Sazet e Jonuzit të Lamҫes ose sazet e Radio-Tiranës
Me këtë emër njihet formacioni i sazeve që luanin muzikë drejtpërsëdrejti në valët e Radio-Tiranës, rreth viteve 40-të e më pas.
Dallojmë dy organizime të këtyre sazeve: i pari përfshin vitet 1939-1944 dhe tjetri 1945-1955. Kjo pohohet edhe në strukturën e organizimit të Radios të këtyre viteve kur thuhet: “Përveç kësaj (orkestrinës moderne të Radios-shënimi ynë), radiostacjoni ynë disponon edhe një orqestrë-saze-vendi, nga elementët më të mirë dhe më të zotë shqiptarë, që e interpretojnë për bukuri, këngën shqiptare”
[1].
Fillimisht ideja për të realizuar një disk me muzikë popullore mblodhi në Tiranë, më 1939, formacionin e parë të Sazeve të drejtuara nga Usta Jonuzi i Lamçes, nga fisi i muziktarëve popullorë Keko nga Përmeti, me gërnetë. Formacioni i këtyre sazeve përbëhej edhe nga Hysen Ibrahimi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbiu (alias Çaçi) me violinë dhe këngëtar, Ali Myslymi (alias Mane Lela) me llahutë. Qysh në programet e para, menjëherë pas formimit të Radio-Tiranës, duke filluar nga viti 1939 e në vazhdim, do të paraqiteshin me këtë emër në rubrikën -“Sazet e Radio-Tiranës:Valle e Këngë Popullore”. Në vitet 40-të, në zërin “Muzikë Popullore nga Sazet e Radios”, “ç’do të Mart, të Enjte dhe të Shtun, ora 18.30”, ato do të luanin gjithmonë direkt për spektatorin e tyre të shumtë, një repertor të larmishëm nga gjithë hapësira etnomuzikore shqiptare. Në këto pesë vjet, pothuajse në çdo dy ditë rreth orës 18.30, “Sazet e Radios” ishin në “open air” për dëgjuesin shqiptar anë e mbanë vendit. Një pjesë e repertorit të Sazeve të kësaj periudhe u pasqyrua edhe në transkiptimet muzikore të Pjetër Dungut, të publikuara tek “Lyra Shqiptare” (këngë popullore qytetare) në vitin 1940, të vjela kryesisht nga regjistrimet e Radio-Tiranës dhe të mbledhura nën kujdesin e saj. Në korrik të vitit 1943, sazet e Radios që emërtoheshin edhe si
“Orkestrina popullore toske” përbëheshin nga:
Hysen Ibrahimi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbi dhe Ali Myslimi.
Për periudhën e dytë (1944-1955) Sazet u bënë një element i përhershëm i strukturës së emisioneve kulturore. Ata dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Radios si grupi shkodran, orkestra e muzikës së kultivuar etj, konsideroheshin si faktorë tepër të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së emisoneve. Në vitet ’50 të shek. XX-të, formacioni përbëhej nga Jonuz Kona (Lamçe) ose
“Usta Jonuzi i Lamçes”, Sabri Feimi, Hysen Ibrahimi, Sadik Azbiu, Çoban Arifi dhe Ali Myslymi, shumica pjestarë të formacionit të parë. Krahas tyre u afruan edhe elementë të tjerë si këngëtari i shquar i “Shoqërise Demka Hajro-Korçë”, Çoban Arifi, llautari dhe këngëtari i shumë të njohurës këngë popullore “Do marr çiftenë do dal për gjah”-Selim Asllani. Kryesisht me origjinë nga Jugu i Shqipërisë, ata regjistruan në periudhën 1945-1955 një repertor të pasur si të muzikës me vegla dhe vokale të Shqipërisë së Jugut
[2].
Vlera e këtyre Sazeve është shumëplanëshe. Së pari,
“Sazet e Radios” u bënë formacioni i parë zyrtar i “sazeve” shqiptare të cilët afirmuan arritjet e deriatëhershme të sazeve dhe të muzikës popullore qytetare në mediumin kryesor shqiptar,
Radio-Tiranën. Kjo gjë, në dukje e thjeshtë, është një nga shembujt më të mirë të vlefshmërisë së gjithëkohëshme të folklorit tonë muzikor, i cili deri në këtë kohë kishte shërbyer si ndërgjegja më e fortë e kombit. Mjeshtëria e lartë interpretuese e pjesëtarëve të saj (së bashku me atë të formacionit të muzikës qytetare shkodrane), i bëri një qëndresë të gjallë të gjithë kulturës tjetër muzikore që propagandohej në valët e Radios. Krahas gjithë vlerave të tjera të muzikës botërore, muzika popullore shqiptare nëpërmjet mjeshtrave tanë të sazeve e ripohoi identitetin shqiptar edhe në kushtet e pushtimit fashist të vendit. Kështu “Sazet e Radios” ishin një nga treguesit më domethënës të ruajtjes së tipareve kombëtare të saj. Së fundi, “Sazet e Radios” ishin formacioni që lidhi traditën e madhe të muzikës me saze të para viteve ’40, me Sazet e gjysmës së dytë të shek.XX.
Veprimtaria e tyre pranë Radio-Tiranës vazhdoi deri në fund të viteve 50-të. Formacioni i pëlqyer i tyre ishte 1 gërnetë, 1 violinë 2 llauta. Pas shpërbërjes, një pjesë e tyre formoi orkestrinën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore-1957.
[1] “RadioTirana”, 1 Fruer 1940, fq. II.
[2] Shiko katallogun e regjistrimeve.