Go to top
Andon Zako Çajupi

ÇAJUPI Andon Zako (1866–1930). poet e dramaturg, veprimtar atdhetar e demokrat. Lindi në Sheper të Zagorisë, më 27 mars 1866. Kreu mësimet gjysmë të mesme në fshatin Nivan pranë vendlindjes. Në v. 1882 shkoi Egjipt, ku ndoqi një lice francez në Aleksandri. Në v. 1887 nisi studimet e larta në Universitetin e Gjenevës (Zvicër), ku u diplomua në drejtësi (1892). Në v. 1894–1895 punoi për pak kohë si avokat në Kajro dhe më pas, pasi braktisi profesionin për shkak të një konflikti gjyqësor me një nga sundimtarët e vendit, u përfshi në lëvizjen atdhetare të Shqiptarëve të Egjiptit, duke u bërë një ndër organizatorët dhe drejtuesit më aktivë të saj. Në rrethet e gjera atdhetare u bë menjëherë i njohur me artikullin “Duke kërkuar një alfabet” (1898), ku trajtonte çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe duke kërkuar përdorimin e alfabetit latin. Pjesëmarrja aktive në lëvizjen atdhetare e nxori Çajupin në v. 1919 kryetar të Shoqërisë “Vëllazëria”, me qendër në Kajro. Ai u bë gjatë kësaj kohe frymëzuesi dhe njeri nga hartuesit e memorandumit që Shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes në Paris (1919) për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Gjithë jetën e kaloi në mërgim, në Kajro, ku dhe vdiq më 13 korrik 1930.

Veprimtaria letrare e A. Z. Çajupit nis pothuaj në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare. Më 1902 botoi në Kajro vëllimin “Baba Tomorri”, një përmbledhje poezish, ku shquhen stili popullor i ligjërimit poetik, tonet e buta të frymëzimit lirik, si dhe tonet e ashpra satirike. Vëllimi e bëri të njohur në rrethet letrare si një poet origjinal, që hapte shtigje të reja në zhvillimin e letërsisë shqiptare. Lirika patriotike e Çajupit, ndonëse vazhdonte traditën e poezisë së Naimit, ishte një dukuri e re për nga patosi dhe figuracioni poetik. Ajo sillte në letërsinë e kohës një frymë më aktuale dhe një ndjeshmëri të re ndaj realitetit shoqëror dhe politik të kohës. Përkundrejt toneve ëndërrimtare të poezisë së Naimit dhe nostalgjisë së tij, poezia e Çajupit shquhet kryesisht për tonet luftarake e notat sarkastike. Në krahasim me poetë të tjerë bashkëkohës ai solli në poezinë shqiptare vargun e toneve të ngritura, motivet e revoltës që ziente në shekuj në gjirin e popullit të tij. Ç. solli gjithashtu frymën kritike, natyrshmërinë dhe thjeshtësinë e ndjenjave, çiltërsinë dhe vështrimin realist të jetës. Poezia e motivit patriotik e social të Çajupit, me problematikën dhe patosin emocional që e përshkon, i hapi rrugën një rryme të tërë letrare e një mendësie të re në kulturën shqiptare në fillim të shek. XX. Ndërsa në lirikën intime Çajupi u shfaq me individualitet më të plotë artistik. Vëllimi “Baba Tomorri” afirmonte një poezi të tipit të ri. Lirika dashurore e Ç. është larg ëndërrimeve platonike; në të dashuria shfaqet si një ndjenjë konkrete dhe e furishme, plot vrull rinor. Temës së dashurisë Ç. i kushtoi tre cikle të mëdha: ciklin “Dashuria”, ku shfaqen tiparet themelore të lirikës së tij, si dhe një lloj ndikimi nga poezia e Naimit; ciklin elegjiak “Vaje”, që është lirika më e ndjerë e poetit, dhe ciklin “Dëshirë”, ku shumë vjershave të përshtatura nga poeti latin Tibuli, Ç. u ka dhënë diçka nga shpirti i tij poetik. Në vëllimin “Baba Tomorri” Çajupi shfaqet edhe si një ndër lëvruesit e parë të suksesshëm të baladës. Duke shfrytëzuar motive popullore, ose ndonjë motiv biblik, ai pasuroi baladën shqiptare me problematikë politike e sociale. Të tilla janë baladat “Atdheu dhe Dashuria”, “Kurbeti”, “Vaj”, “Zolejka”, ku shfaqet më qartë një nga tiparet më karakteristike të poezisë së Ç., ndikimi i saj nga folklori. Vepra poetike e vëllimshme dhe më komplekse për problematikën dhe përje-timet poetike është poema e lënë në dorëshkrim “Baba Musa Lakuriq” (me mbi 6000 vargje). Shfrytëzimi i motiveve biblike për të trajtuar një varg problemesh të realitetit shqiptar të asaj kohe, por edhe të karakterit më të përgjithshëm filozofik, siç është skepticizmi ndaj thelbit moral të njeriut, e bëjnë këtë poemë një dukuri të re në gjithë poezinë shqiptare të Rilindjes. E ndërtuar si një parodi e legjendave biblike, ajo zgjeron përmasën universale të poezisë shqipe dhe thellon prirjen e saj filozofike. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi njihet edhe si një ndër lëvruesit e parë të gjinisë dramaturgjike, sidomos të llojit të komedisë. Komeditë “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes” (botuar pas vdekjes së tij më 1937, por shkruar në v. 1909–1910), e para një komedi e zakoneve dhe e dyta një komedi politiko-shoqërore, kanë mbetur si vepra klasike në repertorin e teatrit shqiptar për humorin e tyre të vetvetishëm, për frymën popullore dhe tipat moliereskë që ka krijuar shkrimtari. Ç. la në dorëshkrim dhe një tragjedi me temë historike, të ndërtuar sipas modelit klasicist, me titull “Burri i dheut”, botuar pas vdekjes së tij (1937). Vepra ka në qendër figurën e Skënderbeut, por subjekti i saj, me një fabul intriguese në qendër, largon nga historia dhe shtjellon një konflikt tragjik. Fabulistika dhe përkthimi janë një fushë tjetër e krijimtarisë së Ç. Përveç një tufe fabulash që botoi në “Baba Tomorri”, më 1921 nxori në dritë vëllimin “Përralla të zgjedhura të vjershëtarit të madh La Fontenit”, me rikrijime të vërteta në shqip të fabulave të shkrimtarit francez, dhe një vit më vonë përmbledhjen “Lulet e Hindit” me vjersha të shqipëruara nga letërsia sanskrite përmes frëngjishtes. Ç. mbetet një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë së traditës; shkrimtar atdhetar e demokrat, me veprën e tij i hapi udhën realizmit në letërsinë shqipe. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1957 dhe prehen në memorialin e rilindësve në Gjirokastër. Emrin e Ç. e mbajnë institucione kulturore dhe arsimore të vendit.  

Spread the love
error: