Go to top
Llaqi Pitushi

“Llaqi me shokët” është grupimi i njohur i sazeve korҫare të viteve 1930. Llaqi Pitushi ishte një këngëtar, violinist dhe llahutier shumë i njohur në ato vite, sidomos në interpretimin e pjesëve instrumentale popullore, e posaҫërisht për këndimin e këngëve. Ndër to përmendim këngët e kënduara si marrës: “Ҫobankat që shkojnë zallit”, “Edhe gurët e sokakut”, dhe si prerësi i Qerimesë tek këngët: “Zogë ku më qenke rritur”, “Më pike o bandill më pike”, “Mu në baҫen tënde”, “Kënga e Dhimitraqit”etj. Në grupin e tij bënte pjesë edhe Qerimeja, këngëtarja e njohur popullore korҫare. “Llaqi me shokët” konsiderohet një bashkëkohës i sazeve të “Demka & Hajros”,“Cilo Qorrit me shokë” dhe vazhdues i denjë i traditës së madhe të muzikës popullore me saze të qytetit të Korҫës, në gjysmën e parë të shek. XX-të. Në diskun ku gjendet kjo kaba dëgjohet të flitet emri i tij në pjesën e dytë: valle. Mendohet se për këtë regjistrim ka bashkëpunuar me sazet e Jonuzit dhe Rizait, ose e thënë gjatë, me sazet e Jonuzit të Lamҫes dhe ato të Riza Mekos, ose Riza Beratit.

Kaba e tipit dy pjesëshe: “E qarë-kaba” dhe pas saj valle me saze. “E qara” vjen tërësisht e strukturuar si vajtim me violinë, e mbushur me një sërë elementesh që ta kujtojnë vajtimin, sidomos rrëshqitjet në glisando dhe kadencimet në septima ngjitëse. Sado shkurtimisht, në pjesën e parë citohet edhe motivi i “Kabasë së mediut”. Rolin e prerjes e luan buzuku. Në pjesën e dytë motivi i bukur i valles vjen i qetë dhe i përbashkuar me timbret e violinës dhe buzukut si “marrësa”.

“E qara e Merenkës” na rezulton të jetë një kaba mjeshtërore, e detyrueshme për tu interpretuar nga të gjithë violinistët më në zë të kohës. Qartazi dallohet se kjo kaba i përket traditës së shkollës korçare të violinës popullore. Në origjinal ajo është “E qara e Malkës të Merenkës”, pra është Malka ai që e ka krijuar dhe Merenka është ose nëna ose gruaja e tij. Ajo që dimë është se Malka ishte violinisti i shquar në përbërje të sazeve të “Demkës dhe Hajros” në Korҫë,në vitet 1920 dhe kjo kaba është krijuar prej tij në ato vite. Provë për këtë është fakti, se këtë kaba e gjejmë të regjistruar me titullin “E qara e Malkës të Merenkës, lojtur prej Rushanit”, të sazeve të “Demkës dhe Hajros” në Korҫë, prodhuar në diskun e ODEON-it ab 229 dhe akoma më herët me titullin “Avaz’ i Marenkës”, të luajtur me fyell nga P.Opingari, publikuar në disk nga e para shoqëri diskografike shqiptare “Albanian Phonographs Record” e Spiridon Tasi Ilos, në USA, 1918. Pas viteve 1990 është Remzi Lela i cili e ka regjistruar në variantin e tij me gërnetë “Të qarën e Merenkës”, tek INDIGO.

 Siҫ dihet, Rrushan Hajroja konsiderohet një ndër violinistët më të shquar të muzikës popullore qytetare me saze. Ja si i përshkruan vlerat e tyre në kujtimet e tij një qytetar korҫar:… ҫ’të thuash për Hajron dhe djemtë e tij, Rushanë e Demkën, për djemtë e Rushanit dhe të Demkës, një familje e tërë violinistësh të mbaruar, të dalluar, që e bënin violinën të këndonte, siç thotë fjala.[1]   Emri i tij përmendet edhe në vargjet e këngës:

 

 

Po vjen Hajroja vet i tretë.

Me llahut e me gërnetë

Qemanesë o i bie vetë.

 

Për shumë arsye,  kabaja e quajtur “E qara e Merenkës”, mbetet një model i kabasë për violinë e saze pasi ajo është krijuar dhe përsosur nga mjeshtrat më të mëdhenj të kësaj tradite. Kjo kaba është dhe mbetet një nga kryeveprat e kësaj tradite muzikore në përgjithësi.

 

[1] Shih Klito Fundo, “Kujtimet e Korçës ringjall”, gazeta “Korça”, dhjetor 2009. Kujtime të cituara.

Spread the love
error: