Go to top
Veshje për burra

Veshjet e burrave janë njësuar më përpara se veshjet e grave. Në rrethin e Përmetit dallojmë tre tipe kostumesh për burra: veshjen me fustanellë, veshjen me poture dhe veshjen me qillota. (Përshkrim më të hollësishëm për këto tipe veshjesh i kemi bërë për rrethin e Kolonjës).
Kostumi me fustanellë është përdorur në gjithë rrethinat e Përmetit gjer në fillim te shekullit tonë. Por ai ndryshonte jo vetëm sipas rrethinave por edhe sipas shtresave shoqërore. Kështu, shtresat e pasura të qytetit dhe ato të fshatit, fustanellën e mbanin me shumë kinda, me rreth 300-350, ndërsa shtresat e varfra gjer në 50-60 kinda. Në përgjithësi fustanella është përdorur më tepër si kostum festiv: për martesë ose për të dalë dhe jo si veshje e përditshme.
Pjesët kryesore të veshjes me fustanellë ishin: jeleku, mëngorja, kalcat, brezi dhe silahu, qeleshja dhe opingat. Nga cilësia dhe nga ngjyra e stofave që përdoreshin për qepjen e pjesëve të veçanta të këtij kostumi përcaktohej pozita shoqërore e bartësit të tij.
Në përgjithësi shtresat e varfra të fshatit për jelekët dhe mëngoret përdornin shajak të punuar vetè: zonat myslimane, shajak të bardhë ndërsa zonat ortodokse, shajak të zi. Në rrethinën e Malëshovës, ndonëse banorët e saj kanë qen të besimit ortodoks, kanë përdorur shajakun e bardhë. Si jelekët ashtu edhe mëngoret zbukuroheshin me gajtan të bardhë ose të zi, në pajtim me ngjyrën e stofit. Ndërsa shtresat e pasura të qytetit e të fshatit mbanin jelek e mëngore, punuar me cohë e të zbukuruar me gajtanë ari ose mëndafshi në ngjyrë të verdhë.
Si mbulesë koke përdorej më tepër qeleshja e bardhë e gjatë 12-15 cm. Në zonën e Malëshovës përdorej qylafi i bardhë në forme konike me një të dalë në formë thumbi në krye, si qylafi i Labërisë. Në shtresat e pasura janë përdorur edhe festja me xhufkë të gjatë që arrinte gjer te supet.
Ne mes ngjishnin një brez leshi, ndërsa shtresat e kamura përdornin edhe silahun ku venin armët e brezit. Përveç kalceve dhe çorapeve të leshta mbathnin opingat me xhufka e këpucët me proka.
Në periudhën e dimrit veshja me fustanellë plotësohej me gunën ose me bërrucën që mbahej më tepër nga barinjtë.
Me daljen nga përdorimi të fustanellës, banorët e këtij rrethi filluan të përdorin kostumin me poture. Poturet janë përdorur me tepër në qytetin e Përmetit dhe në afërtinën rreth tij, dhe më pak në rrethinat e tjera. Përveç potureve, pantallona të gjëra e të gjata gjer në gju, pjesë të këtij kostumi janë edhe jeleku dhe mëngorja, kalcet, brezi, qeleshja, opingat me xhufka ose këpucët me proka.
Edhe në veshjen me poture dallimet sipas shtresave shfaqeshin nga cilësia e stofave që përdornin për kostum. Shtresat e varfra te fshatit përdornin shajakun e zi ndërsa shtresat e kamura poturet prej cohe, në ngjyrë blu të errët.
Mbas Luftës së Parë Botërore edhe në rrethin e Përmetit, veçanërisht ne rrethinën e Dishnicës, u përhap veshja me qillota shajaku të zi dhe me xhaketë të gjatë.

Veshje-burrash-me-fustanellë-Malëshovë-fillimi-i-shek.-XX
Veshje burri me fustanellë, shtresa e kamur, fundi i shek. XIX.
Veshje-burri-me-poture.-Kosinë.-fillimi-i-shek.-XX
Armë-brezi-divit-harbi-shek.-XIX
Spread the love
error: