Go to top
Vasil Mastora

Tradita e sazeve të zonës së Gjirokastrës shënjon një kulminacion në zonën e Dropullit, e konkretisht në sazet e familjes Mastora. Sazet e kësaj familjeje shumë të talentuar përbëhen nga Vasil Mastora (1920) me gërnetë dhe violinë, Spiro Mastora (1953), i biri me violinë, Thanas Mastora (1946), i biri me llahutë, Mihal Mastora (1950), i biri me violinë, Dhionis Mastora (1947), i biri me fizarmonikë dhe llahutë,  Maria Mastora (1944), e  bija me dajre, Pavllo Mastora (1931), i vëllai me gërnetë, Kristof Mastora (1938), i nipi me llahutë. Kanë zhvilluar një veprimtari të gjerë në Shqipëri, Greqi,  Francë, Itali, ish-Jugosllavi etj. Për më shumë rreth këtyre sazeve ka shkruar studiuesi Kosta Loli.

Kurse për sazet e Gjirokastrës ka pak informacione, për disa arsye. Së pari, vetë muzika qytetare e Gjirokastrës vijoi traditën “a capella” të këndimit tradicional dhe kështu, ato pak saze në luginën e Drinos që zhvillonin veprimtarinë e tyre,  nuk kanë lënë regjistrime muzikore ndër vite. Gjithësesi, disa të dhëna flasin për to. Studiuesi Ramazan Bogdani na sjell një shembull të traditës së sazeve në Gjirokastër. Aty flitet për Sazet e Hysen Dules me qemane (me origjinë nga Gjirokastra, përpara Luftës së Dytë Botërore e deri vonë), i vëllai Teme Dule me llahutë, dy vëllezërit e tjerë, Cemja dhe Haxhiu me llahute e def, si dhe Rrapo Osmani me gërnetë, të cilët  luanin muzikë popullore edhe “…në krahina dhe fshatra të tjerë të Gjirokastrës, si: në zonën e Kardhiqit (fshatrat Kardhiq, Prongji, Zhulat, Fushëbardhë, etj.), në Kurvelesh (Golem, Picar, Kolonjë, Shtëpëz etj.), në Mashkullorë, në krahinën e Rrëzës (Labovë etj.), në Libohovë, Labovë e Kryqit, Suhë Lazarat, në qytetin e Gjirokastrës, në fshatra të krahinës së Pogonit (brenda kufirit), rrallë në fshatin Derviçan etj. Në Zagori ata nuk shkonin[1]. Një tjetër të dhënë për sazet e Gjirokastrës gjejmë tek vepra e  “Sa u Tunt jeta” e Musine Kokalarit, e titulluar edhe si roman etnografik, tek pjesa “Nat e dhëndërit”, ku shkruhet: “Në fund t’odasë qenë ulur jolixhinjtë. Aliu, i zi nga surrati i bin gërnetës dhe ja kthente me grikë. Rrapo, me si gjismë të mbidhura tuke ngritur gërnetën lart ja mirte i diti. E Lilija, me sitë që i lëshonin shkëndila i bin qemanes. E dam defit Filia, sa i vareshin balukat në ballë, e i zinin sitë. E tundesh dhe vetë herë përpara e herë prapa. Shemija afër derës, i bin qemanes së madhe. Të gjithë këndonin me burrat bashkë”.

             

[1] Shih monografinë “Vallet e Lunxhërisë”, Tiranë, 1995, fq. 122. Studim i cituar.

Kaba e llojit me dy pjesë: kaba dhe valle. Pjesa e parë përshfaqet si kaba me motive baritore tipike për muzikën instrumentale të minoritetit grek të Dropullit. Rëndom, kabatë dropullite kanë një percpetim virtuoz të fakturës instrumentale e cila i atribuohet talentit të interpretuesve të saj. Një kulminacion shënohet në pjesën e parë të saj kur violinisti përmes një teknike të admirueshme violinistike imiton në violinë këngëtimin e birbilit, i cili konsiderohet si simbol i kultit të muzikës. Vallja e gëzuar e përforcon atmosferën festive që sjell zakonisht pjesa e dytë e kabave. Padyshim që Vasil Mastora renditet ndër mjeshtrat më të mëdhenj të muzikës violinistike me saze.

Spread the love
error: