TOPULLI Çerçiz (1880–1915). Atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit. Lindi në Gjirokastër. Mjedisi familjar e sidomos vëllai më i madh Bajo Topulli (shih), ndikuan në formimin e tij si atdhetar. Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” (shih) në Gjirokastër. Në prill të 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë, në fillim të marsit 1908, në Gjirokastër, komandantin turk të xhandarmërisë. Komandoi me trimëri çetën në Përpjekjen e Mashkullorës (shih) më 18 mars 1908. Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpnesa e Shqypeniis” (shih) Ç.T., pasi dënonte grabitjet e administratës osmane, kërkonte që Shqipëria të bëhej e lirë dhe e pavarur. Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë ishte kryengritja e përgjithshme e armatosur dhe ftonte gjithë Shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për liri. Pas fitores së revolucionit xhonturk të v. 1908, Ç.T. punoi për formimin e klubeve shqiptare (shih) dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Në shoqëritë dhe klubet patriotike mbrojti interesat e kombit. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së I. Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut. U vra më 15 korrik në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga forcat e pushtuesve malazezë. Më 1937 eshtrat e Ç.T. u sollën në Gjirokastër.