Go to top
Josif Shukallari

Referuar përshkrimit që Josif Shukallari i bën fillimit dhe vazhdimit të aktivitetit të tij muzikor kemi: “… kam lindur në fshatin Draҫovë të Përmetit më 29 janar 1958. Në moshë të re, im atë, Ilia, kishte mësuar t’i binte mandolinës, ndërsa, në vitet 1966–1967, kur vuri re që vëllai im i madh, Harallambi, kishte pasion muzikën, i bleu atij një fizarmonikë. Pasi arriti njëfarë niveli për atë kohë, ai u aktivizua në veprimtari të ndryshme në fshatin Draçovë të Përmetit, dhe po ashtu, në veprimtari zhvilluar në rang kooperative me Apostol Saqellarin, Dhiogjen Curon, Jano Priftin dhe Ndreko Priftin nga Zhepa e Përmetit. Në këtë mjedis fillova të jepesha edhe unë pas muzikës. Fillova të mësoja prej vëllait ato pjesë muzikore që kishte përvetësuar ai dhe, me dëshirën time të madhe e ndihmën e tij, luajta mjaft pjesë muzikore. Në periudhën 2-vjeçare kur im vëlla kreu shërbimin ushtarak, në fund të vitit 1969, i vazhdova unë veprimtaritë me shkollën fillore dhe rininë e fshatit e të zonës. Kështu ndodhi edhe gjatë 4 viteve të shkollës tetëvjeçare. Deri më 1980 isha pjesëmarrës me vëllanë në çdo aktivitet që bëhej në fshat, në zonë dhe në rreth, siç ishin, për shembull, festivalet folklorike. Po ashtu, edhe në ushtri (1978–1979) kam marrë pjesë në veprimtaritë kulturore të repartit ushtarak. Mbas vitit 1968 e më vonë, kur në fshat erdhi energjia elektrike, dëgjonim emisione të ndryshme dhe muzikore. Këtu më lindi ideja të mësoja gërnetën.

U bënë shumë vite që aktivizoheshim bashkë me vëllanë me fizarmonikë, duke dëgjuar e duke parë Sazet e Usta Laverit në veprimtari të ndryshme. M’u krijua kështu simpatia për një nivel më të lartë dhe më të organizuar të muzikës tradicionale përmetare dhe, në veçanti, më hynë në zemër realizimet e usta Laver Bariut me grupin e tij. Në vitin 1980 na u dha mundësia të merrnim një gërnetë të përdorur dhe fillova intensivisht ta përvetësoja. Një ndihmesë e madhe për mua në të mirë të këtij përvetësimi ishte përdorimi për shumë kohë i fizarmonikës si dhe të qenit shoqërues i tim vëllai me fizarmonikë, ku dhe improvizonim, sadopak, trajtën e një orkestre të thjeshtë, me dy fizarmonika, një klarinetë dhe def. Qysh atëherë fillova të intensifikoja punën për mësimin e gërnetës, duke vepruar edhe si saze, ku bazamentin kryesor të të mësuarit e kisha te tingulli magjik dhe te realizimet e usta Laver Bariut me grupin e tij.

Gjatë kësaj kohe kisha mbështetjen dhe ngrohtësinë e familjes dhe vëllazërisë, sepse ndodhte të lija ditën e punës apo të punoja deri në orët e vona në shtëpinë time apo të vëllait. Gjatë viteve 1980–1985, përveç aktiviteteve shoqërore, çdo ditë e më tepër shtoheshin kërkesat për aktivitete familjare, si: fejesa, dasma nga qyteti i Përmetit deri në kufi, gjithashtu edhe në disa qytete, si: Leskovik, Ersekë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Tiranë etj. I veçantë ishte rasti kur në një dasmë në fshatin Kaludh të Përmetit usta Laveri ndodhej në familjen e z. Trifon Lipe, që martonte vajzën, ndërsa ne ndodheshim në familjen e Koço Dhionis Prokos, rast në të cilin ishim në një distancë shumë të afërt dhe hera-herës dëgjonim gërnetën e njëri-tjetrit. Gjatë një pushimi që bëri në paraditen e së dielës kur prisnim krushqit, usta Laveri erdhi në tavolinën që punonim ne, bashkë me grupin e tij dhe, pasi përshëndeti zotërinjtë e dasmës, për rreth një orë punuam bashkë pjesë të ndryshme të muzikës popullore kur dhe na shprehu simpati për sa na dëgjoi dhe na uroi për suksese të mëtejshme. U ndjeva vërtet i emocionuar të luaja përpara artistit të madh Laver Bariu dhe Sulejman Lames. Me mënyrën e sjelljes, me kërkesën që më bënë për të luajtur pjesë me gërnetë, me vlerësimet dhe urimet për suksese në vazhdim, ata më dhanë një besim e forcë edhe më të madhe për të ecur me tej. Që nga ky moment m’u dha mundësia dhe m’u hap rruga për ta takuar dhe shumë herë të tjera në vazhdim për konsultime nga me të ndryshmet, qoftë për gërnetën si vegël dhe qoftë për realizimet muzikore”. 

Sazet e Josif Shukallarit janë sazet qendrore të qytetit të Përmetit pas vitit 2000 të cilat kanë paraqitur vlerat e muzikës popullore përmetare në të gjitha aktivitetet e rëndësishme vendore, kombëtare e ato ndërkombëtare ku kërkohet muzika popullore përmetare. Në përbërjen e grupit të Sazeve të Përmetit me klarinetist Josif Shukallari dhe Sadik Zeqirin marrin pjesë edhe Artur Zeqiri me violinë, llautier Qirjako Vangjelin; violinist dhe këngëtar Jarek Muçon; fizarmonikë dhe këngëtar Ylli Muçon; këngëtar dhe def Alban Zeqirin. Sazet e tij kanë bashkëpunuar ndër vite edhe me këngëtarët Vaskë e Dhimitër Curi, Anastas Naqe, Dashnor Abedini, Donika Pecollari e Luljeta Ilia, Evgjeni Culli, Viktor Thanasi e Ilia Nasi etj.

Kaba me një pjesë. Një formë e veçantë e strukturimit të kabasë toske. Kjo kaba konturohet si kaba e natyrës baritore përshkruese, e ngjashme me meloditë tradicionale të fyellit dhe kavallit të Toskërisë.

Ky tip i kabasë vjen si zgjatim i traditës së kabave të mjeshtërve si Selim Leksoviku, Vangjel Leskoviku, të Jonuzit të Lamҫes dhe usta Laver Bariut. Bie në sy zotërimi i kapaciteteve teknike të gërnetës mjeshtërore të sazeve nga Josif Shukallari dhe aty-këtu edhe nota individuale të perceptimit të fakturës së kabasë.

Sazet përbëhen nga Josif Shukallari në gërnetë, Jani Jorgo në violinë, Qirjako Vangjeli në llautë dhe Ylli Muço në fizarmonikë etj.

 

Spread the love
error: