Go to top
Sazet e sotme

Sazet e sotme, Përmet

Sazet e sotme janë bashkimi i sazeve të Grupit “Elena Gjika” me trashëgimtarët të ish-pjesëtarëve të sazeve të Usta Laver Bariut. Në përbërjen e grupit të Sazeve të Përmetit me klarinetist Josif Shukallari dhe Sadik Zeqirin; llautjer Qirjako Vangjelin; violinist dhe këngëtar Jarek Muçon; fizarmonikë dhe këngëtar Ylli Muçon; këngëtar dhe def Alban Zeqirin. Kam pasur fatin e mirë të punoj me të tjerë muzikantë të mirëfilltë dhe me këngëtarë shumë të mirë, si: Jarek Muço, Ylli Muo, Alban Zeqiri, Taqo Curi, Artur Zeqiri, Dashnor Abedini, Luljeta Ilia, Evgjeni Culli. Një mbështetje të veçantë e kam pasur edhe nga Dashnor Nurka me familjen e tij, i cili më shoqëroi ne Festivalin e Isopolifonisë me Saze Laver Bariu, 2014, dhe në disa aktivitete të ndryshme. Josifi shkruan se: … kam lindur në fshatin Draҫovë të Përmetit më 29 janar 1958. Në moshë të re, im atë, Ilia, kishte mësuar t’i binte mandolinës, ndërsa, në vitet 1966–1967, kur vuri re që vëllai im i madh, Harallambi, kishte pasion muzikën, i bleu atij një fizarmonikë. Në ato vite, kur mungonte energjia elektrike dhe zëri i radios apo i televizorit, fillimisht me dëshirën e madhe, mësoi nga miqtë tanë në Zhepë, Jorgji e Apostol Saqellari dhe Dhiogjen Curo. Pasi arriti njëfarë niveli për atë kohë, ai u aktivizua në veprimtari të ndryshme në fshatin Draçovë të Përmetit, dhe po ashtu, në veprimtari zhvilluar në rang kooperative me Apostol Saqellarin, Dhiogjen Curon, Jano Priftin dhe Ndreko Priftin nga Zhepa e Përmetit. Në këtë mjedis fillova të apasionohesha edhe unë pas muzikës. Fillova të mësoja prej vëllait ato pjesë muzikore që kishte përvetësuar ai dhe, me dëshirën time të madhe e ndihmën e tij, luajta mjaft pjesë muzikore. Në periudhën 2-vjeçare kur im vëlla kreu shërbimin ushtarak, në fund të vitit 1969, i vazhdova unë veprimtaritë me shkollën fillore dhe rininë e fshatit e të zonës. Kështu ndodhi edhe gjatë 4 viteve të shkollës tetëvjeçare. Deri më 1980 isha pjesëmarrës me vëllain në çdo aktivitet që bëhej në fshat, në zonë dhe në rreth, siç ishin, për shembull, festivalet folklorike. Po ashtu, edhe në ushtri (1978–1979) kam marrë pjesë në veprimtaritë kulturore të repartit ushtarak. Mbas vitit 1968 e më vonë, kur në fshat erdhi energjia elektrike, dëgjonim emisione të ndryshme dhe muzikore. Këtu më lindi ideja të mësoja gërnetën. U bënë shumë vite që aktivizoheshim bashkë me vëllain me fizarmonikë, duke dëgjuar e duke parë sazet e Usta Laverit në veprimtari të ndryshme. M’u krijua kështu simpatia për një nivel më të lartë dhe më të organizuar të muzikës tradicionale përmetare dhe, në veçanti, më hynë në zemër realizimet e Usta Laver Bariut me grupin e tij. Në vitin 1980 na u dha mundësia të merrnim një gërnetë të përdorur dhe fillova intensivisht ta përvetësoja. Një ndihmesë e madhe për mua në të mirë të këtij përvetësimi ishte përdorimi për shumë kohë i fizarmonikës si dhe të qenit shoqërues i tim vëllai me fizarmonikë, ku dhe improvizonim, sadopak, trajtën e një orkestre të thjeshtë, me dy fizarmonika, një klarinetë dhe def. Qysh atëherë fillova të intensifikoja punën për mësimin e gërnetës, duke vepruar edhe