No products in the cart.
No products in the cart.
Emri | Përshkrimi |
---|---|
Acare: | e.f. Zile, vegël idiofone. Enc. Acarja është një zile e vogël bagëtish. Zakonisht zile të tipit acare barinjtë u vendosnin qengjave dhe kecave. VI me këtë emër e gjejmë të përdorur në jug të Shqipërisë. Me emrin ciklime e gjejmë në Bulqizë. Të përafërt me acaren, kemi gjithashtu edhe zilen e vogël të quajtur tringelinge, e cila vendoset në qafën e qeve, në Blinisht të Lezhës. |
Aerofone: | mb. Kategori e klasifikimit të veglave muzikore popullore. Enc. Veglat popullore të kategorisë aerofone i nxjerrin tingujt prej dridhjeve të frymës mbi trupin e veglës. Në këtë kategori futen VA si: picanga, fuza, fuga, bredhkaçet, vronja, bobla, llullaku, kollomidhja, niellëset, bilbilat, cyla, stërkalca, bardhaçka, fyelli, cirifilja, fyelldrejti, bicula, pipëza, zumarja, gajde, karamunxa, glyra, surle, gërneta, gëzhoja. Veglat aerofone popullore përdoren në zonën e IPL dhe IPT si dhe rëndom në të gjithë hapësirën etnomuzikore shqiptare . Lit: Sokoli, R. Miso, P. "Veglat muzikore të popullit shqiptar", Tiranë, 1991 etj. |
Akordoj: | f. Vë në bashkëtingëllim telat e veglës muzikore popullore kordofone. Enc. Kjo fjalë me burim të huaj, mendohet se ka hyrë në përdorim në praktikën muzikore popullore në gjysmën e dytë të shek. XIX. Akordoj përdoret njëkohësisht me gjithë atë fjalës që u fut në Shqipëri së bashku me vegla të temperuara si klarineta, violina ose fizarmonika. Lit: "Fjalor i gjuhës së sotme shqipe", Tiranë, 1980 etj. |
A.P.R.: | "Albanian Phonograph Records", A.P.R- është shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit të XX-të që ka regjistruar muzikë popullore shqiptare. Enc. A.P.R u ideua dhe themelua në vitin 1923 nga muziktari dhe patrioti Spiridon T.Ilo nga Korça. Ideja për të pasur një shtëpi diskografike, lindi pasi S.T.Ilo regjistroi disa disqe me muzikë pranë shoqërisë diskografike "COLUMBIA", rreth vitit 1920, së bashku me tenorin e famshëm arbëresh Giuseppe Mauro, i cili po në këto vite, interpretoi rolin e Otellos së Xh.Verdit në “Metropolitan Opera” në Nju Jork. Me shumë interes është çasti kur kalohet nga regjistrime të veçanta të S.T.Ilos, drejt themelimit dhe strukturimit të një shtëpie diskografike, e cila do të trajtonte me përparësi si regjistrimin e vlerave muzikore të themeluesit të saj, ashtu dhe të gjitha ato që ishin krijuar dhe që prisnin të “ngurtësoheshin” në copat e disqeve me mbishkrimin “Records And Phonographs-ALBANIAN. Spiridon T.Ilo. Proprietor. THE SPIRIDON RECORD CO”. Vlera e saj është shumëplanëshe dhe lidhet me gjithë zhvillimin e kulturës dhe artit muzikor shqiptar të viteve ‘20-‘40, të shek. XX. Megjithëse, që në atë kohë janë dhënë mendime të ndryshme për cilësinë e këtyre pllakave, duhet të themi se “A. P. R” lindi edhe si nevojë e plotësimit të strukturës së përgjithshme të muzikës shqiptare të atyre viteve. E thënë ndryshe, me të mbyllej cikli i njohur i krijimit të materialit muzikor, interpretimit, përhapjes dhe shitjes së tij. Është një fakt i njohur tashmë që S.T.Ilo krahas tregtimit të pllakave bënte njëkohësisht edhe atë të shpërndarjes së gramafonëve me çmime të leverdisshme për blerësit shqiptarë. Kjo shoqëri diskografike futi për të parën herë në tregun muzikor shqiptar edhe konceptin e “Copyright”, si një e drejtë përjashtimore e krijuesit dhe interpretuesit të muzikës. Në pikëpamje të repertorit të regjistruar, “The Spiridon Record CO” u dha përparësi vlerave më të spikatura të kulturës muzikore folklorike të krahinës së Korçës dhe të Shqipërisë së Jugut, si dhe muzikës patriotike dhe qytetare të qytetit të Korçës. Ja disa pllaka me muzikë shqiptare IP të prodhuara dhe të shpërndara nga shoqëria “Albanian Phonograph Records” e Spiridon T. Ilos, U.S.A-1923: No 130 (A-Kenge E.Bektashinjve, Kendon Spiridon T.Ilo. fyell P.Opingari. B-Me te Qare, Fyell P.Opingari); No 132 (A-Valle Devolloche. B-Valle e Asanajt, Fyell P.Opingari); No 140 (A. Ne Plepi i Bilishtit, Kenge popullore, Ja merr, Fyria K. Bilishti, Ja pret, Hysen D. Rodenji. Violi dhe Santure,B-Kur Vaditnje bozilogne. Kendon Hysen D. Rodenji) No 150. (A-”Vale” Kapisseshte.Fyell, P.Opingari, Qithare S.T.Ilo. B-Valle, grapcharche.) No 152. (A-Vale Berache, Fyell, P.Opingari. B-Velle, Bej sadak e vras fiqire.) No 154. (A-Avaz i Marenkes, Fyell P.Opingari. B-Avaz i Malkes, me violi dhe Laute.) No 158. ( A-”Valle” Chamche. B-”Valle” Devolliche, me violi dhe Laute.) No 340 (A-Me te Qare (Kaba) “me gernete”. B-”Valle” Chamche “me gernete”).
Lit: “Shiten fonografe”, “Albania”, 1919, 16 Janar; “Albanian Record”, “Dielli”, 1921, 16 Prill, fq. 214; “Pllaka shqipe”, “Dielli”, 1921, L 922, nr. 2325, 3 Janar; Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1997; Tole, Vasil S “Folklori muzikor-Polifonia shqiptare-1”, Tiranë, 1999 etj. |
Ataita: | Shiko zërin: glyra. |
Avaz-i: | /e.m. Melodi. Etim. Çabej: prej turq. Avaz = zë, tingull. Enc. Në FGJSSH e gjejmë me përcaktimin: motiv i një kënge ose pjese muzikore. E gjejmë të përdorur si gjini dhe teknikë muzikore. Si gjini muzikore e hasim më dendur në muzikën me vegla popullore, si p.sh “Avaz i dy motrave” për dy buzukë, Korçë, “Avazi i Aishesë” për fyell-Elbasan, por dhe si teknikë, në të gjitha ato raste kur përdoret si pjesë e parë e kabasë në ritme të lira, kryesisht ad libitum. Avazi luhet me këto vegla: buzuk, tambura, gajde, fyell, cyrle dhe xhura. E gjejmë të ndërfutur edhe në fjalët e urta: Po nuk u njom gurmazi, nuk merret avazi. Fjalën avaz e gjejmë të përdoret dendur edhe në shumë këngë të Shqipërisë jugore: Në penxheren tënde se ç’këndon bilbili/pa del e dëgjo/Dil ta dëgjosh ti març avazet-ë/Se plasën djemtë nga marazet-ë/Përdorim të avazit si terminologji dhe strukturë muzikre, kemi edhe në muzikën bashkëkohore shqiptare si në rastin e veprës “Avaz”-1993 për katër fagota dhe “Avaz II”-1994 për trembëdhjetë vegla të kompozitorit Vasil S.Tole. Lit: Dizdarin Bust SSS XV Nr 1 f. 186 v. Avaz Miklosich TEN II 78, Skok ER I 77; “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980; Tole, Vasil S “Aspekte historike në evolucionin e muzikës popullore instrumentale të Shqipërisë jugore”, Disertacion, Tiranë, 1994, Biblioteka e A.A; Loli, Kosta “Kaba dhe Avaze”, Janinë, Greqi, 2003 etj. |
Bakllama: | e.f. Vegël muzikore kordofone. Etim. Çabej: prej turq. Baglama “specie di strumento a corda”, e cila ka shkuar dhe në të tjera gjuhë ballkanike. Mungon te G. Meyeri. Ramadan Sokoli e sjell etimologjinë prej persishtes. Enc. Del si VK që tek vepra e Spiro Dines, gjysma e dytë e shek. XIX, kur bën fjalë për muzikën popullore tek shqiptarët në kolonitë e Egjyptit. Bakllamaja njihet gjithandej si vegël muzikore solistike. R. Sokoli e konsideron VK nga familja e tamburave; Çabej: lloj kitare e dikurshme e muzikës popullore. Sipas Misos: kombinimet e bakllamasë me veglat e tjera janë bërë në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX. Në interpretimet në bakllama, në vitet ‘30 të shek. XX, në Korçë, u shquan si mjeshtra të kësaj vegle Alo Qorri, Demka, Sulejman Bakllamaja, Demir Telhai. Tradita e interpretimit në bakllama vazhdon ende, kryesisht në Shqipërinë Juglindore, e në veçanti në qytetin e Korçës.
Lit: Miklosich TEN II 79; Mladenov 13; Kutev-M.Kuteva RSSE II 319; Skok I 90; Sokoli, R. “Gjurmime”, Tiranë 1981; Miso, Piro “Bakllamaja në muzikën tonë popullore”, “Kultura Popullore”, 1983, nr. 1 etj. |
Bardhaçkë: | e.f. Vegël aerofone e punuar në qeramikë në formën e enës së ujit. Enc. Në veglën e bardhaçkës interpretohet pasi mbushet me ujë dhe vetëm pas kësaj prej saj nxirren zhurma-tinguj gurgullues të papërcaktuar melodikisht. Mbi të nuk mund të nxjerrësh melodi të paracaktuara. Për këtë arsye VA e bardhaçkës mund të vlerësohet si vegël paramuzikore. Përdoret kryesisht në jug të Shqipërisë. Lit: Sokoli, Ramadan "Folklori muzikor shqiptar-morfologjia", Tiranë, 1965; Sokoli. R "Gjurmime", Tiranë, 1981 etj. |
Barinkë: | Shiko: glyra. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Përmet. |
Baritore: | mb.&e.f. Term i praktikës muzikore popullore IP. Enc. Baritore përdoret për të përshkruar muzikën popullore e cila i referohet, në intonacionet muzikore ose në tekstin poetik, jetës së bariut shqiptar. P.sh: “kaba baritore” “melodi baritore". Sipas Çaushit: që vë në dukje jetën e barinjve, ose në përgjithësi, skena të jetës së fshatit shqiptar. Vegla muzikore popullore më tipike që luan muzikë baritore është fyelli dhe cyla dyjare. Në Ilirinë antike hasim përdorimin e fjalës bukolik=baritor. Shiko fjalën dyjare dhe bicule. Lit: Çaushi, Tefik “Fjalor i estetikës” Tiranë, 1998; Ceka, Neritan “Ilirët” SH.B.L.U, 2000 etj . |
Bariu, Laver : | (Përmet 2 Maj 1929-Përmet 26 Janar 2014). Personalitet i shquar i muzikës popullore IP shqiptare, si muziktar popullor në gërnetë dhe si këngëtar. Themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit, të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Enc. Enc. Djali i Bariut, këngëtarit popullor dhe interpretuesit në llahutë, tregoi që i vogël një dhunti natyrale për tu marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve ose edhe nga kallami i grurit etj. Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës, në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muziktarë të shquar popullorë për kohën, si Islamin në gajde, e veçanërisht Feim Gajdexhiun, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit. Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të jatit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalikë që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të jatin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e Dados. Kthehet familjarisht në Përmet, në fund të vitit 1944. Aty takohet me Usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth një vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj, më 1966, regjistron në Radio-Tirana, veç të tjerash, edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij gjatë gjithë kohës. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare. Gjatë Gjatë kësaj periudhe kohore, sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore të cilat kanë pasqyruar, para së gjithash, orientimin artistik të krijuesit të tyre, Usta Laverit. Në vitin 1951 ato përbëheshin nga një gërnetë, dy llahuta, dy fisarmonika, për të ardhur në formacionin e tij të qëndrueshëm të vitit 1976 (e deri më sot), të përbërë nga gërneta, një llahutë, një fisarmonikë, def dhe violinë. Ato janë konceptuar edhe si saze klasike, pra që vetë interpretojnë në vegla dhe vetë këndojnë, por dhe si formacion shoqërues i këngëtarëve të tjerë popullorë. Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e Usta Laverit si interpretues (gërnetar e këngëtar) dhe krijues i shumë stilemave aq të njohura sot nga muzika popullore permetare. Këtu përfshihen me dhjetra hyrje këngësh, kaba, valle dhe mjaft riinterpretime të pjesëve të repertorit të vjetër të Sazeve të Përmetit. Këto saze kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si Bilbilat e Përmetit. Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare. Usta Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë gërnetaxhinjve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare. Ai mund të cilësohet si i fundit prej Ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990. Ndër këngëtarët më të spikatur që kanë kënduar së bashku me sazet e Usta Laverit përmendim: në vitet '50 Behije Roçi, Qemal Ponoçi, Aliun (i thirrur Babaçja) etj.; në vitet '60 Jorgo Çulli dhe Ilia Nasi, vëllezërit Sulejman Lame-”Artist i Merituar” dhe Xhelal Zeqiri, Viron Tanellari; në vitet 70 “Artisti i Popullit” Mentor Xhemali, Ylli Zeqiri; në vitet 80 Ardiana Daci, Robert Tralo, Drini Kanani etj; në vitet 90 Vaskë e Dhimitër Curri, Donika Pecollari, Anastas Naqe, Luljeta Ilia, Evgjeni Çulli etj. Në vitin 1977, së bashku me Remzi Lelën-Çobanin dhe Mentor Xhemalin, luajnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës. Në vitin 1989, Usta Laveri bëhet protagonist i filmit dokumentar muzikor të kinostudios “Shqipëria e Re” “Këngët e zemrës”, me regji të Todi Bozos. Në Prill të vitit 1994 sazet e tij realizojnë CD me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe C.D-në tjetër e realizojnë në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi, në vitin 1995, nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”. Veprimtaria muzikore e këtyre sazeve vazhdon ende. Dalja më e fundit e tyre ishte pjesëmarrja në FFK Gjirokastër, 2000. Në Mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Usta Laveri u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit, krahas Vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Mentor Xhemalit. Regjistrimet kryesore muzikore i ka pranë Radio-Tiranës, Televizionit Shqiptar dhe Institutit të Kulturës Popullore. Shiko zërat: “CD-të popullore” dhe “Xhemali Mentor”. Lit: Novruz, Turhani “Virtuozët përmetarë”, “Ylli” 7/1978, f. 15-18; Çapajev, Gjokutaj; Avdulla, Kënaçi “Det në këngë e mal në valle”, “Zëri i Popullit”, dt. 10.10.1978, fq. 3; “Intervistë me Laver Bariun”, “Zëri i Rinisë”, dt. 6.9.1980, fq. 3; Niko Mihali “Çfarë do të paraqesin artistët përmetarë”, “Zëri i Popullit”, dt. 30.9.1983, fq. 1-3; Shpëtim Shehu, “Duke folur për një orkestrinë të njohur popullore”, “Zëri i Popullit”, dt. 3 tetor 1980; Eno Koço, “Grupi i muzikës popullore të Përmetit, në vendet skandinave”, Zëri i Popullit, Tiranë, 26 shtator 1990; Thoma Dimçe, “Laver Bariu pushton Athinën”, “Java”, dt. 12.11.1994, fq. 1-3; “Rreth shtëpisë së Laverit gjithshka është e bukur”-Intervistë, “Intervista 88”, fq. 5; “Laver Bariu akuzon”, “Dita”, dt. 20.04.1995, fq. 2; Agim Xhafka, “Eveniment në kulturën tonë kombëtare”, “Koha Jonë”, dt. 14.03.1995, fq. 13; “Intervistë me Laver Bariun”, “Intervista 105”, fq. 7; Vath Koreshi, “Në gjurmë të artistëve të humbur”, “Festival”, dt. 24.09.1995, fq.3; Niko Mihali, “Panteoni përmetar”, tek “Prometeu”, dt. 14.10.1995, fq. 3, Niko Tyto, “Laver Bariu”, “Fjala sot”, tetor 1996, nr. 23, fq. 4; Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së jugut”, Tiranë, 1998; Tase, Pano “Çu këput një yll”, Tiranë, mars, 2001; Thanas Dino, “Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu”,Tiranë, 2004 etj. Për më tepër shih Usta Laver Bariu, Kaba with gernet - YouTube |
Batoq: | e.m Gjuhëza e këmborës. Enc. Gjatë goditjeve ritmike të batoqit në trupin e këmborës prodhohen tingujt. Në këtë formë e hasim në Shqipërinë e jugut. Lit: Tase, Pano "Visaret e Kombit", Vëll. XII, Tiranë, 1941 etj. |
Beratçe: | Ndajf. Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Beratçe përdoret për të përshkruar muzikën popullore e cila i referohet origjinës së saj nga Berati. Në këtë rast krijimi muzikor popullor mund të jetë këngë, melodi ose valle nga Berati. Një krijim shumë i njohur popullor me këtë emër është ai i interpretuar nga muziktari i shquar në gërnetë Remzi Lela-Çobani e titulluar "Çamçe-beratçe". |
Bibiza: | Shiko zërin: glyra. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Çamëri. |
Bicule: | e.f. Cule e dyfishtë e ndërtuar në një bllok druri të vetëm. Etim. Nuk jepet ndonjë shpjegim i hollësishëm. Sipas E. Çabej: Nga një kryqëzim i cule-s me ndonjë tjetër fjalë (daule?) duket të ketë dalë bixaule "fyell i bariut" të Tatzatit të Delvinës. Në anët e Vlorës edhe kompozita culdyjare, univerbim nga cule dyjare, e cila ekziston, edhe kjo nëpër dialekte. Enc. Së pari, në një unazë të shek. XV para erës së re, është gdhendur figura e Panit brinoç me këmbë dhie, duke i rënë një vegle frymore me dy tyta të bigëzuara. Tipi i fyellit të dyfishtë gjithashtu dokumentohet në Shqipërinë jugperëndimore, në Apoloni, që në shek. VI-V p.e.re dhe në luginën e sipërme të Vjosës në shek. IV-III p.e.re. etj. Në shumë fshatra të Labërisë, bicula njihet edhe me emrin cylë dyjare. Biculja ka një përhapje shumë të gjerë në Labëri. Kryesisht njihet si vegël e barinjve labë, por vihet re një ndërfutje e saj edhe si përcjellëse e muzikës polifonike vokale. Si interpretues të shquar në biculë në gjysmën e dytë të shek. XX, përmendim: Petref Likaj-Mavrovë,Vlorë; Asllan Nora-Fushëbardhë, Gjirokastër; Arap Çeloleskaj-Vranisht, Vlorë; Ago Beqiraj-Tërbaç,Vlorë; Jakup Gjikondi-Vranisht,Vlorë etj. Lit: “Melodi dhe valle popullore instrumentale”, Tiranë, 1969; Sokoli, R; Miso, P “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991; Kruta, Beniamin “Kultura Popullore”, 1990, nr. 1 etj.. |
Bilbil: | m. Vegël aerofone me sqep të njëfishtë. Etim. E. Çabej: prej turq. Bulbul (kjo prej persishtes), e cila ka shkuar dhe në të tjera gjuhë ballkanike. Trajta e disimiluar birbil, kryesisht e toskërishtes. Enc. Kronologjia e kësaj fjale në gjuhën shqipe haset në shek. XVI, pasi këtë fjalë e gjejmë tek fjalori i Frang Bardhit. Sipas R. Sokolit: vegla e bilbilit punohet nga shufra drurësh të ndryshëm në stinën e ngrohtë, kur mund t'u hiqet lëkura pa u çarë, pasi e nxjerrin koren këllëf, hapin në shkop të zhveshur një zgavër të vogël, e cila përfundon me një ulluk në skaj të sqepit; pastaj e vendosin prapë këllëfin e kores në vend. Ajo përdoret kryesisht nga fëmijët dhe gjendet pothuajse në të gjithë vendin. Kemi edhe një lloj tjetër bilbili i cili shfaqet si vegël aerofone me tytë druri ose metali, që përfundon në trajtë sqepi. Në muzikën popullore shqiptare ka shumë këngë që i këndohen bilbilit si zog këngëtar, dhe një përallë për “Birbil gjizarin”: Lit: Miklosich TE I 270; TEN I 19, II 91; G. Meyer 36 e AS IV 12; Weigand 7; Hoeg II 179; Tagliavini 87; Papahagi 271, 274; Skok ER I 233; “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”, Vol. I, Tiranë, 1961; Frashëri, N. “Vepra 1”, Prishtinë, 1978; Sokoli, R “Gjurmime”, Tiranë, 1981; Eskili, “Tragjeditë”, tragjedia “Eumenidet”, Tiranë, 1986; “Fjalor i mitologjisë”, Tiranë, 1987; Poradeci, L. “Vepra letrare”, Tiranë, 1990; Safo, “Poezi”, Tiranë, 1998; Tole, Vasil S “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, Tiranë,1999; Memisha, Enver “Pseudonime të përdorura gjatë lëvizjes antifashiste 1939-1944”, Tiranë, 2005, fq. 92 etj. |
Bipe: | e.f. Këmborë e madhe e deshëve dhe e cjepëve. Etim: E. Çabej: formim onomatopeik, nga kumbimi bip bip që japin këto lloj këmbore. Labërisht byqe: Vargu po lëvon këmbore e byqe. Enc. Fjalë e toskërishtes jugore, e paregjistruar nëpër fjalorë. Sipas R. Sokolit: vegël e gjinisë idiofone, këmborë e madhe që i varet në qafë ogiçit të kopesë së dhënve. Me fjalën çokane e gjejmë të përdorur si VI në Çamëri, me fjalën karkale e gjemë të përdorur në Labëri, kryesisht si këmborë për qetë. Lit: Çabej, E “Studime etimologjike”; Sokoli, R “Gjurmime”, Tiranë, 1981; Tole, Vasil S “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë”, Tiranë, 2000 etj. |
Bishtanik: | Pjesë e veglës popullore të surles. Enc. Sipas P. Misos: bishtaniku zakonisht punohet nga llamarina e tunxhit me trashësi 0.3-0.5 mm, në trajtë konike, e ngjitur me kallaj. |
Bitoni: | Shkallë muzikore pentatonike që gjendet në folklorin muzikor të Shqipërisë së jugut. Enc: Dy tinguj nga seria të mbivendosur në një kuintë do të jepnin bitoninë. Intervali karakteristik për bitoninë është kuinta. Llojet e bitonisë:I c-g 1 5; II g-c 5 1. Zakonisht në bitoni do të gjejmë të ndërtuara këngët iso-polifonike të ritualeve si dhe vallet e kënduara. Lit: Kruta, Beniamin. “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore” Tiranë, 1989; Tole, Vasil S “Folklori muzikor-polifonia shqiptare” SHBLU, 1999; Tole, Vasil S “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë” Tiranë, 2000 etj. |
Bobël: | e.f. Vegël natyrale e gjinisë aerofone. Etim. Bobël e jep Pederseni 113 për çamërishten. Sipas E. Çabej: trajtë e toskërishtes jugore. Në anët e Vlorës edhe një gocë deti që përdoret si buri, Binte bobla fshat më fshat (S.Hasani). Prej venecianishtes- ose nëpërmes shqipes- duket të rrjedhë dhe gr. E re veriore "një lloj goce deti, që përdoret dhe si buri", të cilën Arvanitos 64 e bie të ardhur prej gr. "lloj shtame grykëngushtë". Enc. Në FGJSSH kemi: vegël frymore prej briri të gjedhit ose prej guaske të madhe të detit, që përdoret zakonisht për të dhënë një sinjal. Sipas R. Sokolit: krijohet nga briri i lopës, buallit ose nga guaska e kërmillit të detit dhe dëshminë më të vjetër të ekzistencës së kësaj vegle e kemi nga një bobël briri e zbuluar në gërmimet arkeologjike në Trebenisht, vendbanim ilirësh afër Ohrit. Bobla realisht duhet parë si vegël paramuzikore. Përdorimi i saj ka qënë lidhur dhe lidhet kryesisht me nevoja utilitare të njeriut shqiptar e po aq për gëzime të ndryshme siç janë festat që lidhen me natyrën. Është një vegël që nxjerr melodi mbi shkallën muzikore natyrale. E gjejmë të përdorur nëpër fshatrat e Shqipërisë jugperëndimore, në Labëri e Mallakastër, në Shpat të Elbasanit. Në mitologjinë greke, bobla ishte e lidhur ngushtë me demonin e detit të quajtur Triton. Tritoni ishte gjysmënjeri dhe gjysmë peshk. Kur ai i binte boblës, tingulli i saj arrinte deri në fund të tokës. Bobla njihet edhe në traditën e arbëreshëve të Italisë. Lit: Çabej, E “Studime etimologjike”; Sokoli, R “Gjurmime”, Tiranë, 1981; Sokoli, Ramadan “Folklori muzikor shqiptar-organografia”, Tiranë, 1975; “Fjalor i mitologjisë”, Tiranë, 1987 etj. |
Borboll: | Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Çamëri. Shiko zërin: bobla. |
Bori, buri: | f. Trumbetë. Etim. Çabej prej turq. Boru, borazan, të cilat kanë shkuar dhe në të tjera gjuhë të Ballkanit. Burizanej katund pranë Krujës. Enc. Tek FGJSSH kemi: lloj pizge në trajtë koni, me një pipëz në majë, që e bëjnë fëmijët zakonisht në pranverë prej lëkurës së lofatës ose të shelgut dhe që nxjerr një zë mjaft të fortë. Sipas Sokolit: fjala është e përhapur nga Tivari deri në Janinë. Fillimish e gjejmë tek Bogdani (II 158, 13) ka me ram boria fort e tmershime, Kuvendi i arbënit (f. 29, 30) buri e bori. Ndeshet edhe në poezitë e De Radës (p.sh. Poesie alb. III 8 v.) si fjalë popullore e arbërishtes së Kalabrisë ose si fjalë librash e këtij poeti. Çabej mendon se: një me këtë është edhe bori, borije“fyt, lefyt, ulluk, gyp” Lit: Miklosich TE I 266; TEN I 16, II 88; G.Meyer 54; Mladeno 50; Andriotis 222; Papahagi 298; Skok ER I 189; Sokoli. R, “Gjurmime”, Tiranë, 1981; “FGJSSH”, Tiranë,1980 etj. |
Borigë: | Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur në Devoll. Shiko zërin: glyra. |
Borinkë: | Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur në Përmet. Shiko zërin: glyra. |
Braç: | Vegël muzikore popullore kordofone. Enc. Sipas Sokolit braçi klasifikohet në familjen e tamburave. Braçi ka një përdorim të dendur në orkestrinat muzikore popullore të qytetit të Beratit dhe veçanërisht në ato të ahengut shkodran. Një tip i rrallë i VK të braçit ka qënë projektuar nga arkitekti i mirënjohur shkodran Kolë Indromeno për vëllezërit muziktarë të ahengut shkodran, Paulin dhe Karlo Pali. Lit: Daija, Tonin. “Formacionet orkestrale në këngët qytetare shkodrane”, “Shkodra-almanak”, Shkodër, 1976; Sokoli. R, “Gjurmime”, Tiranë, 1981; etj. |
Bri: | Vegël paramuzikore popullore. Enc. Zakonisht për veglën e bririt përdoret briri i lopës ose i dashit. Pjesërisht bririn e përdorim edhe në veglën e pipëzës e cila është e ndërtuar nga kallami i drurit dhe nga briri. Tingujt që lëshohen nga interpretimi i VA të bririt janë tinguj të karakterit kushtrues dhe të patemperuara. |
Brizan: | Muziktari popullor që i bie bririt. |
Buçall: | e.m. Pjesë prej druri e veglës popullore IP të gajdes. Enc. Buçall quhet gypi i gjatë që mban ison. Sipas Sokolit: me këtë emër e gjejmë në Pogradec. Tek arbëreshët e Italisë e gjejmë në formën shkandril. Lit: Sokoli, Ramadan "Folklori muzikor shqiptar-morfologjia", Tiranë, 1965; "Gjurmime", Tiranë, 1981 etj. |
Bugaria: | e.f., VK nga familja e tamburave. Enc. Përmendet edhe nga Sami Frashëri. Lit: Sokoli. R, "Gjurmime", Tiranë, 1981 etj. |
Bujë: | Vegël popullore e gjinisë aerofone-bobël. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. Tek "Bleta" e Mitkos bujë = kujë. Shiko zërin: bobla. |
Buri: | Vegël muzikore popullore e gjinisë aerofone. Etim: Nga persishtja. Enc. Burija përdoret kryesisht për qëllime kushtrimi dhe nevoja të tjera praktike. Në Përmet e hasim edhe në formën tyrmbetë ndërsa në Vlorë në trajtë trumeta. |
Burgji: | Çelësi i veglave kordofone si: bakllamaja, llauta, buzuku etj. Enc. E gjejmë të përdorur kryesisht në Shqipërinë e Jugut. |
Byke: | Shiko zërin: buqe. |
Bylegi: | Bylegitë janë pranga metalike që vihen në këmbët e të burgosurit dhe që lëshojnë një tingull karakteristik. I gjejmë edhe në formën bugagitë apo dhe burgagitë. |
Camunzë: | e.f., Vegël aerofone. Enc. Pipëz e dyfishtë nga lëkura e shufrave të ndryshme. Me këtë emër, këtë VA e gjejmë të përdorur në Gjirokastër. Lit: Sokoli. R,. "Gjurmime", Tiranë, 1981 etj. |
Canganë: | f. Vegël muzikore, bori. Etim: Çabej: fjalë e arbërishtes së Kalabrisë, me kuptim të dyshimtë; G.Meyeri 439 e jep De Radës si shm. Cangana “vëgla muzikore, bori” dhe e bie të ardhur prej it. Zanca “këmbë, ote”, duke krahasuar për kuptimin lat., tibia “fyell” e “kërci”. Giordano e jep për “fizarmonikë”, dhe bën një afrim me cungranë “sistro (strumento musicale)”. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. |
Cingare: | Zile e bagëtisë. Etim. Sipas Çabej në tosk. Jugore të Libohovës cingërlaqe; në të folët e Skraparit cingëliqe "zile o cingare e vockël për kecër". Enc. Cingaret janë në formë konike. Ato mbahen kryesisht nga dhentë. Shiko zërin këmborë. |
Cingerringe: | e.f., Mjet, vegël paramuzikore e gjinisë idiofone. Enc. VI e cingerringes përgatitet me stapin e malekuqes. Me këtë emër e gjejmë në rrethin e Gramshit. Lit: Sokoli, R. "Gjurmime", Tiranë, 1981etj. |
Cinglat: | Mjet paramuzikor i gjinisë idiofone. Enc. Sipas Sokolit: cinglat përbëhen nga dy copa shkopinjsh të drejtë, ose paksa të përkulur, që duke i përplasur me njeri tjetrin, nxjerrin tinguj të papërcaktuar. Përgjithësisht cinglat përdoren gjatë lodrave të fëmijëve. Lit: Sokoli, Ramadan. "Mjetet paramuzikore", "Vatra e Kulturës", 1966, nr. 1 etj. |
Ciqe: | e.f., Mjet paramuzikor i gjinisë aerofone. Enc. Ciqja përgatitet nga fija e barit. Me këtë emër gjendet e përdorur në rrethin e Gramshit. Lit: Sokoli, R.. "Gjurmime", Tiranë, 1981 etj. |
Citër: | f. Vegël muzikore me tela, kitarë (?). Etim. Çabej: Në analizë të fundit, prej lat. Cithara, jo nga it. Cetra a ndonjë formë dialektore e saj. Mund të jetë fjalë librash, marrë drejtpërdrejt nga autori prej tekstit latin. Enc. Del një herë te Buzuku (LXXX=LXXXX, Apokalipsa 5, 8), e gjithë kishnë citeratë e gastaretë e rgjanda “habentes singuli citharas, et fialas aureas”, ku Grigori ka kitharë, Kristoforidhi qitharë. Po citer “lirë” e ka Lacaj- Fishta për lat. Fides, dhe pas Mannit e ka edhe Illyria. Sipas Çabej: çështja e burimit, a letrar a popullor, mbetet e hapët. |
Cyl: | Vegël paramuzikore. Enc. Sipas Sokolit, cyli sajohet prej fëmijëve nga shelgu. Cyli është një lloj bilbili. |
Cylëmjete: | Pipëz. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Malëshovë-Përmet. Shiko zërin: pipëza. |
Cungrana: | Vegël muzikore popullore e gjinisë idiofone. Enc. Sipas Sokolit: parimisht tingujt e cungrmës dalin nga pickimi i gjuhëzës metalike dhe kumbojnë në zgavër të gojës, prandaj nga kjo pikëpamje vegla qëndron midis gjinisë idiofone dhe asaj aerofone. Gjendet e përdorur vetëm tek arbëreshët e Italisë. |
Curle: | f. Vegël popullore aerofone, një tip fyelli njësh. Etim: Këtë fjalë G.Meyeri 487 e jep me trajtat curle e cule, bashkë me xhura, zurrnë e disa të tjera fjalë. Sipas Çabej fjalën curle e gjejmë edhe me një përhapje ballkanike. Serb. Zurna, kroat. E serb. Surla
“cule, feçkë e derrit”, e bie të ardhur prej turq. Zurna “lloj fyelli me zë çjerrë”. Origjina e largët nga persishtja currle-surna. Enci: Sipas Çabej: fjalë e mbarë gjuhës sonë, po me trajta të ndryshme nëpër dialekte. E hasim që tek Bardhi: Liticen, Trombetta Curle,(curle?), Taratantara Zani i curlesë, i trombetësë Tibicen Trumbe, curle pra kryesisht për “buri, trumbetë”. Tek Bogdani (Përgjegji zoti Jank f.2) boritë, lodërtitë e curletë (-e-?) “trombë, tamburi, nacare”. Po sipas Çabej: në të folet e Sulovës “fyell me gjashtë brima” (Haxhihasani BSS 1955 nr. 3 f. 175). Si fjalë e gjejmë të përdorur në folklorin gojor së bashku me efektin e saj tingullor. |
Culë | e.f., Vegël aerofone. Enc. Pipëz e dyfishtë nga lëkura e shufrave të ndryshme. Me këtë emër, këtë VA e gjejmë të përdorur në Gjirokastër. Lit: Sokoli. R. “Gjurmime”, Tiranë, 1981 etj. Enc. Cula është realisht një tip fyelli e ndërtuar kryesisht në dru. Në popull gjejmë disa përcaktime për culën. Me “Culë Gore”, do të kuptojmë një culë me format të madh; me “Culë Tirane ose “Culë Ostreni” do të kuptojmë culën e vogël në ndërtim, kurse me “Culë Dibre”, culën mesatare. Në “Culën e Tiranës” zakonisht luajnë dy muziktarë popullorë. Shiko zërin: curle. |
