No products in the cart.
MALËSHOVA Sejfulla (Lame Kodra, 1900–1971). Veprimtar politik, poet, përkthyes, publicist. Lindi në Malëshovë të Përmetit. Kreu kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër (Kalabri) dhe ndoqi studimet për mjekësi në Romë. Ka qenë një ndër drejtuesit e shoqërisë “Bashkimi”. Pas fitores Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 u emërua sekretar i përgjithshëm i qeverisë së kryesuar nga F. S. Noli. Me rikthimin e A. Zogut në pushtet, emigroi në Francë, më pas në BRSS (1925). Në Leningrad kreu Akademinë Ushtarako-Politike (1926–1927); pas kësaj dha lëndët ekonomi politike e materializëm dialektik në Institutin e Ekonomisë Popullore “V. G. Plehanov” dhe u bë bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Filozofisë të ASH të BRSS. U pranua anëtar i Partisë Komuniste të BS (1930–1932), por u përjashtua si buharinist. Në v. 1939 u dërgua në Francë nga Kominterni dhe jetoi në Paris e në Grenoblë. Në verën e v. 1943 u kthye në Shqipëri nga Franca. U kooptua në KQ të PKSH dhe më pas u zgjodh anëtar i Byrosë Politike. Në maj 1944 u emërua anëtar i Komitetit ANÇ i ngarkuar me punët e Shtypit, Propagandës, Kulturës Popullo-re dhe Arsimit; në Qeverinë Demokratike u emërua ministër i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore; më pas ministër i Arsimit (24.03.1946). U bë nismëtar për thirrjen e Konferencës themeluese të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë (7 tetor 1945) dhe u zgjodh kryetar i saj. Menjëherë pas çlirimit u shpreh për garantimin e pronës private e të iniciativës private, si dhe për marrëdhënie të mira edhe me Anglinë e me SHBA. Pikëpamjet e tij liberale ndeshën në kundërshtimin e udhëheqjes së PKSH. Në plenumin V të KQ të PKSH (21 shkurt 1946) u përjashtua nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror i PKSH me akuzën për oportunizëm dhe devijim të djathtë, kurse në v. 1947 u shkarkua edhe si ministër i Arsimit. Deri në v. 1952 punoi në Institutin e Shkencave, ku mori pjesë në hartimin e fjalorit të parë rusisht-shqip (me Pashko Gecin), botuar në Moskë (1954). Pas një internimi trevjeçar në Ballsh, ku punoi si magazinier, jetoi i izoluar në Fier; atje e mbylli jetën në mjerim të plotë. S.M. është një nga përfaqësuesit politikë dhe intelektualë më të shquar të së majtës revolucionare shqiptare të gjysmës së parë të shek. XX. Bashkëthemelues i Grupit Komunist Shqiptar të Leningradit (1928) dhe kryetar i Komitetit Organizativ të tij. Bashkëpunoi ngushtë me F. Nolin, H. Xhelon, Ll. Fundon, A. Kelmendin. Përmes veprimtarisë organizative, përkthimit të letërsisë marksiste (“Manifesti i Partisë Komuniste”, kënga “Internacionalja” etj.) dhe artikujve e polemikave të shumta në organet shqiptare të emigracionit, si “Liria Kombëtare” (Gjenevë), “Republika” (Sent-Etien), “Liria” (Boston) etj.), S.M. mori pjesë në luftën politike dhe në debatin ideologjik kundër qeverisjes së Ahmet Zogut, në përpjekjet për ndryshim politik në Shqipëri dhe organizimin e lëvizjes komuniste në vend. Publicistika e S.M. është botuar në vëllimin “Artikuj dhe ligjërata”, 1945. Në v. 1945–1946 S.M. u shfaq si ideologu kryesor i regjimit të ri veçanërisht në fushën e kulturës e të arsimit. Ishte për monopolin politik të PKSH dhe për një reformë kulturore të orientimit socialist, por me qëndrim josektar ndaj trashëgimisë letrare e kulturore të së kaluarës (“Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”, 1945).
S.M. nisi të merret me letërsi në periudhën e studimeve universitare. Qe një ndër drejtuesit e revistës “Studenti shqiptar” (Torino). Botoi me pseudonimin Lame Kodra, së pari një varg vjershash në revistën “Dielli” (Boston). Më 1923 botoi italisht poemthin me frymëzim patriotik “Konstandini”, së pari në revistën “La nazione albanese” dhe po atë vit si libër më vete në Romë. Krijimtaria poetike e S.M., rreth tridhjetë poezi të botuara së pari në organet shqiptare të mërgimit, e përmbledhur në vëllimin “Vjersha” (Tiranë, 1945, 1946), realizon ndërlidhjen mes poezisë patriotike të mbarimit të Rilindjes, me poezinë sociale të v. ‘30–’40 të shek. XX. E mbështetur në modele të poezisë popullore: lirike për nga frymëzimi themelor, epike për nga ngjeshja e përfytyrimit, tipikisht revolucionare për nga angazhimi i shpallur, karakteri polemizues e spektri i temave, poezia e S.M., e popullarizuar në kohën e LDB, është vlerësuar për muzikalitetin e gjuhës, vargun e gdhendur e përkryerjen formale. S.M. është i njohur si përkthyes i disa autorëve të letërsisë ruse e gjermane, si N. A. Nekrasov, A. P. Çehov (“Kopshti i qershive”), J. Gëte, H. Hajne, M. Gorki etj. Disa prej shqipërimeve të tij (“Zgalemi” i M. Gorkit, “Punëtoret e avlëmendit” i H. Hajnes, “Ançari” i A. S. Pushkinit), të dalluara për transmetimin e shkëlqyer të tonit e të strukturës ritmike të origjinalit, kanë zënë vend në radhën e kryeveprave të përkthimit shqip.