si saze, ku bazamentin kryesor të të mësuarit e kisha te tingulli magjik dhe te realizimet e Usta Laver Bariut me grupin e tij. Gjatë kësaj kohe kisha mbështetjen dhe ngrohtësinë e familjes dhe vëllazërisë, sepse ndodhte të lija ditën e punës apo të punoja deri në orët e vona në shtëpinë time apo të vëllait. Gjatë viteve 1980–1985, përveç aktiviteteve shoqërore, çdo ditë e më tepër shtoheshin kërkesat për aktivitete familjare, si: fejesa, dasma nga qyteti i Përmetit deri në kufi, gjithashtu edhe në disa qytete, si: Leskovik, Ersekë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Tiranë etj. I veçantë ishte rasti kur në një dasmë në fshatin Kaludh të Përmetit Usta Laveri ndodhej në familjen e z. Trifon Lipe, që martonte vajzën, ndërsa ne ndodheshim në familjen e Koço Dhionis Prokos, rast në të cilin ishim në një distancë shumë të afërt dhe hera-herës dëgjonim gërnetën e njëri-tjetrit. Gjatë një pushimi që bëri në paraditen e së dielës kur ne prisnim krushqit, Usta Laveri erdhi në tavolinën që punonim ne, bashkë me grupin e tij dhe, pasi përshëndeti zotërinjtë e dasmës, për rreth një orë punuam bashkë pjesë të ndryshme të muzikës popullore kur dhe na shprehu simpati për sa na dëgjoi dhe na uroi për suksese të mëtejshme. U ndjeva vërtet i emocionuar të luaja përpara artistit të madh Laver Bariu dhe Sulejman Lames. Me mënyrën e sjelljes, me kërkesën që më bënë për të luajtur pjesë me gërnetë, me vlerësimet dhe urimet për suksese në vazhdim, ata më dhanë një besim e forcë edhe më të madhe për të ecur me tej. Qe nga ky moment m’u dha mundësia dhe m’u hap rruga për ta takuar dhe shumë herë të tjera në vazhdim për konsultime nga me të ndryshmet, qoftë për gërnetën si vegël dhe qoftë për realizimet muzikore. Duke marrë pjesë në shumë festivale zonale, paraqiteshim në Përmet për të dhënë këto programe, si Festen e Grurit dhe programet e 24 majit, gjatë të cilave pata kontakte si me Usta Laverin, ashtu edhe me Xha Llazo Vangjelin (koreograf në Shtëpinë e Pionierit dhe violinist me sazet e Usta Laverit). Me Xha Llazon bëmë shumë prova për vallet në Shtëpinë e Pionierit ku kemi edhe një kujtim me rastin e Vitit të Ri 1987 në TVSH me valltaret e valltarët e saj. Në fillimin e vitit 1987 më bëri ftesë përgjegjësi i orkestrinës së Shtëpisë së Kulturës së qytetit të Përmetit, z. Qirjako Vangjeli, në bashkëpunim me ish-shefin e muzikës, z. Vasil S. Tole. Prej atëherë e në vazhdim u aktivizova akoma më shumë me sazet e Usta Laverit, deri ne festivalin e 1988-s. Këto bashkëpunime më aftësuan edhe më shumë në ushtrimin e gërnetës. Me punën e madhe dhe ndihmën e shefit të muzikës, z. Vasil Tole, të Usta Laverit, përgjegjësit z. Qirjako Vangjelit e të tjerë muzikantëve të mirëfilltë, si dhe me mbështetjen e drejtorit të Shtëpisë së Kulturës z. Niko Mihali, vazhduam në shumë aktivitete të ndryshme. Më 24 maj 1988 pritëm edhe qeverinë e asaj kohe, ku me gërnetë merrja pjesë me Usta Laverin dhe Genci Muçon. Me prishjen e sistemit në vazhdim të aktiviteteve krijuam shoqërinë kulturore artistike “Elena Gjika”, me klarinetist Josif Shukallarin dhe Ligor Pecollarin ku regjistruam edhe kasetën e parë në televizion. Në vazhdim mora pjesë në