No products in the cart.
Përfshin pjesën JL të bashkisë së Përmetit. Një pjesë e saj shtrihet dhe në bashkinë e Kolonjës. Kufizohet me Lengaricën në Veri, me Leksovikun në lindje dhe Juglindje, me Vjosën e sipërme në Jug dhe Jugperëndim. Kushtet natyrore malore kanë detyruar popullsinë të përfshihet nga emigrimi ekonomik që herët, madje në këtë aspekt është ndër krahinat e para në Përmet. Ndër vendbanimet e hershme është Postenani, i cili përmendet në shek. XV, fshat nga i cili kishin origjinën edhe Selim dhe Hafize Leskoviku, prej familjes Danga. Krahina është e njohur për vlerat tradicionale e arkitektonike të shtëpive me mure guri, dykatëshe, me oborr dhe portë me gurë të gdhendur të cilat gjenden në fshtrat Kosovë, Delvinë, Izgar, Ogdunan, Lipivan, Trebozishtm Kovacisht, Gjerakaram Melan, Bënjë-Shqeri etj. Tiparet më së spikatura të muzikës popullore përmetare janë të lidhura pikërisht me zonën e Shqerisë, posacërisht polifonia vokale me marrje, prerje dhe iso, si tek burrat ashtu edhe tek gratë. Kjo zonë etnografike qe shtrihet mes Përmetit dhe Leskovikut ka ndikuar rrënjësisht në krijimin e repertorit të muzikës me saze. Historikisht fshatrat e kësaj zone kanë qenë të lidhura me kurbetin në USA, Turqi, Greqi, Australi etj. Në vitet e fundit, disa fshatra janë braktisur. Vlerat e jashtëzakonshme të këndimit muzikor të kësaj zone janë përjetësuar në figurën e këngëtarit popullor Lili Kosova.