Culë dyjare: | e.f., Vegël aerofone e përbërë nga dy cula në një bllok druri të vetëm. Etim: ende e pasqaruar. Enc. Kjo VA është ndër veglat e vetme iso polifonike qysh në ndërtim, pasi është konceptuar si e tillë, edhe në krahasim me të gjitha veglat e tjera muzikore popullore. Gjendet e përhapur në Labëri, dhe kryesisht në rrethin e Vlorës dhe të Sarandës. Përdoret si vegël vetmitare por ka dhe raste kur ndërfutet si vegël solistike në një formacioni IP si në rastin e grupit të Pilurit. Në F.F.K Gjirokastër 2000, muziktari popullor Arap Çeloleskaj interpretoi në një culë dyjare prej guri. Shih zërin: bicule. Lit: Sokoli, Ramadan. “Cula-diare”, “Vatra e Kulturës”, 1965, nr. 6; “Melodi dhe valle popullore instrumentale”, Tiranë, 1969; Kruta. Beniamin, “Culëdyjarja shqiptare-instrument polifonik dhe disa paralele ballkanike”, “Studime filologjike”, 1975, nr. 1; Miso. P, “Muzikë popullore instrumentale”, Tiranë, 1990; Shituni. S, “Polifonia Labe”, Tiranë, 1991 etj. |
Currubabë: | Pjesë e veglës popullore të glyrës. Enc. Sipas Sokolit: currubaba është një pip volioglot me gjuhëz të dyfishtë, që e nxjerrim nga lëkura e shufrës së njomë. VA të currubabës me këtë emër e gjejmë të përdorur në Përmet. |
Cyletar: | Muziktari popullor që i bije cyles. Enc. Ndër muziktarët e shquar popullorë që janë evidentuar në interpretimin në culë dhe cule dyjare përmendim: Arap Çeloleskaj-Vranisht, Vlorë, Petref Likaj-Mavrorvë,Vlorë, Ago Beqiraj-Tërbaç, Vlorë, Asllan Nora Fushë-Bardhë, Gjirokastër, Jakup Gjikondi-Vranisht, Vlorë etj. |
Çakordoj: | Prish bashkëtingëllimin e telave të veglës muzikore popullore. Enc. Akordimi dhe ç'akordimi i veglës, pavarësisht prejardhjes së fjalës, nuk kanë të bëjnë me tiparet e dhe formimin muzikor që orientohet prej tingullit të temperuar. Në këtë rast, pra me ç`akordim populli nënkupton faktin që telat hahen me njeri-tjetrin, që nuk kanë të rënë të mirë dhe të pëlqyeshme. Shiko zërin: akordoj. |
Çokane: | Vegël muzikore popullore e gjinisë idiofone. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Çamëri. Shiko zërin: bipe. |
Çokole: | Vegël muzikore popullore e gjinisë idiofone. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Çamëri. Shiko zërin: bipe. Lit: Sokoli R, "Gjurmime", Tiranë, 1981 etj. |
Çomange: | f. Një zog këngëtar. Etim. Sipas Çabej: formime onomatopeike të dala nga mënyra çin çin e këngë së këtyre zogjve këngëtarë. Enc. Gjejmë të përdorur në Shpal të Tiranës. Sipas Çabej: në Gjirokastër një lloj tjetër zogu këngëtar e ka emrin çingush. |
Çomange: | Shkopi i trashë i krahut të djathtë të daullexhiut me të cilën rrihet lëkura e daulles. Enc. Fjalën çomange e gjejmë të përdorur në Pogradec. Me emrin domaçung e gjejmë të përdorur në Lumë, me thurbëz në Mat dhe me fjalën kukë në Tropojë. |
Çomingë: | Shkopi i bariut. Enc. Çominga është shkopi i bariut shqiptar që vjen disi i trashë në krye. Me çomingë bariu provon dhe luan edhe me zilet dhe këmborët, kur i heq nga qafat e bagëtive dhe i vendos në rresht në brendësi të stanit. |
Çyr: | e.f., Vegël popullore kordofone. Etim. G.Meyeri 450, pas Hahnit, si fjalë të gegërishtes, pa shpjegim etimologjik. Enc. Tek FGJSSH: lloj mandoline me tetë deri dymbëdhjetë tela. Sipas Sokolit: vegël kordofone e familjes së tamburave, është e pajisur me 4-6 tela, të cilëve u bihet me pendëz. Tek arbëreshët e Italisë është me 12 tela. Përmendet edhe në një vjershë të Z. Serembes. Çabej e jep si "lloj kitare me 12 tela". E gjejmë kryesisht të përhapur në Shqipërinë e Mesme. Lit: Sokoli, Ramadan. "Gjurmime", Tiranë, 1981 etj. |
Dang: | onomat. Enc. Fjalë tingullimituese për të shprehur efektin tingullor të goditjes së disa veglave idiofone si p.sh këmbana. |
Darvira: | Fyelli i arvanitasve të Greqisë. Enc. Shiko zërin: fyell. |
Daulle: | f. Lodër, vegël popullore membranofone. Etim: Çabej: prej turq. Davul (kjo prej arabishtes), e cila ka hyrë dhe në të tjera gjuhë ballkanike. Emri i agjentit daullxhi, daullar, daulltar m. Enc. Sipas N. Cekës: njoftimin e parë e kemi nga Atheneu (XIII fq. 10) i cili shkruan se Olimpia, nëna e Aleksandrit të madh, u lëshua në mënyrën bakhike, me daulle. Del gjithashtu dhe në veprat e De Rades (Giordano) si dhe në poezinë popullore arbëreshe të Kalabrisë (etimologji e gabuar te Kamarda II 151) Prandaj është një nga huazimet e vjetra turke të shqipes, depërtuar para shtegtimit shqiptar për në Itali. E gjejmë të ndërfutur edhe në folklorin gojor. Lekura e daulles është zakonisht lekurë keci, kurse lëkura e krahut të majtë të saj (pra ajo e thuprës), është lëkurë keci femër. E gjejmë të përdorur edhe në fjalë të urta si p.sh:
“Bie daullja në vesh të shurdhit”. Sipas Th. Nasit: vegla më e zakonshme që kënaq veshët e shumicës së Shqiptarëve është daullja, e cila më të shumët here luhet solo. Në Shkodër me emrin “Daulla” thirrej orkestra frymore e Frano Ndojës, e shek. XIX, fillimi shek XX. Në Kurbin kemi monumentin natyror të quajtur “Rrapi i Daulles”. Në letërsinë artistike shqiptare, I. Kadare ka krijuar edhe simbolikën e daulles në disa prej veprave të tij. Njërin prej romaneve të tij e ka titulluar “Lëkura e daulles”. Në romanin “Kështjella” kemi “daullet e shiut”, dhe në ndonjë rast tjetër gjejmë edhe “Kullën e daulleve”. Në Kosovë e gjejmë në trajtën nokël. |
Daullexhi: | Muziktari popullor që luan në veglën e daulles. Enc. E gjejmë edhe në trajtën daulltar. Një daullexhi shumë i njohur ka qënë Xhemali Toçilla i Kukësit; Lul Cara i A.K.V.P; katër daullexhinjtë e Ansamblit të Karadakut-Kosovë etj. |
Def: | Dajre. Enc: Me fjalën def e gjejmë shumë të përdorur në sazet e Shqipërisë së Jugut por dhe në veri të Shqipërisë dhe Kosovë. Gjithashtu e konstatojmë të ndërfutur edhe në folklorin gojor. |
Diare: | Veglë muzikore idiofone. Enc. Diarja është këmborë dyshe. Diarja është një këmborë e vogël brenda një më të madheje. Në shumicën e rasteve, trupi i jashtëm i diares lëshon të njëjtën note me trupin e brendshëm të saj. Në ndonjë rast kemi fenomenin e dy bashkëtingëllimeve të ndryshme të të dy trupave. Ky fenomen konstatohet në diaret e përdorura nga barinjtë toskë. Shiko zërin: këmbora. |
Dyjare: | Cylë dyjare. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Labëri. E gjejmë të ndërfutur edhe në folklorin gojor: Mbaje vesh cylen dyjare/Unë i bija, ti po qanje. Shiko fjalën culë dyjare, bicule. |
Fëjll: | Fyell. Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur tek shqiptarët e Maqedonisë. Shiko zërin fyell. |
Fieta: | Gjethe. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. Shiko zërin Fletë. Lit: Renis, Aleksandro "Veglat dhe muzika në trevën arbëreshe", "Kultura Popullore", 1984, nr. 1 etj. |
Fifisë: | Pipëza. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Çamëri. Shiko zërin Pipëza. |
Filiç: | Tundësi i trobolicës. Enc. Filiçi është një bisht druri i gjatë, që përfundon në majë me një rrotullame të drunjtë, me anë të së cilës rrihet qumështi. Efekti tingullor që prodhohet prej goditjeve të filiçit është mjaft karakteristik. Në disa raste përdoret për të shoqëruar këngët rituale të bujqësisë. Me këtë emër e gjejmë të lokalizuar në jug të Shqipërisë. Lit: Tase, Pano Visaret e Kombit, Vëll. XII, Tiranë, 1941 etj. |
Filikackë: | Pipëza. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Çamëri. Shiko zërin Pipëza. Shiko zërin Pipëza. |
Fishkarualli: | Pjesë e veglës muzikore të fyellit arbëresh. Enc. Fishkarualli është kallami i fyellit. |
Fletë: | Vegël paramuzikore aerofone. Enc. Zakonisht përdoret fleta e ahut mbi të cilën ushtrohet frymë me presion. Me fletën mund të nxirren melodi të ndryshme, kryesisht fishkëllima. Meloditë e fletës i gjejmë të shoqëruara edhe me vegla kordofone. Tek arbëreshët e Italisë e gjejmë me fjalën fieta. |
Folla: | Pjesë e veglës popullore të surles. Enc. Folla zakonisht punohet nga një material plastik. Muziktarët popullorë mbështesin buzët mbi follë gjatë interpretimit të pjesëve muzikore popullore. Sipas Misos: folla mbështetet mbi rendelen e ngjitur në bishtanik. |
Folla: | Fyell. Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur tek shqiptarët e Maqedonisë. Shiko zërin fyell. Lit: Voronina i, Domosileckaja M, Sharapova L, "E folmja e shqiptarëve të Ukrainës", Shkup, 1996. |
Flojere: | Floere f. “fyell”. Etim: Sipas Çabej: G. Meyeri 108 sheh këtu një fjalë me gurrë shqiptare. Miklosichi (Wanderungen der Rumunen 23) konstaton përhapjen e kësaj fjale “gati kudo ku kanë shkuar barinjtë endacake rumunë” dhe burimin e saj e gjen në gjuhën shqipe, duke e lidhur këtu me fryj. Enc. Po sipas prof. Çabej: në formën flojere e hasim tek De Rada, (Poesie albanesi III 160) flore pl. “pipeza, zamare”; në formën flerexhi m. “ ai që i bie fyellit, fejtar” e gjejmë tek Hahni |
Fyell: | m. Vegël muzikore aerofone e ndërtuar kryesisht në dru por dhe në tuba metalikë. Kemi raste kur e gjejmë edhe të ndërtuar me kockat e shpendëve, zakonisht të shqiponjave. E kemi një pjesësh apo shumë pjesësh (tri ose katër). Etim: Sipas Çabej: fjalë me etimologji fort të diskutuar; G.Meyeri (f. 108 Alb. Studien V 76): fyell me fyejt e hundës, fejëz e hundës, me floere flojere “fyell”, flerexhi m, “fejtar”, kal. ( te de Rada) flore pl. “pipëza zamare” e me fulistra pl. “fyej” në shqipen e Greqisë e bashkon me rum. Fluier, arom. Fluiara flueara, “fyell i bariut” a fluiera “me i ra fyellit”. Enc. Sipas Sokolit: dikur vegla muzikore, fyelli, lidhej me kultin falik. Një nga dëshmitë më të hershme për përdorimin e fyellit nga ilirët e gjejmë në veprën e historianit grek Straboni. Më pas e hasim në vargjet e ciklit të kreshnikëve në veri të vendit. Tek epi “Omeri i Ri”, ku vajza vishet si djalë, ajo vihet në provë kur duhet të luajë në fyell apo në lahutë. Edith Durhami (1864-1944) gjatë udhëtimeve të saj në Shqipëri në fillim të 1900, përshkruan edhe legjendën e fyellit magjik. Ajo thotë se udhës nga Berisha në Agripe, kaluan pranë një shkëmbi të madh. Një virgjinë, aq e nderuar sa thuajse qe shenjtore, ishte betuar ta shpinte atë në kishë, në Berishë. Pa pritur dëgjoi në rrugë fyellin e një bariu. E lëshoi shkëmbin dhe, kur u përpoq që ta ngrinte përsëri, vërejti se e kishte humbur forcën e saj cudibërëse. Në vitin 1744, piktori Konstandin Shpataraku pikturon në kishën e Shën Thanasit në Voskopojë një bari të vogël duke i rënë fyellit. Po në këtë vit, kemi edhe një punë të Zografëve ku paraqiten dy barinj duke i rënë fyellit, së bashku me tufën e bagëtive. Fyelli është vegla me përhapje në të gjithë hapësirën etnokulturore shqiptare. Për këtë arsye ai ekziston në dhjetra tipe dhe regjistra të ndryshme. Gjendet i përdorur si vegël solo, i ndërfutur në formacione të tjera me vegla, si dhe në ansambël fyejsh si ata të Gramshit. Në popull thuhet se në kuadratin e fshatrave Kabash-Tërvol-Gjerë-Porocan në Gramsh ka qënë djepi i fyellit. Në jug bën pjesë në formacionin e sazeve në rolin e “prerësit” të melodisë kryesore, ndërsa në veri e gjejmë kryesisht në përbërje të formacioneve me vegla kordofone dhe membranofone. Veglën e fyellit e gjejmë të përdorur edhe në folklorin gojor. Një shembull të veçantë kemi me “Baladën e Tanës”, por kemi edhe raste të tjera. Lit: Straboni, “Geographica”, tib. VII, kap. 316; Buzuku Gjon, “Meshari”, Tiranë, 1968; Maksimilian Lambertz, “Epika popullore e shqiptarëve”, tek “Çështje të folklorit shqiptar”, nr. 6, Tiranë, 1998; “Melodi dhe valle popullore instrumentale”, Tiranë, 1969; Sokoli R, “Metodë për fyell”, Tiranë, 1970; Sokoli R, “Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1981; Frashëri N “Vepra 1”, Prishtinë, 1978; “Lirika Popullore-I”, Tiranë, 1988; Miso P, “Muzikë popullore instrumentale”, Tiranë, 1990; Durham Edith, “Brenga e Ballkanit ”, Tiranë 1991, fq. 491; Tole Vasil S., “Sazet muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998; Sokoli Ramadan, “Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë, 2000; Basha, Petrit “Fyejt e Gramshit”, Tiranë 2003; Koliqi Ernest, “Vepra 4”, Prishtinë, 2003, fq. 216 etj. |
Fyelltar: | Muziktari popullor që luan në fyell. Enc. Qysh prej mitologjisë sonë njihen rastet e interpretimeve magjike të fyelltarëve në fyell, interpretime të cilat ndikonin në rrjedhën e jetës dhe vendim marrjet e njerëzave. Këtu përmendim të gjitha ato gojëdhana, legjenda dhe ballada të cilat lartësojnë interpretimet në fyell. Ndër to përmendim “Gurin e virgjëreshës”, “Baladën e Tanës”, “Ligjëratën e fyellit” etj. Si fyelltar i parë mbahet Pani, i cili sipas Sokolit: Pani, pajtori i barinjve, kullotave dhe kopeve, ishte me prejardhje ilire. Si muziktarë të shuar popullorë në interpretimin në fyell përmendim: Restem Zani-Paktoz, Gramsh; Gjika nga Fajza-Has; Avni Hoxha-Devoll; Azem Nelo-Kukës; Pano Saro-Suhë, Gjirokatër; Petref Zenelaj-Hekal, Fier; Sybi Ferollari-Zhepë, Skrapar; Razip Buxheli-Kuç, Vlorë; A.Balliu-Funarëz, Librazhd; F.Dullovi-Biceps, Kaçanik; M.Prebibaj-Curraj i Epërm,Tropojë; M.Smajlaj-Niçk,Shkodër; Nikoll Pjetri-Ishull Lezhë; Musa Budo-Picar, Gjirokastër; Laze Nora-Fushë Bardhë, Gjirokastër, Luiz Dine-Bulo, Gjirokatër; Shaqir Miloja-Shkodër; Ymer Neli-”Artist i Merituar”-Burrel, Nazif Doko-Berat, Veip Qorri-Gusmar, Tepelenë etj. Një fyelltar i dëgjuar ka qenë Pano Opingari i shqiptarëve të Amerikës në vitet 1920. E para fyelltare që njihet gjerësisht ka qënë Qerime Osmani nga sojniku i Vërcës, Gramsh. Shkrimtari Dh. Shuteriqi ka shkruar tregimet “Pani nga Kaonia” dhe “Fyelli i Tanës”. Tek arbëreshët e Italisë e gjejmë në formën florexhi. Mitologjia greke përmend Marsiasin, si fyelltarin më të shquar të kohëve antike (i cili me fyellin e tij bëri garë edhe me lirën e Apolonit, i njohur si mbrojtësi i muzikës), si dhe “fyellin e Panit”, mbretit të pyllit. Grupi më i njohur me fyej është grupi i fyejve të Gramshit. Lit: Bogdani, Ramazan “Folklori koreografik i Hasit”, Tiranë 1977; “Fjalor i mitologjisë”, Tiranë 1987 etj. |
Fyte: | Pjesë e veglës popullore të culës dyjare. Enc. Fytja është gryka e culës dyjare. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Labëri. |
Fuga: | Një nëntip i veglës popullore të fuzës. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Skrapar. |
Fuzë: | e.f. Vegël paramuzikore e përdorur nga fëmijët. Enc. Një copë dërrasë e sheshtë lidhet në një fill të gjatë e të fortë dhe që vërtitet me forcë. Nga fërkimi me ajrin prodhon një zhurmë karakteristike. Sipas Sokolit me këtë emër gjendet edhe në Iballë të Pukës. |
Fuzga: | Emërtimi për veglën popullore të fuzës. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Dukagjin. |
Gajde: | f. Vegël muzikore aerofone. Etim: Weigand 22 e nxjerr prej turq-gayda; Çabej: në shqipen gajda mund të ketë hyrë edhe nëpërmes serbokroatishtes apo bullgarishtes. Po sipas tij për përhapjen e fjalës nga iberishtja në arabishten e prej këndej në turqishten e në gjuhët sllave. Enc. Gajdja përbëhet nga shakulli prej lëkure bagëtie të vogël, buçalla e isos dhe pipa e notave. Gajdja tek shqiptarët është e lidhur ngushtë me kultin e blegtorisë. Për këtë arsye, repertori i gajdes përkon ngushtë me këtë sferë të jetës shqiptare. Që në kohët e vjetra sipas Thalloczy: ilirët këndonin këngë lufte të shoqëruara me fyej e gajde. Sot, gjeografikisht gajdja gjendet e përhapur në Shqipërinë e Jugut kryesisht në Toskëri, në rrethet e Beratit, Kuçovës, Pogradecit, Gramshit, Devollit, Korçës, Librazhdit etj. Përdoret si vegël solistike në pjesë të ndryshme, kryesisht kaba, por edhe si vegël shoqëruese në ansamble me vegla popullore kryesisht në funksion të melodisë dhe veçanërisht të iso-pedalit. Si vegël popullore mjaft e përdorur dhe e përhapur, e gjejmë të ndërfutur edhe si “të panjohur” në gjë a gjëzat: -Qafë kam/kokë skam/katër shalësh dhe pa këmbë/me frymë dhe I vdekur jam/as me kocka as me dhëmbë. (Korçë) Lit: Ludvig von Thalloczy, “Illyrisch-Albaniche orschungen I”, Munchen und Leipzig 1916; Sokoli. R, “Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1981; Sokoli R, Miso P. “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991; Çabej E, “Studime Etimologjike”; Zekaj Sokol, “Ylberet dalin kur s`i presim”, Shkodër, 2006; 9Balli Kristaq, “Thoma Nassi”, Korçë, 2006 etj. |
Gajdexhi: | Muziktari popullor që interpreton në veglën e gajdes. Enc. Ndër muziktarët e shquar popullorë që kanë interpretuar apo edhe interpretojnë në të do të përmendja: Safet Begolli-Bilisht, Korçë; Theodor Thomai-Korçë; Skënder Feimi-Korçë; Islam Bajrami-Korçë; Fiqiri Islami-Korçë; P. Hysa-Kotjel, Librazhd; Lakmi Hasimi-Përmet; Abedin Sharavolli-Berat etj. Kompozitori Tish Daija ka kompozuar këngën e titulluar Gajdexhiu. |
Gërreza: | Mjet paramuzikor i gjinisë idiofone. Enc. Sipas Sokolit: ajo përbëhet nga një bosht druri i dhembëzuar që mbaron si një dorezë. Boshtit i bashkangjitet një katror prej druri me një copë dërrasë të hollë në mes. Gërreza nxjerr tinguj të thatë. |
Glore: | Mjet muzikor aerofon i zonës iso polifonike. Enc. Sipas Prof. R. Sokolit: Glore-ataita, është mjet paramuzikor i gjinisë aerofone, sajohet nga lëvorja e drurëve duke u rrotulluar në trajtë cilindriko-konike. Është e pajisur me pipë të dyfishtë. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Pogradec. Në repertorin muzikor të kësaj vegle paramuzikore, i cili është i lidhur ngushtë me festimet rituale, hasim edhe dukurinë e polipentatonive vertikale në rastet kur disa glore interpretojnë ne grup. Mendojmë se ngjyrat e tingujve primitivë-natyrorë të këtyre veglave paramuzikore duhet të konsiderohen si elemente të origjinalitetit të kësaj muzike. Shiko fjalën glyra. |
Glyra: | Vegël paramuzikore popullore aerofone. Enc. Sipas Sokolit: glyra nxjerr tingujt nëpërmjet dridhjeve të frymës së gjuhës së dyfishtë dhe në përgjithësi tingujt që nxirren prej saj janë të çartikuluar dhe dukshëm të sforcuar. Glyra bëhet nga lëkurat e drunjve në stinën e pranverës. Zakonisht me dru gështenje në formë spiraleje. Në krye vendoset një pipëz e dyfishtë që shërben për fryrjen e ajrit. Glyrat kanë përmasa të ndryshme. Glyra klasifikohet si mjet muzikor natyral. E gjejmë të përdorur me emra të ndryshëm në vende të ndryshme. |
Gramshi fyejt: | Formacion iso-polifonik me vegla popullore. Enc. “Fyejt e Gramshit” janë ndër formacionet e pakta iso-polifonike me vegla, të cilët kanë konsoliduar në një formë specifike të ekzistencës së iso-polifonisë shqiptare. Ansambli luan muzikë iso-polifonike më dy-tre dhe më shumë zëra, ku shumica e fyejve pjesmarrës në ansambël mbajnë iso. Tipi i fyellit është kavall i gjatë me regjistër alti. Aktiviteti i tyre vazhdon ende. Së fundi pjesmarrja e tyre është regjistruar në F.F.K-Gjirokastër Shtator 2000, si dhe në festivalin e veglave popullore “Fyelli magjik”, në Butrint, Maj 2000-2001. Lit: Hoxha Meçan, “Grupi i fyejve të Gramshit”, Zëri i Popullit, Tiranë, 1982, 27 Gusht. |
Gulum: | Shfaqje muzikore arkaike e evgjitëve të Beratit. Enc: Sipas Eqrem Bej Vlorës, evgjitët e Beratit, pasardhësit e skllevërve që Omer Pashë Vrioni solli nga Egjipti, çdo të premte mblidhen në një lokal për të luajtur gulum. Shfaqja fillon kur gratë, të ulura në formë rrethi, ulërijnë, sokëllijnë dhe bërtasin ritmikisht, të shoqëruara nga një daulle e madhe vezake dhe një tjetër më e vogël po vezake, që quhet dymbelek. Ditën e Hidrelesë (23 Prill), gulumi shfaqet publikisht në një vend argëtimi ku lejohen edhe shikuesa. Sipas opinionit më të përhapur, festa e gulumit është një festë që nuk praktikohet më, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe tendencat për ta trajtuar atë edhe si nje ceremoni ku hipnotizimi prej muzikës dhe ritmit ishte një tipar bazë i tij. Lit: Vlora Eqrem, "Nga Berati në Tomorr", Tiranë 2003, fq. 52-53 etj. |
Gurët: | Vegla popullore idiofone. Enc. Mjet paramuzikor i përdorur nga muziktarët popullorë. Përdoren zakonisht dukë përplasur dy prej tyre në ritualet e ndryshme si p.sh kur ndjellin bletën nga zgjoi etj. Ritmika kumbuese e lëshuar nga gurët shërben si shtrat ritmik për melodinë e këngës të kënduar nga këngëtarët popullorë të ritualeve. |
Gjuhëza: | Pjesë e veglës popullore. Enc. Gjuhëza është pjesa e sipërme e veglës popullore të pipëzës. |
Hallma: | Shiko fjalën pipëza. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Postribë. |
Hora: | Pjesë e repertorit me vegla të muziktarëve popullorë të Shqipërisë verilindore. Enc. Sipas Prof. Sokolit: këto farë pjesësh përbëhen prej gjymtyrësh e prej frazash me gjatësi të ndryshme, të cilat mund të përsëriten disa herë, sipas dëshirës. |
Hotë: | Shiko fjalën glyra. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Lushnje. |
Idiofone: | Kategori e klasifikimit të veglave muzikore popullore. Enc. Në këtë kategori futen vegla popullore si: gurët, tokëza, çanga, cinglat, rraketakja, rrekëza, gërrëza, tingëzat, stringlat, lugët, masha, tepsia, këmborët dhe zilet, cungrama etj. VI i nxjerrin tingujt nga vibrimet e trupit të tyre të ngurtë të realizuara me goditje, fërkim, tundje etj. Lit: Sokoli R, Miso P, "Veglat muzikore të popullit shqiptar", Tiranë, 1991 etj. |
Jongar: | Vegël muzikore popullore me tela nga familja e tamburasë. Enc. Tek FGJSSH kemi: vegël muzikore me tre tela, e ngjashme me çiftelinë dhe më e vogël se bugaria. E gjejmë të përmendur si vegël qysh në përmbledhjen folklorike "Albaneisischen Studien” të Johan Georg Von Hahni (1811-1869) të botuar në vitin 1854 në Gjermani: - Moj e holla si lastari/e bardha si qelibari/leshtë tat si tel jongari. Gjithashtu e gjejmë rëndom të përdorur në muzikën popullore IP kryesisht si vegël solistike, por dhe në folklorin gojor. Shiko gjithashtu fjalën tambura. Lit: “Këngë popullore lirike”, Tiranë 1955; Miso, Piro “Vegla muzikore popullore”, tek “Shpati i sipërm”, Tiranë, 1987; Sokoli, Ramadan; Miso, Piro “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991 etj.. |
Jungar: | e.m., Vegël muzikore popullore kordofone. Enc. Sipas R. Sokolit nga familja e tamburave. Sipas Sami Frashërit me tre tela, më e vogël se bugaria. E gjejmë të përdorur edhe në poezinë popullore si më poshtë: A s'ma jep një çik jungarë/ që t'i bie me të klarë/ e të klaj shokun e parë/se më farmakosi xhanë (Konispol Sarandë Çamëri) |
Kacaule: | Vegël muzikore popullore aerofone. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Borsh-Sarandë. Shiko fjalën pipëza. |
Kacek: | Pjesa e lëkurës e veglës muzikore popullore të gajdes. Enc. Kaceku shërben si rezervuar i ajrit, i cili më pas shfryhet prej dy tytave të gajdes. Përpara interpretimit në gajde, gajdexhiu fryn kacekun në mënyrë të njëtrajtëshme me anë të një gypi ushqyes. Kaceku gjatë interpretimit, zakonisht shtrëngohet fort me krahë pas trupit të gajdexhiut. Me emrin kacek gjejmë edhe sinonimin e gajdes në rrethin e Beratit. |
Kaçup: | Sinonim i gajdes i përdorur nga çobanët. Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur nga çobanët në të gjitha ato raste kur në dasmat e tyre ftonin gajdexhinj për të bërë muzikë. Jam martuar me kaçup, ishte shprehja për të thënë se ishin martuar nën shoqërimin e muzikës IP të një gajdeje. |
Kapekipe: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "kapekipe" e gjejmë të përdorur në Kalanë e Dodës. |
Karadyzen: | Vegël muzikore popullore kordofone, sinonim me tamburanë. Etim. Sipas Sokolit turko-persiane. Nga bashkimi i fjalëve kara dhe dyzen. Enc. Ka një përdorim të gjerë kryesisht si vegël solistike. Karadyzenin e gjejmë të pikturuar edhe në disa piktura të piktorëve të huaj në shek. XVIII-XIX. E gjejmë të ndërfutur në folklorin gojor, si p.sh në baladën e Ymer Agos: As buka më hahet, as vera më pihet/as karadyzenit s'mi bihet. Katund, Korçë. Shiko fjalën tambur. |
Karramancë: | f. Fyell i bariut, pipëz. Etim. Sipas Çabej: në shqipen e Kalabrisë e te N. Brankati prej Siqelie (Marchiano, albanesi 26), në Greqi karramunxë "gajde". Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. |
Karramunxe: | Vegël muzikore popullore aerofone, gajde. Enc. VA të karramunxës, me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. Sipas Çabej: me fjalën karramunxiar thirret muziktari popullor që i bije gajdes. Shiko fjalën gajde. |
Kavall: | Fyell popullor me me regjistër alto. Enc. Tek F.GJ.S.SH kemi: fyell i madh me tytë prej druri dhe megojëz në trajtë sqepi. Sipas Sokolit: në Shqipërinë Veriperëndimore asht porsi fyelli por me përpjestime ma të mëdha, ndërsa në Shkodër e në Gjakovë ka gojëzën në trajtë sqepi porsi bylbyli. Në Kala të Dodës, me fjalën kavall përcaktohet një fyell i madh. Në përgjithësi populli e quan kavallin fyell me zë të trashë. Kavalli ka pasur një përdorim shumë të dendur në orkestrinat muzikore popullore të qyteteve të Shqipërisë qëndrore dhe asaj veriore. E gjejmë të pasqyruar edhe në folklorin gojor: Dola në breg me i ra kavallit/që, po vijn, dy zana malit. Suharekë 1977. Në Shkodër në shek. XX, përmenden si muziktarë të shquar në interpretimet në kavall Nush Geci, Gjon Cepi, Simon Shpori etj. Një muziktar popullor i shquar, pas viteve '50 të shek. XX në interpretimin në kavall ka qënë Nevruz Tafiri-Elbasan. Lit: Gurashi, Kolë; Sheldia, Gjush, “Ahengu shkodran”, almanaku “Shkodra”, 1/1961, fq. 210; Daija, Tonin “Formacionet orkestrale në këngët qytetare shkodrane”, tek “Shkodra-almanak”, 1976 etj. |
Kerçimace: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "kerçimace" e gjejmë të përdorur në Margëllëç të Çamërisë. |
Kerkaçkë: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "kerkaçkë" e gjejmë të përdorur në Devoll. |
Këmbanë: | Vegël muzikore idiofone. Enc. Pavarësisht faktit se këmbana është një vegël muzikore idiofone e lidhur ngushtë me traditën fetare kristiane në Shqipëri, efektet muzikore të saj i gjejmë të përjetuara edhe në këngët popullore iso-polifonike. Lit: Tase, Pano "Ç`u këput një yll", Tiranë, Mars 2001 |
Këmborë: | Vegël e gjinisë idiofone, kryesisht prej metali. Enc. Forma e këmborëve është kryesisht ajo e konit të prerë. Në ndonjë rast të vecantë siç është ai i këmborës për dhi të quajtur rrokaçe-Krasniqe, do të gjejmë edhe formën e paralelopipedit. Kemi këmborë njëshe dhe dyshe. Dyshet quhen diare. Në ndonjë rast ka edhe këmborë treshe apo triare. Lit: Frashëri, Naim “Vepra 1”, Prishtinë, 1978; Kurti, Dilaver, “Tradita e Madrës në Mat”, “Kultura Popullore”, 2/1986; Tole, Vasil S “Aspekte historike në evolucionin e muzikës popullore instrumentale të Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1994. Disertacion. Biblioteka e AA; Tase, Pano, “Çu këput një yll”, Tiranë, 2001; Çobani, Tonin “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, Tiranë, 2003, Elezi, Ismet “Kanuni i Labërisë”, Tiranë, 2006, fq. 45-46 etj. |
Kënga e Tanës: | Baladë popullore që bën fjalë për komunikimin mes njerëzve duke përdorur si mjet komunikimi mesazhin që buron prej tingujve të veglës popullore të fyellit. Enc. Në jug të Shqipërisë e njohim me emrin “kënga e Tanës”, kurse në veri dhe Kosovë me emrin “kajka e çobaneshës”. Përgjithësisht njihet si “këngë barinjsh”. Sipas Haxhihasanit: në qendër të saj qëndron motivi universal i mitit të muzikës, i kultit të saj si art, por dhe si mesazh i veçantë informacioni. Në këtë kontekst, kjo këngë e cila bën fjalë për përdorimin e muzikës si gjuhë, heq paralele me forcën e harpës së Orfeut, muziktarit të mitologjisë greke. Sipas Prof. Sokolit: edhe më përpara fyelltarët e vjetër të malësive tona mendonin se jonet e fyellit ushtronin ndikim të dobishëm mbi bagëtitë. Sipas Toles: familjarizimi me gjuhën e tingujve të veglave muzikore popullore, si zëdhënës i shpirtit njerëzor në “Balada e Tanës”, është një tejbartje e mesazhit të melodisë me fyell në folklorin gojor, si shembulli më i mirë i ndërthurjes së dy alfabeteve (atij letrar e muzikor), e të komunikimit mes tyre. Lidhur me përhapjen e saj do të thoshim se ka një shtrirje shumë të gjerë gjeografike, dhe se këndimi i saj konstatohet si në iso-polifoni, monodi, por dhe në monodi me shoqërim me vegla popullore. Këtë këngë e hasim në Eube-Greqi, Çamëri, Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Vlorë, Fier, Lushnjë, Berat, Skrapar, Gramsh, Kolonjë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Dibër, Kukës, Kosovë, etj. Në fondet e IKP-së në Tiranë gjenden rreth 70 variantë të kësaj kënge nga e gjithë Shqipëria. Lit: Sokoli. R, “Vallet dhe muzika e të parëve”, Tiranë, 1971; “Fjalor i mitologjisë”, Tiranë 1987; Haxhihasani Q, “Balada e Tanës dhe disa përkime të saj ballkanike”, tek “Çështje të folklorit”, nr. 4, Tiranë, 1989; “Epika legjendare”. Vëllimi i dytë, Tiranë, 1983; Tole, Vasil S, “Muzika dhe letërsia”, Tiranë, 1997 etj. |
Kllapë: | Shiko fjalën gjuhëza. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Dukagjin. |
Kordofone: | Kategori e klasifikimit te veglave muzikore popullore. Enc. Në këtë kategori futen vegla popullore si: mitralozi, tingëringja, tringa, çiftelija, bakllamaja, sharkia, jongari, kalushuni, buzuku, çyri, sazeja, llauta, lahuta, lauria, qemania, kemanxhe etj. VK i nxjerrin tingujt prej vibrimeve të kordave të tendosura. Lit: Sokoli, R. Miso, P "Veglat muzikore të popullit shqiptar", Tiranë, 1991 etj. |
Kukuvriqe: | Vrimë e pjesës së pasme të fyellit të Toskërisë. Enc: Në këtë formë e hasim në fshatin Kabash të rrethit të Gramshit. |
Kumon: | Vegël muzikore popullore idiofone. Enc. Me fjalën kumon e gjejmë në Veri të Shqipërisë, në jug e gjejmë me emrin këmborë. Kumonët zakonisht përdoren në tufat e bagëtive, Realisht kumonët kanë një përdorim të gjerë në muzikën popullore. Me mjaft interes është gojëdhana nga koha e Skënderbeut Dhitë me kumonë në qafë. E gjejmë të ndërfutur edhe në folklorin gojor. Aq kumon tingllofshin!/Aq sofra u shtrofshin! Në Kanunin e Lekë Dukagjinit (1410-1481), Libri VII, Fjala e gojës, e gjejmë në formën: Përmbas bejet t`i vejë kumbonë (berrit); përmes bejet ta ngasë n`arë (kaun), dhe në Librin IV, Shpi, gja e pronë, fjalën e urtë: Ndera e vathit asht në kumbonë. Shiko fjalën këmborë. Lit: Gjurmime albanologjike, 1/1971, Prishtinë etj. |
Melodi: | Gjini muzikore popullore në muzikën me vegla. Enc. Zakonisht me fjalën melodi quhen pjesët e natyrës përshkruese pa ndonjë objekt ose tematikë të caktuar. Melodija luhet me: bakllama, dyjare, kavall, gajde, longar, cyrle, tambura, pizgë, pipëza, llahutë, krah shqiponje, ungar. Përsa i përket përhapjes gjeografike të fjalës gjendet pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Në jug të saj, atë e gjejmë si melodi iso polifonike, mbështetur mbi shkallët pentatonike, dhe në veri të Shqipërisë si melodi të mbështetur mbi shkallët modale-diatonike dhe ato kromatike. Në Tropojë e gjejmë në formën miledinat. Lit: Sokoli Ramadan, “Melodika jonë popullore”, tek “Buletini i USHT, 3/1960; Kruta Beniamin, “Për një zhvillim të mëtejshëm të melodisë dhe formës muzikore folkloristike nacionale”, gaz. “Mësuesi”, 1968, 9 gusht; Çaushi Tefik, “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998, Tole Vasil S, “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë”, Tiranë, 2000 etj. |
Membranofone: | Kategori e klasifikimit të veglave muzikore popullore. Enc. Në kategorinë e VM futen vegla si: fyellzani, tumbullace, tumbullaci, kadumi, qypi, gubhubi, poçi, dajre, defi, lodra etj. Këto vegla i nxjerrin tingujt nga vibrimet e membranave të tendosura, kryesisht të realizuara prej goditjeve. Lit: Sokoli R, Miso P, "Veglat muzikore të popullit shqiptar", Tiranë 1991 etj. |
Mjeshtrat e punimit të veglave: | Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore popullore përbën një zeje të veçantë në pamjen e përgjithshme të zejtarisë shqiptare. Enc. Ajo ç'ka mund të thuhet deri në momentin kur filluan të hapen dyqanet e para të punimit të veglave (gjysma e dytë e shek. XIX fillimi i shek. XX), është se veglat muzikore popullore punoheshin vetë prej çdo familjeje dhe në veçanti prej bartësve të folklorit. Në rrugë artizanale në Shqipëri kanë qënë prodhuar dhe ende prodhohen vegla si gajde, fyelli, culë dyjare, çifteli, sharki, lahutë, dajre, daulle, lauri, buzuk, bakllama, llahutë etj. Në shumicën e rasteve, mjeshtrat që prodhonin veglat, punonin njëkohësisht edhe për prodhime të tjera të artizanatit popullor. Profilizimi i ngushtë i mjeshtrave të prodhimit të veglave, u formua rreth fillimit të shek. XX. Edhe në Kosovë historikisht janë prodhuar çiftelitë, lahutat, fyejt, kavallet, defet, lodrat, zumaret etj. Në shek XIX, filluan që të hyjnë në vendin tonë veglat e temperuara si violina, klarineta, fisarmonika etj, të cilat ndikuan në kufizimin e tregut të veglave të punuara në rrugë artizanale. Mbas çlirimit të Shqipërisë, në Tiranë u ngrit edhe një repart prodhimi i cili fabrikonte vegla muzikore popullore për nevojat e shtëpive të kulturës nëpër rrethe. Ndër mjeshtrit e shquar të punimit të veglave muzikore popullore përmendim Baldo Sheldi dhe Kol Mark Kola-Shkodër (shek.XIX-fillimi XX), Met Ruri-Tiranë, Petro Peristere-Korçë, Gjin Shkoza, Ndue Shyti-Pukë, Jashar Kovaçi-Pogradec, Sulo Pusta-Shpat, Elbasan, Myrvet Cuçulin në Librazhd etj. Si lahutapunues të dëgjuar në Kosovë kemi: Ibish Sejdi Dudaj (1867-1917), Sadik Coku-Deliaj (1890-1942), Jakup Ademi-Osmanaj (1903-1981); si çiftelipunues Qerim Metush Aliu (1946-1986) nga Gostivari etj. Lit: “Arti popullor në Shqipëri”, Tiranë, 1959; Shkodra Zija, “Esnafët shqiptarë”, Tiranë 1973; Kosta Sotir, “Mençuria, shija dhe shkathtësia e mjeshtërve tanë popullorë”, tek “Mjeshtrit dhe arkitektura popullore”, Tiranë, 1976; Onuzi Afërdita, “Poçeria në Shqipëri”, tek “Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike”, Tiranë, 1977; Riza Emin, “Mjeshtrit dhe arkitektura popullore”, tek “Mjeshtrit dhe arkitektura popullore”, Tiranë 1976; Gjergji Andromaqi, “Arti fshatar dhe zejtaritë artistike në Shqipëri”, tek “Nëndori”, 1978, nr. 8; Tirta Mark, “Dukuri të artit të drugdhëndjes në Kosovë”, tek “Kultura Popullore”, 2/1981; Zeqo Moikom, “Ndërtimtarët popullorë të lashtësisë”, gaz. “Puna”, 1984, 31 gusht; Cani Xhyher, “Stoli dhe pajisje të punuara nga argjendarët shkodranë”, tek “Etnografia shqiptare”, 17/1990; Neziri Zymer, “Të dhëna gjeohistorike, etnokulturore dhe epikografike për katundet e Rugovës së sipërme”, “Gjurmime Albanologjike”, Prishtinë 26/1996; Murtishi Kaim, “Ladorishti, histori dhe tradita”, Strugë, 2001; Gjergji Andromaqi, “Ligjërata per etnologjinë shqiptare”, Tiranë, 2001 etj. |
Njëjare: | e.f., Vegël e gjinisë aerofone. Enc. Njëjarja quhet ndryshe fyell i njëfishtë. Me këtë emër gjendet në Labëri. Njëjarja është fyelli i bariut lab, dhe repertori i saj përbëhet kryesisht nga pjesë që i përkasin jetës së bariut shqiptar dhe stanit të tij. Meloditë e njëjares në përgjithësi i gjejmë të shoqëruara nga "cluster-isoja" dhe "polipentatonitë e ngrira" të zileve dhe këmborëve të bagëtive. |
Ongar: | Mjet paramuzikor i gjinisë kordofone. Enc. Sipas Sokolit ongari sajohet nga fëmijët me një gjysëm kungulli e cila shërben si kasë rezonance. |
Pani i madh dhe e qara iso polifonike: | Legjenda e njoftimit të vdekjes se Panit të madh në brigjet e liqenit të Pelodit, Butrintit të sotëm. Enc. Sipas PLUT., De defectu oraculorum, XVII: Epitersi, i ati i oratorit Emilian, thoshte se një herë, duke lundruar drejt Italisë, qëlloi ne një barkë të mbushur me njerëz e të ngarkuar me mallra. Një mbrëmje, gjatë lundrimit, era pushoi dhe barka, që kishte mbërritur pranë Ekinadeve, filloi të rrëzonte dhe iu afrua një ishulli të Paksosit (kështu quhen edhe tani ishujt që ndodhen në jug të Korfuzit). Kur shumë udhëtarë po pinin ose sapo kishin mbaruar së ngrëni, nga një ishull i Paksosit u dëgjua papritur një zë që thërriste Thamos. Zëri ishte aq i fortë saqë u habitën të gjithë. Ky Thamosiqe një pilto egjyptian që pakkush nga ata që ishin në anije ia dinte emrin. Ai nuk iu përgjigj as thirrjes së parë, as së dytës, po vetëm së tretës. Atëhere zëri u bë edhe më i fortë e tha: Sa të mbërrish te liqeni Pelod, lajmëro se Pani i madh ka vdekur. Epitersi thotë se të gjithë ata që dëgjuan atë zë mbetën të tmerruar dhe, pastaj, zunë të diskutonin a duhej Thamosi të bënte sa i qe urdhëruar apo më mirë të mos e përfillte atë porosi. Thamosi vendosi që, po ta kishte erën të mbarë, të mos e përfillte fare. Mirëpo, kur arriti barka te liqeni Pelodit, pushoi era dhe deti ra në fashë, dhe atëhere Thamosi, duke u drejtuar nga toka, thirri me zë të lartë se Pani i madh kishte vdekur. Sakaq u dëgjua jo një, po shumë rënkime të thella, sikur shumë qënie të vajtonin së bashku. E meqë shumë njerëz qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje, lajmi mori dhenë e arriti deri në Romë. Tiberi, perandori i asaj kohe, thirri Thamosin, e aq përshtypje i bëri tregimi i tij saqë urdhëroi ta gjenin se kush ishte ai Pani. Letrarët, që nuk ishin pak rreth tij, thanë se do të ishte ai që kishte lindur nga Penelopja e Hermesi. Ne mendojmë se e qara polifonike ishte requiemi më i plotë për vdekjen e shumë te shquarit Pan, e kumtuar enkas në zonën iso polifonike të Epirit të lashtë. Shiko fjalën epirote. Lit: Ugolini. Luigi M, "Butrinti", Romë, 2000, fq. 80-81. |
Pendë: | Cipë e hollë plastike me të cilën i bihet telave të veglave kordofone. Enc. Në ndonjë rast, llahutarët e sazeve të Shqipërisë Jugore përdornin edhe pendën e krahut të shqiponjës për ti rënë veglës. Në Korçë e gjejmë me emrin tezgane kurse në Prishtinë me emrin tasjan. |
Perdet: | Kufijtë ndarës të bishtit në veglat muzikore kordofone. Enc. Sipas Dizdarit: secila prej pjesëve të caktueme, të ndame, për tu prekë me gishta në veglat muzikore kordofone. Tue i ra veglës, me të prekun të ndonjanes, lëshon një tingull të veçantë. Ndër veglat me tela, qemaneja, lahuta, udi, buzuku nuk kanë perde të ndame me caqe të posaçme. Zakonisht perdet ndaheshin në bazë të temperimit muzikor popullor i cili përputhej me veçoritë e të kënduarit të çdo zone. Për ndarjen e perdeve përdorej fill plastik. Lit: Dizdari Tahir, "Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, fjalët me prejardhje nga persishtja", Perla, 2004/1, fq. 22. |
Pilipizgë: | Pipëz. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Korçë. Shiko fjalën pipëza. |
Pinjëz: | Pipëz. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Mokër-Pogradec. Shiko fjalën pipëza. |
Pipe: | Pipëz. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Konispol-Sarandë. Shiko fjalën pipëza. |
Pizgë: | Pipëz. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Myzeqe si dhe në fjalët e urta, psh : I ujdisën pizgat në një. Shiko fjalën pipëza. |
Pizgaxhi: | Muziktari popullor që luan në pizgë. Enc. Keshtu e gjejmë të përdorur tek shqiptarët e Maqedonisë. |
Picea Excelsa: | Druri i bredhit. Enc. Nga Picea Excelsa, mjedhtrat popullorë të punimit të veglave, përgatisin suprinën e veglës popullore të llautës të trashë rreth 4 mm. |
Pifar: | Shiko fjalën culë dyjare. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Labëri. |
Pipëz: | Pjesa e sipërme e veglës popullore të surles. Enc. Zakonisht pipëza ndërtohet nga kallami i kënetës i llojit të butë. Pipëza është në vetvete si kallam i dyfishtë. |
Pipëza: | Vegël muzikore popullore aerofone. Enc. Kemi dy lloje pipëzash: njëshe dhe dyshe. Pipëzat dyshe gjenden të përhapura vetëm në Shqipërinë Jugore, ndërkohë që ato njëshet kanë një përhapje mbarëkombëtare. |
Pitiqe: | Pipëz. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. Shiko fjalën pipëza. |
Pizgë: | Vegël paramuzikore aerofone. Enc. Në këtë formë e hasim në Korçë, Leskovik dhe Përmet. Bëhet zakonisht nga shelgu i njomë. Një muziktar shumë i dalluar në interpretimet në pizgë, ka qënë në fëmijërinë dhe rininë e tij edhe kompozitori Thoma Nasi, nga Dardha e Korçës. |
Progonatë: | Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Me emrin progonatë kemi stolitë që zbukurojnë gjoksin dhe ballin e kalit. Si fjalë del që tek Bleta e Mitkos. |
Rënga: | Tingulli që prodhohet nga vegla e buqes. Enc: Në këtë formë e gjejmë në Labëri: O Sherif Hasan brezvëna,/ç`i bëre buqet e rënda:/Kanal u dëgjonej rënga,/Lekëkond u bënej tënda. Shiko fjalën bipe. Lit: "Këngë popullore të Labërisë", vol. 8, Tiranë, 1991, fq. 592. |
Rile: | Vegël muzikore popullore idiofone. Enc. Rilja është zile e vogël bagëtish, për qingjat e vegjël. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Shqipërinë Jugore. Shiko fjalën xhingërime. |
Rraketake: | Vegël muzikore popullore e gjinisë idiofone. Enc. Rraketakja më e përhapur është ajo e ndërtuar me thupra, në formë shporte të mbyllur me një bisht mbajtës. Brenda shportës futen gogla dushku të cilat nga lëvizja ritmike lëshojnë një zhurmë karakteristike. Zakonisht përdoren në shoqërimin muzikor të ritualeve dhe festave të tjera muzikore arkaike. Rraketaket si VI gjenden të përhapura rëndom në të gjithë hapësirën etnomuzikore shqiptare. Shiko fjalën takalake. |
Rrëngazhdrëng: | Fjalë e praktikës muzikore popullore për të përshkruar një interpretim jo cilësor. Enc. Kjo fjalë përdoret nga muziktarët e sazeve të Përmetit për të pohuar se interpretimi i një pjese muzikore nuk po shkon mirë, pra: po i biem rrëngazhdrëng. |
Rrokullum: | Tundjet dhe lëkundjet e gjata dhe të plota të djepit, që bën nëna gjatë këndimit të ninullave për fëmijën e saj. |
Shapka: | Shiko fjalën hinka. |
Tagiar: | Shiko fjalën def. Enc. Në këtë formë e hasim tek shqiptarët e Maqedonisë. |
Takalake: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "takalake" e gjejmë të përdorur në Mokër. |
Tambura: | e.f., Vegël popullore e gjinisë kordofone. Etim: nga turq. “tambur”. Enc: Si fjalë del që tek “Bleta” e Th. Mitkos. Përmendet edhe tek vepra e Spiro Dines (gjysma e dytë e shek. XIX), kur bën fjalë për gjallërimin e muzikës popullore tek shqiptarët në kolonitë e Egjyptit. Po ashtu e përmend edhe C.H.T. Reinholdi në botimin me këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë, “Net pelasgjike” në vitin 1855: Posht e la nga Sarongaj (o),/Tuke rarë tamburaj (o);/Tamburaj thërit e klaj (o),Solemai ndë dor’ e mbaij (o)! Sipas Sokolit e gjejmë me emrin tambur në Shqipërinë e Jugut dhe me tamërr në Shqipërinë Veriore. Tamburi shqiptar është në formë bakllamaje me bisht të gjatë me dy-dhjetë tela të cilëve u bihet me pendë. Në një raport të viteve ‘30 shek. XIX të diplomatit të huaj Muller, thuhet shprehimisht se: gegët dhe toskët pëlqejnë tamburanë. Në Skrapar gjejmë tamburanë me dy tela të cilës i këndohet si më poshtë:Tamburaja dru prej mëni/ Ç’farë ti bëj këtij çapkëni./Tamburaja dru prej fiku/Ç’farë t’i bëj këtij arshiku. Muziktarë të shquar në interpretimin në tambura, në shek. XX, kanë qënë muziktarët e Gramshit Sabri Llaha-Tunjë, Mete Boci dhe Xhevo Avdiu-Lubinjë, Mersin Baku-Sult, Cene Ballolli-Ostenth, Dane Skora-Shëmbërdhenj i Sipërm, Sadik Dragoti-Nartë. Mjeshtra të prodhimit të tamburasë kanë qënë Mete Boci, Sadik Dragoti dhe Murat Mullaosmani. Kuptimplotë është edhe thënia e Ami Bues: “Siç është kitara për spanjollin është tamburaja për shqiptarin”. Lit: “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”, Vol. I, Tiranë, 1961; Basha, Petrit, “Fyejt e Gramshit”, Tiranë 2003 etj |
Teli: | Fill metalik me anë të të cilit nxirren tingujt tek veglat muzikore popullore kordofone. |
Tezgane: | Penda me të cilën i bihet veglës muzikore popullore kordofone të llautës ose bakllamasë. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Korçë. Sgiko dhe fjalën pendë. |
Tërhotë: | Shiko fjalën glyra. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Cërrik. |
Tërrtëre: | Shiko fjalën gërreza. Enc. Në këtë trajtë e gjejmë ne arbëreshët e Italisë. |
Tingëza: | Vegël popullore e gjinisë idiofone. Enc. Sipas Sokolit: tingëzat përbëhen nga dy disqe të rrumbullaktë prej metali, paksa të kupëzuara përbrenda, me ng anjë vrimë në mes, e cila përshkrohet nga një lidhëse. Zakonisht tingëzat përdoren nga valltarët për të theksuar lëvizjet koreografike. Janë përdorur edhe në ahengun shkodran. |
Titaroti: | Vegël muzikore popullore aerofone. Enc. Titaroti është fyelli pa vrima i arbëreshëve të Italisë. Titaroti punohet nga lëkura e njomë e gështenjës në kohën e pranverës. |
Tokëza: | Mjet paramuzikor i gjinisë idiofone. Enc. Ajo është një rasë guri e gjatë. Sipas Sokolit: tokëza mund të jetë ndërtuar edhe nga një pllakë druri e fortë. Tokëza varet me litar në një tra dhe goditet me një mjet të fortë për të prodhuar tingullin. Ka qënë përdorur kryesisht për qëllime utilitare. Tek arbëreshët e Italisë e gjejmë më fjalën troka. |
Topuz: | Shiko fjalën çomange. |
Tota: | Shiko fjalën glyra. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. |
Totaritë: | Shiko fjalën glyra. Enc. Në këtë formë e gjejmë të përdorur në Blinisht. |
Trakalaku: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "trakalaku" e gjejmë të përdorur në Thumanë. |
Trakaliqe: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "trakaliqe" e gjejmë të përdorur në Kurvelesh, Kolonjë etj. |
Trakalisë: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "trakalisë" e gjejmë të përdorur në Krujë. |
Trakatruke: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "trakatruke" e gjejmë të përdorur në Borsh të Sarandës. |
Trakëz: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "trakëz" e gjejmë të përdorur në Lushnje. |
Triare: | Këmborë treshe. Enc.Triarja është e përbërë nga tre këmborë të futura brenda njera tjetrës. Në triare të veçanta, konstatojmë edhe tingëllime të tre notave të ndryshme pentatonike. Shiko fjalën këmbora. |
Troka: | Shih fjalën tokëza. Enc. Në trajtën troka e gjejmë të përdorur tek arbëreshët e Italisë. |
Trokate: | Shiko fjalën rraketake. Enc. Në trajtën "trokate" e gjejmë të përdorur tek shqiptarët e Maqedonisë. |
Turumbetë: | Shiko fjalën glyra. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në rrethin e Pogradecit dhe Skraparit. |
Thupra: | Shkop i hollë. Enc. Thupra është shkopi i krahut të majtë të daullexhiut, me të cilin rrihet membrana e daulles në mënyrë ritmike më të shpeshtë sesa dora e djathë, me të cilën ai mban çomangen. Shiko fjalën çomange. |
Ujku: | Vegël paramuzikore popullore. Etim: Prej britmës, hungërimës së ujkut. Enc. Sipas Prof. Sokolit: ujku përbëhet nga një boçë lisi me një shkop të futur në të, duke e rrotulluar mbi tepsi lëshon një farë kumbimi të ngjashme me britmën e ujkut. |
Urë: | Pjesë e veglave muzikore popullore kordofone. Enc. Ura është pjesa në të cilën mbështeten telat e veglës popullore kordofone të bakllamasë, llautës etj. Me këtë emër e gjejmë kryesisht të përdorur në muzikën popullore me vegla të Shqipërisë Juglindore. |
Vurbëza: | Vegël paramuzikore, sinonim me fuzën. Shiko fjalën fuza. |
Xamare: | Emërtim për fyellin e bariut. Enc. Me xamare e hasim në Shqipërinë e Jugut. |
Xhingërime: | Vegël muzikore popullore idiofone. Enc. Xhingërimet janë zile shumë të vogla në formë të rumbullakët, trup metalik, me një të çarë, ku brenda hidheshin pjesë të vogla metalike të cilat tundeshin gjatë lëvizjes. Xhingërimet u viheshin në qafë mushkës, kalit dhe në mënyrë të veçantë kecërve ose qingjave manarë. VI të xhingërimeve kanë edhe funksion zbukurues dhe i gjejmë edhe të kombinuara me zilet në ndonjë rast edhe me këmborët. Me fjalën rile e gjejmë të përdorur në Zagorie dhe me xhingërime në Përmet. |
Xhura: | f. Vegël popullor aerofone e njohur kryesisht si fyelli i bariut shqiptar. Etim. Nga turq. zurna. Sipas G.Meyerit: me zurne e zurna “vegël muzikore me frymë e përbërë prej një tyte, surle”. Sipas Prof. Çabej: trajta të tilla si xure “fyell i bariut” te Godini (s.v. Schalmei), me x-në e tyre sqarojnë fonetikisht kalimin e z:xh te zurna:xhura. r-ja e kësaj me asimilim të grupit rn.-Sh. edhe zulme. Enc. Me xhura në këndvështrimin tërësisht etnomuzikor duhet të kuptojmë fyellin e Toskërisë. Pra ndryshe nga fyejt e tjerë, xhuraja në thelb është një fyell alto. Xhuranë e gjejmë të përdorur sidomos prej N.Frashërit në poezitë e tij. Lit: Frashëri N. “Vepra 1”, Prishtinë, 1978; Kadare Ismail, “Vepra letrare 1”, Tiranë, 1981; Poradeci L. “Vepra letrare”, Tiranë, 1990 etj. |
Zamare: | Pipëz-fyell i bariut. Etim: G.Meyeri kuptimin e kësaj fjale e jep pas Hahnit si xamare. Enc: Sipas Çabej: fjalë e përhapur nëpër dialekte: tosk. jugore (në Gjirokastër) me fortim të spirantit nistor xamare; geg. Veriore (Shkodra) zumare. E gjejmë të përdorur edhe te Hora e Arbereshëve (Piana) në Siqeli zumare, në poezitë e Skiroit në trajtën zumaresë. Lit: Sokoli Ramadan, BSS, Nr. 4, Tiranë, 1954 etj. |
Zambare: | Vegël muzikore popullore aerofone-fyell. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Myzeqe. Zambarja Myzeqare ka ngjashmëri me fyellin e arbëreshëve të Greqisë të quajtur djamara. E gjejmë të ndërfutur edhe në folklorin gojor: Një çoban sipër në mal,/Bij' e bij zambares-o/Kemi bukë për të prurë!/Thotë vasha:-"vete unë"! Lit: "Këngë popullore lirike", Tiranë, 1955 etj. |
Zanamane: | Shiko fjalën pipëza. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Blinisht. |
Zigulka: | Violinë. Enc. Në këtë formë e gjejmë në praktikën muzikore të shqiptarëve të Ukrainës. Shiko dhe dhjoli, qemane. Lit: Voronina i, Domosileckaja M, Sharapova L, "E folmja e shqiptarëve të Ukrainës", Shkup, 1996. |
Zile: | Vegël muzikore popullore me lartësi të përcaktuar tingulli. Enc. Si fjalë del që tek "Bleta" e Th. Mitkos. Zilet i kemi njëjare dhe dyjare. Zilet e tipit dyjare janë kur një zile më e vogël është brenda një më të madheje. Kryesisht janë vegla të ngurtësuara në kopetë e bagëtive të përbëra nga përzjerje të veçanta bakri, tunxhi dhe zinku etj. Konsulli austriak në Janinë në vitin 1872, Ludvig Bettner, në raportin e tij të titulluar Konfiguracioni gjeografik, historik dhe etnografik i Epirit në vitet 1866-1872, të Vilajetit të Janinës përmend edhe se në qytetin e Përmetit ishte i zhvilluar punimi i bakrit, ku zejtarët bënin enë të cdo lloji e sidomos këmbana për kisha, me peshë 50 okë, zile e këmborë të mëdha e të vogla. Në përgjithësi kemi një përngjasim së formës së jashtme të ziles dhe këmbanës me xhubletën, veshja që mbahej e varur në supet me dy rripa të gjerë dhe që përdorej vetëm nga shqiptarët në një zonë përqark alpeve. Etnomuzikologjia jonë konstaton tek zilet edhe dukurinë e “polipentatonive të ngrira”. Ka një përdorim të gjerë edhe në veprën letrare të Naim Frashërit. Në “Kanunin e Labërisë”, Kreu 26, neni 438, pika 1 kemi të shprehur se: Dashi i këmborës dhe cjapi i ziles janë ne ballë të tufës së dhenve e të dhive dhe mbajnë këmborët e zilet e mëdha. Siç e kemi theksuar, muzika e zileve dhe këmborëve është quajtur si muzika e përhershme e fshatrave shqiptare.
Lit: Tole. Vasil S, “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë II”, Tiranë, 2000; Gjergji, Andromaqi “Ligjërata për etnologjinë shqiptare”, Tiranë, 2001, Adhami, Stilian “Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe kujtimet e popullit”, Tiranë, 2001, fq. 32; Elezi, Ismet “Kanuni i Labërisë”, Tiranë, 2006, fq. 160. |
Zumare: | Shiko fjalën pipëza. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Blinisht. Lit: Revista "Shejzat", Nr. 9-10/1960 |
Zurna: | Emërtim popullor për veglën e surles. Etim. Nga persishtja surna (sur+nej). Enc. Në këtë formë e hasim në zonën IP të Shqipërisë së Jugut. E gjejmë të ndërfutur edhe në poezinë e kultivuar shqipe si në rastin e poezisë së Nolit: Brohoritni trumbeta, timpane, zurna/Thirr e zbraz, o gurmas: Hosanna, hosanna! |
Zurnaxhi: | Muziktari popullor që luan në veglën popullore të zurnasë. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në zonën IP si dhe në të gjithë Shqipërinë. Në Fier, në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX, një zurnaxhi shumë i njohur ishte edhe Pasho Morava, në Lushnjë Aqif Hamiti dhe Petraq Gjini etj. |
Zvura: | Një nëntip i veglës popullore të fuzës. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Filat të Çamërisë. |
Zhingla: | Stoli që varen në veshjen popullore, në kokë, qafës ose në gjoks. Enc. Zhinglat janë kryesisht zbukurime metalike që i mbajnë gratë, të cilat gjatë kërcimit tunden dhe përplasen duke lëshuar një zhurmë karakteristike. Gjithashtu është provuar se përveç zhinglave, zilka të vogla për zbukurim, si dhe me fumksion ritmik dhe muzikor, kanë mbajtur edhe gratë ilire në qafat e tyre. Ndër to përmendim gjerdanin e arit nga neklropoli i Dyrrahut, fundi i shek. III p.Kr.; vath ari nga nekropoli i Dyrrahut, shek. II. P.Kr.; gjerdanin me ruaza guri, i neolitit të mesëm gjetur në Blaz-Mat; vathët e arit me Erosin në fluturim gjetur në Selcën e Poshtme, viti 230 p.Kr.; rreth qafe prej bronzi nga varreza arbërore e Komanit, shek. VII-VIII m. Kr.; vathë ari nga Shishtufina-Tiranë, shek. VIII-IX m.Kr.; vathë argjendi nga nekropoli arbëror i Rehovës-Përmet, shek. IX m.Kr.; vathë ari dhe gjerdan nga varreza arbërore e Krujës, shek. VII-VIII m.Kr.. Me emrin zhingra, tek shqiptarë e Maqedonisë thirret vargu me zile të vogla të cilat i varen në qafë kalit. Në veri i hasim me emrin perishane, ndërkohë që në jug i gjejmë në formën perushane për të gjitha ato zbukurime të cilat i vendoseshin nuses vetëm në ditën e martesës. Në Shkodër, varësen e madhe të nuses, të mbushur me monedha ari dhe argjendi të lidhura me filigramë, e quanin “dupja”. Lit: Dizdari Tahir, “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, fjalët me prejardhje nga persishtja”, tek “Perla”, 2004/1, fq 24; Ludvig von Thalloczy, “Illyrisch-Albaniche orschungen I”, Munchen und Leipzig, 1916; Ceka Neritan, “Ilirët”, Sh.B.L.U, 2000 etj.. |
Zhybil: | Shiko fjalën pipëza. Enc. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në rrethin e Durrësit. |