një festival në Rumani. Në vitin 1993 në festival ndërkombëtar në Gjermani me z. Vasil S. Tole, Donika Pecollarin, Qirjako Vangjelin dhe familjen Ibrahimi nga Vlora. Në vitin 1994, në festivalin kombëtar në kalanë e Beratit morëm çmimin e parë. Nga viti 1994 deri në 2010 morëm pjesë në aktivitete të ndryshme me shoqërinë “Elena Gjika” dhe sazet e Shtëpisë së Kulturës si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në vitin 2010 mora pjesë me shoqërinë kulturore “Elena Gjika” në Parlamentin Evropian me rastin e liberalizimit të vizave, gjithashtu edhe në festivalin që zhvillohej në Bruksel. Në vitin 2011, bëmë incizime me BBC-në në Përmet ku dhe na ftuan në një festival botëror në Londër, por, për arsye të ndryshme nuk morëm pjesë. Në vitin 2012 përsëri i ftuar në Bruksel me ansamblin “Dropulli”, dhe një ftesë tjetër, në gërshetimin e klarinetave të Ballkanit. Në 2014 përsëri me Sazet e Përmetit dhe Jonianët në Bruksel në një tjetër festival. Në 2014 realizuam edhe dasmën përmetare në televizion më 2014, Festivali i Isopolifonisë me Saze Laver Bariun, ku u vlerësova nga juria me çmimin e parë, titullin “Laver Bariu”. Ky vlerësim nga juria e festivalit ishte një kënaqësi dhe një emocion shumë i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe që m’u paraqit, sepse me sazet ende kisha dhe kam shumë punë për të bërë në këtë drejtim për të arritur në nivelin e Usta Laverit. Në vazhdimësi marr pjesë në festivalin kombëtar të Gjirokastrës më 2015 me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve të shtetit në koncertin përshëndetës në kalanë e Gjirokastrës, gjithashtu edhe bashkë me Ansamblin Shtetëror në jehonën e festivaleve ndër vite, në Tiranë me kabanë time të re. Në vitin 2016 marr pjesë në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Sazeve në Korçë më 21 maj, ku vlerësohen Sazet e Përmetit me çmimin “Novrus Nure” (Lulushi i Korçës). Qershor 2016, në Përmet në festivalin e CIOFF-it. Në tetor 2016 marr pjesë me sazet e Përmetit në Torino (Itali) me shoqërinë “Slow food Përmet Albania”, në praninë e 7500 delegatëve nga 150 shtete. Përsëri në nëntor 2016 paraqitemi në Festivalin e Santorinit në Greqi mes turistëve me Sazet e Përmetit. Në dhjetor 2016 në Mal të Zi me sazet e Përmetit me shoqërinë “Slow fud” të Përmetit. Viti 2017 me Sazet e Përmetit marr pjesë në shumë aktivitete i ftuar nga bashkia e Përmetit, si Dita e Verës dhe hapja e sezonit turistik, kurse në prill të 2017-s, Sazet e Përmetit luajnë në Kroaci me shoqërinë e CESV-it. Me sazet e Përmetit marrim pjesë në Gjirokastër, Antigonea, në një aktivitet të rëndësishëm dhe në maj 2017 Sazet e Përmetit dekorohen nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Përsëri në maj 2017 marrim pjesë në festivalin e CIOFF-it në Përmet. 15 korrik 2017 të ftuar në një festival ndërkombëtar në Prishtinë bashkë me grupin e Sazeve të Përmetit. Në gusht 2017 bashkia e Fierit na fton në festivalin kombëtar bashkë me shokët e Sazeve të Përmetit dhe në 21 nëntor 2017 ishim të ftuar nga Ambasada Shqiptare ne Çeki. Me grupin e sazeve kemi realizuar edhe regjistrimin në Alpo Televizion të një albumi të ri në qershor 2017.  
Spread the love
error: