No products in the cart.
Dangëllia, sipas burimeve bizantine të shek. XIV, quhej Malakas dhe përfshinte 28 fshatra. Emërtimi “Dangëlli” vjen nga turqishtja, që do të thotë “vend malor, malësi”. Këtë emër ia dhanë pushtuesit osmanë në fillim të shek. XVII. Shtrihet në pjesën Veri-Lindore të Përmetit, midis luginës së Osumit në Veri, asaj të Kreshovës në Veri –Perëndim, Lenaricës në Jug-Lindje dhe Shqerisë në Perëndim. Kjo zonë përmbledh fshatrat Frashër, Ogren, Kostrec, Selenicë, Zavalan, Soropull, Kreshovë, Kakos, Qeshibesh, Stërnec, Mican, Vërcisht, Gostomickëm Koblarëm Gostivisht etj. Fshati Frashër, qendra e Dangëllisë, vendlindja e vëllezërve Frashëri, siç thamë, ka nxjerrë nga gjiri i vet me dhjetëra figura të shquara në fushën politike, shkencore, letrare e artistike. Dangëllisë i këndoi plot mall Naimi. Banorët kanë traditë në blegtori e frutikulturë ku bie në sy edhe bukuritë natyrore të Hotovës. Dangëllia që herët u dallua për mërgimin e popullsisë jashtë vendit.