Zëdredhur:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Që zëri ka vibracione gjatë këngëtimit.
Zëëmbël:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Që këndon me ngrohtësi dhe ëmbëlsi.
Zëmadh:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Që ka zë shumë të fortë i cili dëgjohet në distancë të largët. E gjejmë edhe në formën zëgërnetë.
Zëth:Neologjizëm. Enc. Me zëth duhet të kuptohet një zë jo i fuqishëm. Zëth është krijuar nga poeti Naim Frashëri. Zëthi gjendet edhe në krijimtarinë poetike të Lasgush Poradecit.
Ziejmë:Shiko fjalën iso.
Zogjtë këngëtarë:Familje shpendësh me aftësi për të nxjerrë tinguj dhe melodi prej këngëtimit të tyre. Enc. Sipas FESH-it: zogjtë këngëtarë që ndeshen në Shqipëri janë kryesisht të familjes së tushave e bilbilave si: tusha këngëtare (turdus philomelos), bilbili (luscinia megarhynchos), bilbili i kallamishteve (acrocephalusarundinaceus), gushëkuqi (erithacus rubecula), gardalina (carduclis carduclis), thëllëza e malit (alectoris graeca) etj. Këta zogj kanë aparatin e zërit të quajtur "sirings", i cili nga ana funksionale është në gjëndje të modulojë tingujt me shpejtësi shumë të madhe. Është vënë re se disa zogj këngëtarë këndojnë motive melodike shumë të shkurtëra dhe disa të tjerë arrijnë dhe këngëtime disa minutëshe si p.sh laureshat. Ja si e gjejmë tek Naim Frashërit panoramën e zogjve këngtarë: Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,/E qyqeja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,/Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,/Bashkë me shpest edhe unë t'ja thërres këngës e t'ja them. Nga zogjtë këngëtarë, "zogu i bilbilit" dhe "zogu i çobanit" nuk shtegëtojnë. Këngëtimi i zogjve këngëtarë e në veçanti i bilbilit, është imituar edhë në muzikën me vegla të sazeve apo dhe në krijime muzikore iso polifonike të përveçme. Kujtojmë këtu imitimin e zërit dhe melodikës së bilbilit nga violinisti popullor Ethem Qerimi. Tek L. Poradeci e gjejmë të përdorur si "bilbil parëverak"-mbiemër cilësues i ndërmjetësuar.
Lit: Frashëri Naim, “Vepra 1”, Prishtinë 1978; “Fjalor i mitologjisë”, Tiranë 1987; “Lirika Popullore”, Tiranë 1988 etj.
Zyko Demir:(Gjerbës, Skrapar 1911 - Skrapar, 2 Korrik, 1992). Këngëtari më i shquar i iso-polifonisë toske të Skraparit. Enc. Ka kënduar këngën popullore qysh në moshë të re kryesisht nëpër dasma. Në vitet 1960 filloi të popullarizohej si këngëtar së bashku me grupin e tij të përbërë nga Mehdi Kushe, Shahin Çinarin, Nexhet Hebibasi dhe Agim Carkonji me të cilët këndoi edhe këngën e shquar “Mbeçë more shokë mbeçë” . Sipas I. Kadaresë: kisha lexuar shumë libra dhe kisha lënë pas shumë njerëz të dashur, pamjen e të cilëve mund ta sillja ndër mend për të harruar shkretëtirën dhe ankthin kinez. Mirëpo në ato çaste përhumbjeje ndërgjegjja ime pranoi tjetër gjë: as libra e art, kujtime të afërmish, por diçka tjetër: një këngë. Ishte kënga e vjetër popullore e Urës së Qabesë. Mund të mendoja se ajo këngë e pikëlluar m’u kujtua sepse po fluturonim pikërisht mbi ato vise, ku ushtarët shqiptarë, që bënin shërbimin në rërat e Jemenit, e kishin krijuar atë piramidë: Mbeçë, more shokë, mbeçë/Përtej Urës së Qabesë...Mirëpo s’ishte krejtësisht ashtu. Unë nisa ta këndoj me vete këngën dhe, porsa e mbarova atë aty për aty me ngut, si njeriu që ka nevojë për oksigjen, nisa të këndoj një tjetër... Demir Zyko merr pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet e rëndësishme kombëtare për folklorin në Shqipëri deri në vitin 1983, kohë në të cilën e ndërpret veprimtarinë për arsye shëndetësore. Në vitet 1970 ka regjistruar një sërë këngësh iso-polifonike të Skraparit dhe Toskërisë pranë Radio-Tiranës dhe studios së Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. Ndër to përmendim: “Mbeçë more shokë mbeçë”, “Ju, o malet e Skraparit”, “Tridhjet e nëntë mos ardhsh kurrë”, “Mëmëdheu”, “Gjezdise Europën”, “Një mëngjes me natë u ngritsh”, “Sa e lumtura kjo ditë”, “Kapinova rrëzë malit”, “Më rite nënë më rite”, “Moj syzezë sy mëshqerë”, “Panarit o zog pëllumbi”, “Nëntori 28” etj. Për vlerat e interpretimit të tij muzikor, në vitin 1970 u dekorua me medaljen “Nam Frashëri”, dhe në vitin 1978 me titullin “Artist i Popullit”. E veçanta e këngëve të kënduara prej tij, lidhet me faktin se i kënduari i tij si marrës i këngës, mbart në linjën melodike veçori të theksuara instrumentale, ç’ka e bën këngën e Xha Demirit mjaft të veçantë dhe njëkohësisht shumë të vështirë për tu interpretuar nga kushdo. Pas vdekjes së tij, më 10 Tetor 1997 ngrihet në Skrapar shoqata kulturore “Demir Zyko” dhe grupi polifonik që vazhdon traditën e këngës skrapallite me iso të Xha Demirit. Në vitin 2004, publikohet CD me këngët e zgjedhura iso polifonike të grupit të tij.

Lit: Zojzi, Rrok “Dasma në krahinën e Skraparit”, buletini i shkencave shoqërore, 1958, nr. 2, fq. 220-232; “Jehona e Skraparit”, 13 Korrik, 1979; Kadare, Ismail “Autobiografia e popullit në vargje”, fq. 4-5, Tiranë 1980; Çelibashi, Tomorr “Mesazhi i këngës popullore të krahinës”, gaz. “Jehona e Skraparit”, 1987, 11 Dhjetor; Resuli, B “Përse po harrohen këngëtarët popullorë”, “Kombi”, 1993, 14 shtator; Ukcama, Ndue “Demir Zyko legjendë e këngës së kurbetit”, “55”, Tiranë, 2000, nr. 118, 19 Maj, fq. 20; “Plaku i këngës”, Tiranë, 2002, fq. 300; Sinani, Shaban “Demir Zyko, monumenti i polifonisë shqiptare”, Ballkan, Tiranë, 2002, nr. 61, 20 mars, fq. 19; Kasoruho, Naxhi “Viti i Artistit të Popullit Demir Zyko”, Dielli i Tomorrit, Nr. 29, Shtator, 2006, fq. 8 etj.

Zh-zh-zh:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Enc. Me anë të zh-zh-zh-së populli përshkruan zhurmën karakteristike që lëshon bleta. E gjejmë të përdorur në mjaft krijime muzikore iso polifonike me karakter ritual.
Spread the love
error: